Gazeta Nacional Albania

Mohimi i Fishtes, historianët e rremë, udhëheqësit  delirante dhe politikanët spekullantë. Nga Iliaz BOBAJ

 

 

Gjergj Fishta dhe  mjeshtrat e mohimit

 

-“Por, nëse mohimi i historisë vjen nga falsifikatorët e saj, nga mosdija e individëve dhe e popujve, mohimi i individit vjen zakonisht nga lufta kundër tij, nga propaganda mohuese ose indiferentizmi ndaj tij deri në absurditet. “

 

-“Me At Gjergj Fishtën ka ndodhur pikërisht mohimi i individit. Është një mohim i plotë, i individit, i veprës së tij, i personalitetit të tij të lartë, i kontributit fetar, shoqëror e kombëtar, i vlerësimit dhe nderimit të lartë ndërkombëtar, i gjithçkaje që ka lidhje me të. Është një mohim i plotë, total.”

 

 

 

Nga ILIAZ  BOBAJ, Patra

 

Mohimet janë padrejtësia e historisë. Dhe historia ka shumë mohime. Një pjesë e këtyre mohimeve vijnë nga mosnjohja e historisë së vërtetë, nga boshësitë që ka lënë vetë historia me mungesën e dokumentacionit, të cilat mbushen me fakte të rreme, me kendvështrime dhe trajtesa sipas interesit, madje deri edhe me falsifikime dhe kthehen në lavdi të kotë. Lavdinë kombëtare, popujt e kanë ajkën e historisë së tyre, e lakmojnë atë si asgjë tjetër dhe dëshirojnë ta kenë përherë konkrete, të konturuar mirë. Historia është rrënja e pemës së prejardhjes së tyre. Është e vetmja gjë që i lidh sidomos me të shkuarën e panjohur mirë, të cilën ata duan ta mbajnë përherë pranë, përherë të gjallë, që të ‘’frymojë’’ çdo çast. Aq e lakmuar është lavdia, sa edhe strategë të mëdhenj, që kanë drejtuar luftra pushtuese dhe kanë robëruar popuj të tjerë, kthehen në heronj kombëtarë dhe botërorë, paçka se dobia e tyre ka qenë shumë e shumë më e vogël në krahasim me dëmin e tyre të pallogaritshëm që i kanë sjellë njerëzimit. Ja një shembull shumë interesant, i cili nuk mund të kundërshtohet, të paktën nga mënyra se si pranohet ai. Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, renditet i katërti ndër strategët më të mëdhenj botërorë të të gjitha kohrave (pas Akeksandrit të Madh, Napoleon Bonapartit dhe prijësit të Hunëve). Por edhe pse tre të parët kanë qenë pushtues të egër, të pamëshirshëm, (edhe pse mund të kenë sjellë evoluim në strategjinë dhe taktikën luftarake për kohën e tyre), kurse Skënderbeu ynë është i vetmi që ka zhvilluar vetëm luftra në mbrojtje të atdheut të tij dhe aftësitë e tij ushtarake kanë qenë të rralla, ai renditet pas tyre ?!

Ky mohim të habit, madje kur kërkon një shpiegim, nuk e gjen dot.

Për të falsifikuar historinë, dalin në skenë mjeshtrat e mohimit: historianët e rremë, udhëheqësit  dhe politikanët spekullantë, të cilët e përdorin këtë patriotizëm për qëllimet e tyre. Natyrisht ky patriotizëm spekullativ nuk ka asgjë të përbashkët me ndjenjën e pastër të patriotizmit të vërtetë, i cili është pjesë e ndërgjegjes së pastër njerëzore. Edhe pse janë në një vijë të drejtë, kahjet e tyre janë të kundërta.

Segmente të tëra të historisë, veçanërisht ato që nuk i nënështrohen një studimi serioz e shkencor, janë pjesa më falsifikative e historisë, kotësia e saj, e cila nuk i vlen askujt, përveç lavdisë së rreme, qoftë kjo individuale, qoftë edhe e një kombi, e një kontinenti, madje edhe e vetë botës…

Zakonisht, mohimet e historisë janë spekullime deri në banalitet, sidomos midis kombeve fqinjë, me pikëtakime historie, ku secili mundohet të rrëmbejë prej tjetrit sa të mundë më tepër, duke menduar se në këtë mënyrë pasuron historinë e tij. Jo rrallë arrihet deri aty, sa edhe skutat më të errëta, madje edhe të turpshme të historisë, të cilat nuk janë të pakta, ndriçohen me një dritë të verbër dhe kthehen në muzeume lavdie. Turpi kthehet në lavdi. Në këtë mënyrë bota mohon veten e vet, përdhos historinë e saj, rrugëtimin e saj të vështirë në kahjen e mbrothësisë, në vend që ta shohë atë me syrin e sotëm, duke qenë edhe kritike e vetvetes. Kjo do ta ndihmonte botën në emancipimin, në përparimin e saj, në fisnikërimin e saj të vërtetë.

Po t’i shohësh me kujdes, këtu formohen përherë dy gupime: nga njëra anë ai i spekullantëve ose mohuesve të historisë dhe nga ana tjetër, i atyre që e gëlltitin këtë mohim, madje shpesh edhe me entuziazëm, të cilët janë kryesisht popujt ose ato që quhen masat e gjera popullore.

Por, nëse mohimi i historisë vjen nga falsifikatorët e saj, nga mosdija e individëve dhe e popujve, mohimi i individit vjen zakonisht nga lufta kundër tij, nga propaganda mohuese ose indiferentizmi ndaj tij deri në absurditet.

Me At Gjergj Fishtën ka ndodhur pikërisht mohimi i individit. Është një mohim i plotë, i individit, i veprës së tij, i personalitetit të tij të lartë, i kontributit fetar, shoqëror e kombëtar, i vlerësimit dhe nderimit të lartë ndërkombëtar, i gjithçkaje që ka lidhje me të. Është një mohim i plotë, total.

Por, nëse ky mohim, p.sh. tek Lasgush Poradeci, u bë duke e braktisur atë, sikur të mos ekzistonte fare, deri aty sa njerëzit e thjeshtë nuk e dinin nëse ai jetonte apo jo, tek Fan Noli duke e vënë veprën dhe kontributin e tij brenda kornizave të ‘’kufizimeve ideore dhe fetare’’, por pa e mohuar veprën e tij, tek Fishta u bë duke e luftuar atë me çdo mjet, sidomos me një propagandë shfrenuese deri në mohim të plotë. Tek Fishta, sistemi i kaluar diktatorial i përdori të gjitha armët e tij, pa e lënë atë asnjë çast të qetë. Ai sistem përdori fuqishëm edhe faktin që Fishta ishte klerik fetar dhe jo dosido, por me peshë dhe ndikim të veçantë në popull  dhe i shërbente fesë, gjë që binte ndesh me sistemin e kaluar. Dhe një intelektual me peshë si ai, kërkonte edhe një propagandë më të fuqishme, për ta zbehur e zvetënuar sa më shumë në sytë e popullit dhe të kombit të vet. Pikërisht ky fakt e ndihmoi atë sistem që t’ia dilte më lehtë mohimit të Fishtës. Ai dhe Fan Noli, u grupuan dhe u vunë në krye të luftës kundër fesë dhe ndikimeve fetare, por, nëse për Nolin pati lëshime, për Fishtën nuk u lëshua asnjë grimë. Gjithçka e Fishtës u quajt reaksionare, antipopullore, antikombëtare. Janë akuzat më të rënda që mund të bëhen për një personalitet të përmasave të Fishtës, akuza të cilat synojnë rrafshimin e tij të plotë, mohimin e tij të madh. Por, nga ana tjetër, Fishta nuk mund të dilte jashtë grupit të intelektualëve të shquar të kombit shqiptar, të cilët goditeshin dhe luftoheshin si të tillë, me lloj- lloj pretekstesh, për të ngritur sa më lart figurën e udhëheqësit komunist, deri aty, sa tollumbacja e fryrë nuk mbante më. Sistemet diktatoriale i godasin fuqishëm individët e spikatur, duke ua përdhosur vlerat dhe duke iu vënë atyre kufizime, për t’i shtuar lavdinë e rreme udhëheqësit të tyre. Kjo psikozë mjerane, që i shkon për shtat bëmave të Don Kishotit dhe aventurave të tij, i shvlerëson këto sisteme dhe propagandën e tyre artificiale.

Diku kam lexuar se Karl Marksi ka shkruar kundër shqiptarëve, madje i quan si njerëz të pakulturuar, ndërkohë që sistemi i mëparshëm e mbante atë si idhull. Popujt duan heronj për t’i adhuruar dhe heronjtë janë objekte orientimi dhe referimi për popujt, prandaj propaganda u servir ata që do ajo ose më mirë ata që i duhen asaj. Asaj i duheshin edhe udhëheqësi diktator, edhe Marksi, ideologu kryesor i doktrinës marksiste- leniniste, si pikë orientuese, për të plotësuar hapësirën propagandistike.

Në këtë hapësirë propagandistike, natyrshëm Fishta do të bëhej një tabelë e fuqishme goditëse dhe lufta kundër tij nuk do të rreshte kurrë. Deri në atë pikë, sa nuk u la në qarkullim, në asnjë tekst, asnjë poezi e tij e vetme, siç u veprua me të tjerët, qoftë kjo e parë edhe brenda kornizave të ‘’kufizimeve ideore’’. Kësisoj Fishta nuk njohu asnjë lëshim, që do të thotë mohim i plotë. Kur kam lexuar fshehur ‘’Lahutën e Malcis’’, kur isha student në Shkodër, në fillim të viteve shtatëdhjetë, jam habitur përse luftohej kaq fuqishëm kjo vepër dhe vetë autori i saj. E lexova dy herë me një frymë, për t’u menduar gjatë për të. Madje ajo nuk hynte as në ato vepra dhe autorë,  të cilët duheshin parë me kujdes për ‘’kufizimet e tyre ideore’’, siç trajtoheshin edhe veprat e rilindasve tanë ose autorët e letërsisë së viteve ’30 të shekullit të kaluar. Ishte thjesht një mohim. Dukej qartë, ndaj Fishtës kishte një mëri të madhe, një luftë të madhe, një mohim të madh. Deri aty, sa i prishën edhe varrin dhe eshtrat e tij i hodhën në Bunë. Tradita jonë kombëtare, nuk e lejon prekjen e të vdekurit, kushdo qoftë ai. Varri i të vdekurit, sipas traditës sonë, është i paprekshëm,  është një vend pothuajse i shenjtë dhe nderohet si i tillë. Prishja e varrit konsiderohet si një veprim barbar. Fishtën nuk e lanë të qetë as në varr. Në asnjë vend të botës nuk luftohet dhe nuk mohohet një autor dhe një personalitet kaq i njohur, siç është bërë me Fishtën. Të tilla mohime absurde, kanë ndodhur vetëm në ish Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Lindjes, të grupuara në sistemin socialist, ku mohimet ishin ekstreme. Një nga majimet e këtij mohimi, i kthyer në dënim, ka qenë qëndrimi absurd ndaj Jevtushenkos. Po jo vetëm ndaj tij. Edhe ndaj shumë të tjerëve dhe jo vetëm në ish Bashkimin Sovjetik, por edhe në vendet e tjera të Lindjes, të cilat në esencë, ishin një imitim i tij në gjithçka. Si pjesë e Lindjes, edhe vendi ynë ishte në të njëjtat shina me shtetet e tjera të këtij grupimi, pavarësisht kontradiktave ideologjike me ta dhe trysnia e këtyre vendeve ndaj vendit tonë, sidomos i atyre fqinje, jo vetëm që ishte i ndjeshëm, por ai depërtonte deri tek individët dhe personalitetet tona të shquara kombëtare.  Mohimi i Kazanzaqit, falë botëkuptimit të tij ideologjik, u tensionua me kishën ortodokse greke, vetëm në varrimin e tij, por pa u cënuar as ai dhe as vepra e tij (me përjashtim të një vepre që nuk u lejua të botohej, edhe kjo falë ndikimit dhe rolit të fuqishëm të kishës ortodokse greke). Kur jetonte, ai nuk pati as ndonjë kufizim të dukshëm dhe as ndonjë mohim, pavarësisht nëse i pëlqente fesë ose jo. Mandej ai vetëm u vlerësua si një shkrimtar i madh dhe sot varri i tij në Kretë është kthyer në qendër pelegrinazhi. Natyrisht sistemi i kaluar e kishte marrë  Fishtën si pikë referimi në luftën kundër fesë dhe besimeve fetare, por luftën kundër tij e ndihmuan edhe njerëzit e turmave, të cilët, të indoktrinuar keq në luftën kundër fesë, besimeve dhe zakoneve fetare, shkatërruan tempuj dhe monumente të papërsëritshme të historisë dhe të kulturës sonë. Këto turma të irrituara, ndonjëherë deri në barbarizëm, i bënë historisë dhe kulturës sonë dëme të pariparueshme dhe as që iu shkonte ndër mend ta mbronin as Fishtën dhe as monumentet tona të kulturës, të cilat po i rrafshonin, duke rrafshuar monumente të kulturës sonë kombëtare, të cilët u zhdukën një herë e përgjithmonë. Madje në këtë mënyrë e kishin më të lehtë edhe vetë mohimin e Fishtës. Ende fëmijë, mbaj mend një skenë të hidhur të atyre ndodhive të vitit 1967. Para sheshit të xhamisë së qytetit të Delvinës, ishin hedhur të gjitha librat dhe gazetat në pirgje të mëdhenj dhe digjeshin. Kjo skenë të kujtonte skenat e inkuizicionit të Mesjetës. Ndërmjet tyre ishin pothuajse të gjitha dokumentat historike të qytetit, regjistrimet e popullsinë, ngjarjet historike dhe gazetat që shkruanin për të. Kjo skenë makabre, ku aktivistët e paditur të sistemit hidhnin në zjarr historinë e vendit të tyre, më ka mbetur në kujtesë. Është ngjarja më e hidhur që kam nga fëmijëria ime.

Sistemi i kaluar, duke i dhënë propagandës së vet gjithçka zotëronte për të dhe duke e ngritur kultin e udhëheqësit komunist deri në absurditet, mendonte se do hynte në histori si maja e pushteteve të vendit tonë, vendin më të lartë do ta meritonte udhëheqësi i tij dhe si i tillë do ta mohonte tërësisht edhe Fishtën e madh. Natyrshëm që u mohuan ata, madje më shpejt nga sa mendohej, pasi nuk lanë asnjë grimë lavdie, por sidoqoftë, Fishtës iu bë një dëm i madh, i cili kurrsesi nuk riparohet  tërësisht.

Por çudia me Fishtën nuk qëndron këtu. Nëse ai erdhi i mohuar deri në fillimet e demokracisë sonë në vitet ’90, pas këtyre viteve, ai, ashtu si edhe Fan Noli, nuk u ngritën kurrë në piedestalin që e meritonin. Në këtë mënyrë, mohimi i Fishtës vazhdoi dhe vazhdon edhe sot. Të habit fakti, që pas viteve ’90, rivlerësimi i figurave të shquara të kombit tonë, është bërë sipas dëshirave dhe qëndrimeve  të udhëheqësve që kanë drejtuar vendin, pa një qëndrim unik kombëtar. Nëse Fan Noli është quajtur deri edhe aventurier politik dhe gjithë- gjithë ka një shtatore të vogël, për Fishtën është heshtur. Dhe heshtja është mohim. Kësisoj mohimi ndaj Fishtës vazhdon. Ai nuk ka asnjë shtatore për të qenë, në një vend të dukshëm, në kryeqytetin e vendit. Fishtës i takonte një muzeum më vete. As një të tillë nuk ka. Edhe pse i takon të jetë me të mëdhenjtë e kombit. Vepra e tij është futur pjesësisht në tekstet shkollore, madje e paplanifikur drejt, duke e lënë më tepër në dorë të botuesve dhe hartuesve të teksteve shkollore, të cilët e kanë më të lehtë të përfshijnë në këto tekste ndonjë të njohur të tyre, se sa ata që e meritojnë. Në këtë shpërpjestim nuk hyn vetëm Fishta. Ja një fakt që të habit. Kur përktheva nga origjinali poezitë e shqiptarit Abedin Pasha Dino, (ish ministrit të jashtëm të Perandorisë Otomane, madje një javë edhe Vali i Madh i saj, me shumë medalje dhe vlerësime ndërkombëtare), veç vlerësimit që iu bë, u kërkua që ato të përfshihen në programet e detyruara të universiteteve tona, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Madje ai nuk njihet pothuajse fare. Kur i dërgova një cikël të këtyre poezive botuesit të një gazete shumë të njohur në Tiranë, ai më tha:’’Ç’është ky Abedin Dino?. Nga është ky njeri’’. Ndërsa një pedagog më tha sinqerisht: ’’Nuk kam dëgjuar kurrë për të’’. Edhe ky hyn tek grupi i të mohuarve, si Fishta. Akoma më keq ka ndodhur me piktorin e famshëm Arif Dino, po nga ky fis i njohur, i cili jetonte në Paris dhe vlerësohej si piktor i famshëm në  Europë dhe në botë. Pikturat e tij ndodhen në ekspozitat dhe muzeumet më të njohur të botës, deri në Nju Jork, ndërsa nga ana e shtetit tonë, jo vetëm që nuk pati ndonjë ftesë, por nuk është blerë asnjë një pikturë e tij e vetme, qoftë edhe për Muzeun tonë Kombëtar ose për ekspozitën kombëtare të pikturës. Edhe pse vdiq në Paris pas vitit 1990 (në vitin 1996), nuk u kujtuar askush t’i merrte qoftë edhe një intervistë të vetme ?!

Mohimi i Fishtës vazhdon…

Veç veprës së tij, të cilën nuk mund ta hedhë askush poshtë (por vetëm ta vlerësojë atë), ka mbetur vetëm shtëpia e tij në fshatin e lindjes. Si për t’u talluar, në hyrje të saj është vendosur një bust i vogël. Ndërsa shtëpia e tij, e cila më së paku duhet kthyer në muzeum të Fishtës, është gati të dhembet nga dita në ditë. Nuk e di se si qëndron në këmbë ajo shtëpi. Ndoshta si një sfidë, për të treguar se aty ka lindur Fishta dhe ajo nuk duhet të shembet kurrë, pasi mban lavdinë e tij dhe është përgjegjëse për të. As Ministria jonë e Kulturës, as pushteti lokal nuk duan t’ia dinë për këtë shtëpi që mezi mbahet në këmbë. Dhe shpenzimet për riparimin e saj, janë  modeste, ndërsa mosinteresimi i plotë. Askush nuk i del për zot kësaj pune, edhe pse të gjithë me fjalë krenohen me Fishtën dhe veprën e tij, e cila është një pasuri e madhe e kulturës sonë kombëtare.

Çudi, disa gjërave tek ne, nuk iu gjen dot asnjë shpiegim për të qenë. Kur vizitova për herë të fundit, vitin e kaluar,muzeun e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në Krujë, vura re se lagështia kishte depërtuar nëpër mure, duke zbritur deri poshtë. I shqetësuar pyeta përse nuk ndërhyhet dhe më thanë se Ministria jonë e Kulturës e di këtë gjendje, por ende nuk ka bërë asgjë?! Këtë nuk e shpiegoj dot. Vërtet ministrat e kulturës (jo rrallë askushë të kulturës sonë), venë e vijnë, por Heroi ynë Kombëtar mbetet aty i përjetshëm dhe duhet përkujdesur si i tillë.

Nuk e di se çfarë pritet që shtëpia ku lindi Fishta të riparohet dhe të kthehet në një muzeum të tij. Kjo ndërhyrje është urgjente, tepër urgjente.

Dhe mohimi i At Gjergj Fishtës vazhdon…

Një shkrimtar, cilido qoftë ai, zakonisht nuk ka pushtet shtetëror, se shkrimtarët  zotërojnë lirinë, pavarësinë e tyre, të cilën e kanë gjënë e tyre më të çmuar. Por shkrimtari ka pushtetin e fjalës, me anë të së cilit lëshon britmën e tij, që ta dëgjojnë të tjerët. Natyrshëm këtë pushtet magjik e kam edhe unë. Poezia ime e mëposhtme, është britma ime ndaj pushtetarëve të vendit tim: – Mjaft më me mohimin e At Gjergj Fishtës !

MOHIMI I AT GJERGJ FISHTËS

Të marrët marrëzia i rrëmbeu,

ia prishën varrin dhe eshtrat ia hodhën në lumë.

Atëhere varri i tij u bë i gjithë Atdheu.

Mandej deshën t’i shuanin emrin,

por emri i tij u përhap si kënga

e ‘’Lahutës së Malcis’’

dhe bëri fole në zemra.

Kish mbetur vetëm shtëpia ku u lind.

Ajo po rrënohet dita – ditës.

Nuk duan t’ia dinë për të ca pushtetarë mjeranë,

të vegjël sa madhështia e Fishtës.

 

Patra, mars 2019