Gazeta Nacional Albania

Intervistë me një fajtor. Tregim nga Anita Tafa

 

Gjyqi sapo kishte filluar. Ishte një vrasje që kishte bërë zhurmë të madhe. Një deputet mpleksej në vrasjen e sekretares së tij. Nuk ishte gjë e jashtëzakonshme, vrasje kishin ndodhur dhe më parë, por kurrë nuk ishte dëgjuar për një njeri të politikës. Pas vrasjes, të gjitha dyshimet kishin rënë mbi deputetin për arsye të lidhjes intime që kishte pasur me të ndjerën. Ai një deputet 56-vjeçar, i martuar me fëmijë, ishte një shembull në rrethet shoqërore, sociale, politike. Gjithmonë fotografohej me familjen e tij në çdo event apo çaste të ndryshme. Ishte një figurë nga ato që mund ta quanin të dashur, të respektuar në publik.

Kur u dha lajmi në gazeta, televizione, në të gjitha mediat … asnjë s’e besonte. Por kishte një viktimë dhe një vrasës që duhej kërkuar.

Viktima, një vajzë e re, e bukur, intelektuale, ishte një vajzë nga ato që tërheqin me çdo veprim, me çdo lëvizje buzësh, ishte një vajzë tepër joshëse.

Si kishte arritur deri aty si sekretare në zyrën e deputetit?

… Asnjë s’e dinte.

Në punë, ajo ishte një sekretare që kishte të gjitha cilësitë që duheshin. E bukur, intelektuale, fliste 4 gjuhë të huaja, inteligjente. E sjellshme në punë, e qeshur por e mbyllur në karakter. Nuk fliste kurrë për jetën e saj, as kishtë shumë miqësi. Bënte një jetë të thjeshtë, rrallë dilte natën nëpër klube, disko, etj. Mbas vrasjes, ekspertët e policisë kishin kërkuar seleksionuar çdo provë, dëshmi që mund t’u ndihmonte në zbardhjen e krimit.

Të gjitha faktet ishin kundër tij, kundër deputetit. Arrestimi kishte bërë bujë. Familja ishte “fshehur” prej turpit. Kohët kur ishin të lumtur dhe dashamirës ndaj publikut …kishin mbaruar. Të gjitha mediat ishin kundër tyre. Çfarë flitej nga mëngjesi në darkë ….nuk kishin të rrëfyer. Skenare nga më të ndryshmet.

Trupi i së ndjerës ishte gjetur mbas një jave në shtëpinë e saj në vaskë, në një gjendje tragjike. Në trup nuk kishte shenja dhune, as përleshjeje, asgjë. Po të mos kishin kaluar ditë mund të thoje që vdiq nga arsye fizike. Vetëm disa shenja gishtërinjsh dhe disa rroba të brendshme të deputetit ishin gjendur. Analizat e ekspertizës tregonin që ai kishte qenë njeriu i fundit që e kishte takuar. Sado që çdo gjë dukej e rregulluar, krevati i paprekur. Analizat mbi çarçaf tregonin që natën e fundit kishin qenë bashkë, gjë që deputeti s’e kishte mohuar.

Ai bërtiste dhe përsëriste vazhdimisht:

-Jam i pafajshëm! Më kanë ngritur kurth!

Vendosa të shkoj ta takoj në burg, mbas një kërkese që ai vetë kishte bërë.

Më kishte zgjedhur të më tregonte historinë e tij. Shkova. Kisha dhe shumë kureshtje.

Po prisja në dhomën e vizitave dhe pas pak e sollën dhe atë. Ishte një njeri i thjeshtë, një njeri si gjithë të tjerët. Nuk kishte shkëlqimin që të jep posti i deputetit. Ndjeva një keqardhje.

U ulëm.

-Jam i pafajshëm,- më tha.

-Nuk jam gjykatës, as avokat, as dedektiv,- u përgjigja.

-E di,- tha.

-Do të tregoj historinë dhe ti vendos, jam apo jo fajtor.

Doja të dëgjoja historinë.

Ai filloi të më tregonte për të ndjerën, si ishin njohur.

Vazhdon …..

 

 

II

 

Hapa fletoren që të mbaja shënime, kur deputeti mbas një psherëtime që i doli nga thellësia e gjoksit filloi:

Kur mora postin isha thjesht një i zgjedhur nga populli. Puna e re më pëlqeu. M’u hapën dyer, horizonte, kisha një tjetër  “status” në shoqëri.

Unë një nëpunës shtetëror nga një qytet i vogël, befas arrita në parlament!

Kam një familje shembullore dhe të gjithë na mbështesnin. Nuk kisha dhënë kurrë arsye për të kundërtën deri ditën që hyri ajo në zyrën time. Atë dite s’e harroj kurrë.

Hyri si fllad pranveror, me një aromë dehëse.

Nuk kisha parë kurrë një femër kaq të bukur.

Nuk ishte provokuese, por një femër e bukur me hirin rinor, e respektuar dhe me veshje normale të thjeshtë zyrtare (në kundërshtim me të tjerat që visheshin si të përdala me modën e fundit, mini e nuk di çfarë) më tepër zhveshur, se veshur.

Kjo më bëri përshtypje tek ajo. Nuk mund t’i refuzoja tundimit mashkullor. Diçka brenda meje ishte zgjuar. Një zjarr ishte ndezur .

Në punë ishte shumë e sjellshme. Kishte fituar respektin e të gjithëve. Të gjithë meshkujt në zyrë ishin të dashuruar me të, deri dhe shoferi im!! E kisha vënë re atë, kur ajo hipte në makinë, ai drejtonte pasqyrën në mënyrë që ta shihte gjatë gjithë rrugës. Shikonte çdo lëvizje të saj. (Këtu ai qeshi nën buzë).

Kur fliste për të fytyra e tij merrte një ndriçim të veçantë.

E pa që e kuptova nënqeshjen e tij dhe tha:

-Njëherë, për pak desh u aksidentuam.

-Pse?- pyeta.

-Do shkonim në një takim dhe morëm makinën si përherë. Shoferi im kishte vënë një muzikë që siç dukej asaj i pëlqente dhe filloi të këndojë me zë të ulët. Kishte zë të mrekullueshëm. Shoferi gjatë gjithë kësaj kohe e humbi toruan. U mahnit prej saj, saqë nuk shikonte rrugën përpara. Për pak desh u aksidentuam. Unë u nxeha dhe i bërtita. E ofendova ç’është e vërteta. Ai uli kokën, kërkoi falje dhe vazhdoi rrugën. Ajo u tremb pak, por nuk foli. Kur zbritëm nga makina, ajo u afrua drejt tij, e preku në krahë i buzeqeshi.

-Mos u mërzit,- i tha,- do t’i kalojë (e kishte fjalën për mua). Në ato momente xhelozova aq shumë … sa doja ta përzija.

Nuk doja që zërin e saj ta dëgjonte njeri veç meje.

Duart e saj të mos preknin njeri veç meje. U tërbova nga xhelozia. Kuptova.

Isha i dashuruar me të dhe më e keqja?

Xhelozoja dhe erën që e prekte!!

Nuk flija ditë dhe natë. Mendoja vetëm atë. Kur shkoja në zyrë isha aq i gëzuar, sa nuk përshkruhej. Shihja nga dritarja, prisja të zbriste nga makina që të shihja këmbën e saj.

Kur hynte në zyrë e thërrisja shpesh e më shpesh, për gjëra të vogla. Doja ta kisha pranë.

-Isha i dashuruar, xhelozoja.

I thashë që s’mund të kuptoja këtë pathos, këtë dashuri.

-Nuk e ke ndjerë,- tha. – Më mirë mos ta ndiejë njeri. Të sëmur, të bën me instikte shtazore. E urreja veten që nuk e kisha, nuk e prekja.

Por kjo, nuk zgjati shumë. Isha i çmendur pas asaj dhe ajo e kishte kuptuar. Një ditë për çudinë time më ftoi në shtëpinë e saj.

Nuk mendova asgjë të keqe në atë moment.

Shkova, kishte një shtëpi të vogël, të thjeshtë, por të rregulluar me gusto. Çdo gjë, çdo objekt kishte aromën e saj. Nuk u përmbajta më.

-Në djall të venë të gjitha,- thashë me vete.

E rrëmbeva nga krahët dhe e putha fort.

Nuk kundërshtoi, përkundrazi m’i kthente puthjet me zjarr. Nuk mendoja nuk shihja vetëm kërkoja me sy ku ishte dhoma e gjumit.

Atë natë nuk ika në shtëpi. Ndenja me të tërë natën duke e mbajtur në krahët e mi, në gjoksin tim. Në shtëpi i lajmërova që do të isha për punë jashtë qytetit ..

 

III

 

 

Atë natë do ta mbaj mend. U ndjeva si një djalë i ri. Atë epsh, zjarr, ndjenje kisha kohë pa e ndjerë. Vitet me gruan kishin kaluar dhe nuk kishim atë dashuri me as kërkesë as zjarr asgjë. Thjesht kishim dashurinë për familjen, dhembshurinë për njëri-tjetrin. Na mungonte epshi trupor. U ndjeva si në parajsë, isha më i lumturi në botë, kisha femrën më të bukur dhe kjo më bënte të ndjehesha superior.

-Si është jeta!- tha pas pak.

-Deri para një muaji ajo ishte në krahët e mi …sot ne flasim për të në kohën e shkuar.

E vështroja në sy. Ndiqja çdo lëvizje të tij. Doja të kuptoja nëpërmjet lëvizjeve sa i sinqertë ishe, sa të vërteta ishin fjalët e tij.

-Kjo vazhdoi për një kohë të gjatë. Në fillim çdo gjë shkonte mbarë. E mbanim fshehur. Lumturia ishte pikturuar në shpirt. Unë fillova ta mbaja pak më shumë veten. Vishesha me modë, me stil rinor, fillova të kujdesesha për trupin, lëkurën, etj, etj. Doja të isha i ri me të.

Ky ndryshim ra në sy, si në punë dhe në familje. Për punën s’më bëhej vonë. Isha deputet, por në shtëpi filluan pak grindjet, ankesat nga gruaja. E kisha lënë mbas dore.

Ramë dakord me të, të rrallonim pak takimet tona derisa të qetësohej pak gjendja.

Ra dakord menjëherë dhe mua kjo me futi në dyshime!!

Mos donte të largohej nga unë?

Mos kishte gjetur tjetër?

Xhelozia më gërryente përbrenda. Nuk mund të duroja idenë që ajo kishte një tjetër. Do ta vrisja. Isha çmendur pas saj.

Unë ndala për pak lapsin mbi fletore dhe ai e kuptoi.

-Jo, jo, mos mendoni që e vrava. Nuk jam kriminel.

Nuk fola. Nuk isha gjykatës. Vazhdoi:

-Me gruan ikëm për pushime dhe çdo gjë kishte marrë një rrjedhë të qetë. Kishim shoqëri dhe e kalonim bukur. Dita kalonte, por mua më dukej pa mbarim. Natën kur shtrihesha pranë gruas me dukej ferr. Ato pak çaste që jetoja me gruan imagjinoja atë. Çdo prekje që i jepja gruas ndjeja atë, çdo puthje, përqafim ishte për të.

Po çmendesha. Në telefon e merrja rrallë dhe ajo përherë përgjigjej me atë zërin e saj të ëmbël. Më qetësonte.

Pushimet mbaruan dhe unë nga entuziazmi i tepërt fluturoja. Po shkoja tek ajo, drejt saj, në krahët e saj. Gruaja e vuri re dhe filloi të fliste me ironi. Nuk i dhashë vëmendje, nuk dëgjoja asgjë. Gjatë gjithë rrugës, ajo grindej. Kur arritëm në shtëpi lashë valixhet dhe u bëra gati të ikja tek ajo. Gruaja më doli para, pa folur me hodhi disa fotografi mbi tavolinë.

Isha unë dhe ajo në çaste intime.

Nuk fola, u ula.

-O ne …o ajo! – më tha gruaja.

-Nuk dija, nuk doja. Familja ishte gjëja më e shtrenjtë për mua Fëmijët?? Jeta pa to s’kishte kuptim. Por dhe dashuria që ndjeja …?

U ngrita në këmbë.

-Po ike,- tha gruaja,- mbaruam!

Nuk mund të mbaronte kaq shpejt një familje, një jetë shumëvjeçare??!!

Vendosa …..

 

IV

 

Vendosa …

U ngrita, mora një valixhe, pak rroba dhe ika. Gruaja pas meje përplasi derën dhe të çjerrat e saj dëgjoheshin deri jashtë. Në ato momente mendoja: “Sa pak i njohim njerëzit që kemi jetuar, ndarë një jetë?”

Me një ndjenjë mërzie, por dhe lumturie që po shkoja drejt dashurisë, shpejtova hapin.

Pas pak isha në shtëpinë e saj. Si gjithmonë, ajo më priti me krahët hapur. U habit kur më pa me valixhe, por nuk foli, nuk pyeti.

U dhamë të dy pas mallit, dëshirës që kishim për njëri-tjetrin, asaj që ndjenim në heshtje.

Ajo, kurrë nuk ankohej. Më donte, më ndjente, po kurrë nuk me tha: ZGJIDH .

Me pak fjalë i tregova që kisha ikur nga shtëpia dhe më e mira ishte të qëndroja në një hotel për pak kohë derisa të zgjidhej ky problem në familje. Atë natë fjeta aty. Të nesërmen, u ngrita hapa televizorin të dëgjoja lajmet. Ishte e diel.

Sa hapa televizori pashë fotografitë e mia në çastet intime me të. Më ra kafeja nga dora. Ndjeva turpin, skandalin që do të plaste. Mendova se më ra tavani në kokë. Në ato momente doja të vrisja gruan time. Ajo i kishte çuar fotot për hakmarrje.  Si nuk mendoi për fëmijët??

Çfarë do të thonin? Babai i tyre me një vajzë të re në krevat në çaste intime?? Turp!! Këtu çdo gjë kishte mbaruar. Dhe karriera ime. Nuk mund ta besoja..

U vesha dhe shkova në shtëpine time. Nga zemërimi i bija derës si i çmendur, deri kur ma hapi gruaja e habitur! E shtyva derën dhe fillova të bërtisja:

-Bravo, u kënaqe tani?

Shkatërrove familjen, fëmijët, karrierën time.

Tani bëhuni gati të ktheheni nga erdhët. Privilegjet si deputet mbaruan!! Ajo rrinte në këmbë dhe lutej të mos bërtisja. (Na dëgjojnë të tjerët,- thoshte.)

Më kapi një e qeshur histerike.

Për çfarë dëgjimi nga të tjerët e kishin parë lakuriqësinë time si deputet me plot kuptimin e fjalës!!

Ajo betohej që nuk i kishte nxjerrë fotot dhe s’kishte folur me njeri.

-Nuk jam budallaqe,- thoshte,- të shkatërroj familjen për një kapriço tënden.

-Çdo burrë e kalon këtë fazë,- thoshte.

-Atëherë, ku i gjete fotot?- e pyeta.

-Dikush i solli,- tha,- kur ishim me pushime.

-Kush??- pyeta

-S’e di,- m’u përgjigj.

Një ditë dikush erdhi, kur ti ishe me shokë dhe më dha një zarf.

-Për Z. Deputet,- tha.

Nga kureshtja i hapa dhe i pashë. Nuk të thashë dhe kisha ndërmend t’i hidhja, por diçka më mbajti.

Nuk kuptoja asgjë. Kush mund të ma bënte këtë?? Në punë vërtet kishte probleme. Kohët e fundit kisha një debat me deputetët për votimin e një projekt-ligji. Sado ishim të njëjtës pozitë, unë nuk isha dakord për votimin e tij. Ai ligj prekte njerëzit që më kishin votuar, besuar. Nuk mund të veproja kundër tyre.

Nuk gjetëm asnjë zgjidhje. E vetmja gjë ishte ta linim në heshtje të kalonte.

Biseduam me gruan dhe vendosëm që e mira ishte të rrinim bashkë dhe t’u tregonim të tjerëve që asgjë nuk na kishte prekur nga kjo ngjarje dhe kështu bëmë.

Për fat të keq nga puna asgjë nuk shkonte mirë më. Atë duhej ta hiqja, të largohej nga zyra. Pranoi pa kundërshtuar. Kuptonte. Megjithëse i gjeta një punë tjetër në një zyrë private të vogël. Kaluan disa muaj dhe sikur po harrohej skandali. Me të takohesha gjithmonë, por filloi ajo hazma midis nesh. Çdo herë e më shumë, ajo ishte e paqejf. Nuk kishte oreks më për mua.Tani dhe seksi me të ishte kthyer në rutinë. Unë isha i njëjtë, ajo kishte ndryshuar.

Dukej me e prerë në fytyrë, më e lodhur, mërzitej shpejt, fillonte qante. Nuk kuptoja asgjë. Një ditë më tha:

-Jam shtatzënë!

-U befasova! S’e prisja! Kishim rënë dakord: jo fëmijë, jo shtatzanësi!! Tani???

Ky do të ishte skandali më i madh!!

Biseduam gjatë që të ndërpriste shtatzanësinë.

Ramë dakord. Fjetëm bashkë. Të nesërmen duhej të ikja herët. Duhej të shkoja në një qytet tjetër për punë.

S’e pashë më. S’përgjigjej as në telefon.

Kur u ktheva, më priste policia.

 

***

Këtu pushoi. Nuk foli më.Të tjerat i dija, nga mediat. Ishte ngjarja e vitit.

Shumë ide ishin thënë, hipoteza. Por ai këmbëngulte mbi pafajsinë e tij. Përveç disa fakteve që ishin gjetur, i përkisnin atij (nuk i kishte mohuar). Kush tjetër kishte dorë në këtë histori?? Kush mund ta kishte futur në kurth??

Kundërshtarët e tij në politikë, apo?? Ishte çështje politike apo ordinere???

Ishin pyetje që donin përgjigje. Koha e jonë mbaroi dhe ai u ngrit.

-Jam i pafajshëm!- tha.- Kërkoni dhe do ta gjeni.

-E përshëndeta dhe ika.

Gjyqi i tij ishte shumë afër dhe unë doja të zbuloja të vërtetën. Kisha të njohur në polici dhe vendosa që atë ditë të merresha me këtë çështje. Duhej të filloja nga faktet e gjetura në shtëpinë e së ndjerës dhe më pas në familjen e tij. Koha nuk priste.

 

V

 

Ditët kalonin, koha nuk priste. Në qoftë se fajtori nuk ishte deputeti, atëherë kush???

Kjo pyetje më mundonte. Kisha nxjerrë konkluzionet e mia, por kisha shumë boshllëqe që duheshin plotësuar.

Shkova në familjen e tij dhe derën ma hapi gruaja. U përshëndeta me të, i tregova kush jam dhe ajo me një mirësjellje më pranoi duke më lejuar të hyja brenda. Teksa, pija kafenë që më kishte ofruar i thashë:

-E di që është e rëndë për ju, por duhet të dalë e vërteta.

-Sigurisht,- tha.- Unë besoj që bashkëshorti im është i pafajshëm.

Sytë iu mbushën me lot.

-E dija për lidhjen e tij me sekretaren.

Më tregoi për të gjitha ato që unë i kisha dëgjuar nga deputeti.

-E dinit që ajo ishte shtatzënë?- e pyeta.

Me shikoi pak e habitur.

-Jo këtë s’e dija,- tha.

Filloi te qante dhe mes ngashërimash thoshte:

-U shkatërruam për një kapriço. Zot na ndihmo!

Në atë kohë në dhomë hyri djali i saj. Ishte një djalë i hijshëm, shtatlartë, rreth 26 vjeç.

Vazhdonte studimet për drejtësi.

Më takoi, u ul në krah të nënës së tij dhe i tha:

-Mos u mërzit, do të kalojë.

E pyeta, nëse ai ishte në dijeni dhe m’u përgjigj se i kishte mësuar nga mediat. Prindërit e tij kurrë nuk i kishin dhënë të kuptonte që kishin probleme.

Ndërkohë që flisnim, dikush e mori në telefon. U ngrit, kërkoi falje dhe doli të fliste.

Nga zëri i mbytur, kuptova që kishte një farë mosmarrëveshje në telefon. Kur hyri brenda, fytyra e tij kishte ndërruar ngjyrë. Ishte pak i zbehtë dhe mezi mbante zemërimin.

RINI, çfarë problemi mund të ketë rinia???

Qesha pak nën buzë.

Mbasi mbarova aty, ika pa gjetur asgjë.

Ditët e gjyqit afroheshin. Nuk kisha gjetur asgjë dhe nga puna. Faktet ishin kundër deputetit.

Mbase ai ishte fajtori.

Nuk më zinte as mua gjumi më. Por nuk gjeta asnjë fakt që të fliste për njeri tjetër në vendin e krimit. Me keqardhje vendosa të prisja ditën e gjyqit. Isha ulur në një kafe, kur përballë meje erdhi një i panjohur. Më dha një zarf e iku siç erdhi me shpejtësi. Hapa zarfin. Atë që pashë brenda më befasoi, por dhe më gëzoi. Kisha gjetur zgjidhjen, fajtorin. Pagova kafen dhe shkova në polici. Dorëzova zarfin dhe prita ditën e gjyqit e cila erdhi shumë shpejt.

Ishte një ditë e bukur, plot diell. Televizori fliste gjithë ditën për gjyqin. Gazetarët kishin vajtur që në mesnatë në burg dhe në gjykatë që të transmentonin lajmin direkt. Ishte ngjarja e vitit.

Gjyqi u hap me dëshmitarët që nuk dinin asgjë me rëndësi, por thjesht dëshmi njohjeje.

Erdhi radha të dëshmonte familja.

Foli gruaja. E kuptoja teksa e shihja sa të vështirë e kishte. Mbaroi shpejt.

Thirrën emrin e djalit të tij dhe deputeti dhe gruaja ngelën të habitur. Në fillim ai mohoi çdo gjë. Por unë e dija. Kisha parë zarfin, fotot brenda.

Djali i deputeti kishte pasur lidhje me sekretaren. Përballë fakteve ai ngeli i shtangur. Fotografitë e tregonin ditën e fundit të mëngjesit pas ikjes së të atit të futej në apartamentin e saj e të dilte pas pak orësh. Ishte personi i fundit që e kishte parë gjallë. Salla ngriu. Deputeti nuk u besonte veshëve. Kishin qenë të dashuruar me të njëjtën grua!! Nuk mund ta besonte.

Djali i tij ishte vënë me shpatulla mbas murit.

Dënimi do të ishte maksimal. Ai qante bërtiste.

-Baba s’e kam bërë unë!! E doja!

Në atë moment u ngrit gruaja e deputetit u afrua pranë të birit, e përqafoi me lot ndër sy.

-Më fal!- i tha.

U drejtua nga salla.

-Unë e vrava!!!

U drejtua nga trupi gjykues.

-Unë e vrava!! Nuk mund të shikoja si po shkatërrohej familja ime nga një grua. Dy burrat e familjes ishin dashuruar me të njëjtën grua. Ajo (e ndjera) po m’i merrte një nga një. Nuk mund ta lejoja. Me profesion doktoreshë kisha të gjitha mundësitë ta vrisja pa kuptuar njeri, pa lënë gjurmë. E dija që burri im e takonte, e ruaja. Atë ditë që iku në mëngjes herët, unë prisja gjithë natën në makinë. Si u sigurova që ishte vetëm, vajta në shtëpinë e saj që të bisedoja. Nuk kisha qëllim ta vrisja. Me hapi derën dhe për një moment u shtang. Nuk e priste të më shihte aty. E luta të ulej të bisedonim si dy gra të pjekura të emancipuara. Nuk solli kundërshtim. I kërkova të bënte kafe, kur ndërkohë telefoni i saj ra. Ishte mbi tavolinë. E pashë, ishte numri i djalit tim. ( Aty mora vendimin ta vrisja. Ishte e vetmja zgjidhje që të shpëtonim prej saj ).La mesazh që do të vinte pas pak. Nuk kisha kohë.

-M’u errësuan sytë. Kjo femër më shkatërroi jetën, tani po shkatërronte dhe fëmijën tim. Ndërkohë që ajo solli kafetë dhe shikonte telefonin. Pa kuptuar i hodha një ilaç që nuk linte gjurmë. Vdekja do të ishte e ngadaltë. Nuk e dija dhe as mendova që dikush tjetër e ndiqte dhe fotografonte.

Ika pa më parë njeri. S’më njihte asnjë. E dija që pas pak orësh, ajo do të vdiste!!!

-Djali im është i pafajshëm,- tha ajo.

-Gabimi i tij ishte se u dashurua me të njëjtën femër që u dashurua dhe babai!!

U kthye nga ata dhe u tha:

-Nuk mund t’ju lija në krahët e së njëjtës grua!!

Salla kishte ngelur e shtangur!

Gjyqi u shty dhe vendosën të bëhej me dyer të mbyllura.

Unë dola jashtë e lehtësuar. Më së fundi e vërteta kishte dalë. Po pija kafe kur dikush më solli një letër të palosur.

E hapa. Brenda shkruante: FLM!!

Hapa sytë përreth, nuk pashë asnjë.

Falenderimi i takonte atij. Njeriut të panjohur, të padukshëm!! Dielli ndriçonte dhe metereologu thoshte që do kishim një javë të shkëlqyer e të ngrohtë. Ftohtësia kishte ngelur brenda mureve të gjykatës.

U ngrita. Jeta është e bukur!!!

 

FUND