Jusuf BUXHOVI: Në vigjilje të 34 vjetorit të themelimit të LDK-së

“RILINDJA” , “ELIDA” DHE POROSIA E GENSHERIT PËR THEMELIMIN E PARTISË POLITIKE

Lajmi se gazetarët dhe shkrimtarët e njohur të “Rilindjës” do të themelonin një parti politike shqiptare, nuk kishte nevojë të jepej në gazetë. Mjaftonte që në kafiterinë “Elida”, ku rëndom silleshin pjesa më e madhe e gazetarëve dhe shkrimtarëve, të gjuhej një si thashetheme, gjoja “në besim”, që ajo me të shpejtë të merrte dhenë.
Në të vërtetë, në njërën prej atyre ditëve kur rëndom pinim kafe me Mehmet Krajën, Xhemai Mustafën dhe Ibrahim Berishën dhe ishte e natyrshme se bisedohej se çfarë na kishte mbetur pas asaj që kishte ndodhur dhe çfarë përgjigje duhej dhënë sfidave të ardhmërisë, u zu ngojë çështja e formimit të një partie politike meqë tashmë ekzistonin edhe kushtet ligjore për të. Kësaj ia shtova ato që kohë më parë m’i kishte thënë miku im Viktor Majer (korespondent i njohur i gazetës gjermane FAZ), ” se ishte koha që të themelonim një parti politike në mënyrë që t’u përgjigjeshim sfidave të kohës me të cilat medoemos ngarkoheshim”…
Meqë me Krajën dhe Xhemën, të shumtën na bashkonin afinitetet profesionale në redaksinë e rubrikës së kulturës së “Rilindjes”, po edhe ato të prirjeve të përafërta artistike në krijimtari, ishte e natyrshme që të arrihej pajtimi rreth kësaj çështje së paku në nivelin parimor. Kjo mjaftoi që t’i hyhet punës për hartimin e dokumenteve bazë, programit dhe te statutit bashkë me pajisjen me dokumentet tjera që i duheshin një organizimi të tillë legal në përputhje me ligjin federativ tashmë të aprovuar rreth organizimit politik të qytetarëve nëpër shoqata dhe parti politike, dhe se për të gjitha do t’i njoftoja vazhdimisht.
Sipas ligjit në fuqi nismën për themelimin e partisë politike apo të shoqatës mund ta ndërmerrnin së paku njëmbëdhjetë qytetarë me deklarimin e lirë në listën me nënshkrime që do t’u dërgohej organeve përgjegjëse bashkë me programin, statutin dhe hollësitë tjera rreth të ardhurave financiare të nevojshme për veprimtari. Pasi që të kompletohet dokumentacioni, organet përgjegjëse, pra ato policore, janë të obliguara që brenda afatit ligjor prej dyzet e tetë orëve të jepnin përgjigje me shkrim për lejimin apo ndalimin e veprimtarisë. Në rast se brenda këtij afati nuk jepej kurrfarë përgjigje dhe nuk bëhej ndonjë vërejtje, atëherë lejohej kuvendi themelues.
Nga mesdita, sipas marrëveshjes, takova redaktorin përgjegjës të WDR-it, Horst Weselerin, të cilit ia bëra me dije se me kolegët më të afërm në parim ishim marrë vesh për nismën për themelimin e një partie politike siç kishte sugjeruar edhe ministri i jashtë gjerman Gensher.
Të nesërmen prapë bashkë me Krajën, Mustafën dhe Berishën në kafenë e mëngjesit në “Elida”. U bëra me dije se ia kisha filluar punëve rreth themelimit të partisë së re në përputhje me ligjin federativ dhe se nënshkrimet e tyre më duheshin ndër të parët gjë kjo që edhe ndodhi.
Në ndërkohë kisha takuar edhe dy veta që i merrja të rëndësishëm drejt themelimit të partisë: Zekeria Canën dhe Milazim Krasniqin. I pari, tashmë me themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore, si sekretar i tij dhe njeri i vyeshëm, mund të ndihmonte drejtpërsëdrejti që disa nga anëtarët e Këshillit ku bëja pjesë me disa nga shkrimtarët, t’i vinin në ndihmë nismës sonë, qoftë duke u përfshirë në listën e nismëtarëve qoftë duke marrë përgjegjësi. Ndërsa Milazimi ishte sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, të cilën Rugova e drejtonte me shumë sukses dhe po ashtu kishte përvojë organizative me shkrimtarët.
Zekeria Cana, i cili kishte duart plot me punë, parimisht u pajtua, por tha se mos duhej pritur edhe pak, që të piqeshin kushtet. Ma përkujtoi UJDI-n dhe “ecjen me fenerë”.
Ia ktheva se koha nuk priste.
Takimi me Milazim Krasniqin filloi me atë buzëqeshjen e tij të hapur se tashmë e dinte.
Ia tregova disa nga ato që ai tashmë i dinte dhe për ato që tashmë kishin filluar të bëheshin. Pak si me shaka i thashë se më duhej edhe nënshkrimi i tij për atë masbatën që të mos burgosem pse bëj propagandë armiqësore, por propagandë legjitime për parti politike.
Nuk desha t’ia hapja punën e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës në listën e themeluesve, meqë vlerësoja se edhe ai do t’i bashkëngjitej asaj, por që duhej të ruhej paksa për sprovat e ardhshme, që si do të shihet do të jenë tejet të mëdha dhe te një përgjegjësie historike, të cilave Rugova do t’u jepej me përkushtim të madh.
Por, të nesërmen edhe kjo çështje ishte rregullua. Madje, më lehtë seç e kisha menduar.
Me marrjen e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës, krahas atyre që tashmë shfaqeshin si bërthamë e grupit themelues (Unë, Mehmet Kraja, Xhemail Mustafa dhe Ibrahim Berisha) dhe, nënshkrimit të Zekeria Canës, Milazim Krasniqit lista, po i afrohej numrit “kritik” të njëmbëdhjetëshit, me çka edhe formalisht plotësoheshin kushtet me të cilat mund të paraqitej kërkesa zyrtare për vazhdimin e punëve të mëtutjeshme për thirrjen dhe mbajtjen e kuvendit themelues të partisë.
Por, siç do të shihet, thirrja dhe mbajtja e kuvendit themelues kërkonte edhe shumë e shumë punë, nga hartimi i programit, i statusit dhe dokumenteve të tjera, që për t’iu ardhur rreth, krahas hapit dhe vrapit të domosdoshëm poshtë e përpjetë në kërkim të nënshkruesve të listës, por edhe të atyre që pos si numra ishin të domosdoshëm për çati, duheshin edhe ata që do të merrnin përsipër punët rreth konceptit përfundimtar rreth dhe të platformës mbi të cilën themelohej partia dhe të tjerat që i duheshin një nisme të tillë. Me kyçjen e mëtutjeshme të profesor Fehmi Aganit, si dhe nënshkrimet nga akademik Idriz Ajeti, akademik Mark Krasniqi, akademik Dërvish Rozhaja, profesor Anton Çetta, Ramiz Kelmendi, pastaj Bujar Bukoshi, Ajri Begu, avokati Mustafa Radoniqi dhe të tjerëve që do të gjendeshin në njëzet e treshen e iniciuesve të kuvendit themelues, ishin krijuar kushtet edhe për hapjen e çështjes se konceptit, së paku në vija të trasha, në mënyrë që të shkohej më tutje.
Meqë ishte e vështirë që nënshkruesit e nismës për themelimin e partisë të mblidheshin bashkërisht, dhe kjo madje kishte edhe arsyet e veta në ato rrethana të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj intelektualëve, mora përsipër që krahas atyre me të cilët thuajse çdo ditë takoheshim në kafe “Elida” (me kolegët nga “Rilindja” dhe shkrimtarët nga radhët e kësaj shtëpie), me të tjerët të komunikoja herë “spontanisht”, e herë ashtu shpejt e shpejt, pa formalitete, që t’i njoftoja por edhe të merrja mendime, vërejtje dhe sugjerime rreth atyre që bëheshin. Nga bisedat e rregullta me kolegët nga “Rilindja” dhe ato ato ad hoc me të tjerët, tashmë ishin kristalizuar tri nga kërkesat themelore të konceptit të programit partiak: ajo për liri, barazi dhe demokracisë (pluralizmit politik), të cilat ndërlidheshin me atë të përkatësisë perëndimit. Në rrethanat përkatëse, ato duhej të kundroheshin si çështje politike dhe si të tilla të bëheshin pjesë e platformës partiake, si pikënisje e qëllimeve të caktuara, të cilat nuk duhej parë dhe marrë të ngurtësuara, por si mundësi e ndryshimeve dhe e përshtatjeve në përputhje me nevojat dhe rrethanat nëpër të cilat do të kalohej.
Tek e fundit, programi nuk do të thoshte shumë dhe nuk garantonte gjë po qe se do të mbetej letër e thatë. Ishte një formalitet me të cilin mund të shkohej më tutje, për t’u hapur dyert e veprimtarisë. Pra, shtrohej nevoja për një program konceptual mbi trëkëndëshin strategjik: liri, barazi dhe demokraci. Brenda kësaj kornize, shtrihej koncepti i platfromës programore të partisë, që statusi i ardhshëm i Kosovës mbështetej mbi kërkesën për avansimin e mëtutjeshëm të pozitës së Kosovës në federatën apo konfederatën jugosllave, e barabartë me të tjerët dhe assesi ndryshe. Tek e fundit a nuk ishte edhe kërkesa për Kosovën Republikë e dalë nga demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981 kërkesë për barazinë me të tjerët?
(Shkëputje nga libri “Kthesa Historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së”, 2008, i përpunuar dhe i plotësuar në plarformën elektronike gratis: jusufbuxhovi.al)