Site icon Gazeta Nacional Albania

Majtas kashtë, djathtas sanë! Tregim nga Adem Nimani

 

(shqiptarët në ushtrinë e krajlit serb)

 

Zijoshët kanë provuar pushtues të ndryshëm. Me shakarat e tija të hidhura, mbështjellë me mjaltë, e përbrenda plot helm,   dallohej sidomos mixha Dan.

Sa herë janë ndërruar pushtuesit e Zezës nuk ka munguar as rekrutimi i ushtarak i tyre, qoftë me hatër apo me zor. Perandorinë Osmane, pas pesëqind vjetësh, e kishte zëvendësuar  pushtuesi serb. Edhe hyqymeti i ri, brenda pak vjetësh, kishte filluar të mbushte rreshtat e ushtrisë me rekrutë shqiptarë.

Mixha Dan, nuk e harroi për së gjalli atë shërbim.

Rrëfimin për kohën e kaluar me uniformë të ushtarit të krajlit serb, çdo herë e fillonte me shaka. Ai nuk donte të fliste për ato dy vjet shërbimi me vuajtje, frikë e dhembje, por krejt rrëfimin e  mbushte gaz e mahi për të gjithë zijoshët.

-Unë e mixha Man, nuk mësonim dot ato pak fjalë  serbe të komandës së rreshtimit!- tregonte mixha Dan.

-Të gjithë ata ushtarë, rekrutë, që nuk kishin arritur të adaptohen në fazën e parë të shërbimit ushtarak, i ndanë nga njësitë e tyre të deriatëhershme dhe i bashkuan në një njësi të vetme. Nga gjashtëqind ushtarë që kishte ai batalion, na  ndanë dyzetë e dy rekrutë. Atë njësi e quanin serbisht “pokazna jedinica” – njësi e dënuar-shembull. Përmes asaj ndarje synonin që të jepnin shembull për  të tjerët.

Dyzetë e dy ushtarë nga një batalion prej 600 vetash nuk kaluam fazën e parë prej tre muajsh. Neve që na ndanë, na bënë bashkë në një njësi të dënuarish.

Duhej të rreshtoheshim të parët në mëngjes. Pastaj kapllari (një epror i ulët) na komandonte para njësive tjera, në mënyrë që të na shohin të gjithë. Ishte dimër, borë e madhe dhe acar. Na pikshin hundët pa ndërprerë nga i ftohti.

Mixha Man e ka pasur hundën e madhe, dhe kurrë nuk i ndalej të pikonte, por as që përpiqej të mësonte dot komandën e rreshtimit. Shumica prej nesh që na kishin veçuar, ishim shqiptarë.  Edhe të ndarë, flisnim shqip mes veti, gjë që ishte e ndaluar të flitet në rresht, dhe ashtu e nervozonim edhe më tepër kapllarin serb. Një ditë, kapllari e kapi për hundë mixhën Man sa e nxori fare nga rreshti, si dënim që po e prishë disiplinën. Vetëm mixha Man e di sa fort ia ngrehu hundën kapllari. Nuk u përmbajtëm dot nga të qeshurat. Por për këtë na dënoi të gjithëve duke na tërhequr për hunde një nga një, derisa të kërkonim falje me zë nga dhjetë herë. Kur qeshem me të madhe, më shumë u hidhërua mixha Man. Eprori ishte shumë më i gjatë me shtat se mixha Man, po ky kërceu dhe i ra shuplakë kapllarit. Në atë moment një batalion ushtarësh që po shikonin atë skenë që krijuan ushtarët e dënuar,  qeshen me të madhe.  Na shikonin të gjithë, sepse na që ishim rreshtuar në këtë njësi, nuk kishim pamje të zakonshme ushtarësh.

Uniforma ushtarake nuk dukej fare nga dorëzat me kashtë e sanë që na i kishin  lidhur në të dy krahët, kinse për të mësuar e për të dalluar krahët kur të rreshtohemi. U shkaktua një zallahi e madhe të qeshurash sa që askush nuk mendoi për ndonjë dënim, pasi gjithçka ndodhi para syve të një batalioni ushtarësh. Edhe mixha Man pati fat dhe shpëtoi pa u dënuar.

-Bre mixhë, ishim ushtarë të krajlit serb. Kur shkuam atje larg, nuk e dinim asnjë fjalë serbisht. Kemi hequr shumë në muajt e parë. I harronim krejt vështirësitë duke i shndërruar në shaka e mahi. Qeshnim me vetveten për secilin veprim të gabuar, me apo pa qellim. Sapo kishim pak pushim që na jepte kapllari ( njëfarë tetari që i thonë tash) mahiteshim me njëri tjetrin dhe harronim të gjitha vuajtjet. Qeshnim me veprimet tona që i bënim  krejt mbrapsht.

Krajli serb i pat bërë do ndryshime me ligj për barazi të ushtarëve. Neve që ishim shqiptar mysliman, na thoshin arnaut.

Në atë kazermën ku isha unë me do kushëri të mi, ka pas edhe hoxhallarë me rrogë.  Ata i kishin marrë aty në punë, kinse me na mësua me u falë.

Për neve kishte hoxhë e për serbët kishte pop.

Nuk di pse, por edhe hoxha i jonë kishte mjekër sikur  ai popi i atyre serbëve. E kishim obligim edhe t’i përshëndesnim  hoxhën e popin bash sikur që e kishim detyrë ti përshëndesnim edhe eprorët ushtarak.

Ka ba vaki e kem takuar popin, dhe e kam  përshëndetur me selam-alejkym se nuk e kam njohur.  Edhe hoxha edhe popi kishin mjekra të gjata. Dikur u mësuam me ta, por kjo punë nuk zgjati shumë. Kishim kuptuar se krajli na ka dhënë disa të drejta për neve që ishim myslimanë.

Për disa muaj rresht e ndanë edhe ushqimin.

I ndanë edhe kazanët ku zihej gjella për myslimanë dhe të tjerë për të krishterët. I ndanë kazanët e gjellës demek që na nuk e hanim mishin e derrit. Nuk ka zgjatë shumë kjo punë. Në fillim e nisem si me shaka se dikush nga ne hante tinëz dhe po majmej sa që i shkëlqente fytyra. Po të vezullon fytyra nga dhjami i thiut bënim shaka me njeri tjetrin. Dikur shakatë u bënë serioze dhe dikush tha se enët po përzihen dhe nuk e durojmë dot të hamë në ato enë. Sa ditë që kalonte, puna e ushqimit të ndarë u rrezikua. Dikush thoshte se me kazanë të ndarë mund të na helmojnë edhe shumë më lehtë. Në këtë pikë doli kjo punë problem deri të vet krajli serb.

Pas disa muajve, puna e ushqimit ndaras  u bë problem i madh e me rrezik. Edhe hoxha me na i fal pesë vakte nuk arrinte dot.

Na shumë herë ishim në ushtrime në mal e të ndarë nëpër njësi, me qenë edhe dhjetëra hoxhallarë nuk mjaftonin.  Na, për ta falur sabahun, duhej të zgjoheshim gati një orë para ushtarëve të krishterë.

Ata deputetët tanë shqiptarë(-arnaut) që ishin zgjedhë në parlamentin e krajlit, ishin katërmbëdhjetë, dhe ata demek kishin kërkuar këto të drejta për neve që ishim ushtarë. Për pak muaj gjithçka dështoi.

Lajmi për përzierjen e ushqimit ishte bërë temë edhe në parlamentin serb. Madje ishin përhapur fjalë se dikush edhe mund të na helmonte neve pjesëtarët e fesë tjetër. Kështu një ditë, kjo ndarje ushqimi mbaroi me ligj. Ushqimi do të ishte i njëjtë për të gjithë. Edhe përfaqësuesit e religjioneve i larguan nga kazerma. Secili ushtar që dëshiron të falet mund ta kryente namazin kur të ketë mundësi, por jo gjatë ushtrimeve të obligueshme.

-Ky tregim më kthen keqas në atë kohë kur isha i ri,  vazhdonte të tregonte duke qeshur mixha Dan.

Komanda e parë në mëngjes ishte rreshtimi. Nuk ka pasur shumë fjalë, por kur njeriu nuk kupton gjuhën, e sheh kiametin. Krejt çka na urdhëronte komandanti e bënim mbrapsht dhe pastaj ai na dënonte për të përsëritur gjithë ditën ato veprime që i bënim gabimisht.

Besa edhe me rregullua  shtratin, ai kapllari, i cili edhe flinte në të njëjtën dhomë me neve, ku ishim tridhjetë veta, na ka torturua e mundua me muaj.

Në mëngjes, kur rreshtoheshim ishte komanda Gatitu – majtas ktheu,-djathtas ktheu.

Na gabonim krahun vazhdimisht.

Na i lidhen në të dy krihet nga një tufë kashtë e një tufë sanë. Një dorëz kashtë në krahun e majtë e një dorëz sanë në krahun e  djathtë. Nuk duroheshim pa qeshur kur shihnim një rresht të tërë ushtarësh që marshonte nëpër oborr me nga një dorëz kashtë në krah të majtë e një grusht sanë në krahun e djathtë.

Kapllari komandonte me zë serbisht : sllama sena, sllama sena ( domethënë majtas kashtë, djathtas sanë, vazhdimisht. Donim të qeshnim të gjithë me zë, por nuk guxonim as të qeshnim, sepse na dënonin. Nuk e merrnim këtë punë tragjikisht,  por e kalonim me mahi.

Pak kush nga ne i ka ditur shkronjat. Njëfarë Isenin, të cilin na e quanim Hysen, i cili ishte një shqiptar nga Maqedonia, që kishte krye katër vjet shkollë serbisht, e sollën aty me na i mësua shkronjat cirilcë, por pak kush prej nesh, e mori seriozisht këtë mësim. Gjithnjë mendonim se edhe kjo puna e krajlit serb merr fund një ditë. Kur ka marrë fund Dovleti,  që na ka sundua pesëqind  vjet, edhe krajli merr fund. Ashtu ndodhi.

Tash, sa herë që ndonjë djalë nuk më dëgjon për ndonjë punë që duhet ta kryej, e komandoj serbisht; sllama, sena ( kashta, sana) dhe kush kupton qesh më zë me këtë punën tonë.

Sa herë që korrieri i komunës, panduri, dukej në fshat, të gjithë iknin sikur nga mortaja. Mos me ju përgjigj thirrjes, vinte xhandarmëria dhe të arrestonte.  Kur e krahasonim sa vjet zgjaste shërbimi ushtarak në kohën e sulltanit, dy vjet shërbim në ushtrinë e krajlit serb, na dukej disi më pak.

Ai panduri, kudo që shihej nuk ishte sihariq i mirë. Kush nuk i afrohej pa e thirr.

Ata katundarë që kishin ndonjë mashkull të moshës për rekrutim i kaplonin ethet. Për neve, serbi ishte hyqymet i ri, pushtues i ri.

Zeza asokohe kishte shumë djem të moshës së pjekur për ushtri. Më nuk dëgjohej ndonjë fjalë për sakatimin e djemve që bëhej gjatë pushtimit osman për të iu shmangur shërbimit ushtarak.

Panduri shpërndante jo vetëm thirrjet për ushtarë, por edhe për shumë dënime te tjera me gjyq e pa gjyq. Të gjithë zijoshët e dinin mirë se panduri nuk shpërndante sheqerka, por fletëthirrje për të paguar ndonjë dënim. Ma vonë, me shaka, këdo që sillte ndonjë lajm të keq, e quanim pandur. Pak kujt nga zijoshët i kishte shkuar mendja se çdo të pjellë nesër. Jo pak familje kishin menduar mënyra të ndryshme si ti shmangen shërbimit, por ishte zor.

Dikush-dikush mori malin, duke mos parë derë tjetër.
Dikush thoshte të mos i pranojnë thirrjet fare. Dikush mendonte të fshihte gjininë apo emrin.

Ka ndodhë që pesëmbëdhjetë zijoshë nga Zeza të shkojnë ushtarë të krajlit në të njëjtën ditë.

Nuk kishte shumë fjalë komanda, por për shumicën nga ne, ato ditë ishin të vështira. Dikush mësonte më shpejt e dikush asnjëherë. Për çdo dhjetë ushtarë ishte përgjegjës një kapllar. Shumë shpejt zijoshët u përballën me tërë ashpërsinë e këtyre eprorëve të ultë ushtarak. Ata e kishin për detyrë që të kujdesën ditë e natë,  secili prej tyre për nga dhjetë ushtarë.

Deshi fati që tre zijosh na caktuan në të njëjtën njësi dhjetëshe. Unë, Mujo dhe Liti që ishin kushërinj mes veti, përditë zgjoheshin e erreshin në të njëjtën  dhomë. Kapllari, shumë herë na linte edhe pa gjumë duke na mësuar si ta rregullojmë shtratin. Nuk kishte shtrat të vërtetë, por një thes i madh konopi mbushur me kashtë dhe një batanije nga leshi i dhive në vend të mbulojës.

-Derisa Mujo e Liti mësuan komandën, unë nuk po ia dilja dot. Pas dy muajsh, të gjithë ata që nuk kishin mësuar asgjë, i morën nga çdo njësi dhe i bashkuan në një njësi të vetme. Për këtë caktuan katër kapllarë më të egër.  Ata do punonin me neve  derisa të mësojmë rreshtimin dhe hapin ushtarak. Të gjitha njësitë tjera rreshtoheshin në vend të caktuar, kurse ushtrimi i neve që nuk kuptonin dot, bëhej në oborrin e kazermës. Shumë herë, me qindra ushtarë hanin drekë, ndërsa njësia  jonë e dënuar vazhdonte ushtrimin fillestar dhe nuk hante drekë deri në darkë.

Derisa gjithë ushtria merrte ushqimin e mëngjesit, njësiti i të dënuarve të rreshtuar mes oborrit, vazhdonin marshimin,  dhe secili kishte lidhur një duq kashtë në dorën e majtë e një duq sanë në krahun e djathtë.

Majtas kashta, djathtas sana! – komandonin më një zë të katër kapllarët më të egër që i kishin zgjedhur apostafat për këta rekrutët që nuk adaptoheshin dot.

Majtas-kashta, djathtas-sana, dëgjoheshin këto fjalë tërë ditën në oborrin e kazermës.

Me qindra ushtar tjerë qeshnin me neve në këtë gjendje. Ishte ajo kohë kur kishim provuar edhe gjera që sot njerëzve u duken të pabesueshme.

Mixha Dan nuk qeshte vetë kurrë. Thoshin, mahitari i mirë nuk qesh kurrë me shakatë e veta. Ashtu ishte mixha Dan.

Ai nuk merrte shembull dikë tjetër për ngjarje të caktuara, por vetën e tija.

Exit mobile version