NAMIK MANE
MOS MË BRAKTIS
SIKUR TË MUNDJA
Sikur të mundja,
Ta mbyllja natën në një kthinë,
Ta mbyllja në një gropë të vetme.
Ta rrethoja me mure dherash,
Ta errësoja aq shumë,
Sa vetëm unë ta njihja
Dhe askush tjetër!
Dhe të lëvizja i vetëm në të,
Le t’më gjakoseshin gjymtyrët,
Le t’më gërvishtej fytyra,
…në konturet e dherave!
Unë prap do t’i shtyj hapat
Dhe këtë tunel errësire
Deri sa diku…në një fund të largët,
T’më rrezatojë një sy drite.
Se në errësirën e plotë,
Ndriçimi
Është shumë herë më i dukshëm!
2.
PORTË E MBYLLUR
Godas për të hapur portë e mbyllur
Sado që përgjigje nuk marr
Nuk më mund pikëllimi.
Dhe kur më qëllojnë me gur pas shpine
Pak ndjej dhimbje.
Unë di dhe të qaj
Një pikë lot nga syri im
Mbush gjithë pellgjet e rrugëve.
Shpeshherë zgjatem dhe zgjatem
Sikur dua të kap një shkallë
Që zbret drejt e nga qielli,
Enkas për mua,
Por s’mundem,
Pengesa pas pengesash më dalin…
3.
KALLAMAT
Buzë kënetës
Rriten kallamat,
Kallamat me gjethe si shpata.
Një puhizë e lehtë
I tund,
I përkul,
Kallamat me gjethe si shpata.
Kini kujdes
Nga kallamat!
05.07.2019
4.
O DET!
O det!
O psikolog i shpirtit tim,
Më kthe në fëmijërinë time,
Më merr në brigjet e tua,
Të shoh të rinjtë dhe pleqtë
Tek peshkojnë.
Tek rrinë me orë të tëra
Të përhumbur me grep në dorë.
Duke kujtuar,
Atë mori emra peshqish.
Ndërsa unë
Duke folur me ujërat e tua,
Të nis si dikur,
Të peshkoj vargje.
5.
NË ËNDËRR
Pa qarje,
Pa bërtitje,
Lindja ime
Më erdhi në ëndërr.
Babai më vuri veshin në gjoks
Të dëgjonte të rrahurat e zemrës,
Pa e hequr vështrimin nga nëna.
-Të na rrojë djali tjetër,
Ky fëmi ka lindur i vdekur.
Nuk foli më shumë babai…
U ngrit, mori në dorë një lopatë
Dhe hapi në kopsht një gropë.
Por befas me vrap doli nëna
Mes gëzimit, bërtiti:
-Djali u ngjall, u ngjall!
Babait i ngriu lopata në dorë
Shtangu mbi gropën e hapur…
Ç’të bënte?
Diçka i erdhi në mendje:
Një ulli mbolli në atë gropë.
Mos harroni,
Të gjitha këto unë i shihja në ëndërr.
…shpejt u rrita…
Në Çamëri
Në vendlindjen time e gjeta.
Ulliri nuk kishte kokrra,
Por gjethet e blerta të vogla
Lëvizi.
Sikur diç donte të fliste me mua,
Por unë, s’po dija t’i jepja përgjigje.
Më pranë iu afrova,
Thashë ta shkulja,
Ta rimbillja
Atje ku kalova fëmijërinë time
Në kodrën e Moisiut në Durrës.
Tërhiq dhe tërhiq.
Ushtrova gjithë forcat,
U lodha,
Djersita…
Dhe isha në ëndërr,
Por,
As edhe në ëndërr
Nuk munda
Ta lëvizja nga rrënja!
6.
NJË THËNIE
Në shtëpinë e shurdhit
Kot mos flit.
Në ka Çezar,
Ka edhe Brut.
KUJTIME FËMIJËRIE
E shkruaj për vete këtë vjershë,
Pa pretendime.
Pa metafora dhe rima të bukura!
Do ju tregoj për kodrën e mëhallës time.
Dhe për një ulli të vetmuar të plakur në të.
Do ju flas për trungun e tij,
Të mbushur me gropëza të vogla, si guva.
Ne fëmijët, në pushimet e verës,
Orë të tëra kalonin në kodër.
Ndërsa ne luanim, një vajzë e vogël dilte nga
shtëpia e saj.
Në një dorë mbante një kanistër kashte
Dhe në tjetrën një djalë katër a pesë vjeçar.
Ajo hidhte në kanistër lloje të ndryshme
barishtesh,
Që gjyshja e saj e kërrusur
Krijonte ilaçe të shumta me to.
Ndodhte që hera-herës, unë dhe vajza,
I takonim vështrimet…
Në një rast, ajo bëri një veprim të guximshëm:
Drejtoi gishtin nga ulliri.
Më pas nxori nga xhepi një letër
Dhe e vendosi në njërën nga gropat e trungut.
Me t’u larguar shokët, unë mora letrën,
Ishte një letër me fjalë të pakuptueshme dashurie.
Ne çdo ditë nisëm të ndërronim letrat
Ulliri na shërbente në shkëmbimin e tyre.
S’do ta harroj kurrë atë verë:
Vajzës sapo kishte nisur t’i djersitej gjoksi,
Ndërsa unë, vlerën e organit tim nuk e njihja.
8.
O PËLLUMBESHË…!
Kohë Covidi
Rreth dritares sime më kot mos u sill
Dhe me cep përmbi xham mos godit…
O Pëllumbeshë, o mikja ime e dikurshme
Unë jam kthyer në njeri mosmirënjohës me ty,
Me ty që vetëm kënaqësi më ke sjellë…
Do të hap dritaren që të futesh në dhomën time
të rrahësh flatrat, të guitësh, të më gëzosh
mua!?
Por unë dritaren s’po ta hap
se trembem o ëngjëlli im..!
Mendoj se në puplat e buta në krahët e tua
Rëndon një virus vdekjeprurës
Që po më kërkon mua..!
9.
RREKEM KOT
Drurët që çelin lule,
Dhe bëjnë frut: portokalle,
mollë, qershi, bajame, pjeshkë
dhe shumë fruta të tjera.
Janë pjellë nga lëngu i palcës
së një druri.
A ka mësim më të vyer se ky
E unë rrekem kot:
Mbush copa letrash me vargje
Pa lëng..!
Ç’ndjesi, kënaqësi, u jap të tjerëve?
E përsëris:
Rrekem kot!
Se vargjet që shkruaj
Nuk vlejnë
Sa lëngu i palcës së një druri!
21.08.2021
10.
KUJTIMIT TË FREDERIK RESHPES
Kam pasur një mik
Në vitet e para të ndryshimit,
që nuk i shijoi të mirat që jep jeta
që ecte i ndrydhur dhe çalë-çalë
që mbante në sqetull një bllok me letra
që vinte dhe ulej në tavolinën tonë
ku mblidheshim ca poetë…
Ai merrte një të vetmen kafe
me të, shuante etjen dhe urinë.
Nuk rrinte shumë
ashtu siç hynte, dilte,
duke e mbajtur nën sqetur bllokun,
por ndodhte shpeshherë,
nga sqetulla t’i shkëputej ndonjë letër,
por për çudi nuk ulej që ta merrte.
Një nga lirikat më të bukura
që njeh bota.
E dini pse e kujtova Frederikun?
se unë kam javë
që kërkoj të mbledh
nëpër copa letrash
dhe nëpër ca gazeta
ca vjershat e mia
që vitet i kanë konsumuar.

