Gazeta Nacional Albania

“KUFIRI I GJAKUT” . Fragment nga Muharrem Kurti

 

KREU IX

Po rrinin daja Col, Gjeki dhe gruaja e tij, Flutura, dhe vajza e Gjekit, Freskina, dhe dëgjonin për dashurinë e Zogës dhe të Shpendit, një rrëfejë si në legjenda, por ishte vështirë me e besuar.
-Si ka ndodhur?,- e pyetën dajën Col. -Vërtetë: aq gjatë e priti Zoga djalin e Molliqit? Dashuria e tyre nuk është ndie diku tjetër…
-Zoga e priti Shpendin vite e vite. Nuk pranoi me u fejuar me tjetër. Vetëm një takim e kishin pasur ndër veti dhe kurrë më s`e harruan shoku-shoqen. E re si shtalbi ka qenë kur qe fejuar. Dhe, që e re, vendosi me pritur Shpendin, derisa të hapej kufiri. Ndoshta, ai nuk hapej kurrë, por ajo e kish mbushur mendjen. Thonë se, edhe djali i Molliqit, e priti vajzën e Babinës. As ai nuk la ta fejonin; kur janë parë ndër veti, janë mahnitur njëri me tjetrin. Zoga shtatselvi, fill reje, fytyrëmbël e fytyrëpaqe. Shtatgjatë si bajrak, elegante si bredhi i ri i malit, gojëkuti e vetullhark, krah dallëndyshje. Me dhëmbë inxhi e fjalëmatur. E prajshme si puhiza, dhe e ndritshme si rrezet e diellit. Me ta thanë fjalën dhe me i ndenjtur asaj. Kur e ka parë Shpendi Zogën ka thanë: Zoti më paska ruajtur fat të bukur. Përjetë do të jem besnik Zogë!
Ajo ia ka ndie aromën Shpendit hijetlartë, shtatpehlivan, dhe është betuar: E jotja jam Shpend përgjithnjë!.. Mezi i ka hequr sytë prej tij. Kur kanë tokur duart, ka shndrit dielli, fytyra dhe balli. Janë kënaqur e magjijuar njëri me tjetrin që në takimin e parë. Veç faqen ia ka prekur Shpendi dhe i ka hyrë në zemër ngrohtësia e dorës së tij. I vë dorën e saj sipër të tijës, sikur bëhet betimi me betim.
-Përjetë do të dua,- i thotë ai.
-Përjetë do të jem e jotja, -i gjegjet ajo.
Ia kthen Shpendi:
-Qofsha i yti jetë e mot! Zoti na dhëntë dashuri e mos na u sostë kurrë për ne.
-Do të kem burrë të merakut o Shpend Rama!
-Do të kem nuse të pashoqe oj Zogë! Një vit shkon si uji, dhe bëhemi bashkë, lumturia ka me na flladit. Kur të kem ty pranë, të gjitha të mirat e jetës i kam.
-Edhe unë ashtu besoj.
Ky zjarr ua kishte lidhur shpirtin nyje, që të mos mundet kush ta zgjidhë asnjëherë. Kanë ndenjë atë ditë, të muajit shkurt, veç dy orë, krye më krye; përjetuan kënaqësinë e takimit dhe të dashurisë deri në përbetim, nxitur nga bukuria e tyre si lule e pranverës.
Mrekullia e takimit të parë i afroi, dhe nuk mundën katërdhjetë e një vite ndarje me i larguar. Qenë joshur dhe ngjitur njëri me tjetrin, sa u dukej një shekull pranvera e ardhshme. Ajo kohë do të vinte, por qe e largët. Donin të ndodhte pranvera e vitit 1948 sa ma shpejt, e t’u vinte martesa frik. Si ta përshpejtonin kohën, si ta afronin dasmën? Por, me dëshira nuk lëvizej koha. Pastaj, ishin ca norma të traditës, që i linin në ankth dhe në trishtim duke pritur; do rregulla të familjeve që duheshin respektuar. Dhe ata nuk kishin dashtë me u ndarë ditën e parë të takimit të tyre. Mezi kishin shkëmbyer dhanien e dorës njëri–tjetrit, atë ditë plot rreze të diellit vjeshtor. Shpendit i kishte shkuar mendja me e marrë në shtëpi. Thjesht, të niseshin nga Babina në Molliq, dhe kryhej puna, bashkoheshin, por nusja duhet marrë me krushq dhe me dasmë. Kishin shëtitur një gjysmë orë nëpër lëndinën e sipërfshatit, dorë për dorë, dhe Shpendi kish hequr gajret që të mos shkelej tradita. I tha ditën e mirë asaj ,duke pritur me i thanë të njëjtën përshëndetje edhe ajo. Ajo s`e kish thanë atë, i dukej e shpejtë. I kishte folur ajo: U pafshim së shpejti, dhe ai kishte pritur me ia kthyer të njëjtën: U pafshim! Por s`e kish thënë, priste. Donte ta kish ngjat. I dukej se, duke u ndarë më të, po bënte një tutje. Nisu ajo me u nda nga ai, nisu ai me u nda nga ajo, po nuk u mjaftonin minutat e pakta të takimit të parë. Vetëm një gjysmë ore kishin pasur leje. Ata duhej të ndaheshin, edhe pse nuk donin. Ashtu i urdhëronte tradita, nuk takohej i fejuari me të fejuarën pa u martuar.
Qenë afruar shumë në takimin e parë, dhe po i ndante (kush?)… Në ato çaste, u ishte dukur e largët martesa, dhe duheshin të mjaftoheshin me një takim të shkurtër, me një të shikuar të paktë, me një lumturi përvëluese.
Ma në fund, u ndanë të kënaqur me fjalët, me shikimet lakmuese. I kishte gëzuar dhe magjijuar ndenja e parë deri në qiell. U ndanë të pashkëputur, dhe po u dukej se ia kishin marrë diellin e dashurisë njëri-tjetrit. Kodi i malësisë urdhëronte.
-Shpend,- kish thënë Zoga,-më prit se të erdha! -Kalon gjysma e vitit shpejt dhe bëhemi bashkë përgjithnjë. Do të na ndajë veç shkuarja ime në gjini.
-Zogë, -i kish thënë Shpendi,- ma mirë mos të kisha parë sot, se ma more zemrën moj zanë. E ku më shkue unë pa ty?… Si m’i bëre ditët pa dritën tande moj hanë. Sa e bukur qenka dashuria Zogë! Po të bëka për vete menjëherë, e s’rrike dot pa të. Ardhtë pranvera fill, e të paça ngjat moj flutur e malësisë! I lumi unë për ty!…
-Edhe unë e lumja për ty, Shpendi i dritës!- dhe kishte ulur shikim përdhe. Donte me i thanë: A po më merr sot o djali i dheut! Të bëhet çka të bëhet, e jotja jam! Nuk qenka turp më e dashtë mashkullin tand.
-Nuk po na lë zakoni moj shtojzovallja e malësisë, se nuk do t`i doja tjetër vetit, veç me ty me hyrë në oborr të shtëpisë sime sot! Zotit, tjetër nuk i kisha kërkuar, vetëm këtë dëshirë me ma plotësuar.
-Zogë e bardhë si tambli i dhënë! E ngrohtë si prushi i zjarrit të qarrit. E ëmbël si mjaltë i bletëve. E dashur si ajri që t’i mbush mushkëritë.
-Ah, Shpend i hijshëm, o rreze e diellit të mesditës, si me e ba gjumin pa ty? A mundem me i sos ditët e gjata pa sytë e tu të kaltër? Si me e ba gjumin e vetmuar? Kur të më marrë malli me t’u ul në prehër e me ta dëgjuar zërin e ëmbël, a po vjen nën hije të lisit, me flokë e mia të bëj hije. Shpend, mos më lërë pa lajme, m’i dërgo me zogjtë e malit. Mos më lërë me më djeg ndarja, çoma do ujë të kroit të më flladisë.
-Zogë, nuk po të them ditën e mirë, po ardhsh si vera! Nuk po të them mirupafshim, po ardhsha si flutura. Të pafsha nuse po lutna,- i ka thanë ai.
-Ëmbël po fol o Shpend i zemrës sime. Të ëmbëlsofsha me sherbet. Flladiteshëm po i thua fjalët, të freskofsha me ujë të burimit. Ngrohtë, po i thua porositë, të ngrohsha në zjarr të dashurisë! Etshëm, po më këshillon të etofsha me pritje të bardha. T`i ngrohsha duart në arbain me hukamën time.
-A e Shpend Ramës të Molliqit paska qenë Zoga?-pyeti Gjeki.
-Burrë i burrave është; nuk u lëkund asnjë çast, as nuk lejoi me i thanë, a po martohesh?
-Femër për mua është Zoga, të tjerat, i shoh veç si hije, -ka thanë.
Ky kufi ua mori rininë dhe i plaku, ua këputi fejesën dhe i la në pritje të pasosur, ua mbushi jetën më dhimbje të pakëputura. Po e dini çka ndodhi?
-Çka,- tha Coli.
-Shpendi dhe Zoga janë martuar këtë pranverë, në moshën pesëdhjetë e shtatë vjeçare Zoga, pesëdhjetë e tetë vjeçare Shpendi. Veç t`i shikoje në dasmë, si u ndritte balli pranë e pranë…
Thonë se presin fëmijë. Veç me i pa, të kënaqet zemra… Bashkë dalin në fushë e kthehen në shtëpi, ai si lis i gjatë, ajo si selvi elegante. Më në fund, i thanë nga një fjali njëri-tjetrit kur janë takuar pas ndarjes:
-Mirë se erdhe Zogë!
-Mirë së të gjeta Shpend!