MASAKRA E HEREÇIT DHE DRAMA E NJË GRUAJE SHQIPTARE
Dr. Remije Kryeziu: “ATË NATË BUNARËT KANË GJËMUAR”, roman, Dukagjini, Prishtinë, 2023
Dr. Resmie Kryeziu ka qenë Bashkëpunëtore e Lartë Shkencore në Sektorin e letërsisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës deri sa ka dalë në pension. Kontributi i saj shkencor në studimin e letërsisë shqipe është i mirënjohur. Studimi i saj “Gruaja në letërsinë shqipe në mes të dy luftërave”, përndryshe tezë e doktoranturës, është ndër studimet më serioze të kësaj tematike. Dr. Resmije Kryeziu ka qenë pjesëmarrëse në shumicën e projekteve shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës (Konferenca shkencore, seminare, tribuna dhe publikime shkencore). Kjo studiuese e letërsisë, pas demonstratave të vitit 1981, iu kundërvu propagandës shoviniste serbe kundër shqiptarëve. Është e njohur polemika e saj në revistën beogradase “Nin” kundër Sava Dautoviq, i cili villte vrer kundër Lidhjes së Prizrenit, historisë, kulturës dhe qenies shqiptare si komb. Kjo polemikë e saj u botua në katër vazhdime dhe paraqiste zërin e artikuluar qartë të inteligjencies shqiptare. Dr. Resmije Kryeziu ka polemizuar edhe me shkrimtarin serbo malazez Mihajllo Llalliq për romanin e tij antishqiptar me titull “Zatoçenici”, në të cilin shfrynte urrejtjen e tij antishqiptare saqë e fyente edhe pamjen fizike të racës shqiptare. Në kohën, kur i bënte këto polemika me një guxim, që meritonte respekt, bashkëshorti i saj, regjisori dhe dramaturgu i mirënjohur, Ekrem Kryeziu ndodhej në burg si anëtar i Grupit të intelektualëve shqiptarë, pjesë e të cilit ishte edhe i madhi Ukshin Hoti. Pas daljes së saj në pension, krahas studimit të letërsisë shqipe, ajo botoi edhe tri romane: 1. “Rrota e ujit”, Dukagjini, Prishtinë, 2018, me tematikë Gjakovën e fëmijërisë së saj, 2. “Nën saç”, Dukagjini, Prishtinë, 2021, me tematikë Pejën e rinisë së saj dhe 3. “Atë natë bunarët kanë gjëmuar”, Dukagjini, Prishtinë, 2023.
Romani “Atë natë bunarët kanë gjëmuar” paraprihet nga ky përkushtim: “Hyrzem hanëmes, nënës së bashkëshortit tim, Ekrem Kryeziut, që tërë jetën vuajti për babën Ali beg Kryeziu, axhët Cena Beg Kryeziu, Hasan beg Kryeziu, Gani Beg Kryeziu dhe vëllain Dervish beg Kryeziu, të cilët u vranë nga plumbat serbë, që të gjithë luftëtarë për Shqipërinë Etnike”.
Është fakt i njohur nga teoritë e shkrimit se titulli i cilësdo vepre shkrimore duhet të jetë sintezë e shkurtë e përmbajtjes së tij, mundësisht në jo më shumë se tri fjalë. Titulli i këtij romani është perifrastik sepse përbëhet nga pesë fjalë, nga të cilat, dy të parat (“Atë natë”) shprehin kategorinë e kohës, ndërsa tri të tjerat (“bunarët kanë gjëmuar”) shprehin kategorinë e vendit (kronotopin e bunarëve të Hereçit) dhe veprimin apo ngjarjen e njohur si “Masakra e Hereçit”, e cila ishte shkaku kryesor për dramën e mbijetesës në rrethana tmerruese të gruas së Hasan beg Kryeziut Samile Honmit së bashku me katër vajzat dhe djalin Gentin. Pjesë e këtij shpjegimi të titullit të romanit është edhe përcaktimi i temës së këtij romani.
Ngjarjet të cilat rrëfehen në këtë roman nuk janë të trilluara apo fryt i imagjinatës së autores, pra nuk janë fiksion, por janë të vërteta dhe kanë përmasa historike, pra janë faktion. Gjithashtu edhe personazhet janë të vërteta dhe disa prej tyre me përmasa historike. Megjithatë autorja nuk ka zgjedhur ndonjërën nga format e shkrimit historik, por e ka zgjedhur formën e shkrimit artistik e konkretisht formën e romanit, prandaj kjo vepër duhet të lexohet si e tillë. Ashtu siç do të preferohej e siç do të lexohej në botën perëndimore e sidomos në Amerikën Veriore po të përkthehej dhe botohej atje (SHBA, Kanada). Pra ky roman nuk ka pretendime hakmarrjeje, por qëllim kryesor e ka ndriçimin e së vërtetës së hidhur historike dhe trokitjen në ndërgjegjen tonë si individë dhe si shoqëri, e cila, për fat të keq ka ditur të instrumentalizohej nga propaganda ideologjike.
Autorja e romanit Resmije Kryeziu është anëtare e familjes Kryeziu e konkretisht është bashkëshortja e Regjisorit dhe dramaturgut të mirënjohur Ekrem Kryeziut dhe reja e Hyrzemit, bijës së vëllait të madh të Kryezinjve Ali beg Kryeziut, të vrarë në Urën e Vezirit nga ushtria serbo malazeze tek shkonte për të marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës në vitin 1912. Ky fakt dëshmon se burim i informacionit për ngjarjet dhe figurat pjesëmarrëse apo viktima të tyre është Hyrzem Ali beg Kryeziu. Ky fakt dhe zhytja e autores në këto ngjarje medoemos e krijon ndjenjën e autenticitetit te lexuesit. Ajo, që duhet theksuar në këtë kontekst, është se autorja ka dëshmuar vetëdije të lartë krijuese sepse shumësisë së ngjarjeve i është qasur me vetëdijen kritike se ato kanë nevojë për revizionin e nevojshëm ekstenziv para se të shndërrohen në rrëfim të suksesshëm artistik apo në roman interpretues (interpretative novel).
Rrëfimtarja (narratorja) e nënkuptuar, për ta treguar atmosferën e terrorit të ushtruar nga pushteti i posa vendosur komunist, e fillon romanin me ardhjen në Gjakovë të familjes së shpërngulur dhunshëm nga Peja, pasi i kishin shkatërruar gjithçka. Gruaja ia shpreh kënaqësinë burrit të saj Metës sepse vajza i lindi e shëndoshë pas shtegtimit rraskapitës të tyre si çift me tre fëmijë. Megjithatë gruaja ishte shqetësuar sepse kishte parë një ëndërr të keqe dhe sepse dajat e saj nuk kishin ardhur për ta vizituar, ndonëse ishin të njoftuar se ajo kishte ardhur në Gjakovë. Nuk kishin ardhur as xhaxhallarët, të cilët me siguri nuk e dinin për ardhjen e saj. Burri i saj nuk mund t’i tregonte gruas së tij lehonë se dajën e saj Tafilin ia kishin mbytur komunistët. me çekiç në Burgun e Rrugës së Shkijeve. Ekzekutimin e tij e kishte bërë ish shoku i tij i fëmijërisë Çaushi. Mbytjet e pasanikëve, armiq të komunizmit, bëheshin për çdo natë në bazë të urdhrit të Milladin Popoviçit pas mbajtjes së Mbledhjes së Prizrenit, në të cilën ishte vendosur, që Kosova t’i bashkohej Serbisë. Milladini jo vetëm se kishte urdhëruar që armiqtë të mbyteshin me çekiçë, por edhe të mos kishin varr: “Mbani mirë në mend se ata që do t’i mbysni me çekiçë nuk duhet të kenë varre. Boni si të mundeni me ta… Digjni…Copëtoni! Çitjauni qenve n’i hongshin!” (f. 10-11).
Me kapitullin e parë autorja e ka përgatitur atmosferën për t’u paraqitur në skenën e romanit personazhet e tij me fatin e tyre të rëndë. Nga sa u tha më lartë kuptohet se kronotopi apo kohëhapësira kryesore në të cilën zhvillohet syzheu i këtij romani është Gjakova e kohës, kur zbatohej urdhri i Milladin Popoviqit nga ekzekutorë vendorë, që nënkupton vitin 1945 dhe vitet në vazhdim. Brenda këtij kronotopi përgjithësues gjenden edhe tri kronotopet kryesore të romanit: kronotopi i burgut (i Rrugës së shkijeve, por më vonë haset edhe kronotopi i burgut të Pozharevcit në Serbi), kronotopi Bunarët e Hereçit dhe variantet e kronotopit të shtëpisë: Sarajet e djegura të Vëllezërve Kryeziu nga gjermanë në shenjë hakmarrjeje për betejën minierave të kromit në Devë dhe Kepenek, Kulla e Tosun bej Kryeziut, shtëpia e Zonjës Xila e marrë me qira nga Honmi apo gruaja e Hasan beg Kryeziut.
Kronotopi i Kullës së Kryezinjve dhe ai i bunarëve të Hereçit
Brenda këtyre dy kronotopeve është vendosur gjysma e parë e njësisë fillestare syzheike të romanit, e cila është:
Hasan beg Kryeziu në një natë të ftohtë dhjetori të vitit 1945 sheh një ëndërr të keqe, prandaj në mëngjes zgjohet i shqetësuar dhe menjëherë shkon në Teqenë e Madhe për t’ia treguar Sheh Shefqetit, i cili pasi e dëgjoi i tregoi se edhe ai e kishte parë po ashtu një ëndërr të rëndë për familjen e Vëllezërve Kryeziu, prandaj e këshilloi të jenë të vëmendshëm sepse do të priten ngjarje të rënda. Siç dihet, ëndrra në traditën letrare shqiptare është përdorur si mjet për të parashikuar dhe për t’ua tërheq vëmendjen personazheve apo karaktereve për ngjarjet e rënda, që do të ndodhin.
Në mbrëmje Gani beg Kryeziu shkoi në qendër të qytetit për të parë se si po kremtonin komunistët marrjen e pushtetit. Posa shkoi te Hotel “Slloboda” Ganiun e arrestuan. Pastaj kulla e kushëririt në të cilën ishin vendosur familjarisht pas djegies së sarajeve të tyre nga gjermanët, u rrethua nga komunistët, të cilët e arrestuan Hasan beg Kryeziun me 26 anëtarë të Shtabit të Lëvizjez Kryeziu shumica prej tyre nga Malësia e Gjakovës.
Është një dramë e vërtetë skena kur Hasani përshëndetet me gruan (i pëshpërit në vesh porosinë e tij të fundit: “Amanet fëmijët! Merri dhe dil në botën e jashtme”! Kur përshëndetet me fëmijët, vajza e vogël qanë me zë duke e qortuar të atin: “Pse nuk po më merr në Tiranë? A më ke premtuar se do të më marrësh kur të shkosh”?
Komunistët shqiptarë e serbë 27 burrave, në krye me Hasan beg Kryeziun, ua lidhën duart dhe i ngarkuan në një kamion, ashtu të zhveshur në këmishë e tlina e të zbathur. Pas një ore arritën në kodër të Hereçit. Aty u sulën si bishat me kazma ndaj burrave, që kishin fituar sa e sa beteja kundër fashizmit e nazizmit. Pasi i qëllonin me kazma ashtu të plagosur rëndë i hidhnin nëpër bunarë. Britmat para se të ngriteshin lartë në qiell arrinin në veshët e fshatarëve të trishtuar nëpër shtëpitë e tyre. Nga kjo masakër kanë arritur të ikin dy burra, ndonëse ishin të plagosur rëndë. Njëri prej tyre ishte Malë Shyt Saraçini nga Rodogoshi i Berishës së Brigjeve (Malësia e Gjakovës), i cili arriti ta njoftonte Misionin anglez për tradhtinë dhe Masakrën e Hereçit.
Njësia e dytë syzheike është vendosur po ashtu në kronotopin e kullës, në të cilën rrëfehet konfiskimi i çdo gjëje të vlershme të familjes së vëllezërve Kryeziu dhe tmerri i përjetuar nga Honmi (gruaja e Hasan Beg Kryeziut), Dadoja Manushja, katër vajzat dhe djali foshnje Genti. Është barbar kontrollimi i Honmit edhe në organin gjenital se mos i kishte fshehur florinjtë, të cilët megjithatë nuk i gjetën. Të nesërmen e asaj nate të kobëshme, njerëzit e OZNES morën gjithçka që vlente në shtëpinë e Kryezinjve: orendi, shtrojë e mbulojë, rroba, pajisje të kuzhinës etj.
Kronotopi i shtëpisë së marrë me qira
Për të mos i rrezikuar familjen e motrës së saj Honmi pas disa ditësh mori gjysmën e një shtëpie me qira. Shtëpia ishte në të njëjtën lagje. Pronarja e shtëpisë ishte një grua e ve, së cilës i kishte vdekur burri pesë vjet më parë duke e lënë me tri vajzat e tyre. Quhej Xila dhe ishte një grua fisnike dhe shumë punëtore. Prandaj shtëpia e Zonjës Xila është kronotopi në të cilin zhvillohet, për një kohë të gjatë, jeta e Honmit dhe pesë fëmijëve të saj nën presionin e pandërprerë fizik e psikik të njerëzve të OZNE-s, më vonë e emërtuar me inicialet UDBA.
Bastisje, kërkim i dukateve, urdhri për të mos i mbyllur dyert e oborrit gjatë natës, përpjekja për t’ia përzënë fëmijët nga shkolla, kur organizohet një numër relativisht i madh i prindërve, të cilët kërkojnë, që fëmijët e reaksionarëve të mos lejohen të shkollohen, pas mospajtimit të një pjese të mësuesve të guximshëm fëmijët nuk u përjashtuan, por u izoluan nga shoqet dhe shokët e klasës duke u detyruar të uleshin vetëm në bankën e parë për të qenë më afër syve mbikëqyrës të mësuesve. Rrëmbimi i çantës me libra dhe kërcënimi i vajzës së madhe nga një burrë në rrugë afër shtëpisë, Frika e Honmit se mund t’ia çnderonin vajzat dhe të bërit roje natën, Helmimi i dhunshëm i djalit tetëvjeçar dhe të vetëm Gentit me alkohol, marrja e letrës së Ganiut dërguar nga burgu i Pozharevcit, kujtimet e Honmit për momente të lumtura në familjen e Kryezinjve në të kaluarën, Pranimi i letrës së xhaxhait Sahit nga kampi i emigrantëve në Itali, të cilët prisnin për të shkuar në SHBA dhe premtimi se do të kujdeset për familjen e vëllait të tij Hasanit dhe gëzimi i madh i Honmit dhe fëmijëve se megjithatë e kishin dikë, që do të ishte engjëlli mbrojtës për ta, përgatitja e Honmit dhe shkuarja e saj për ta vizituar kunatin Gani beg Kryeziun në Burgun famëkeq të Pozharevcit, Kthimi i saj nga vizita e kunatit në atë burg dhe tmerrimi me gjendjen e tmerrshme në të cilën ishte Ganiu saqë Honmi nuk e njohu nga pamja fizike, por vetëm nga zëri, shkuarja e dytë për ta vizituar Ganiun dhe zhgënjimi i saj, kur rojat e burgut i thanë se nuk ka Gani Kryeziu këtu, Martesa e vajzave etj. Janë momentet dhe njësitë syzheike të lidhura pashkëputshmërisht me kronotopin e shtëpisë me qira.
Selaniku në të cilin të gjithë anëtarët e familjes së Hasan beg Kyeziut takohen me xhaxhain e tyre Sahit beg Kryeziun, i cili kishte udhëtuar enkas nga SHBA për t’i takuar është kronotop i takimit të përmallshëm pas shumë vitesh. Prishtina është kronotopi i fundit në këtë roman, ku Honmi me djalin Gentin e nusen e tij vendosen në shtëpinë e blerë me parat e dërguara nga Sahit beg Kryeziu.
Duke trajtuar kronotopet e romanit dhe ngjarjet e përjetimet e ndodhura në to vumë në spikamë edhe personazhet e tij, të cilat në aspektin e ndërtimit të tyre, na dalin statike dhe dinamike. Personazhe statike janë ato, të cilat hyjnë të formuara në skenën e romanit prandaj nuk zhvillohen më. Personazhe dinamike janë ato që zhvillohen gjatë të gjitha njësive syzheike. Personazhe statike mund t’i konsiderojmë : Hasan beg Kryeziun, Sahit beg Kryeziun, Zonjën Xila, Dadon Manushe etj. Ndërsa personazhe dinamike, të cilat zhvillohen gjatë rrjedhave të njësive syzheike janë Honmi, gruaja e Hasan beg Kryeziut dhe pesë fëmijët e saj. Kuptohet personazhi kryesor apo shtylla qendrore mbi të cilën mbështetet ngrehina artistike e këtij romani është Samile Honmi, e cila edhe si njeri paraqet një nga modelet më fisnike të femrës dhe nënës shqiptare në letërsinë tonë.
Romani “Atë natë Bunarët kanë gjëmuar” i Resmie Kryeziut është një prurje e veçantë në letërsinë shqipe, qoftë me tematikën e trajtuar, qoftë me rrezatimin e vet humanist në shërbim të mbrojtjes së jetës njerëzore dhe vlerave të saj.

