PARANTEZA TË NATËS SË VONË
Koha ka ngecur
Në sferën e kristaltë të natës
nën qiej fëmijësh të largët,
shtrati bosh i mikes
nuk është më një strehëz e sigurt.
Bota përpin veten, përpin veten dhe më përpin edhe mua,
As deti nuk ka atdhe,
ndoshta u përket atyre që dinë ta dëgjojnë.
Toka e Palestinës është një grumbull hiri
ku fjalët, të konsumuara dhe të lodhura,
kalben si gjethe të shkelura.
Informimi, erë që e than mendimin,
zëra që e braktisin të vërtetën.
E ripërfytyroj detin e vetmisë:
deti nuk ka atdhe, as ai;
është i vetëm, si ata që e dëgjojnë.
I palëvizshëm, deti, i vetmi farefis,
vëlla, nuk tradhton dhe nuk harron,
e njeh përqafimin e kripës.
Ai qan me valët e baticave
dhe përkund këtë dëshirë për kataklizëm:
një valë e madhe, një përmbysje e qiejve.
Rrafshuar përtokë zbrazëtia e njerëzve;
rifillon heshtja e humnerës së parë;
koha ngrin në çastin e shembjes.
E megjithatë dridhet ajo pak që mbetet,
një fije e tendosur drejt pafundësisë,
lashtësi shkëmbi, jo pluhuri.
Një hemorragji dashurie në këtë hapësirë,
një shembje e brendshme e kuptimit
ku bota përpin veten përtej kufirit,
ku njerëzorja është fundosur.
Duart e kasapit këpusin lulet në sytha,
zëri, dikur një përrua, është bërë një fije tymi
që përpiqet të kapë kohën që bie.
“Jam plakë”, thonë pasqyrat,
në këtë guaskë ku jam “unë”,
një furi e shurdhër rebelohet kundër urdhrit.
EKZORCIZEM
E flaka tej pecetën e vjetër të enëve,
dhe i njëjti fat e pret edhe mbulesën e tavolinës
qëndisje e kohërave të shkuara
dhe e duarve , drejt pluhurit,
fundi
i një mbeturine,
liria e një buzëqeshjeje të shtrembër
ngecur në endjen e ngjeshur të pëlhurave
zgjedh të refuzojë, të mohojë
burgun e ADN-së
zhytur në thellësitë e qelizave
fluturon në kaltërsi
përtej përkuljes së të pavërtetës
dhe përkuljes false ndaj çdo detyre
të shtypjes së lashtë
e hijes së një gruaje
që nuk më përket më.
Autore: ROSA COLELLA, Bari, Itali
Përktheu dhe përshtati në shqip: Marjola Dashi Jaupi
Biografi e shkurtër:
Poezia dhe aktiviteti i Rosa Colella-s (e njohur si “Phlebas”) bashkohen në një shprehje të angazhimit shoqëror dhe kulturor. E lindur në Bari të Italisë, ajo përdor te shkruarin për transformim shpirtëror dhe material. Ka botuar disa vepra dhe është përfshirë në antologji të shumta. Poezia e saj karakterizohet nga një spontanitet i qëllimshëm që kërkon të ruajë autenticitetin dhe rezonancën e drejtpërdrejtë me realitetin shoqëror. Ajo është anëtare e ‘’Brigate Poeti Rivoluzionari’’, është pjesë e ‘’Club della canzone di Bari e dell’ Alma Terra’’ dhe është në korin “In…Canti di Donne”. Ajo shkruan për “il Cantiere” në Livorno dhe “Quotidiano di Bari”. Ajo është organizatore e aktiviteteve kulturore që kombinojnë poezinë dhe muzikën. Puna e saj, e nxitur nga “rrugët, sheshet dhe rrugicat”, e sheh poezinë si një akt revolucionar, një mjet për të goditur padrejtësitë dhe për të rikthyer dinjitetin në ekzistencën njerëzore, në një epokë të varfër kulturore.

