Gazeta Nacional Albania

Poezi nga ROBERT FROST (SHBA, 1874-1963)

TË NJOHËSH NATËN

Poezi nga ROBERT FROST (SHBA, 1874-1963)

Përktheu: Anton PAPLEKA

« Kur do të shkruhet historia e poezisë amerikane të kohës sonë, me gjasë në qendër të saj do të vihen Frosti-i dhe T. S. Eliot-i. »
F. O. Matthiessen

ROBERT FROST

FRIKA NGA SHTËPIA

Do t’ju flas për diçka që atyre u është bërë zakon :
Gjithmonë, pa asnjë përjashtim, kur kthehen në mbrëmje
Nga arat e tyre të largëta në shtëpinë vetmitare
Ku zjarri është shuar e mbuluar me hi, pa asnjë dritë,
Atyre u është bërë zakon ta hapin derën me rrapëllimë
Me qëllim që ajo që ndodhet në shtëpi
Të ketë kohën e duhur për të ikur :
Meqë u pëlqen më shumë nata e jashtme
Sesa nata e brendshme, u është bërë zakon
Ta lënë hapur derën e shtëpisë
Për aq kohë sa nuk e kanë ndezur dritën.

DËRRMIM

Një ditë shiu i tha erës:
« Ti shtyj dhe unë do të fshikulloj. »
Ata bënë ashtu siç thanë,
Saqë bimët e kopshtit
Shumë kohë mbetën të dërrmuara
Të stërkequra, por aspak të vdekura.
Unë e di me saktësi se çfarë ndienin ato.

TË NJOHËSH NATËN

Kam qenë një nga ata që e kanë njohur natën.
Kam bredhur nëpër shi dhe jamkthyer nëpër shi.
Kam qenë më larg sesa drita më e largët e qytetit.

E kam parë rrugicën më të trishtë të qytetit,
Kam kaluar më tej sesa roja e natës që vinte rrotull
Dhe kam ulur sytë pa dashur të jap shpjegime.

Kam qëndruar në vend dhe e kam ndalur zhurmën e hapave të mi.
Kur që prej shumë larg erdhi një britmë e ndërprerë
Përsipër shtëpive, nga një rrugë tjetër.

Ajo nuk erdhi të më kujtonte diçka a të më thoshte mirupafshim,
Edhe nga më larg, nga një lartësi e pabesueshme
Një sahat i ndritshëm në qiell

Shpallte se koha nuk ishte zgjedhur as mirë as keq.
Kam qenë një nga atë që e kanë njohur natën.

VENDLINDJA

Te ky vend shumë i lartë në mal
Ku njeriu besonte se mund të rronte,
Im atë ndërtoi shtëpi, gjeti një burim
Dhe e rrethoi tokën me një varg muresh,
Vetëm barin e lejoi të rritej aty
Dhe krijoi një familje të madhe.
(Ne ishim dymbëdhjetë fëmijë.)
Dukej sikur malit i pëlqente kjo lëvizje
Dhe për njëfarë kohe na duroi të gjithë
Duke pasur në buzëqeshjen e tij diçka enigmatike.
Qysh atëherë ai na ka harruar edhe emrin.
Natyrisht vajzat kanë marrë një mbiemër tjetër.
Mali naka zbritur nga gjunjët e tij.
Tashti prehri i tij i gjerëështë plot drurë.

KUR U BËRA PESËDHJETË VJEÇ

Kur isha iri, mjeshtrit e mi ishin të vjetrit.
Afshin e frymëzimit, e flijova për trajtën dhe ftohtësinë.
Vuajta si metali që e derdhin në formë.
Hyra në shkollën e të vjetërve
Për të njohur më mirë të shkuarën.

Tashti jam i moshuar, mjeshtrit e mi janë të rinjtë.
Duhet ta çash e ta përdredhëshatë që derdh në formë.
Përpiqem të shqep të qepurat e ngushta.
Jam në shkollën e të rinjve
Për të njohur më mirë ardhmërinë.

FYTYRA TË NGJESHURA PAS XHAMIT

Kukuvajka e dimrit e ndërroi drejtimin në kohë
Për t’iu shmangur xhamit e për të mos e thyer
Dhe flatrat e saj të tendosura që i shtriu befas,
Ua kthejnë rrezen e purpurt të perëndimit të diellit
Me një shpalosje të gjerë puplash pushatake
Fëmijëve të befasuar, të ngujuar pas dritares.

ZJARR E AKULL

Për disa, kjo botë do të marrë fund e djegur,
Sipas të tjerëve, e ngrirë akull.
Dëshira ime e fshehtë,
Më shtyn të them: ajo do të përfundojë në zjarr.
Po të duhej të vdiste dy herë,
Unë e di se çfarëështë urrejtja,
Dhe mund të them
Se për të shkatërruar
Edhe acari është i fortë
Dhe është i mjaftueshëm.

SIDOQOFTË QE DIÇKA

Disa njerëz mëtallin: sa herë që vështroj
Në fund të një pusi, gjithnjë jam në kundërdritë
Dhe nuk shoh mëlarg sesa sipërfaqja e tij
Që më çon një imazh shkëlqimtar
Të vetes sime si një zoti i ri në një qiell vere,
Me një brerore fierajash dhe resh të bardha.
Megjithatë një ditë, me mjekër të mbështetur te qermi,
Vura re, siç m’u duk, përtej imazhit,
Përmes imazhit, diçka të bardhë
E të vagëlluar, të ardhur nga thellësitë e mëdha :
Pastaj befas kjo gjë më humbi nga sytë.
Ca ujë erdhi ta terratiste ujin e cemtë.
Qe një pikë që ra nga një fier dhe fsht
Një zhubër e zhduku. Çfarë qe ajo bardhësi?
E vërteta apo një copë kuarc ? Sidoqoftë qe diçka.

NJË HAP I VETËM PRAPA

Jo vetëm rërë dhe zaje
U gjendën edhe një herë të shkoqura
Por, duke gllabëruar togje balte,
Gurë të mëdhenj, të rrumbullakët, të shkëputur
Përplaseshin me një shungullimë të shurdhër
Dhe rrokulliseshin përgjatë përroskës.
Stomie të tëra toke vithiseshin
Dhe zhdukeshin shkëmbinj bregdetarë.
Ndjeva se vetë vendi ku qëndroja
Ishte i kërcënuar
Nga një katastrofë universale.
Por duke bërë prapa një hap të vetëm
Shmanga rrezikun që të më merrte edhe mua.
Një botë e tërë rrënjë shkulur
Kaloi si furtuna para meje.
Pastaj shiu mehu. Era ra
Dhe dielli që doli sërish, më teri.

ZHURMËRIMA E DRURËVE

Përherë e kam pyetur veten
Përse ne e durojmë më lehtë
Sesa çdo zhurmë tjetër
Zhurmërimën e pareshtur të drurëve
Që dëgjohet kaq pranë shtëpive tona.
Atë e durojmë në të gjitha orët
Dhe na pështjellohen mendimet
Nga lëvizja e gëzimeve tona
Që paprerë shkojnë e vijnë.
Ne dëgjojmë dhe na duket sikur jemi tjetërkund.
Drurët flasin për nisje
Dhe nuk nisen kurrë.
Atë flasin, ndonëse e dinë,
Tashmë që janë bërë pleq e urtakë,
Se përgjithmonë do të mbeten aty ku janë.
Këmbët më mbërthehen pas truallit
Koka më tundet mbi supe
Herë-herës, kur nga dritarja apo nga dera,
Shoh sesi lëkunden drurët.
Unë do të shkoj diku,
Me një guxim të marrë do ta bëj këtë zgjedhje,
Një ditë kur drurët do të buçasin në erë
Dhe do të tunden aq shumë
Sa t’i llahtarisin e t’i bëjnë të ikin me vrap
Retë e mëdha, të bardha.
Do të flas më pak sesa drurët,
Por unë do të nisem për udhë.

AJO QË U DUK

Ai mendonte se bota i përkiste vetëm atij,
Sepse gjithçka që i vinte si përgjigje,
Ishte veç jehona tallëse e zërit të vet
Që ia kthente mbi liqen një shkëmb i thepisur,
Të cilin ia fshihte një perde e madhe drurësh.
Një mëngjes të bukur, në bregun plot shkrepa,
Ai ishte aty duke bërtitur se ajo që i duhej,
Nuk ishte një kopje e dashurisë së tij,
Por një ndjenjë si ajo,e vërtetë, e vetvetishme:
Dhe për ankesat e tij nuk mori përgjigje tjetër,
Po nuk qe së paku diçka që befas i theu degët
Rrëzë shkëmbit që ndodhej në bregun tjetër
Pastaj u zhyt në ujë me rrapëllimë, atje tej
Dhe fill pas kësaj zuri të notonte pa zhurmë.
Si mbërriti pranë tij, ai pa se ajo që u duk
Nuk qe një qenie njerëzore, një përplotësim i vetvetes,
Por qe një dre i madh mashkull, i fuqishëm,
Që shtynte me kraharor ujët e rrudhosur të liqenit
Dhe doli prej tij duke curriluar si një ujëvarë.
Ai eci duke u lëkundur midis shkrepave
Dhe u fut në hijesira: kjo qe e gjitha.