Etimologji
- Etimologji
Drita – e parë e tij
u ngul brenda natës së saj
siç puqet mugëtira
brenda të nxehtit të mjegulluar
të verës
Ata janë mace përtace
ai – ajo bëjnë përpjekje të mëdha,
duke i gjetur fjalët e tyre
si fjalorët,
Kulla e Babelit,
Hamurabi,
shkrimi në formë pyke
Ai është
shtylla mbështetëse e saj, i fuqishëm
në marramendjen e qershorit
solsticin, gjysmëhijen,
hënat e shkëlqyera,
lanthanidin,
Ajo, duke u kënaqur në tokën e tij,
kreh trupin e tij
me gjuhën e uritur,
gishtat, fjalët që lëshon,
duke pritur putrën e madhe të natës
për tu përshtatur mbas gjahut
me fllad të ftohtë llullaq,
xhin, ujë të gazuar, yje, jaseminë,
flokë, dallgë të harbuara
që koklaviten në pjesën e tij kryesore
Ai, duke u shtrirë,
një luan në fronin e tij
ajo, duke ndihmuar dashurinë
më tej, duke ndimuar shërimin,
më tej. Marvin Gaye u këndoi atyre rrok
brenda ritmit:
” Dhe kur ta kem atë ndijim
shërimin epshendjellës dua,
epshendjellësin shërim
vogëlushe, kjo bën mirë për mua”
Duke gjetur, gjuhë të re:
të folurën njëkohësisht
lanthanidin: tokën- e rrallë.
- Hyrje
Në orën katër të mëngjesit
ajo mban vesh se mos dëgjon hapat e tij
trak – truk – trak
me një pritje të ëmbël
me çokollatë të ngrohtë,
e pagjumë, një tigreshë
me një robdeshambër të kuq,
buzët në ngjyrë të kuqe të thellë,
gojën e dëshiruar
trak – truk – trak
por, edhe nëse do të ishte shurdhe
ajo do ti dëgjonte
dridhjet e tij
duke përshkuar venat e saj
trak – truk – trak
do ta shikonte burrërinë e tij
pa pasur nevojë për sy,
do ta prekte atë
pa duar
do ta shijonte
pa gjuhë
dhe ai vjen,
përshkon
mëngjesin.
Çelësi i derës rrotullohet
më 4:05.
- Ai është
shpatulla, spikatës mbi gjithë Urën e Gallatës,
Bosforin që rritet mes zhurmës,
me ndikim të gjerë dhe gjithmonë – zgjerohet
pëshpërima e qetësisë, vështrimi ngultas i një praktikuesi joge
këmbë të ngjeshura thellë në tokë, pesë shtyllat e Islamit
duar, të ngrohta si buka
buzë mjaltë – gjalp dhe ftua,
shpat i Datças, otoman, fuqi e heshtur,
lumi Meandra e Madhe që rrjedh
midis Ajdinit dhe Egjeut,
juglindja ime, veriperëndimi im,
hapësi i kompasit. Lugina lyshtërore,
njqind fije shafrani,
Sure,
Shtëpia.
- Duke ngrënë mollë starkinge
Në shtator ne hëngrëm mollë starkinge
pranë detit,
tuli i brishtë i nënlëkurës kumboi
tejpërtej rërës dhe ajrit .
Oh, si dukeshe ti
kur lëngu pikoi
nga cepi i gojës tënde.
Unë doja që ta kapja me gjuhën time,
por ti je i turpshëm në publik ,
kështu që unë ia gjeta zgjidhjen. Lëpiva gishtin tim,
mbështolla lëngun rreth thoit tim, të bëra të buzëqeshje.
Ti përherë qesh me këtë gjë.
- Krijim
Në zukatjet e zanafillës ishe ti,
unë, etja e gjetheve
dhe fshikëzat e letrës.
Pastaj erdhën rreshjet e shiut, ti më ujite,
gjethet u hapën, u shfaqën fluturat,
gurët jehuan.
Ti dhe strehë nga tenda e krahëve të tua,
më fshehe nën palma dhe çadra dielli
me brishtësinë e puthjes së një filizi
dhe jeta lind jetën.
- Dhe, Ajo ishte
E kuqe. Krejtësisht e kuqe.
Qershish të pjekura
ëmbëlsi e shtrydhur
buzë të ngjyera me verë të fortë, të kuqe
maja e gjuhës e kuqe.
Flakëruese blu – e kuqe
Shiraz, Kabërnet e Malbek,
frut i dritës së hënës së kuqe,
vel mjegulle e rubintë. Ajo ishte e përskuqur- f!akë- e kuqe,
lëng i kuq shege.
E kuqe e thellë sixhadesh muri, të linjtat më të stërholluara turke,
fusha të kuqe. Lulëkuqe Sirie. Det i Kuq.
Sheqer gjethesh Panje… prej të kuqes.
E kuqe – gjaku – zhytur thellë në tokën e Kolorados,
ajo ishte e kuqe shpërthyese.
Vetëm e kuqja e tij.
- Blu e shpleksur
Ajo çlodhet e zhveshur
mbi një qilim në lapis lazuli.
Të shpleksur.
Flokët, korb të zinj, harbuar
si një pelë arabe.
Gishtat e këmbëve xixëllojnë
me unaza prej zafiri,
lyer me shkëlqim bojëqielli,
ëndrrat e saj, të shpleksura.
Ajo gërhet, gogësin, bie
në zemër të mbështjelljes së tyre,
zhvendos shpresat e saj
në brigje të largëta,
ijet brenda zhurmës
së daulles
sazeve me prekje gishtash dhe ekzekutimit muzikor,
këngëve të Anadollit.
Mbrëmja vjen e etur,
të rëndën – të gdhendurën
portë e hap dhe ai është i zbërthyer.
Aroma e saj e mbyt atë me jasemin,
vanilje – seks dhe erëza
me të pa -emërtat
rrezet mavi të hënës
nëpërmjet xhamave të hapur, pëshpërin
udhëzimet mbi ndezjen e gjakut, të fshehtat
të haremit, rrëfenjat e eunukëve
dhe misteret
e orakujve.
Ajo. Ai. Hëna. Era e merme e Tokës
dhe kënga e Makamit
secili i papërmbajtur mbi shtratin ngjyrë llullaqi
Prekja. Frymëmarrja. Butësisht. Ngadalë.
Lashtësia bashkohet me të tashmen,
krijon të kaltrën, berilin, kobaltin,
blunë e thellë, mbretërore dhe bruzin
e blusë së shpleksur.