MJEGULL
Kjo lule, që as emrin nuk ia di saktë, po që ka dhe shoqe të tjera të ngjashme, nuk çel në mëngjes si të gjitha lulet, por në mbrëmje. Sapo dielli perëndon dhe dalëngadalë vjen ndajnata, lulja, që ka hedhur shtat në saksi, fillon e gjallërohet dhe para syve të mi petalet e saj të mbledhura zënë pak e nga pak të hapen. Edhe nën dritën e mugët i dalloj ngjyrën, ndërsa shquaj vijëzën e lehtë të siluetës së saj të brishtë. Tek i afrohem dhe e sodis, harrohem pas saj dhe diçka më fërgëllon krejt vetiu. Ndjej jetën që buron nga ajo copëz tokë dhe që lëviz fshehtazi nëpër trupin aq delikat të kërcellit dhe të petaleve. Më bëhet se merr frymë si të ishte qenie e gjallë, thua njeri a kafshë, shpend a insekt, që nuk di se ç’emër t’i vë. Një gjallesë e veçantë e natyrës, se ndryshe nga shoqet e veta, zgjohet e lulëzon kur drita nis e bie përdhe dhe dita është në të perënduar. Dhe unë s’ua ndaj sytë petaleve të kuqe tanimë të çelura dhe ndërsa më bëhet sikur ato flakërojnë nëpër mugëtirën e ndajnatës, më shkrep në kokë mendimi se dhe njeriu, burrë a grua qoftë, mund të çelë edhe në mbrëmje të jetës, t’i këndojë zemra e t’i gjallojë shpirti, t’i krijojë mendja e t’i punojë dora, paçka se drita bën firë dhe dita është në të perënduar.
PËRGJIGJJA
Ajo asnjëherë nuk i foli për dashurinë. Gjuha e saj ishin vështrimet. Gjuha e tij ishin ca pyetje të vagëlluara që mbeteshin pa përgjigje.
Kështu deri atë ditë, kur ata u ndanë fizikisht. Asnjë përgjigje të qartë. Vetëm orën para se të largohej, ajo doli në ballkon dhe nën vështrimin e tij të vetëtitur mbolli një farë luleje në saksi. Ai nuk po kuptonte asgjë.
Pas kësaj, hynë në mes tyre kushedi sa ditë dhe net. Ditë dhe net të ngarkuara me vetmi, trishtim, mall. Ditë dhe net të përhumbura në ëndrra dhe mendime. Dhe gjithnjë po ajo pyetje, dhe gjithnjë pa asnjë përgjigje.
Kjo pritje lektisëse vazhdoi deri atij mëngjesi kur ai doli në ballkon dhe krejt papritur shtangu. Ishte një manushaqe në ngjyrën e syve të saj, që sapo kish çelur.
Ai rrinte dhe e sodiste i ngazëllyer. Gjithë pesha e pyetjeve dhe e sa e sa hamendjeve sikur iu shkarkua nga vetja. Lulja e brishtë ishte përgjigjja e saj, që ai i drithëruar e kish pritur nga një kohë që s’e mbante mend.
DASHURIA
Ah, dashuria, që kthehet në lodër kur ne luajmë me njeri tjetrin! Ah, dashuria, që kthehet në jetime kur ne braktisim njeri tjetrin! Ah, dashuria, që kthehet në perëndi kur ne besnikë i qëndrojmë njeri tjetrit!
KUDO
Ja, tek ajo lule që po çel, te frushullima e krahëve të pëllumbit, te ato rreze të margaritarta të diellit që sapo del, te ajo hënë e vetmuar që sillet nëpër qiell, te ajo shkreptimë e gëzuar vere që ndihet larg, te ajo kaltërsi e pafund që bashkon gjithësinë, te zërat e fshehtë të natës dhe rrëmeti i ditës, te erërat që fryjnë në të katër horizontet, je kudo ti, këtu dhe atje, në mes ngjyrash e tingujsh, ëndërr dhe zhgjëndërr bashkë.
SI TOKA
Të heshtësh si toka. Dhe kur të shkelin dhe kur të plugojnë. Dhe kur të ftohin dhe kur të nxehin. Dhe kur të lagin dhe kur të thajnë. Dhe kur të veshin dhe kur të zhveshin. Si toka të heshtësh. Të lulëzosh e fryte të japësh, pa bërë zë.
PJESËZA
Çdo qenie që na rrethon, larg dhe afër ka shpirt. Kam unë, ke ti. Gjithë njerëzit kanë, ngadoqë ndodhen nën dritën e diellit e të hënës. Shpirt ka çdo qenie e gjallë që ecën apo fluturon, që zvarritet apo noton. Shpirt kanë edhe sendet. Kanë lulet dhe drurët. Lartësitë e maleve kanë shpirt, siç kanë dhe thellësitë e ujërave. Mjafton t’i sodisësh në vetminë tënde. Çelësi i të fshehtës qëndron tek ne. Tek unë, tek ty. Varet sa është në gjendje shpirti ynë t’i ndjejë e të lidhet me to. Të gjithë jemi një, pjesëza të papërfillshme të gjithësisë.
LETA
Të gjithë një ditë, atje përfundojmë, në Leta, në lumin mitologjik të harresës. Është lumi i Ferrit që na merr me vete, pa pyetur se kush je. Nuk dimë se ku na çon. Në ç’hon të universit na lëshon. Grimcohemi, bëhemi grimca të grimcave. Kthehemi në hiç, me një emër të përbashkët: harresë e përjetshme!
MJEGULL
Medet, si u rrëzuan ashtu urat midis tyre. Ato ura që i bënin të hynin e të dilnin aq lirisht te njëri-tjetri.
Tani që urat ranë, ata vetëm nëpër horoskopë mësojnë se ç’bëhet më shpirtin e sho-shoqit. Sa pyetje dhe asnjë përgjigje!
VARKA E ËNDRRËS
Si m’u fanepse ashtu dikur? Porsi një varkë e bardhë, në detin e kaltër që për një çast u duke dhe u zhduke pas horizontit.
Një varkë që e pres me vite dhe pse e di që kurrë nuk kthehet më.
Një varkë, gjithnjë e bukur dhe e largët, që sa herë e sjell ndërmend s’jam në gjendje ta shquaj: ishte ëndërr apo zhgjëndërr në mes asaj dite plot dritë.
PATERICAT
Rastësisht syri më zë një çift të ri në lulishten e spitalit. Sapo bien hijet manushaqe të një mbrëmjeje prilli. Ai mbahet paksa i kërrusur pas patericave. Ajo qëndron përballë tij e drejtë si një selvi e vetmuar. Diçka thonë, shkëmbejnë fjalë që s’kuptohen. Mjegulla e hijeve dalëngadalë dendësohet. Vjen çasti që shtatet e tyre të shndërrohen në silueta. Në silueta që afrohen, në silueta që bashkohen dhe që pastaj largohen. Papritur patericat rrëzohen. Trupi i tij anohet vrik nga ajo. Trupi tij dhe trupi saj njësohen. S’di si qëndrojnë kështu, mbështetur te njëri-tjetri pa paterica, mbajtur fort pas dashurisë.
SHQETËSIMI I PAQES
Ishte hera e parë që një pëllumb më qëndronte aq afër, në parvazin e dritares. Më rrinte ballë për ballë dhe më shikonte. Të paktën, kështu më dukej mua. Sepse sytë si dy pikëza të zeza ishin drejtuar nga unë. Pikëza në një kokë të vogël që lëvizte pa prerë, siç i lëviznin të shqetësuara gjithë pjesët e trupit. Ai hapte dhe mbyllte krahët, ngrihej e ulej mbi këmbët e verdhëme. Çukiste me sqep gushën e kaltëruar. Shkundej i tëri si të desh të shkarkohej nga diçka e tepërt, për të fituar rishtazi qetësinë, po një qetësi kalimtare.
Sodis pëllumbin e shqetësuar dhe gjithnjë e më shumë nuk kuptoj se ç’po ndodh me këtë shpend. Shpendi që përfton tek njerëzit vizionin e paqes, kur paqja tek ai duket aq e paqëndrueshme dhe e paqetë? Më shumë se sa prehje e qetësi, më ngjan se shpërndan shqetësim. Një shqetësim të ëmbël, që përhapet nga sytë e pikëzuar dhe gusha e kaltëruar, nga flatrat drithëruese të krahëve dhe lëvizjet e lehta të këmbëve të verdhëme.
Atëherë pyes vetmevete: në qoftë se paqja paska strehën te ky shpend, ç’është ky shqetësim që s’ka të sosur?
AUTOPORTRET RETROSPEKTIV
Më ka ndodhur, qoftë edhe tepër rrallë në çaste prehjeje dhe meditimi, të përqendrohem brenda vetes dhe të shquaj diku thellë, nën vetëdijen e identitetit të fisit tim. Një vijë tek e cila përpiqem të gjej fillet e mia, që vijnë nga kohë tepër të largëta, duke humbur herë pas here në mjegullime, për t’u shfaqur në kohën time tek unë. Mundohem t’i kap këto fille që lidhin brezat dhe na bëjnë të jemi të ndryshëm nga të tjerët dhe të ngjashëm me njëri-tjetrin. Të ngjashëm për nga fizionomia dhe shtati, e akoma më shumë, nga shpirti e nga karakteri. Një natyrë që na shquan për atë çka duam dhe si e duam, për atë çka synojmë dhe si i arrijmë qëllimet tona, për gjithçka të bukur e të mirë që kemi e na bën aq njerëzorë. Njerëzorë kur gëzohemi dhe kur trishtohemi, kur përmbahemi dhe kur zemërohemi, kur guxojmë dhe kur tërhiqemi. Jemi po ata që kemi një idhull, të vërtetën, që kemi një qëllim, të drejtën, që kemi një besim, besimin te vetja. Është e njëjta materie fisnike, e përcjellë s’di se si, nga një brez në tjetrin. Kështu vazhdoj, qoftë dhe tepër rrallë, të depërtoj në kohë, të kap fille të pakëputura që zgjaten nga larg dhe përpiqem t’i lidh me veten time, me qenien time fizike e qenien time shpirtërore. Po prapë, kur vij në vete dhe kthjellohem, sado që këto më duken si lojë e fantazisë, përsëri nuk heq dorë nga mendimi se vija e identitetit tim vjen nga larg. Dua të besoj se ajo ka krijuar një shtrat kohor, nëpër të cilin gjalloi dhe lëvizi jeta e të parëve të mi dhe ku tani gjendem unë.
SHTËPIA PLAKË
- de Radës
Ngjis shkallët dhe çapitem nëpër shtëpinë plakë të Radenjëve, këtu në një katund arbëresh. Është shtëpia e tyre e fundme, që ka arritur deri në ditët tona, krejt’ e zbrazët, e mugët, e shurdhët. Të zotët e parë nuk janë më në këtë botë. Pasardhësit e kanë braktisur. Dhe ajo prapë qëndron, nën barrën e rëndë të kohës, ashtu e mbledhur dhe e kërrusur, krejt e lëshuar.
Çapitem nën strehën e shtëpisë plakë dhe sytë më mjegullohen. Më mjegullohet tavani i barkuar, muret e ciflosur, dyshemeja e rënduar, gjithë ngrehina përqark. Sa dimra dhe behare kanë kaluar këndej pari, të shpërfillur nga vetmia!
Shoh orën e varur në mur dhe kuptoj se koha këtu ka ngelur përgjithnjë. Ka mbetur atje ku e kanë lënë braktisja dhe harrimi. Është dy e një çerek, as më shumë, as më pak, as përpara, as prapa, as shpejtë, as vonë. Koha e ngrirë, koha e dikurshme e Radenjëve.
Çapitem nga një dhomë në tjetrën dhe ndërsa dyert kërcasin si kocka pleqsh, sytë më çapëlohen. Gjithandej dhe çdo gjë e hapërdarë dhe e mbuluar nga tisi i pluhurit. Një tis me ngjyrë të përhimët, ngjyra e njëtrajtshme e kohës. Më i egri e më i pamëshirshmi pluhur, pluhuri i harresës njerëzore. Ky pluhur, sikur ka mbyllur njëherë e përgjithnjë dhe dritaret e dregëzuara me merimangat, që prej vitesh janë në pritje të një dore. Dora që t’i çelë për të hyrë flladi i të parëve, që vjen nga Arbëria.
Çapitem nga një dhomë në tjetrën dhe sytë e malluar dhe kureshtarë më bredhin e më qëndrojnë nëpër fotografitë e varura në mure. Janë të zotët e shtëpisë, është imazhi i tyre i mbetur, janë brezat që jetuan nën këtë strehë. Pleq dhe plaka, burra dhe gra, fëmijë, që popullojnë vetminë e shtëpisë së braktisur. Secili shikon nga unë dhe të gjithë së toku zgjojnë kohëra të kaluara. Më bëhet se dëgjoj zëra, thirrje e përshëndetje, fjalë në gjuhën e të parëve të tyre. Më lëvizin përpara vetes shtatet e tyre, më gjallërohen fytyrat, sytë e tyre më feksin e më shkreptijnë. Shoh hiret e grave, hijen e rëndë të burrave, dritën e gazit të fëmijëve. Të gjitha këto çaste, të fiksuara në kohë të ndryshme, trazohen në vështrimin tim dhe sikur ngjallin jetë. Po tërë kjo ç’ka përjetova ishte vetëm një grimë kohe. Një vetëtimë drite në kalim, që la pas mugëtirë. Nëpër këtë mugëtirë marr zbres shkallët për të dalë. Më pushtojnë ndjesi të çuditshme e mbi të gjitha ndjesia se prapa kam lënë shtratin e një lumi të shteruar. Lumin që dikur nën këtë strehë rrodhi aq vrullshëm dhe tani është tharë njëherë e përgjithmonë.
TUNDIM
E dashur, të dyve na tundon e kaluara. Dhe në qoftë se kemi vendosur të jetojmë shpirtërisht së bashku e të vdesim fizikisht së bashku, atëherë të mos e kthejmë kokën prapa. Përndryshe, do ta humbasim njëri-tjetrin. Do ta humbasim, siç humbi Orfeu në lashtësi të dashurën e tij, Euridiçen.
Sepse, siç rrëfen legjenda, ai e desh aq shumë të bukurën e të bukurave, sa kur ajo vdiq, u bë këngëtar. Dhe me këngët e tij të dhimbshme i mallëngjeu aq shumë perënditë, sa ato e lejuan të shkonte ta merrte të dashurën në botën e përtejme. Të shkonte në ferr, ku gjendej ajo, por me kusht që atje të mos e kthente kokën prapa.
Dhe këngëtari magjistar, që fluturonte nga gëzimi, pa humbur kohë, zbriti në ferr dhe pas shumë endjesh të vështira e të rrezikshme e gjeti më në fund Euridiçen. Dhe për çudinë e saj, e rrëmbeu dhe pa i thënë gjë, rendën të dy për të dalë nga ferri. Por Orfeu, nga gëzimi, në çastin e mbramë, nuk i bëri dot ballë tundimit. Tek po kapërcente pragun e ferrit, s’u përmbajt dot dhe ktheu kokën prapa. Në çast e kuptoi gabimin fatal dhe menjëherë i mbeti fryma. Ai e kish humbur përgjithnjë Euridiçen. Këtej e tutje, Orfeu do të mbetej fill vetëm.
Kështu, dhe unë e ti ta shohim njëri-tjetrin në sy. Aty është e tanishmja dhe e ardhmja. Përtej tyre është e kaluara që vetëm na ndan!

