Huguette Bertrand : POETËT KANË TË PËRBASHKËT LIRINË E FJALËS. Intervistoi: Irma Kurti, Itali

Poezia nuk ka qenë kurrë më tepër se sot një mjet i fuqishëm për paqen

Biografia

Huguette Bertrand është një poete dhe botuese franko-kanadeze. Ajo ka lindur dhe banon në Kanada. Ka 39 vjet që shkruan dhe boton poezi të shkruara në gjuhën franceze, deri tani të përmbledhura në 39 libra. Që nga 2014 poezitë e saj janë pjesë e revistave dhe antologjive ndërkombëtare në formatin e shtypur dhe online në shumë gjuhë si arabe, rumene, koreane, spanjolle, italiane, kineze, japoneze, bengale, turke dhe maqedone. Përveç eksperiencës në sektorin e botimeve, ajo është pjesëmarrëse në shumë veprimtari poetike, ekspozita të poezisë të shoqëruara me vepra arti në Kanada, Francë dhe Norvegji. Bertrand ka mbajtur një serë seminaresh mbi poezinë në Kanada dhe në Francë. Ajo është përfaqësuesja kanadeze e lëvizjes ndërkombëtare IMMAGINE & POESIA – IMAZHI DHE POEZIA (me qendër në Itali) që nga viti 2014 e bashkëredaktore e antologjive vjetore dixhitale për këtë lëvizje.

Kur e shkruat poezinë tuaj të parë dhe kur e kuptuat që Poezia do të bëhej pjesë përbërëse e jetës suaj?

Fillova të shkruaj vargje në vitin 1983 me mendimin se ato ishin poezi. Nuk mund ta dija atëherë se Poezia do të bëhej pjesë e pandarë e jetës sime. Që nga ajo kohë, kam shkruar vazhdimisht. Pas botimit të librit tim të parë me poezi në vitin 1985, më kërkuan të kryeja rolin e sekretares së Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve në zonën ku banoj (Trois-Rivières në provincën Quebec, në Kanada). Tre vite më vonë më propozuan të bëhesha presidente e Shoqatës. Kam hezituar gjithnjë t’i pranoja të tilla përgjegjësi, por më pas, gjatë ushtrimit të tyre, zbulova se ishin një nxitje për të mësuar se ç’ndodhte në fushën letrare, një mundësi më tepër për të shkëmbyer eksperiencë dhe për t’u frymëzuar nga krijimtaria e poetëve të tjerë. Kam përkrahur plot poetë dhe kjo më ka pasuruar shpirtërisht e më ka ndihmuar të bëj hapa përpara në rrugëtimin letrar. Gjatë periudhës 12-vjeçare në drejtimin e Shoqatës u zhvilluan veprimtari të larmishme si lexime poezish, ekspozita librash, seminare mbi artin e të shkruarit, prezantime krijimesh të shoqëruara me vepra arti, botime librash me poezi, promovime të librave të autorëve që unë përfaqësoj e kështu me radhë.
Në vjeshtën e vitit 1995, fillova të përdor Internetin dhe mund të pohoj pa ndroje se kjo e ndryshoi drejtimin e rrugës sime dhe mënyrën e të menduarit e të botuarit. Në 1996 fillova të praktikohem për krijimin e faqes sime në internet duke pasqyruar në të gjithmonë projektet e mia poetike. Më pas, çdo projekt u botua si një libër më vete me depozitimin ligjor në Bibliotekën Kombëtare të Kanadasë. Deri tani, të gjithë librat e mi me poezi janë në formatin e librave elektronikë dhe mund të shkarkohen falas nga koleksioni elektronik i Library & Archives Canada. (Librarisë dhe Arkivave në Kanada). Që nga viti 2010, unë i ndaj krijimet e mia në rrjetin social dhe në faqen personale, e cila është ende aktive. Përsa i përket rolit si botuese, ky është një aspekt tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë sime letrare.

Ju keni botuar 39 libra me poezi që përfaqësojnë udhëtimin tuaj letrar. Keni ndonjë preferencë? Me cilin libër ndiheni më shumë e lidhur?

Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë. Unë e konsideroj secilin prej tyre si një punë në vazhdim. Çdo libër është mënyra ime e të menduarit në një periudhë të caktuar mbi Botën me bukuritë dhe çmenduritë e saj dhe kështu ndodh edhe sot.

E keni përjetuar ndonjëherë bllokimin e shkrimtarit? Ç’mendoni në lidhje me të?

Po, kam patur periudha në të cilat nuk kam shkruar. Atëherë e ndjeja veten bosh, por kjo nuk më ka dëshpëruar asnjëherë. Pas errësirës, vinte drita dhe kështu lindnin dhe pasonin të tjera poezi. Në këtë rast, unë jam optimiste duke e konsideruar këtë një gjendje të përkohshme.

Ju jeni përfaqësuesja kanadeze e lëvizjes ndërkombëtare IMMAGINE & POESIA dhe bashkëbotuese e antologjive vjetore dixhitale që nga viti 2014. Mund të na tregoni diçka më shumë rreth kësaj lëvizjeje?

Në vitin 2014, në profilin tim në Facebook dikush më ftoi të bashkohesha me grupin Immagine & Poesia (Imazhi & Poezia). Kurioze, e vizitova këtë faqe dhe pashë që përfaqësues nga vende të ndryshme të botës komunikonin në anglisht. Duke qenë se ishte një lëvizje ndërkombëtare, mendova se në të mund të merrnin pjesë edhe poetë që flasin gjuhën franceze, siç jam unë. Pas pak kohësh, mora një e-mail nga themeluesja e kësaj lëvizjeje Lidia Chiarelli, që më kërkonte të isha përfaqësuesja kanadeze e Lëvizjes. E pranova ftesën. Duke patur eksperiencën e botimit të librave elektronikë në formatin pdf, i propozova asaj krijimin e një Antologjie ndërkombëtare duke përfshirë në të edhe poetë që flasin frëngjisht. Pas kësaj u përpilua rregullorja në anglisht, të cilën unë e përktheva në frëngjisht për poetët dhe artistët e gjuhës frënge. Nga viti 2014, ne të dyja botojmë çdo vit Antologjitë Immagine & Poesia. Kjo u bë shtysë që unë të filloj të përkthej poezitë e mia në anglisht dhe t’i botoj në revista dhe antologji të ndryshme ndërkombëtare.

Këto Antologji përmbajnë vepra të poetëve nga mbarë bota. Çfarë kanë të përbashkët këta poetë?

Mendoj se ne të gjithë kemi të përbashkët lirinë e fjalës; secili shprehet në mënyrën e vet të të qenurit dhe të menduarit, fryt i eksperiencave të jetuara dhe sfidave me të cilat përballet. Çdo mënyrë të shkruari duhet lexuar e respektuar, pavarësisht nga vendi gjeografik ku poeti jeton.

A mendoni se poezia mbetet një mjet i fuqishëm për të promovuar paqen në këto situata të vështira që po jetojmë?

Poezia nuk ka qenë kurrë më tepër se sot një mjet i fuqishëm për paqen. Është e vërtetë se lexuesit e poezisë nuk janë politikanë, ushtarakë dhe prodhues parash. Shumica e lexuesve janë vetë poetët, pa përjashtuar rrethin e miqve dhe të njohurve që i rrethojnë. E megjithatë, unë mendoj se poezia ka një forcë të madhe emocionuese, bindëse, një mision të rëndësishëm në jetën e çdonjerit. Poezia mund të frymëzojë njerëzit dhe të zbulojë se ka gjithmonë shpresë për paqen. Kjo është ajo që mendoj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here