NATA S’ËSHTË GJITHNJË E ZEZË
Dhe nata s’është gjithnjë e zezë
ju pyesni në qiellin lart,
ca zjarre të shuar përsëri u ndezën
dhe zogjtë fluturojnë si më parë!
Ende jemi në shtëpinë e dimrit
çdo gjë ka vdekur nën dëborë,
duam dhe s’duam të na ikë
dhe le të vijë kush të dojë!
Unë ju them sot ejani me mua
edhe mbi shpinë do t’iu mbaj,
do nisemi natën e do arrijmë pa gdhirë
për t’u nisur në rrugë prapë!
Unë jam bërë një me natën
Në kokë një pjesë të saj e kam futur
Dhe zogjte u bënë përsëri të kaltër
Dhe nata e zezë përsëri e bukur!
HUMBËSI
Sot gjithë ditën kam qenë humbës!
Humba mëngjesin,
U mora kot me një njeri
Që s’ia dija as emrin!
Në drekë humba mesditën,
Ajo më fliste me gërma të mëdha etruske
Se çfarë bëhej në Sahara
Kur ikte dielli dhe vinin muzgjet!
Në mbrëmje
S’bëmë dot dashuri,
As unë, as ti!
Dhe vinte mëngjesi përsëri
Dhe unë isha humbës,
por edhe ti!
BRAKTISJE
Sot nuk më ka kërkuar asnjë në telefon,
As që e kam prekur,
Kapakun e tij të jeshiltë,
Sot unë kam marrë frymë kot,
Me heshtje më kanë dënuar edhe miqtë!
Sot unë nuk e di se ku po shkoj,
Vrapojnë hapat e mi
por jo andej nga shkojnë të gjithë!
Dita më ka marrë për dore
Sikur të jem fëmija i saj!
Si t’i gjej tani dashuritë!?
Nuk e di pse më vihet kaq shumë në park
ndoshta se atje gjeta të dashurën,
më vjen të shtrihem, të çlodhem pak
botë absurde je, të paktën!!!
NJEH BUZËT E MIA, POR JO PUTHJET
Ti ende nuk m’i njeh mirë,
Ato që rrinë fshehur tek unë,
Njeh mirë lëkurën time,
Por jo detin që fshihet brenda saj!
Njeh mirë mënyrën se si lëvizin qepallat,
Por jo sytë,
Njeh shtrëngimin e duarve,
Por jo duart!
Ti ende nuk njeh mirë
Atë që s’duket tek unë,
Njeh mirë ecjen time,
Por jo vrapin tim,
Njeh mirë buzët e mia,
Por jo puthjet,
Njeh frymëmarrjen time,
Por jo ajrin që lëviz prej saj,
Njeh kollën time,
Por jo dhimbjen e kollës,
Njeh ditët e mia,
Por jo netët,
Njeh mirë dridhjen e duarve,
Por jo të shpirtit!
Ti ende nuk më njeh mirë
Ashtu si duhet,
Njeh zërin tim
Por jo jehonën e tij,
Njeh mirë dashurinë,
Por jo atë që të dashuron
Njeh mirë luftën time,
Por jo plagët që kam marrë,
Njeh mirë atë që ka vdekur tek unë,
Por jo ato që janë gjallë!
Njeh mirë të qeshurën time,
Por jo shkakun e saj,
Njeh lotët e mi,
Por jo arsyet e tyre,
Njeh dashurinë time,
Por jo zhgënjimet!
Të gjitha të panjohurat
Janë timet!
GJUMI IM JE TI
Ti më dhe sytë e tu të mërzitur,
Nuk qenka e lehtë t’i bëj për të qeshur,
Unë hyra brenda tyre, por pa e ditur,
Lumenjtë kërkojnë detet e tyre për t’I gjetur.
Unë jam në varkën time që fut ujë
Dhe mund të mbytem nga çasti në çast,
Brenda kokës sime është aq rrëmujë
Sa nuk e di c’do të ndodhë më pas!
Kam nevojë sadopak të fle
Bëhu ti e dashur gjumi im,
Do shoh ëndrra të të çoj atje
Ku ne jemi puthur në fillim…
PA MUA
Nuk më duhen më puthjet e tua!
Ndaj fshiji ato, zhduki!
Unë jam kjo pemë e vetmuar
Që gjethet një e nga një i humbi.
Dhe ja tani ju më kërkoni hijen
Në këtë vapë përvëluese që më vdes
Po si nuk gjetët një rrugë atje në qiell
Të më dërgonit shiun që mezi e pres?
Nuk më duhen më përqafimet e tua!
Kjo lojë krahësh që imiton gënjeshtrën
Sa më tepër në gjoks më ke shtërnguar
Aq më shumë ma ke lodhur zemrën.
Nuk më duhen më të qeshurat e tua!
Që unë kujtoja se e sillnin mëngjesin
Ti mund te dashurohesh edhe pa mua
Po unë jam unë, në krejt universin!
PUTHJET I KE TI
Unë i kam sytë,
Po vështrimin e ke ti!
Unë i kam këmbët,
Po hapat i ke ti!
Unë i kam buzët
Po puthjet i ke ti!
Unë kam zemrën
Po dashurinë e ke ti!
Unë e kam oborrin
Po lulet i ke ti!
Unë i kam rrugët
ecjen e ke ti!
Unë kam qiellin
Po dielli im je ti!
Unë kam emrin,
Të mirë a të keq s’e di!
KTHIM MBRAPA PËR TË ECUR PËRPARA
Ja që duhet kthyer koka mbrapa,
Të shohësh moshën si të ka ikur,
Të shohësh vitet
që janë kthyer në hapa,
Të shohësh gabimet që s’duhen përsëritur!
Ja që duhen kthyer ndonjeherë sytë mbrapa,
Të shohësh kundërshtarin qëbrenda teje bën ligje,
Të shohë gafat ,(a po ti s’ke bërë gafa?)
Të shohësh dashurinë lakuriqe
Ja që ndonjëherë i gjithi kthehesh mbrapa,
Të shohësh njeriun që kujton se po e mund!
Ja që në këtë botë gjithçka kthehet mbrapa,
Per ta nisur fillimin ,ne fund!
POETI
Ai mban një krehër të vogël në xhep
Krihej me të për t’u dukur
Dhe çdo vdekje që përpara i del
Ai i thotë
– Prit edhe ca, sa të bëhem i bukur!
Ai mban një laps të vogël me vete
Shkruan me të ditën dhe natën
Nga cdo e shkruar i thotë dashuria:
“Do të të mbaj edhe njëqind vjet të paktën!”
Ai mban një kapele me strehë që s’e ka asnjë tjetër
Të mbrohet ditën nga dielli që djeg
Edhe në dimër, kur bie dëborë
Ai nuk ec, vetëm rend!
Ai është poet!
SYTË E SAJ
Ti më dhe sytë e tu të mëdhenj
me ta gjithë botën kam pushtuar,
nuk më duhen syzet, do t’i hedh
qelqe që më thyhen nëpër duar!
Nuk të dua më shumë se kaq të bukur,
sytë e tu dhe bota janë në harmoni,
brenda meje, ti atje rri e strukur
Pret të bësh me mua dashuri!
Të tillë sy s’mund të ketë të tjerë,
Shoh njerëz të verbër o njeri,
Por nuk dua bota të përmbyset
e bukura me sytë që më dhe ti!
BOTA ECËN ME KËMBËT E MIA
Në ecje e sipër të gjeta ty
as unë as ti ku do vemë s’e dimë.
kjo e gjitha s’ish rastësia blu
që e mbulon me mjegull gjithësinë!
Iku dielli, ika dhe unë pas tij,
po tani kush do ta ndricojë botën?
do të ndezim zemrat sepse unë e di
shkëlqim si I tyre ç’do të thotë!
Bota ec me vrull me këmbët e mia,
më tepër shpejt, sesa ngadalë,
kush tha se mund të vdesë dashuria?
dua ta kem ballëpërballë!
Iku dielli kësaj radhe,
ika dhe unë prej tij,
tani bota është e ndriçuar
veç me dashuri!
NE S’BËJMË ASGJË TË KEQE
Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Duhemi.
Ndaj dhe kjo ditë
nuk po perëndon ende!
Ne jemi akrepat
e orës së diellit,
Lëvizim brenda tij
si brenda një zemre!
Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Vështrohemi.
Duke u bërë secili
sadopak i verbër!
Që mos na vijë aq turp
kur të takohemi,
Në ato vende ku s’ka shkelur
asnjë tjetër!
Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Puthemi.
Duke hapur portën
e botës së përtejme!
Brenda saj gjithmonë
ka diçka prej absurdi,
Që bëhet shkak
për grindjet mes njerëzve!
Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Gënjehemi.
Duke i marrë atë që i vjeshton,
njeri-tjetrit!
Në u bëfshim Prometej,
zjarre nuk do vjedhim,
Por urrejtjet që në shpirt
mbajnë njerëzit!
S’DUA TË TË HUMB
Nuk jam aq i mirë
sa të jam dukur,
Unë,vëllai i vogël
i ajsbergëve!
Pjesën e shëmtuar
mbaj nën ujë,
Mos e shohin sytë
e të tjerëve!
Nuk jam Perëndi
siç më ke ditur!
As kam qenë ndonjëherë
Krisht!
Po përse kaq vonë
ti ke lindur,
Dhe tek unë vjen
kaq verbërisht!?
Nuk e di ,pse,vetëm mik
më quan,
Dhe s’ke frikë se unë
mund të të puth!
Kam një mbrëmje
që për ty e rruaj,
Po s’ta them,se s’dua
të të humb!
Në se do më ndodhë
që ndonjerës,
T’ia fal gjysmën më të mirë,
timen,
Kjo do të jesh ti
që ke kuptuar,
Se mëkati vdes
prej dashurive!
MOS MË DUAJ MË
Mos më duaj më!
Nis më urre
nëse do mundësh!
Dhe qiellin(qielli jam unë!)
S’përmbyset bota
po ta humbësh!
Mos më përqafo më!
Nuk mund të duash
dy njëherësh!
Dhe ajrin(ajri jam unë!)
S’përmbyset bota,
po ta shkelësh!
Mos më kujto më!
Nis fshiji puthjet,
po të duash!
Dhe zjarrin(zjarri jam unë!)
S’përmbyset bota,
po ta shuash!
PËRFUNDIMISHT
Më duket se,përfundimisht,
të kam humbur,
Siç humbja balonat
kur isha i vogël!
Kur në dorë më mbetej
veç peri i këputur,
(Atë, as për t’u varur
nuk mund ta përdorje!)
Dikur, me atë fije peri
lidhja balona të tjera,
Dhe ato ngjiteshin lart
ku të mundnin!
Unë i drejtoja me kujdes
nga frynte era,
Por asnjëherë s’e kuptoja
pse më zhdukeshin!?
Më duket se,përfundimisht,
të kam humbur,
Me ty më ndodhi
si me balonat prej letre!
Në dorë më ka mbetur
veç peri i këputur,
Dhe zhdukja e tyre
e mistershme!
PAS ZGJEDHJEVE
Mbaroi edhe numërimi i votave,
Ai që e përkraha unë doli humbës!
Posterat e tij po i therrin barbarisht,
Sikur të ishin portretet e Judës!
Unë s’kisha foto në ndonjë xham,
(S’dua të jem aq i përkohshëm,)
Më mjafton një e dashur që kam,
Që s’e këmbej as me tërë botën!
Kjo e gjitha ndodhi në shkurt,
Nëpër rrugët e mbushura me dimër,
Gjak i kaltër po rrjedh nga flamujt,
Që si duar martirësh u valvitën!
Mbaroi edhe mitingu i fitores,
Fishekzjarret në qiell vdiqën!
Nëpër zyra zunë vend ata të tribunës
Dhe asnjë nga ata që brohoritën!
FLAKA,TYMI DHE UNË
Po digjen drutë e lëshojnë flakë.
Po digjem unë e lëshoj veç tym!
I njëjti shi
ne na ka lagur bashkë,
Po tjetër erë
brenda meje fryn!
Është era jote përzier me mars,
Që sidoqoftë e zbardhi një mister!
Kush është i djegur
nuk lëshon më flakë,
Ndaj edhe unë
vetëm tym po nxjerr!
NUK QENKA LOJË
-për Ilir Belliun-
Gjithnjë kam shpresuar
se ish një lojë poeti,
Se u zhyte mes ujrash
sa për t’u fshehur pak!
Delfin i brengës,
ke ngatërruar detin,
Atje ishte vendi yt
e jo këtu në Dajt! 1)
E kush mund ta dinte
se ti kërkoje lumin,
Që rridhte atje poshtë
në fundin e liqenit!
Vetëm ti e shihje
si shkëlqente uji,
(Ai s’ishte lumë,
po rrugë drejt qiellit!)
Kush të pëshpëriti,
atë shteg të marrësh,
Ty s’mund të të nxerrë
asnjë botë tjetër!
Unë e di që do ikësh
edhe prej parajsës,
Drejt një qielli të grisur
ku pushojnë poetët!
1)Poeti u mbyt në liqenin e Linzës,
në malin e Dajtit
DORË E DASHUR
Po bëhen 100 vjet
që ke nisur e dridhesh,
Si të ishe fluger që tregon
drejtimin e erës!?
Aq sa tani,
unë kam krijuar bindjen
Që s’je pjesë e krahut,
por je pjesë e zemrës!
Se vetëm brenda saj
gjithnjë fryjnë erëra,
E vijnë ca dimra
që nuk duan të ikin!
Po ti,e vogla ime,
mos u fshih nëpër xhepa,
E mos ki turp
nga sy që të bezdisin!
Se je dorë poeti
dhe kjo nuk është pak,
Gjithnjë veç ngrohtësi
u ke falur njerëzve!
Gjithnjë e ke urryer
dashurinë fals,
Dhe shtrëngimin fals
me duart e të tjerëve!
Dorë e dashur,
e di që të kam lodhur,
Në 100 vjet kam bërë
1000 marrëzi!
Por asnjëherë
më dimër s’jam ndodhur,
Se sa kur dridhesh ti!