Gazeta Nacional Albania

LULISHTË VARGJESH

Nga ALI M. LAJÇI,

KËRKUESI I THESAREVE

(Alketa Dervishit)

Si fillon çdo përrallë, na ishin dikur
“Dy mbretëri” të mëdha dhe të forta,
Heshta dhe ushta kuaj edhe mushka
Arsenale kishin, kështjella dhe porta.

Në këto mbretëri kishte njerëz t’urtë
Për veti namin, pasardhësve porosinë
E mos harrimit asaj përvojës së tyre,
Mos leni pas dore punën as njerëzinë.

Puna është ajo që të qon kah thesaret
E çmueshme të cilave shkëlqen jeta,
Njerëzia të veçon me ngjyrën që e ka
Pa te nuk do të ketë thesare t’vërteta.

“Princesha Kaltërinë” me princin e saj
Një mesditë me diell në shëtitje të lirë,
“Çadrat fluturuese” atyre u bënin hije
“Mbretëria e trëndafilave” ishte shtrirë.

Gjerësisë së fushës t’stinës së blerimit
Si t’blerojë përralla n’prehër të gjyshes
Në kullat e vjetra pranë caranit t’vatrës,
Ku nëna i vente ndonjë harrën këmishës.

MËSOI ADI SHKRONJËN A

(Adelina Mamaqit)

Ndan rrugës ashtu cubërisht
Ecte “Lepuroshi me akullore”
Adi drejt kah ai, bëri me gisht
I dukej si në lekturë shkollore.

Sikur ai “Libri që u bë përrallë”
Me “Vjershat e Majlindës” tok,
Nisen që të ”Çelin lule zemrat”
E minjtë t’i dalldisi një maçok.

“Goni Trazovaqi” atë rrubllimë
Të maçokut e kishte dëgjuar,
“Një natë si kjo” hënës verdhë,
“Bregu i kaltër” ishte ndriçuar.

Sa bukur “Hedhin valle bletët”
Lehtë “Mësoi Adi shkronjën A” ,
“Si gjete folën moj dallëndyshe”
Fluturimthi shpejtë në sy t`ra?!

MOS I TREGO HËNËS

(Kismete Hysenit)

Me shpresa të bardha dhe ëndërrime
Hapa të sigurt andej ishte nisur ajo,
Për kopshtin ku fjala bulëzon n’varg
“Me prit harabel” pa mua mos shko!

I tha ati shpendi që bënte fluturimin
Mbi turrën e druve në oborr t ’shtëpisë,
Ish kullë e kohës ku netëve të dimrit
Këndohej “Kënga e Gjergj Elez Alisë.”

Me ty do të vij nëpër diell dhe erëra
Që buzagazet e jetës për t’i përgjuar,
Mërrolet e ballit t’ia heqim me “Ato”
Flatrat magjike të dashurisë motësuar.

“Mos i trego hanës” për Orën policore
Ledhatime të Diellit Rrezet mbi faqe,
Çdo ditë e më të ngrohta po më duken
“Lilushja” ka veshur këmishën lulekaçe.

Sa e bukur duket si “Hëna në karrocë”
Mbretëresha e saj qiellit natës bredhur
“Atdheu është yll” fëmijët janë të tij –
Në prehrin e tyre valle të rritës hedhur!

 

KËSHTU ËSHTË BUKUR

(Shpresa Vretos)

Ani e Alisa tash bëhen “Shokë shkolle”
Për ta do të mbetët ky ”Viti i paharruar”,
Si dimri kur pati renë ”Dëbora e madhe”
Vogëlushet nga dritarja duke e shikuar.

Driti me ta thoshte ”Kështu është bukur”
Ngado lëshohen sytë shihet bardhësi,
Por gjyshi përjashta kur deshi për t’dal
Dëbora trashë mbi shokë kishte mbërri.

Si “Aventurat e shigjetarit të vogël” tokë
Ishin duke e ndihmuar zogun mbi borë,
“Krahu i thyer” i të cilit dukej sikur leckë
Ata fëmijë, shpëtimtarët e zogut t’gjorë.

Tash libra plot dhe një çantë e lulisur
Mbesin kujtime të jetës së re vogëlake,
Buzagazi i mësueses – fjalët ëmbëlsirë
Urimet e zemrës të asaj gjyshes Shake.

Për zogun e zemrës që e nis fluturimin
Nëpër qiellin e hapur sikur “Syri i kaltër”,
Ta rrisë horizontin e dijes në sofrën e tij
Kthjelltësi t’shikimeve të ketë përherë!

BUZËQESHJA S’ËSHTË LARG

(Qibrije Demirit)

Aq nga e mira “Buzëqeshja s’është larg”
Në vorbullën e tyre syve shigjeton fëmija,
Ata sy shohin veç bardh, nuk shohin zi
Engjëllorëve u duket “Gjithësia si qershia”.

Kush pyet se ”ç’ mund të ketë në poezi”?
-Diell, Hënë, dëborë stinët edhe ëndrra
Që paskan mundësi shëtitje me biçikletë
Rrugëve t’ panjohura n’ jetë e zhgjëndrra.

Tha edhe tjetrën: “dielli behët sy në poezi”
Miklon në shikime t’ ëmbla sikur karamele,
Fluturat dhe zogjtë lumenjtë me degëzime
Vashën faqe pjeshkë me flokët kaçurrele.

Me atë që dëshironte “t’i diktonte ëndrrat”
Ngarendur “me qerre të arta” gëzueshëm,
Besën e shoqet që faqet e tyre nuk janë
“Mollë as pjeshkë” por ashtu vazhdueshëm.

I përqafon babi, nëna “dhe ndonjë kushëri”
Haresë bëhen flutura edhe zogla të qiellit
E vërtetë “Gjithçka mund të ngjasë në poezi”
Edhe n’ predha të zjarrta prej topit të diellit!

SHTATORI ME VIOLINË

(Shahbaze Vishajt)

Ajo melodi e violinës së shtatorit
Dëgjohej në boka e lugje bjeshke,
Me të sosurit e vapës dhe djersës –
Fëmijët plot duart “Shegë vjeshte”

Plot “Shend e verë” shtegtimeve
Nëpër “Shtigje vashërie” shtegtuar,
Në “Shpalim vlerash” zemër-plotë
N’këngën e zogjve duke u lëshuar.

“Shenjë dhe vragë” t’ atyre moteve
Rrugës fluturimit kaltërsisë gjerë,
Në të dyja anët e rrjedhës së Drinit
Folenë e vetë shqipja pati përherë.

“Shamibardhat”- At(Mëmë)Dheut
Ia falen lulet e zemrës për diell-lirie,
Shndërrimin e plumbave n’ pëllumba,
E të korbave n’ shqiponja kaltërsie.

Me “Uratën e fëmijëve të Kosovës“
Gjithë botës iu fal ajo pështjellomë;
Të bardhë si lindja, si lulet e lirisë –
Ndihmuar ndijimit, të tyre aromë!…