Poetët kanë të përbashkët ndjeshmërinë
Intervistë me poeten dhe piktoren BELINDA SUBRAMAN (SHBA)
- Vërej një tendencë të admirueshme që lidh njerëzit dhe promovon paqen përmes poezisë.
- Ajo çfarë kemi të përbashkët është shumë më tepër sesa ajo që na dallon.
Intervistoi: IRMA KURTI
BELINDA SUBRAMAN është nominuar Beat Poetry Laureate në shtetin e Teksasit (2023-2025) nga Fondacioni Kombëtar i Poetëve Beat. Krijimtaria e saj është botuar në qindra revista, të shtypura dhe online, botime akademike apo shtëpi të vogla botuese. Ajo ka një karrierë dhjetëvjeçare si redaktore dhe botuese e revistës Gypsy Literary Magazine. Gjashtë nga këto dhjetë vjet, ajo i kaloi në Gjermani. Belinda ka redaktuar disa libra të botuara nga Vergin’ Press, ndër të cilët: Henry Miller si dhe Ditët e mia në Big Sur të shkruar nga Judson Crews. Kur ishte në Gjermani, ajo botoi gjithashtu Një Seri Regjistrimesh të Shenjta – përmbledhje e masterizuar e poezive audio si dhe muzikës origjinale nga e gjithë bota. Belinda Subraman ka marrë masterin në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë. Veprat e saj ndodhen në Universitetin e New Mexico-s, Albuquerque. Libri i saj i fundit titullohet: Ligjësia e Dorës së Majtë dhe është botuar nga Unlikely Books. Belinda është gjithashtu një artiste multimediale. Arti i saj është prezantuar në Unknown Stories, Eclectica, North of Oxford, El Paso News, Raw Art Review, Red Fez, Epoch dhe shumë të tjera. Ajo shet printime të punimeve të saj në dyqanin e vet Mystical House Etsy. Në vitin 2020, Belinda filloi të realizojë programin online GAS: Poezi, Art dhe Muzikë, që përmban intervista, lexime, performanca dhe shfaqje arti në format video, një gazetë online dhe një grup me të njëjtin emër.
https://www.youtube.com/BelindaSubraman, https://gaspoertyartandmusic.blogspot.com
-A e ndjeni veten më shumë poete apo piktore?
-Sigurisht, të dyja. Unë gjithmonë kam shkruar shumë më tepër sesa kam pikturuar deri vonë. Aktualisht, rëndësia e tyre është pothuaj e njëjtë.
-Cila është lidhja midis artit dhe poezisë?
-Të dyja janë poezi. Artin mund ta shihni nga larg, poezinë duhet ta lexoni ose ta dëgjoni të lexuar. Proçesi i krijimit është gjithashtu i ngjashëm. Ju keni në mendje një ide për ta zhvilluar, por nuk e dini saktësisht se si do të realizohet ajo derisa ta lini krijimtarinë tuaj të rrjedhë.
-Kur e kuptuat se poezia do të bëhej pjesë integrale e jetës suaj?
-Kur isha në klasën e 6-të (dhjetë vjeç). Mësuesja ime, znj. Woodruff, ishte e para që më frymëzoi dhe më nxiti për të shkruar. Ajo na lexonte poezi dhe personalisht më inkurajoi të lexoja më tepër vargje. Shfletova shumë libra dhe zbulova atje mendime të kristalizuara të thëna bukur dhe që patën një ndikim të madh tek unë. Qysh atëherë fillova të hidhja poezitë e mia mbi fletën e bardhë.
-Cilat janë disa nga sfidat me të cilat jeni përballur në rrugën tuaj letrare?
-Unë përpiqem të bëj çfarë mundem në fushën e artit dhe letërsisë. Kujtoj se pesëdhjetë vjet më parë u ndjeva e refuzuar personalisht kur dërgova disa poezi në një revistë dhe nuk u botuan. Por e kuptova shumë shpejt se kjo mund të ndodhte për një sërë arsyesh, përshembull që ato nuk i përshtateshin tematikës, stilit të krijimeve që redaksia pranonte, ose ndoshta kishin marrë me qindra dorëshkrime dhe duhej të seleksiononin vetëm dhjetë poezi, ose thjesht nuk u pëlqente mënyra sesi unë i bashkoja fjalët, por ky refuzim nuk ishte aspak diçka “personale”.
-Arti juaj është ekspozuar në shumë ekspozita. Çfarë mesazhi doni t’u përcillni njerëzve që e vlerësojnë atë?
-Në fakt, unë fillova ta ekspozoj artin tim nëpër galeri vetëm tre vjet më parë. Fillimisht nisa t’i ndaj krijimet e mia në internet për një periudhë 6-vjeçare, kurse nëpër revista këto vitet e fundit. Unë thjesht pikturoj një pjesë të vetvetes që dëshiron të shpërfaqet dhe të tjerët reagojnë në mënyrën se si kjo vepër ndikon tek ata.
-A mund të na tregoni diçka më shumë rreth projektit tuaj GAS: Poezi, Art dhe Muzikë?
-Ky projekt filloi në vitin 1983 me botimin tim të parë, i cili ishte Një Seri Regjistrimesh të Shenjta. Në atë kohë jetoja në Gjermaninë Perëndimore. Unë botova një njoftim, në disa revista, se isha e interesuar për dorëshkrime muzikore dhe poetike nga e gjithë bota. Zgjodha më të mirat, krijova një kasetë master dhe më pas u dërgova kopje në kasetë abonentëve dhe kontribuesve. Përpiqesha të mësoja vetë kitarën dhe kisha vite që shkruaja dhe pikturoja. Edhe pse vazhdova me prodhimin e kasetave, në vitin 1984 fillova gjithashtu botimin e revistës letrare Gypsy. Në atë kohë, botimi i krijimtarisë nga krijues dhe artistë nga 24 vende në një edicion të vetëm ishte një gjë e rëndësishme dhe shumë më e kushtueshme. Nuk kishte internet dhe komunikim të menjëhershëm. Megjithatë, unë arrita të gjeja kontribues dhe abonentë nga shumë vende dhe biblioteka. E ndalova shtypjen e revistës në vitin 1994. Pata një version të shkurtër online të Revistës në fillim te vitit 2000. Disa vjet më vonë përdora një format blogu dhe botova për një periudhë Gypsy Art Show. Bleva një emër të një faqeje online, por kur erdhi koha për ta rinovuar, kjo u bë e pamundur. U përpoqën të ma shisnin emrin e domenit për 5,000.00 dollarë. Kështu që e humba atë faqe interneti. Gjatë periudhës së pandemisë së Covid-it, fillova projektin GAS, e cila ishte një fillim i ri për Gypsy Art Show me një emër që nuk linte vend për interpretime të ndyshme. (Unë jam transferuar çdo dy vjet a më shumë dhe ky ishte një term i pranueshëm në vitet ’80).
-Çfarë kanë poetët të përbashkët?
-Ndoshta një ndjeshmëri ndaj nuancave të situatave dhe gjërave.
-Mund ta përkufizoni Paqen me fjalët tuaja?
-Paqja për mua është të jesh pjesë e rrjedhës dhe të përpiqesh të lidhesh me të tjerët. Vërej një tendencë të admirueshme që lidh njerëzit dhe promovon paqen përmes poezisë. Unë të konsideroj ty, Irma Kurti, pjesë të këtij proçesi duke përkthyer dhe ndarë krijimtarinë e poetëve nga shumë vende të botës. Në këtë mënyrë mund të kuptojmë se ajo çfarë kemi të përbashkët është shumë më tepër sesa ajo që na dallon.

