Gazeta Nacional Albania

MONOLOG… POEZI NGA DONATA LARTI

KJO HESHTJA JOTE…

Kjo heshtja jote në muret e mërzisë varur
Në të djeshmen rrënjët ajo i ka
Trishtimit derën ia mban hapur
shpirti yt e di në zemer se ç’mban!

Kjo heshtja jote mbulon rrëke
stërkala dashurie smerald
Thellë ne shpirt ka bërë fole
dhe mallin s’e bën dot zap!

Kjo heshtja jote zgjat e zgjat
dhe diellin e yshtur mbulon
Në lotë malli ëndrrën veson
deri sa dita zbardh!

Dashuri e ka emrin heshtja jote
Nga shushurimat e erës e ruan
që flaka e saj të mos shuhet
brazdave të shpirtit të struket!

Maj 2021

2. TI KE ARDHUR…

Ti ke ardhur…
Ti ke ardhur dielluar tek unë
e më ndriçon sytë e zhveshur
Përmbi buzën zambak
një pikë loti rubin është tretur!

Ti ke ardhur vesuar tek unë
t’më njomësh shpirtin e zhuritur
Si fllad pranvere ke ardhur
m’ledhaton ëndrrën në univers ngjitur!

Si feniks ke ardhur tek unë
Ashtu pa u stisur më zhdeh vetminë.
Si napën e mjegulles tret dielli
te djeshmen e grise
…mbajte gjalle dashurinë!

Gusht 2021

3.EMRI YT…
(babait tim)

E nise jetën në Sazanin, mister te detit
Mbi shkembinj të zbardhur nga sterkalat u gdhend dashuria.
Emri yt mbi barin e valëzuar nga duart e erës mbetur…

I pashëm, shtatlartë ishe babai im, zemërdhembshur në kulm
Fjalëfurtunë kur një fëmijë binte pa bukë në gjumë…

I hidhur pelin, ai mëngjes qershori
Edhe gurë e lule qanë për ty
Dhimbjen në shpirt s’e gelltite dot, pikëlluar për djalin që e deshe aq shumë
Qaje në mesnatë… qaje me ngashërim…

Me ndershmerinë më mësove të eci në jetë
Ti që mbi shpatulla mbajte shumë peshë
Me zemër e doje mikun, urreje të shkelurën në besë…

Vdekja godet në zemër pa meshirë, merr nën dhe njerinë,
por jo emrin e mirë…

Qershor 2021

4.MEDITIM

E solla në din mëngjesin çehrevrarë
me të dielltin shpirt i dhashë fuqinë!
Nuk më shpëtoi nga duart,
i vura për gardh dhembshurinë!

Fjalët i zhvesha nga tisi i druajtjes,
të ndeshem me to ndërrova mendje!
Për hënën e nurshme keq më vjen
që s’i ka duk drita që jep!
Hala s’po duket dielli xhymert,
ka dalë mendsh qielli do të ndajë hiçin në shumë pjesë…!

Qershor 2021

5.
KY MËNGJES…

Ky mëngjes i amësht(pa shije) vere po i nduk barimëzat e baltura
Mandej çapitet copë-copë, lëpin buzët nën një qiell të braktisur…

Do të vij për besë, të cytem me erën e hasdisur
Në atë bashtinë me hapat e mi stampuar
Aty ku copitja me muzgjet perëndime të gjakta…

Të çmallem me ata drurë që në cirë kanë mbetur
E degë të bëhem pas lëvores ngeshur…

Atje nën diell copa inati të vë
të njom heshtjen në atë fiskajë argjendi që zhegun në fyt e zë…

Të dihas atë ajer mes blublerimit shtruar
E ashtu në relaks të prek pak qiell të sotem dhe nga ai i shkuar…

Korrik 2021

6.
N’ATË MUZG…

Hënen brinjuar e pashë n’atë muzg, ku dielli në ikje dërgonte buzëqeshje
Një re e murrme ecte kuturu, nuk dinte nga shkonte dhe nga vinte.

N’atë muzg për hise na ra të shohim se si brehet një shpirt nga lakmia ku fjalët i çiftos deliri dhe pakënaqësia.

Dhe ecëm në një rrugë të kushtëzuar,heshtja ishte e rëndë.
Në barka mundësie lundruam, përballë pamë hiçin në këmbë
Heshtja tinzare dhe hiçi me gisht në gojë kanë mbetur,kanë shtypur shoiryin gjakun kanë shkelur

Ndoshta nesër do lindë një diell i ri.
Kjo vjeshtë tek-tuk sjell ndonjë shi…!

Shtator 2021

7.DHIMBJEN…

Dhimbjen e lashë të lirë…
Ajo kish bërë vend në një qiell të krisur, aty ku muret e zemrës kanë marrë nem, çatia e shpirtit është vithisur…

E pashë, dhimbja është tmerr
Të vjen nga s’e pret
Pas shpine një plumb
çmenduria të fut nën dhe…

E ndheva dhimbjen kur dora mbi dorë nuk prek
Zhgënjimi gjumin ta vjedh
Dhimbja është si shtrëngata

S’njeh kufirin ku është dita, ku është nata…!

Gusht, 2021

8.
DO TË VIJE…

Do të vije …e dija
Të vetëtinin ata sy, ku hijen më lije tek shteg burimi blu.

Në bregun e maturisë, per fat e ndala ndjenjën
Mbi zall të shpirtit si një copëz diell premtimin kishe nderë.

Do të vije e dija
Ftohtë i rrije muzgut fasadë
që netët i kthente përmbys
…adete me arna…i njëjti avaz.

Dhe unë me agun,veç me agun e zemrës të prita…
Amullinë e lamë pas…

Qershor 2021

10. NGA MALLI

Nanurisen kujtimet si era gjethet e prillit
Shpirti rreshket nga malli si rreshket toka nga thëllimi!

Në gardh të syrit buzeqeshja jore nënë më ka mbetur
Heshtjen thyejnë fjalët e tua
si rruaza në gjoksin tim qepur!

S’me trembin retë e qiellit dhe muzgu që humbet në mister
Ti rrezediellta, syqiëllta ime, je muza që nuk shter!

Dhe yjet nemiten para teje
kur dorën e butë shkumë mbi sythet e pemeve e nden
Ymër të jep e gjelberta e blirit kur sheh si dita -ditës shtatin e hedh!

S’munda të vij nënë mallin me mall ta vesh ,me puthje të thaj njomështinë e ditës ,te te shoh me gaz kur lule ti mbjell!

Prill 2021

11. QIELLIN BLUDLIRË…

Bashkë e nisëm qiellin bludlirë
me mushtin e mallit në perqafim
Më derdhe detin mbi gjoksin flakë
unë ishull i pritjes mbi kreshtat me dallgë…

Shkela në erë si bora në maj
me gjak të butë përkëmba ditët që ecnin me pahir
Me ngrij e shkrij përtypa dhimbjen që therte brinjë më brinjë…

Në oaz u njom dashuria ngadalë ngjiti në zemër
Me trill fjalë të thyera mbledhë shuk
Me dorë në sup përcollëm muzgun e vëngër…

Yjëzojnë ditët, mes ylberësh bashkë ne të dy
Mbrëmje e heshtur dënesë lë mbi shpirtin tim
Unë flokëgrurëta, frymëdritë e mëngjesit tutje flak mërzinë…!

Prill 2021

12. MONOLOG…

S’e harroj atë perde të hekurt lak të qiellit
ndarë në sinorin e vet
si në faj më shihte dielli!

Me fasha urie lidhëm plagën
Në palcen e brumtë të dhimbjes
dëshirat u rudhën, u mpakën!

Afër dhe larg në tokën e agullt gjakun kërkonim në akullimë zemrat vajtonin!

Ç’tu them për vitet e hirta qe rininë na morën ku ti alem(bote) kujtesën në amnezi e zhyte dufet qe zgjateshin e zgjateshin rrugicave te trishta gjeten lutjet!

Kur barasnate i desha ditët dhe ëndrrat i ildiste nata ato m’u thyen rrugës në cakun e pritjeve të gjata!

U brymuan syte tek buisnin lulet me vese malli u gdhend pas plepit briartë
Sa herë doja t’i merrja prushin qiellit shpirtbrengë mbeti ndjenja si barka në të thatë!

Vetulloi akulli mbi ballin e qiellit dhe hëna sylarë në krua nga pas i shkoi
Dy krahë përqafuan yllin që kurrë s’i harroi!

Netet e thara në hirin e vatres mbetën dhe të qeshurat që heshtjen e mengjesit grisnin
varur mbi të gjelbrin pjergull
si plaga në trup e majisur!

Me krahë pëllumbash u zgjuan mengjeset me të kaltrat puthje bliri i shpirtit u mbulua
E paçi jetën e gjatë Donata dhe Pëllumb me forcën dhe besimin që në sytë tanë kurrë s’u shua!

Mars 2021