Adem Nimani: Sporteli numër zero, tregim saterik

Në shehrin e Mustafë Agës, duke kërkuar ndërtesën e komunës, Grremçi pasi pyeti varg disa kalimtarë të rastit në katër udhëkryqe, po shkonte drejt një ure. Serish i shkoi mendja mos e kanë orientuar gabimisht, apo ky ka huq diku. Kaloi urën dhe eci drejt një ndërtese të madhe e të bukur. Mendoi për pak sarajet e Asllan Pashës. Porta kryesore ishte hapur. Pyeti serish një kalimtar në mos ka gabuar apo kjo është ndërtesa e komunës? Ishte në vendin e duhur. Hyri në korridor. Një njeri i veshur mirë, ulur brenda një kafazi xhami, i bëri shenjë të afrohet aty. Grremçi i tregoi çka po kërkon dhe portieri duke e parë mirë se ky njeri është nga një komunë tjetër dhe duket krejt i humbur, e pyeti prej nga vjen?
Grremçi iu përgjigj se vjen nga Zeza. Portieri u habit si nuk paska dëgjuar kurrë kësi emër fshati, aq më pak të një komune.
Ku duhet të paraqitem? – e pyeti portierin.
Portieri, si me mahi, pa një pa dy, i tha të shkonte në katin e dytë, në sportelin numër zero. Grremçi as e dëgjoi mirë këtë fjalën zero, por veshtë ia rrokën vetëm katin e dytë. Mësyu shkallët dhe për pak u gjend në një korridor tjetër me shumë sportele. Të gjitha kishin numra. Shikoi mirë numrat e sporteleve, por nuk iu kujtua zero, të cilën e kishte kuptuar si mahi. Numëroi me rend, një, dy, e dhjetë dhe në atë çast i erdhi në kokë fjala zero që ia kishte thënë portieri. Ndoshta është bash ky sportel, tha me veti. U afrua dhe pyeti nëpunësin për çka ka ardhur këtu.
-Prej nga vjen ore zotëri? – e pyeti nëpunësi
– Vij nga Zeza!
– Në shtetin tonë nuk ka katund as komunë me këtë emër!
-Ka, si nuk ka! Pas luftës edhe fshatrave e shehrave ua kemi ndryshuar emrat.
– Po a nuk gjetet emër pak më të bardhë, o njeri?
– E po, ja kështu kishin dëshirë zijoshët!- tha Grremçi.
-Pasi qenke nga Zeza, ti më i zi nuk bëhesh, shko në sportelin numër zero!
-Po edhe portieri juaj më tha shko në sportelin zero, e unë e kuptova si mahi, foli padashur Grremçi. Mos jeni ju nëpunësi i sportelit zero?
E kaploi njëfarë nervoze, në mos po tallen me të!
Atë ditë që vajti në komunë, Grremçit as që i shkoi ndërmend prej nga kishin ardhur të parët e tij për t’u vendosur Zezë. Tapitë për tokën e blerë nga Mustafë Aga ua kishte shkartisë krajli serb. Zijoshët nuk kishin humbur kohë me dokrrat e moçme( ashtu i quanin dokumentet) se kush prej kujt ka blerë tokë në Zezë. Vetëm Grremçi që kishte mbaruar fakultetin ishte rropatur me gojëdhënat e rrëfimet prej nga ka ardhur ky apo ai fshatar, apo kush nga cili fis kishte origjinën. .
Edhe po ta mësonte krejt historinë e Perandorisë osmane, tash kur kishte punë me administratën vendore. nuk po i mjaftonte. Atij nuk i duhej më shumë se një certifikatë për mixhën e vdekur para pesë dekadash, por nuk e nxirrte dot.
Kujtoi edhe ditën kur mixha i tij, Mani, kishte shitur tokën dhe ishte vendosë në shehrin e Mustafë Agës.
Se çfarë pune do t’i dilte me administratën, as që kishte paramenduar kurrë në jetën e tij. Atje në Zezë, në zyre punonin edhe disa ish nxënës të tij. Ishte plot shpresë se nuk do të ketë nevojë as të flas dy herë për të nxjerrë ndonjë dokument.
Sporteli me numër zero, tash nuk po i hiqej nga mendja. U hutua fare!
Nisi të lutet, por fjalët i dolën arabisht. Pastaj u kryqëzua tri herë.
Komunarët e Zezës i kishin thënë shko në shehrin e Mustafë Agës, për të marrë atë certifikatë të vdekjes së mixhës. Ne nuk jemi kompetent për këtë dokument, i kishte thënë gjykatësi, pasi mixha yt ka vdekur në Shehrin e Agës.
-A sheh që ke mbaruar shkollën kot, i tha vetit Grremçi. Asgjë nuk paska ndryshuar përveç pushtuesve të njëpasnjëshëm.
Në çdo hap që bënte kujtonte pse pleqtë iu kishin shmangur çdo pyetjeje prej nga kishin ardhur në Zezë të parët e tyre.
-Ai nëpunësi tjetër mund të më pyes, jo vetëm prej cilit fshat kam ardhur, por edhe cilit fis i përkas. Kishte mësuar Grremçi edhe për ikjen të bashkëfshatarëve nga belatë e përditshme me njeri tjetrin. Në pleqëri i kishte ardhur dita të mos dinte as kah t’ia mbante apo ku e çka të kërkonte nga hyqymeti.
I tretur në labirintet e Perandorisë së dikurshme, po rropatej me tokat e bejlerëve dhe agallarëve.
Shqiptoi më zë vargjet e rapsodisë “ Po përzihet Prizreni! Pastaj ju kujtua edhe rapsodia tjetër ; “Në Shkodër të zezë ka krisë gazepi! Grremçi pa se vetëm zotërinjtë janë rrokur mes veti. Vallë mos edhe mixha Man, ai moçmi, mund të ketë qenë ndonjë zotërinj dhe mund të jetë rrokur keq me ndonjë tjetër, e kështu mund të ketë rënë në bela?
Qeshi me zë para sportelit ku do pyeste për zgjidhjen e problemit për të cilin kishte ardhur. As i shkoi mendja për sportelin numër zero, siç i kishte thënë si për mahi, së pari portieri i komunës, e tash këtë ia tha edhe nëpunësi, të cilin e kishte përpara.
-Shko në sportelin zero, i tha edhe nëpunësi që nuk i kreu punë.
-Edhe ky u tall me mua! mendoi zijoshi. Po, ani, mirë! Lë të tallen pak me mua plakun për të larguar këtë zymtësinë e punës në administratë.
Akoma nuk mendonte të kërkonte atë sportelin numër zero, pasi i dukej krejt mahi.
Pyeti një nëpunës tjetër çka po kërkonte.
-Më duhet një certifikatë e vdekjes së mixhës Man. Certifikatën e lindjes së tij, e kam këtu me veti. Moti ka vdekur mixha Man! Në zyrën e vendit në Zezë, ia gjetëm edhe certifikatën e lindjes. Viti i lindjes 1891?!
– 1891!? e përsëriti numrin, nëpunësi i habitur.
– Po, me 1891! Ashtu shkruan edhe në certifikatë, tha Grremçi.
E po mirë, vazhdoi nëpunësi të kërkonte menjëherë emrin e Manit në librin e të vdekurve.
– Ofiqari mori e rrotulloi mirë e mirë një libër regjistri të të vdekurve, por kot. Hapi edhe librin e dytë, serish kot. Emri i mixhës Man i lindur më 1891 nuk ishte! Ofiqari hapi e shikoi mirë e mirë edhe librin e tretë të të vdekurve, por emri i Manit nuk ishte askund.
– -A ka vdekur përnjëmend ky njeri,?- pyeti nëpunësi Grremçin.
– -Po ka vdekur!
-A ka lënë fëmijë mixha?
-Po, ka lënë një vajzë e një djalë! Edhe ata kanë vdekur.
Hiq pa pritur, në bisedë kishte ndërhy një nëpunës tjetër aty afër.
-Duhet të nxirrni certifikatat e vdekjes së dy fëmijëve dhe të mixhës Man.
Grremçi pastaj kishte nxjerrë ato dy certifikata, por jo edhe të mixhës, pasi atë nuk e gjenin dot në regjistrin e të vdekurve.
-E halli?- kishte pyetur Grremçi, nëpunësin!
I hutuar krejt, nëpunësi iu kishte drejtuar nëpunësit tjetër të gjendjes civile, se çka duhet bërë tash?
– Ta pyesim juristin çka thotë?!- kishte thënë nëpunësi tjetër.
Iu kishin drejtuar nëpunësit për çështje juridike, i cili ishte në vend pune për çdo rast kur dikush ka nevojë për ndihmë.
-A ka vdekur përnjëmend ky njeri,?- pyeti juristi Grremçin.
-Unë isha akoma i ri kur pat vdekur mixha Man. E kemi varrosur si çdo të vdekur, këtu në varrezat e shehrit.
– Për neve që tash punojmë në zyre për këso punësh, ai njeri nuk ka vdekur, tha juristi.
-E halli?-pyeti Grremçi.
– Për neve në Komunë, mixha yt është gjallë akoma. Pa u shënuar emri i tij në regjistrin e të vdekurve, mixha yt është gjallë.
Grremçit iu duk sikur iu mbyll shtegu i fundit.
Tash po i dukej sikur çdo njeri i gjallë i ka faj. Edhe deri tash kishte pasur mjaft përplasje me historinë, dhe sa duket vetëm edhe kjo i kishte mbetur.
Rropatej me origjinën e familjes, por nuk po ia dilte dot se çka duhej bërë më tutje. Nisi të mendonte edhe për atë Manin e parë, por nuk e dinte dot se cili mund të ketë qenë ai dhe sa veta e kanë pasur emrin Man deri të mixha Man? Ata ishin shumë dhe kanë vdekur moti. Çka ishte edhe më keq, atyre nuk iu dihen as varret.
Grremçi, i biri i vëllait të mixhës Man, sa më shumë kthehej në historinë e familjes, po fundosej thellë e më thellë në humnerën e origjinës e cila mund ta dërgonte deri në arkivat e Perandorisë Osmane, në mos edhe të Vatikanit?!
Për origjinën familjes kishte dëgjuar edhe gojëdhëna dhe ato të gjitha i dukeshin me përmbajtje të zezë. Nuk i largoheshin nga mendja thashethemet si ai Mani që ishte ngulitur në Zezë për të jetuar, mund ta ketë fshehur identitetin për shkak të belave të shumta, dhe kështu vet Grremçi padashur mund ta zbulonte historinë e sekretit dyqindvjeçar të ndonjë borxhi të moçëm fatkeq.
-Hajde babë, hajde, i tha veti!
Më nuk kishte ide se sa Mana ka pasur deri të mixha Man! As i kishte treguar dikush se prej nga kishin ardhur e ishin vendosur në fshatin Zezë, para më shumë se dyqind vjetësh. Kishte dëgjuar Grremçi ndonjë fjalë, se të parët e tij kishin ikur pikërisht nga belaja me fqinjët. Kur kishin ardhur në Zezë, kishin vendosur të mos i tregojnë askujt prej nga kanë ardhur. Aty, kishin menduar se kanë ikur mjaft larg sa nuk i arrin pushka e hasmit.
Duke parë se nuk po ndreqte dot punë, i tha veti :“Shko e eja si Adem Peja”.
Ai Mani, nuk dihet cili Man, në shehër, kishte kuptuar mirë se të gjitha tokat që i sheh syri, male fusha, ara e livadhe, lumenj e liqene janë të Mbretit, i cili ua ka bërë tapi bejlerëve e agallarëve.
Zeza kishte pasur ofiqari edhe në kohën e mbretit e të krajlit serb. Kësaj radhe të gjitha sportelet, Grremçit po i dalin dolën zero, si në shehrin e Mustafë Agës, si në komunën e Zezës..
More, ai portieri ma bëri mirë me dije, por mua plakut nuk ma rroku rradakja.
Vallë a është e mundur të jetë gjallë mixha Man?
Mos vallë, atë ditë që shkuam ta varrosim, mund të na ketë mashtruar dikush? Ndoshta, atë ditë, mixha Man mund t’i ketë ikur vdekjes. Ndoshta e kishte marr malli për ta parë vendlindjen dhe i ka ikur vdekjes.
Krejt pa dashur iu kujtua ai “rroteli” i komunës së shehrit të Mustafë Agës që thoshin është zhdukur gjatë luftës së fundit dhe familjes së tij hyqymeti ia kishte akordua një pagë të mirë, ndërsa emrin e tij e kishin shkruar në përmendoren e dëshmorëve. Ai kishte punuar plot shtatëmbëdhjetë vjet në Beligrad, dhe kur ishte pensionuar, ishte kthyer në vendlindje gjallë, e shendosh e mirë, si kokrra e mollës. Askush nuk e kishte bërë të madhe ketë punë.
Ndoshta edhe mixha Man ka punuar në komunë për gjithë këto vjet dhe është gjallë?!
Ndoshta, atë ditë e varrosem vetëm vdekjen e mixhës, e jo mixhën Man!? Edhe vetja iu bë i dyshimtë.
– Është i gjallë apo i vdekur mixha Man?
Nëse mixha i lindur në vitin 1891, për këta zyrtarë qenka gjallë, edhe unë mund të mos jem gjallë, filloi të dyshonte për veti. Gjithçka iu bë tërkuzë.
Nëpunësi e pa që zijoshi po fliste përçartë duke u larguar nga sporteli dhe nuk po e gjente as derën për të dal nga ndërtesa e komunës. Portieri i ndihmoi qe të mos ia huq portës hap e krah.
Doli pa ditur ku do të shkonte që ta kërkonte mixhën, i cili akoma qenka gjallë?! Po ku mund të ketë jetuar mixha i gjorë gjithë këto vite, kur na menduam se e varrosem atë ditë pranvere, në vitin 1978.
Nisi të numëronte me gishta sa vjet mund të kishte mixha deri në këtë ditë? Murmuriti gjatë dhe llogaria i doli se mixha Man tash do të kishte hiq më pak se 132 vjet.
-Mos ndoshta ka punuar në komunë gjatë gjithë kësaj kohe? – tha vet me veti Grremçi duke qeshur me zë, krejt i humbur.
-Mixha qenka gjallë! Gjallë ishte mixha Man!-belbëzonte vet me veti Grremçi. Bile ai zyrtari më tha, se për ata të komunës, mixha është gjallë, hiq pa dëshmitarë.
-Po ku gjen sot dëshmitar për njeriun që ka lindur në vitin 1891, e i cili sipas nëpunësve të komunës është gjallë akoma?
– Certifikatën që kërkova, nuk ma dhanë.
Nuk ishte vetëm një sportel me numrin zero, por të gjitha ishin zero për Grremçin.
Pak si me shpoti, ai zyrtari i shehrit të Agës ia kishte thënë Grremçit edhe do fjalë të majme!
– A keni zyre të vendit në Zezë, ku kryhet kjo punë?- e kishte pyetur nëpunësi?
-Natyrisht që kemi! –ishte përgjigjur Grremçi.
-Ju atje qenkeni më të vdekur se ai i vdekuri!
A e dini ju që jeni shtet i pavarur që nga viti 2008? A e dini që shteti ynë ka administratë, gjyqësi të gjitha niveleve, ka polici, ka ushtri?
-Me çfarë djalo- ligjesh e letrash punoni atje në Zezë? Mani ka lindur në Zezë kur sundonte Perandoria Osmane. Ai Mani i gjorë ka jetuar në Perandorinë Osmane deri në moshën 21 vjeçare. Bile thonë se ai i ka shpëtuar rekrutimit osman pasi ia kishin prerë gishtin e madh të dorës qysh kur kishte lindur. Ai pastaj ka jetuar edhe nën pushtetin serb që është ndërruar tri a katër herë gjatë një shekulli dhe ka qenë i regjistruar me dëshmitarë në defterin e krajlit.
-Mbi cilat ligje punojnë ata nëpunësit tuaj? A punojnë ata zijoshë me “kadiun” e mbretit, me zakonet serbe, apo me ligjet tona?- e kishte pyetur nëpunësi.
Nëse ato shërbimet administrative të Zezës nuk paskan kuptuar akoma se jemi shtet i pavarur, tregoju se për ta regjistruar Manin në librin e të vdekurve, sipas tyre u dashka të shkoni në Ankara, pasi Stambolli më nuk është kryeqytet i Turqisë. Por, ta dini se as atje nuk do të gjeni asgjë. As Perandoria osmane nuk ekziston moti dhe tash ka emër e ligje të kësaj kohe.
Ore zijosh! Ne kemi krejt administratën që i duhet një shteti. Thuaju atyre zijoshëve në komunën tuaj që të gjykojnë drejt e të vendosin sipas ligjeve të shtetit tonë, e të mos i shtyjnë qytetarët nevojë e pa nevojë, që të kërkojnë ndihmë nga strukturat paralele të administratës së Serbisë, që akoma i paguan Beligradi.
Fjala për mahi e atij portierit që më tha shko në sportelin zero, më doli e saktë, tha vet me veti Grremçi dhe u qetësua pak.
Çdo sportel kishte numër, por ama secili ishte zero për Grremçin, që nuk po ndreqte dot punë në asnjërin prej tyre.