NJË GRIMCË NË SYRIN E DIELLIT
Nga Fiona Sampson
Përktheu nga anglishtja : Mujë Buçpapaj
Fiona Sampson është një nga poetet, shkrimtaret dhe studiueset më të shquara britanike të kohës sonë. Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në letërsi, ajo është nderuar me titullin MBE (Anëtare e Urdhrit të Perandorisë Britanike). Fituesja e çmimeve prestigjioze Cholmondeley, të akorduara nga The Society of Authors, dhe Newdigate Prize të University of Oxford, ajo është anëtare e zgjedhur e Royal Society of Literature dhe e Wordsworth Trust.
Autore e më shumë se tridhjetë e pesë librave, Fiona Sampson është nderuar me një numër të madh çmimesh ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bosnjë dhe Hercegovinë, Indi, Francë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Përmbledhja e saj më e fundit poetike, Come Down (2021), është vlerësuar me Çmimin European Lyric Atlas, është shpallur laureate e Çmimit “Naim Frashëri” dhe ka fituar titullin Libri Poetik i Vitit në Uells.
Vepra e saj është përkthyer në tridhjetë e tetë gjuhë të botës. Ajo ka qenë përfituese e bursave dhe rezidencave të shumta ndërkombëtare, si edhe e granteve të rëndësishme nga Këshilli për Kërkime në Artet dhe Shkencat Humane, Këshillat e Arteve të Anglisë dhe Uellsit dhe The Society of Authors. Fiona Sampson ka shërbyer si anëtare e Këshillit Drejtues të Royal Society of Literature dhe aktualisht është administratore e Royal Literary Fund.
Si kritike letrare, transmetuese dhe redaktore, ajo drejtoi revistën kombëtare “Poetry Review” gjatë viteve 2005–2012. Në vitin 2026 iu akordua Çmimi Philip Sandblom në Suedi, një nga vlerësimet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e kulturës dhe letërsisë. Së fundmi, ajo përfundoi një trilogji biografish letrare, të vlerësuara gjerësisht nga kritika, kushtuar shkrimtarëve të epokës romantike. Njëra prej tyre, Two-Way Mirror (2021), u rendit në listën e librave më të shitur të The New York Times.
PAS ÇEHOVIT
asgjë
nga ajo që prisnim të ndodhte nuk ndodhi dhe
më vonë, kur iu kthyem në mendime,
mund ta kishim marrë me mend se do të ishte
pikërisht kështu
sepse ne
lamë të papërmbushur, siç thotë lutja,
gjithçka që nuk e
kuptuam se duhej
ta bënim
dhe, fundja [*****]
a nuk ishim
më të rinj atëherë
midis pyjeve të errëta dhe ujit
që ndriçonte poshtë bulevardit
ku shëtisnim duke treguar
si era kalldrëmonte
valët
e tani, siç
e shohim,
veçse hymë rastësisht në kuadër
si figurantë,
sepse uji lëviz përkundër
betonit që shpërbëhet;
ngrihet e bie, shih,
gjurma e brishtë e ujit
teksa
vjen e shkon si frymëmarrja
mbi
mesazhet e ndryshkut,
ne nuk ishim përjashtim;
kur
erdhi radha jonë,
ecnim nëpër gjumë.
AT MUTIKU
Jaan Kaplinski (1941–2021)
Çfarë mbetet kur kthehem pas
si delet e Jaanit, si qengji i Safo-s
që zbret poshtë në luginë
ku drita e kthjellët e mbrëmjes
rrëshqet dhe mblidhet pranë një muri
përgjatë ujit me mushkonja të imta
dhe insekte ujore që rrëshqasin mbi sipërfaqe, të ndritshme e të errëta
duke rënë mbi shpatullat prej guri të shtegut
të çdo kafshe të kujdesshme, kaq të heshtur,
kaq të domosdoshme, vogëlushe
qengj i vdekjes, ti e thërret poetin
në shtëpi, ndonëse ai të thirri i pari
në hapësirën e çelur me pellgun
pusin me krahë të gjatë, dallëndyshet e hambarit
ku pas errësirës së natës
bilbilat këndojnë pa shterim
për pyllin që vazhdon
përtej parmakut të gardhit përgjithmonë
siç bëjnë poetët, duke kënduar në terr
lart, mes trarëve prej druri
të banesës së qenies, ndërsa qengji
vjen të pushojë në prag
vjen butësisht te këmbët e tua, Jaan
A nuk e thirra unë në shtëpi?
NGJITËSIT
Benign essencial tremor
Dridhje
në buzë të rrezikut
konturet e mjegulluara i bëjnë gjërat të duken
si vegime
ose lëvizja e tyre bëhet një lloj aureole
frika është e sinqertë dhe sinqeriteti pothuajse i shenjtë
në një kohë përbindëshash dhe labirintesh
ëndrra të errëta, në të cilat ti
i lë të gjithë ata që do të hyjnë
dora dridhet
ti e merr, duke ndier një drithërimë bashkëndjenje,
dridhjen e motorit të së vërtetës që nuk do të ndalet
sepse në fillim askush nuk e vuri në lëvizje
por ajo mbetet e paplotë
një mjegullim i lëvizjes
LUCY NËPËR FUSHAT ME CAMPIONIN
Blodeuwedd pas David Jones-it
zbret përmes fushave të larta, në muzgun e verës,
me krahë të mbushur me lule mjaltore, me mosmëharro në flokë,
e kurorëzuar si një dashuri e sapolindur
me gjithë lulet e viseve të epërme,
në muzgjet e gjata, të buta të majit,
të përshkëndritura nga flatra insektesh të padukshme
dhe nga krimbat e dritës së natës,
duke dalë prej atij frizi romak,
prej argjilës së lashtë, ajo ecën mbi të,
si të ishte vera gjithmonë stina më e njomë,
si të na sillte përpara syve tanë
gjithë amshimin e saj të gjelbër
me krahët hapur,
mbi
dhe sërish
me harkun e një dallëndysheje,
derdhje poleni drite
* Blodeuwedd pas David Jones-it – Blodeuwedd është një figurë mitologjike uellsiane nga cikli i lashtë “Mabinogion”, një grua e krijuar nga lulet, simbol i bukurisë, natyrës dhe shndërrimit. Fiona Sampson i referohet edhe poetit e artistit uellsian David Jones (1895–1974), në veprën e të cilit miti, arti dhe kujtesa historike ndërthuren në një vizion të fuqishëm poetik.
GOYA
Në vizatimet e Gojës vija është e tërbuar,
edhe kur përmbajtja nuk duket aq e kobshme;
ajo vajzë që vallëzon, për shembull,
mes turmës së vështrimeve të babëzitura,
lehtësia e hapave të saj
dhe valëzimi i fustanit të hollë
gati
pezullohen në ajër;
ndërsa në portretet e tij
fytyra ngrihet ngadalë
prej rrjetës së dendur të vijave të kryqëzuara,
sikur e gjithë pamja
të ishte një gjurmë e fërkuar
mbi vetë fytyrën,
ku errësirat çelin njëra pas tjetrës,
sa më thellë
lapsi ngjiz hijen.
Pavarësisht mjeshtërisë së piktorit,
kjo më shtyn të mendoj
mbi portretin si akt njohjeje,
mbi mënyrën
si i soditim njerëzit
dhe i lejojmë
të gdhendin qenien e tyre
mbi qenien tonë.
Kjo vajzë, për shembull,
që jam përpjekur ta ndihmoj,
nuk më përgjigjet me mirësi,
thirrje e kundërthirrje,
por me një zemërim të murrmë,
me etjen
për të garuar,
për të zënë vendin e tjetrit.
Aq e pafund është zemërata e saj,
sa nuk duron dot
që dikush të njohë
një lumturi
që ajo vetë
nuk di ta lindë,
veç ta shkretojë.
Prandaj,
mes trëndafilishtes dhe shtëpisë,
rrëshqasin
hijet e thella
të mbylljes së saj,
kurthe
e gracka të padukshme.
E megjithatë,
sa e pashpjegueshme
është mënyra
si ajo vulos veten
mbi zemrën time të pambrojtur,
mbi lëkurën time verore,
ende të zhveshur,
si një vulë —
REFUZUAR —
dhe të gjitha plagët e moçme
ngrihen drejt saj,
duke çarë
stuhinë e bardhë
të vijëzimeve të kryqëzuara.
DANTELLË NGJYRË KREMI
Do të besoje se nuk kishte asgjë të vështirë,
ëndrra për dhoma të freskëta,lëkurë të freskët,
dritë ngjyrë taupe,
se mund të ishe një figurë e kapur kalimthi në xham,
pas vezullimit të një fasete kristali.
Se e gjithë kjo do të rridhte lehtësisht si një mendim,
mendimi i verës, apo i Heidegger-it,
apo i muzikës pitagoriane të vargëzimit,
që vjen drejt teje natyrshëm.
Sepse në ëndrrat e tua e kuptoje aq mirë
bojën ngjyrë kremi,
dritaret e mbuluara me perde të tejholla;
e megjithatë, kishte diçka,
një guaskë, që të mbronte prej femërores,
sikur të mbroheshe
prej vetë nënës sate.
Tani, më në fund, ja ku je,
duke kaluar lehtësisht nëpër vargje dhomash
që hapen njëra pas tjetrës;
vendos shtamba me lule të egra
mbi parvaze dhe mbi tryeza,
nën mugëtirën e një mbrëmjeje vere.
DITË VAPE
Ekstaza e vapës : huta që ngrihet ngadalë
është një balonë-kuti : një ajronaut
dhe zhavorri nën rrotat e një makine ngurruese
që zvarritet tatëpjetë, kapitullim
i vullnetit dhe i mrekullimit, vapë e pandërprerë
dhe tani ajo na mban, të mbërthyer
dhe duket sikur flaka mund të shpërthejë
nga zemra e zbardhur
e rrahur, e pamësuar
siç është me këtë Zot depërtues
Unë nuk jam pemë, as hutë me njolla të zeza
që endet, në ajrin e pluhurit
duke qenë veç vetja, një grimcë
në syrin e diellit.
ARI
Shih dhe
shih, thotë
stërqoku i artë
mbi
mbi
edhe pse nëse
ai ka parasysh veten
apo pranverën,
mbetet
e paqartë;
ndoshta edhe
për vetveten,
sepse ajo që po ndodh
është zgjerim,
trajtësimi i mëngjesit
po merr formë
si një
fryrës i tejdukshëm,
krijesa feste,
shkronja neoni,
varen dhe
lëkunden lehtë
në horizontin e kaltër.
VIKING, HUMBER
Mëngjes i ftohtë
mbi tryezën e shtrirë
të ujit
kripa dhe balta e imët
turbullojnë kufijtë
një pipëz e fundit,
e vetmuar,
thërret sërish
drejt hordhive
që fluturojnë,
tingëllon këtu,
me baticën jashtë,
me baticën brenda,
me kohën jashtë
kujtesës,
dikur
buza e tokës ishte e puplitur,
si shpresa (thonë),
lindja
spërkatte dritë,
vitet
lundronin
lart,
të hirta e të ndritshme,
mbi anijet e gjata.
SIDNEY NOLAN PIKTURON AUSCHWITZ-IN
Elefantë gjigantë në një erë të pafund.
Lëkura e thatë mbi gjunjët dhe ijët e tyre
Pëshpërit teksa ecin.
Duken si ëndrra të masës,
Ëndrra e diçkaje që është këtu
ndërsa ne biem pa fund.
Secili i verbër drejt tokës së hijes.
Ajo është hapësira midis çdo këmbe elefanti,
Gjatësia e diçkaje si një hap.
Por ne nuk mund ta përfytyrojmë.
Nuk mund të dëgjojmë
as jehonën e hapave të atyre
këmbëve gjigante.

