Site icon Gazeta Nacional Albania

LETËR NË ETER BABAIT TIM. Proza poetike nga Nexhi Baushi shoqeruar me një shënim kritik nga dr. Mujë Buçpapaj

 

 

LETËR NË ETER BABAIT TIM

I dashur Atë, tashmë që shtëpia jote është në mbretërinë e qiejve, e di mirë që kjo do të jetë një prehje e përjetshme, sepse lutjet e pafund do të të vijnë nga zemrat tona dhe ty do të të hapet një punë e madhe, për t’i dëgjuar të gjitha.

Ishte një pasdite e ftohtë mes dhjetori kur, në heshtje shkove… Ikja e përhershme është e të drejtëve; thuhet se vdes një njeri i drejtë. Ti i tillë ishe dhe, mbi të gjitha, e tregove se dite të përballesh me sëmundjen e gjatë e të mundimshme, duke e pranuar me një durim të heshtur, si dhe duke jetuar në paqe me Zotin që i faleshe aq shumë. Ishe plot mirësi, i bukur, tepër bujar, i doje fëmijët e tu, nipat, të afërmit; ishe i thjeshtë dhe e doje jetën. Në rrugën tënde të përtejme, pashë miqtë e tu që qanin; derdhën lot shumë e shumë njerëz këtu në Tokë, kur të jepnin përshëndetjen e fundit. Tani më pëlqen të të imagjinoj atje Lart, në frytet e një kopshti të lulëzuar: ato që ti i doje këtu poshtë, e për të cilat kujdeseshe.

Më pëlqen të mendoj që përsëri po qesh e po pushon përpara një dardhe të pjekur apo një molle të athët të kopshtit tënd. Do të më pëlqente të mendoja që ti të kishe një jetë të përjetshme të qetë. Por unë e di që jetë të përjetshme nuk ka, ndaj një ditë do të takohemi atje Lart, diku në ndonjë vend… në ndonjë kopsht të lulëzuar, ku zogjtë do t’i mbajnë iso këngës tënde aq të dashur që aq bukur e këndoje me atë zërin tënd plot ëmbëlsi.

Dal me çujesh, milla majko? – A më dëgjon, e shtrenjta nënë?

Mirë u takofshim, Ati im i paharruar!

 

 

 

 

LULET

 

Lulet shumëngjyrëshe e gjithë jetë të mbjella në kopsht dhe saksi mbrëmjeve ofrojnë flijimin e aromës së tyre për të na joshur e kënaqur.

– Është e pafalshme, ndoshta mëkat që, në një natë kaq të bukur pranvere si kjo të biesh në shtrat. Ngrihu pra, – më pëshpëriti në vesh një zë i brendshëm që dukej sikur vinte nga një hon i thellë. – Eja e, së bashku ta admirojmë ikadiellin dhe të shohim si përshëndetet me hënën që ngaherë e josh.

 

 

 

 

DIELLI

 

Mbrëmjeve, teksa dielli përkulet lehtë e qetë tutje horizontit, toka nis e shuan nxehtësinë përvëluese, ndërkohë që vesa me sumbullat kristal loton e mendon të prehet butësisht e të njomë gjethnajën e pyjeve, të freskojë majat

shkëmbore të zhuritura nga dielli shkrumbues. Dielli, tashmë i lodhur nga energjia shpër-

thyese e ditës së gjatë, përgjumshëm shpërndan ngadalë e butë rrezet e tij të ngrohta mbi pjesën e mbetur të qiellit, duke shkëlqyer, me atë purpurin violë, gjithë hapësirën e qiellit që lë pas.

Mëngjesi shpërthen magjishëm nën rrezet e çlodhura e të praruara të diellit që depërtojnë me një bukuri të pakrahasueshme në qiellin blu.

Kupola e tij, sa e magjishme aq dhe e ma- dhërishme vjen e çelet, teksa ia bën me sy ledhatues hënës së zbetë që largohet kokulur e përcjellë nga ylli i agimit.

Magjia e lojës së tyre ngazëllen e trishton jetën poshtë tyre.

 

 

 

NË SKENËN E PËRHERSHME

 

Mbi tokë, çdo vit riciklon në lulëzim një pranverë që s’e ka shoqen mbi dhè.

Atdheu ynë, i bekuar me dy dete, në çdo ditë të kësaj stine mban mbi krye një qiell të kthjellët e me diell të praruar.

Gjithëkohësh, nga Mesdheu vjen dhuratë kjo stinë e begatë ringjalljeje – ngrohje e freski – shoqëruar me shtëllunga lëvizëse zogjsh shteg- tarë që kërkojnë strehët e vjetra apo vende të reja për të tjera fole. Rrugëtojnë këta shtegtarë të përhershëm midis hapësirës qiellore dhe shkëmbinjve të thepisur të maleve kapuçborë, depërtojnë mes pyjeve në ansambël cicërimash të pandalshme e të hareshme, për t’u ndalur të çiftuar në gjethnajën e njomë pranverore ku do ndërtojnë folezat e tyre kashtore.

Lejlekë e pelikanë, të magjepsët zogj në këtë planet, krahërojnë gëmushave, kënetave dhe majëplepave në kërkim apo ndërtim të foleve. Dielli shpërndan kudo rrezet e tij të ngrohta nëpër këtë gjallesë Perëndie, për të të dhuruar klorofilin jetëdhënës. Bari, lulet, bimët, drurët frutorë, ngado çelin sythet e shpërthejnë aromat marramendëse të luleve me nuancat e ngjyrave të tyre, mrekullisht të ngjashme me ato të ylberit – në pritje të maturimit të frutës së lëngshme epshndjellëse.

E gjithë kjo simbiozë në harmoni Qiell-Tokë jep vazhdimësinë e gjallesës Njeri-Bimë ngrohur me Diell, duke krijuar muzikën më të bukur të shpirtit, në skenën e përhershme të Atdheut.

 

 

 

 

KURORA NUSËRI

 

Agu lajmërohet nga kënga e këndesit kryeneç që ta trazon gjumin e natës për një fillim dite të re. Aty pranë, në vathën e bagëtive, ku nata ka kompozuar harmonishëm nota tingujsh, nis të luajë hareshëm orkestra laramane e kambanave

baritore.

Një nisje kjo e re mëngjesore drejt pllajave që shndrisin nga vesa e kullotave me të gjitha nuancat e gjelbra. Aroma e fortë ndjellëse prej trëndeline në ajrin e lagësht të trullos pak çaste, për një stimul të rivazhdimësie të ditës së gjatë deri në perëndim.

Livadhet zgjohen plot ngazëllim nga gjallesa e blegërimave baritore, ndërsa mijëra petale ylberesh ua bëjnë me sy bletëve për nektar.

Vashave truphedhura u ndrit fytyra nga freskia mëngjesore e me vrap të lehtë ndjekin

shqerrat e njoma, duke u ndalur herë pas here tek mbledhin luledelet për kurorat nusërore.

 

 

 

 

DIALOGU I JETËS

 

Në të tatëpjetën e dytë, ngadalësoj hapin. Kjo pranverë e këtij mëngjesi më kujton se jemi në ditën e bekuar të Shëngjergjit, me dashurinë, çiltërsinë dhe dialogun e jetës, kurajën dhe dëshirimin e ardhjes së praruar. Për disa momente

ndalem e mbushem thellë me frymë. Jam mu pranë dardhës së vjetër shekullore, hijeshuar me lule të bardha që harlisen në shpërthimin e tyre magjepsës. Përzierje ndjenjash që ta hovin shpirtin, teksa ndjej afshin e dheut që frymon bashkë me tokën e të parëve të mi.

Dardha e butë mishtore, ky fryt që të josh me tërësinë e saj formë e lëng, pjekjen e plotë e arrin në dimër, atëherë kur prej saj shpërthejnë aromat e lehta ndjellëse e ti, mes degëve shushuritëse zgjat dorën, e këput atë kokërr të arrirë e në gojë të rrjedh lëngu që rrëshqet ngadalë plot ëmbëlsi.

Për një çast, teksa e përfytyroj në dimër të acartë, edhe unë ndihem si e ëmbla dardhë, e lehtë e plot lëng jete. Sa mirë që kjo pemë frutore gjallon në oborrin tonë! U rrita edhe unë, si brezat para meje, me dardhën time shekullore, me memorien e jetës sonë, me rrënjët e gjenezës sime. Ajo ruan brenda trungut të saj kujtesën e breznive dhe krenarinë e tyre, ndjenjat e forta, emocionet, frikën nga ndarja dhe trishtimi, mundin e lotin e njerëzve të atij oborri, përpjekjet e tyre në jetë, lumturinë, jetën, dashurinë dhe ikjen…

 

 

 

 

RITUAL I PËRDITSHËM I QYTETIT TIM

 

Mëngjesi i sotëm gdhiu plot dritë. Rrezet e para të diellit të vakët përkëdhelin e ngrohin çdo gjë që shohin e prekin shqisat përreth. Zogjtë ua kanë nisur qysh herët cicërimave të ëmbla e nxisin hovshëm vogëlushët të ngrihen nga

shtrati, se një ditë tjetër i pret për dije e dëfrim.

E bukur kjo tablo jete mëngjesore, të cilën dua ta shijoj në pafundësi, teksa në trup ndjej drithërimat e lehta të gjetheve të blerta me muzikalitetin që krijojnë mbi degë, për të ngazëllyer ditën time me melodi të lashta baroke nga thellësia e shekujve.

Porse nuk kam kohë për të medituar rreth romantizmit mëngjesor. Më duhet t’i nxitoj hapat, për të arritur me kohë në punë. Ja, dy të rinj të zënë për dore, më tutje dy gra paksa në

moshë, veshur me tuta sportive vrapojnë për te Kodrat e Liqenit, një djalë me banane në dorë i thërret qenit të tij që ka mbetur pas, ndërsa anash trasesë së vrapit një shitës ambulant shet lajme pa fund nga tufa e gazetave që mban nën sqetull, por dhe çikërrima të tjera plot ngjyra.

Në rrugën e gjerë, një radhë makinash, me shoferë që shprehin nervozizëm e padurim, pret në semafor të shfaqet drita jeshile. Ritual i përditshëm i qytetit tim në zhvillim.

Kështu edhe kjo ditë nisi vrullshëm, duke rrëshqitur nën ritmin e dirigjentit të saj me të gjitha nuancat dhe sekuencat e përditshmërisë, për të të kujtuar se çdo ditë – sa e ngjashme po aq edhe e ndryshme me tjetrën – gjithnjë lëvron nën sfondin e motiveve që frymojnë.

 

 

 

 

VALËT E LIQENIT BLU

 

Mbrëmje e gjallë e plot zhurmë kjo e sotmja, buzë liqenit të Tiranës. Të rinj e të reja shtathedhur, veshur e mbathur sportivë, vrapojnë me kufje në vesh nën ritmin e melodive të tyre të preferuara; nëna të reja me të vegjlit e

tyre që vrapojnë aq lirshëm bashkë me hapat e vogla; çifte të moshuara, rënduar nga pesha e viteve, mbështetur ethshëm te njëri-tjetri për më shumë siguri, çapiten ngeshëm.

E gjitha kjo, një simfoni e bukur njerëzore!

Të qeshura plot hare dëgjoj që vijnë nga larg e, kjo melodi jetësore plotëson harmoninë që ofrojnë valët e liqenit blu të buzëmbrëmjes. Ky ledhatim i tokës së blertë ngjason me përkëdheljen e vashës që ke pranë, teksa dehesh me kupën e praruar të verës.

Muzgu violë përkulet ngadalë mbi liqen, për t’u pasqyruar në narcisin e saj me të gjitha hiret që mbart. Llambadarët e rrugëve dhe ndërtesave përballë reflektojnë ndjellëse mbi ujë e duken si sirena që zhyten në thellësi, për t’u bërë njësh me liqenin blu.

Muzgu i kësaj mbrëmje u mbështet mbi sup.

Erdhi si shpirt i bukur

I praruar me rrezet në perëndim.

Erdhi si fllad, si lule violë me përdëllim. Erdhi si hënë e plotë me ndriçim Mbështeti ëndrrat në gjoksin tim.

Si hënë e plotë zbriti

Si frymë, lehtë më pëshpëriti. Të gjeta këtu, më tha dhe u ul Si një zanë e bukur.

Më ndjeu që po e prisja.

 

 

 

 

PROZA POETIKE  E NEXHI BAUSHIT DËSHMON NJË AUTORËSI TË KONSOLIDUAR

 

Nga dr. Mujë Buçpapaj

 

Proza poetike  e Nexhi Baushit dëshmon një autorësi të konsoliduar, ku përvoja e poetes, prozatores dhe kritikes letrare bashkëjetojnë në mënyrë organike. Këto tekste nuk synojnë rrëfimin klasik, por ndërtojnë një poetikë të meditimit, ku natyra, kujtesa, familja dhe koha shndërrohen në kategori estetike dhe filozofike. Proza poetike e Baushit i përket asaj tradite moderne që, në frymën e Gaston Bachelard-it (Poetika e Hapësirës), e shndërron hapësirën konkrete në hapësirë shpirtërore, ndërsa objektet e zakonshme marrin funksion simbolik e metafizik.

“Letër në eter babait tim”, autorja ndërton një elegji moderne, ku mungesa nuk përjetohet si fund, por si vazhdimësi e dialogut shpirtëror. Figura e babait ngrihet në përmasën e njeriut të drejtë, ndërsa kopshti bëhet metafora e parajsës dhe e kujtesës familjare. Pasazhi: “Më pëlqen të të imagjinoj atje Lart, në frytet e një kopshti të lulëzuar…” sintetizon estetikën e gjithë prozës: vdekja humanizohet përmes peizazhit, ndërsa dhimbja sublimon në besim dhe dashuri. Kjo është një prozë ku elegjia fitohet jo nga retorika e humbjes, por nga qetësia metafizike.

“Lulet”, motivi i lules nuk mbetet dekorativ; ai shndërrohet në figurë etike të flijimit dhe të bukurisë. Pohimi: “Lulet… ofrojnë flijimin e aromës së tyre për të na joshur e kënaqur” e personifikon natyrën si qenie që dhuron pa kushte. Ndërhyrja e zërit të brendshëm (“Ngrihu pra…“) krijon një dialog mes vetes dhe ndërgjegjes, duke e bërë tekstin një reflektim mbi nevojën për ta jetuar estetikisht çdo çast.

“Dielli” është ndërtuar mbi ciklin kozmik të dritës dhe errësirës. Autores i intereson jo fenomeni fizik, por ritmi ontologjik i ekzistencës. Figura: “Kupola e tij… ia bën me sy ledhatues hënës së zbetë” humanizon universin, duke krijuar një marrëdhënie intime midis trupave qiellorë. Kjo poetikë antropomorfizuese i afron tekstet e Baushit me traditën romantike, por përmes një ligjërimi bashkëkohor.

“Në skenën e përhershme”, natyra shqiptare konceptohet si një teatër i përjetshëm i jetës. Simbioza: “Qiell-Tokë… Njeri-Bimë” përbën boshtin filozofik të prozës, ku ekologjia shndërrohet në antropologji kulturore. Teksti fiton dimension kombëtar pa rënë në retorikë, sepse Atdheu nuk idealizohet politikisht, por përjetohet si organizëm estetik dhe biologjik.

“Kurora nusëri” është një himn ndaj botës tradicionale shqiptare. Ritmi pastoral ndërtohet përmes tingujve: “orkestra laramane e kambanave baritore”, ndërsa fundi me vajzat që mbledhin lule për kurorat nusërore rikthen ritualin si kategori identitare. Kjo prozë ruan kujtesën etnografike, por e shndërron atë në poezi të pastër.

Një nga tekstet më të realizuara është “Dialogu i jetës”, ku dardha shekullore bëhet metaforë e memories kolektive. Frazat: “Ajo ruan brenda trungut të saj kujtesën e breznive…” dhe “me rrënjët e gjenezës sime” e ngrejnë pemën në statusin e një arkivi të gjallë kulturor. Këtu gjejmë një nga simbolet më të fuqishme të gjithë ciklit, ku natyra identifikohet me historinë e familjes dhe të identitetit.

“Ritual i përditshëm i qytetit tim”, Baushi zhvendos vështrimin nga peizazhi rural drejt ritmit urban. Ajo arrin të poetizojë përditshmërinë përmes detajeve konkrete: “një shitës ambulant shet lajme pa fund…” ose “ritual i përditshëm i qytetit tim në zhvillim”. Këto fragmente dëshmojnë aftësinë e autores për të zbuluar dimensionin estetik të jetës së zakonshme, duke e afruar tekstin me prozën impresioniste.

Ndërkaq, “Valët e liqenit blu” përfaqëson kulmin lirik të ciklit. Liqeni nuk është vetëm peizazh, por pasqyrë emocionale e qenies. Pasazhi: “E gjitha kjo, një simfoni e bukur njerëzore!” sintetizon harmoninë mes njeriut dhe natyrës, ndërsa vargëzimi final (“Erdhi si shpirt i bukur…“) krijon një ndërthurje të natyrshme mes prozës dhe poezisë, karakteristikë e prozës poetike moderne.

Në planin stilistik, Nexhi Baushi ndërton një diskurs me dominim të figurës metaforike, personifikimit, epitetit kromatik (“purpur violë”, “liqeni blu”, “kupë e praruar”), ritmit sintaksor të qetë dhe një muzikaliteti të brendshëm që buron nga përsëritja dhe kadenca e frazës. Gjuha e saj është e pasur me elemente sensoriale, ku ngjyra, aroma, tingulli dhe drita bashkëveprojnë për të krijuar një univers sinestetik. Kjo e afron autoren me konceptin fenomenologjik të perceptimit estetik, ku bota nuk përshkruhet, por përjetohet.

Në përfundim, këto proza poetike dëshmojnë se Nexhi Baushi e koncepton letërsinë si një akt meditimi mbi jetën, kujtesën dhe harmoninë e njeriut me natyrën. Tekstet e saj nuk mbështeten mbi konfliktin narrativ, por mbi tensionin estetik të reflektimit, duke krijuar një poetikë të qetësisë, të dritës dhe të humanizmit. Si poete, prozatore dhe kritike letrare, ajo arrin të ndërtojë një zë të veçantë, ku lirizmi, kultura letrare dhe ndjeshmëria filozofike bashkohen në një prozë poetike me vlera të spikatura artistike, e denjë për t’u vendosur në vazhdimësinë më të mirë të këtij zhanri në letërsinë shqipe bashkëkohore.

Proza poetike e Nexhi Baushit nuk ndërtohet mbi ngjarjen, por mbi gjendjen; nuk kërkon të rrëfejë dramën e jashtme, por të zbulojë lëvizjen e heshtur të shpirtit. Në këtë kuptim, autorja e zhvendos qendrën e gravitetit nga narrativa te meditimi, duke krijuar një diskurs ku kujtesa, natyra dhe koha bashkëjetojnë si kategori estetike dhe ontologjike. Kjo e bën prozën e saj një formë të kontemplimit artistik, ku fjala nuk është vetëm mjet shprehjeje, por edhe hapësirë përjetimi.

Një element tjetër që më tërhoqi vëmendjen është se, ndonëse Nexhi Baushi është kritike letrare, kjo nuk e rëndon prozën e saj me intelektualizëm demonstrativ. Përkundrazi, kultura letrare mbetet e përthithur në tekst dhe shfaqet natyrshëm në ndërtimin e figurës, ritmit dhe simbolit. Ky është një tregues pjekurie artistike: erudicioni nuk ekspozohet, por shndërrohet në estetikë.

Mendoj gjithashtu se këto proza mund të lexohen në dritën e disa autorëve të rëndësishëm të poetikës moderne, si:Gaston Bachelard, për konceptin e kujtesës dhe poetikës së hapësirës, Maurice Merleau-Ponty, për perceptimin fenomenologjik të natyrës, Gaston Bachelard, për imagjinatën materiale dhe simbolikën e elementeve natyrore, Martin Heidegger, për marrëdhënien poetike të njeriut me botën (“banimi poetik” në Tokë).

Nga ana e traditës shqiptare, proza e saj poetike mund të vendoset në një vijë estetike që komunikon me meditimin lirik të Mitrush Kuteli, ndjeshmërinë filozofike të Petro Marko në prozat lirike dhe, në disa fragmente, me universin simbolik të Martin Camaj, duke ruajtur, megjithatë, individualitetin e saj krijues.

 

Exit mobile version