Site icon Gazeta Nacional Albania

Rafaela Prifti: Komandanti Adem Shehi në “SHËRBIM TË BETIMIT” në luftën e Kosovës

 

 

Betimi Luftarak i UÇK-së sintetizoi misionin jetësor të Komandantit Adem Shehi, një nga vetëm 16 oficerët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në luftën e Kosovës 1998-1999. Në mesin e kontrasteve ditore të hedhjes baltë mbi emrat e luftëtarëve, zvarritjeve të Hagës, tensioneve politike nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, ceremonive, dokumentarëve dhe nderimeve për luftën, (vetëm dy ditë më parë ishte përvjetori i rënies së heroit Bekim Berisha –Abeja, në Junik, më 10 gusht 1998) hyn edhe historia e ushtarakut profesionit nga një familje patriote nga fshati Farkë e Madhe në Tiranë. Ai e pati nisur edukimin në moshën 15 vjeçare në shkollën Skënderbej me uniformën që “përfaqësonte rendin, përkushtimin atdhetar dhe idealet kombëtare,” siç shprehet ai. Në kulmin e karrierës së tij të lartë ushtarake, Komandant Shehi kishte 20 vjet shërbim në Divizionin V, Tiranë, dhe Kapiten i Parë në Repartin e Mbrojtjes anti-raketore, grada, që i la pas për detyrën e Komandantit të Brigadës 153 të Zoll-it në luftën për çlirimin e Kosovës. Uniforma dhe shërbimi ushtarak janë sinteza e jetës dhe karrierës së tij, të drejtuara nga idealet më të larta shpirtërore, atdheu dhe kombi. Dokumentari biografik-historik “Në Shërbim të Betimit” u transmetua për herë të parë, dy muaj më parë, në programin e RTK-së dhe në Kino, në Prishtinë, në përkujtim të 27 vjetorit të ditës së lirisë, 12 qershor 1999.

Kur Kosova u përfshi në flakët e luftës, përvoja e ushtarakëve të karrierës ishte shumë e nevojshme për formacionet çlirimtare të UÇK-së. Komandat Ademit i ishte kërkuar të përgatiste stërvitjen e të rinjve që po mobilizoheshin dhe stërviteshin në territorin e Shqipërisë gjatë viteve 1997-1998, atëherë kur “shumë prej djemurisë të ardhur nga mbarë Kosova dhe nga diaspora nuk kishin përvojë ushtarake dhe për herë të parë mbanin armë në duar,” kujton ai.

Disiplina e rreptë dhe stërvitja rigoroze nga Komandant Ademi u bënë mburoja e ushtarëve në realitetin e një lufte të pabarabartë në zonën operative të Llapit. Bashkëluftëtarët e intervistuar në filmin dokumentar vlerësojnë komandën e Adem Shehit në Brigadën 153 në Zoll, një formacion, i cili, në koordinim me Shtabin e Zonës, ndërroi strategjinë ushtarake në frontin e betejave nga mbrojtja në aksione sulmi, që shënoi kthesë dhe suksese në terren.

Figura si Komandat Adem Shehi janë “monumente të gjalla” thonë njëzëri bashkëluftëtarët duke theksuar se dokumentimi i luftës çlirimtare është përgjegjësi ndaj së kaluarës dhe ndaj të ardhmes. Figura dhe rrugëtimi i Komandant Ademit kanë vlera për historinë tonë dhe “uroj të jenë nxitje për dokumentimin e mëtejshëm të historisë së luftës së drejtë për liri,” vë në dukje producenti, regjisori dhe skenaristi i dokumentarit, Mumin Jashari. “Jo rrallëherë në projekte të tilla na duhet të mbajmë edhe nga 3–4 role njëkohësisht, por vullneti dhe përkushtimi na ndihmojnë për t’ia dalë deri në fund.” Në falënderimet e tij Mumini veçon menaxhmentin e RTK-së “për besimin dhe mbështetjen në këtë projekt ku jam Producent, skenarist e regjisor si edhe grupin realizator me bashkëpunëtorët dhe gazetare Sahadete Krasniqi, kameramani Besart Daka, muzika autoriale nga Ismet Bexheti, narrator Agush Alihajdaraj, Postproduksioni Burim Emini, Audio postproduksioni nga Remzi Samakova.”

Nga biseda ime telefonike me Komandat Ademin në Tiranë, pas transmetimit të dokumentarit, po veçoj përgjigjen e tij për fjalët e betimit: “Betimin e luftëtarit të lirisë e realizuan vetëm dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë. Ne të tjerët pritëm, heshtëm dhe na vunë në gjumë “Liderët e Politikës”. Dhe meqë jemi në kohën e kontrasteve të mëdha, përballë “Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Podgoricës që i betohen servilizmit të politikanëve, e që nuk u vjen keq për atdheun e kombin,” ai kujton mesazhin shpirtëror të poetëve tanë të Rilindjes:

 

“Lidhni Besën për Atdhe.

Ju me gjak të Kastriotit.

Lidhni Besën, bëni Be

Para Kombit, para Zotit.”

—————————————————————————————

Në vijim intervista e plotë me Kapitenin e Parë Adem Shehi që mund të jetë fillimi i një Historiku të Brigadës 153. Për këtë arsye po e dërgoj për botim të pashkurtuar.

 

Rafaela: Cili ka qenë momenti më kritik në fushëbetejë ku fati i operacionit varet nga një vendim i shpejtë?

 

Kapiten Ademi: Së pari ju falënderoj për komunikimin dhe pyetjet interesante me intuitën e një profesionisti te fushës përkatëse. Në çështjen e planizimit të Luftimit  dhe zbatimin e Vendimit nëpërmjet Urdhrit Luftarak të specifikuara në pozicionet e detyrave luftarake për çdo repart dhe kompani në përbërje të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit, Zoll, në atë urdhër që e jep Komandanti i Brigadës është esenca e Planizimit Luftarak në tërësi dhe Vendimi Kolegjial i Shtabit Brigadës 153. Kjo ka të bëjë me detyrën luftarake të dhënë nga Komandanti i ZOLL-it dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për rolin në plotësimin e detyrave luftarake deri në Çlirimin e Kosovës. Dinamika e zhvillimit të luftimit ka specifikat e veta duke marrë parasysh armikun në forca e mjete luftarake synimin e tij për pastrimin etnik të Kosovës si zbatim i politikës shoviniste të Serbisë. I gjithë arsenali politik e ushtarak i Serbisë ishte mbajtja me çdo kusht Kosovën. Në situatën e zhvillimit të luftimeve mes forcave dhe makinerisë serbe dhe forcave të UÇK-së prej më shumë se 16 muaj në fushën e veprimeve luftarake kishte një thellim dhe ndryshim rrënjësor në zhvillimin e Operacioneve Ushtarake në të gjithë territorin.

 

Moment kritik në dinamikën e luftimit në fushëbetejë është plotësimi i detyrës luftarake me sa me pak jetë njerëzish të forcave që ke në Komandën tënde por edhe të popullatës civile që është dhe jeton aty.

 

Fillimi i Muajit Prill 99 – Forcat Serbe mbas rigrupimit të Korpusit 52 të Armatës në Leskoc filloi mësymjen ndaj Forcave e mjeteve të UÇK-së në ZOLL e shtrirë në rajonin e Llapit e Gollakut. Synimi ishte eliminimi i forcave tona, spastrimi etnik i popullatës shqiptare dhe mbajtja nën kontroll e rrugëkalimeve që lidhin Serbinë me Kosovën, duke i mbajtur të sigurta për afrimin e forcave nga Serbia në gjithë territorin e Kosovës.

 

Në këtë situatë të zhvillimit të operacioneve në shkallë të gjerë veproi edhe Brigada 153 e UÇK-së në rajonin e Gollakut. Në luftime ndaj forcave të Brigadave të Korpusit 52 Serb luftimet u zhvilluan të ashpra dhe në distance të afërt me Këmbësorinë serbe që kishte në mbështetje gjithë armatimin e rëndë dhe artilerinë lëvizëse me tanke. Në këtë situatë dinamike të zhvillimit të luftimit në Gollak intensiteti dhe goditja e përdorimi i artilerisë dhe tankeve e mjeteve e blinduara na krijuan humbje në njerëz në radhët e UÇK-së dhe në popullatë civile në masakrën e Makovcit.

 

Në këtë situatë duhej të siguroje mbartjen e të 15 të plagosurve dhe mbi 30 dëshmorë në radhët tona. Vështirësia në momentet e luftimit në rrethim kërkon iniciativë e vetëkontroll të trupave për të siguruar vazhdimësinë e luftimit me Serbët.

 

Me një betejë të humbur apo të fituar nuk mbaron lufta.

 

Momenti më kritik i vendimmarrjes ka qenë zhvendosja e të plagosurve për ndihmë të kualifikuar mjekësore tek spitali ZOLL dhe mbajtja kompakt e trupave në luftim me forcat serbe. Në atë pikë, djemtë e plagosur bënë gati granatat e dorës për të bërë vetëvrasje, duke thënë se “në dorë të Serbit nuk biem.”

 

Mbasi përballuam ofensivën e Prillit ’99, mblodhëm Shtabin e Brigadës dhe kaluam në veprime të karakterit mësymës duke zhvilluar luftime ndaj formacioneve serbe qe ishin në rajonin ku operonim dhe për të mbajtur nën kontroll rrugëkalimin Medvegjë-Stallovë-Prishtinë për likuidimin e forcave serbe që vinin nga Serbia.

 

Kalimi në mësymje dhe dinamika e zhvillimit të luftimeve në të gjithë Kosovën dhe fuqia goditëse e NATO-s me përdorimin e aviacionit shpejtuan rrëzimin e çdo strukture të ushtrisë serbe. Duke përcjellë situatën politike ushtarake dhe vetëbesimin në fitore, formacionet e luftimit u bëmë më kompakte e krijuan maturi në luftime. Kjo bëri të mundur që në urdhrin luftarak me datë 4 Qershor ‘99 forcat kryesore të Brigadës 153 hynë me luftime në kryeqytet kundër forcave Serbe që operonin në Prishtinë.

 

Me datën 12 Qershor trupat e NATO-s në zbatim të urdhrave që dolën mbas Marrëveshjes së Kumanovës ku ushtria serbe pranoj kapitullimin hynë në Kosovë. Në Prishtinë ishin trupat e NATO-s të Mbretërisë se Bashkuar.

 

Unë dhe populli shqiptar do t’i jem mirënjohës USA dhe NATO-s që në Komandë ishte Gjenerali me katër yje Wesli Klark. Në fillim e  mbarim shekulli USA e mbrojti kombin shqiptar. U korrigjua një padrejtësi historike. Mjafton t’i referohesh Deklaratës së Gjeneralit Klark per UÇK-në, marrëveshjes NATO dhe UCK dhe bashkëpunimit të shkëlqyer në historinë 50 vjeçare të saj.

 

Rafaela: Si e vlerësoni dokumentimin e historisë së luftës së Kosovës sot?

 

Kapiten Ademi: Është një pyetje që kërkon mendim të kualifikuar të grupeve që punojnë në Katedra e Akademive Ushtarake Studiues te fushës së Sigurisë dhe Gjeopolitikës, dokumentacionin e kompletuar të Zonave Operative dhe të gjithë Brigadave që operonin në Kosovë. Së pari ne dokumentimin e Historisë së luftës, përshkrimi i ngjarjeve te jete objektiv dhe te shmangen përplasjet midis aktoreve qe kërkojnë ta bëjnë pronë të vetes UÇK-në.

 

Deri me sot janë dokumentuar nga individë historiku i Zonave në formën e një informacioni të rëndomtë pa inkuadruar mendimin e kualifikuar të institucione të mirëfillta të kësaj larmie. Janë sponsorizuar vëllime për jetën dhe veprimtarinë luftarake të tyre. Për mua, kjo mënyrë e pasqyrimit të individit e zbeh dokumentimin e kauzës dhe nivelin e përgjegjësisë së Institucioneve. Nuk trashëguam shtet të mirëfilltë bazuar në norma të mirëfillta juridike për të menaxhuar luftën por si gjithmonë të nxituar dhe të ndarë mes veti.

Të njëjtat të meta të trashëguara me shekuj. E vështirë por faktet tregojnë se jemi të aftë t’i shërbejmë të tjerëve sesa Atdheut e Kombit.

 

Në sesione shkencore potencohet akti i 2 Korrikut 1990 me Deklaratën e Pavarësisë dhe krijimin e një shteti me funksione të mirëfillta ku në fakt ishte krejt e kundërta. Shqiptarët nuk u bënë bashkë në Vendimmarrjet që lidhen me Atdheun. Analizo Konferencën e Rambujes sa energji dhe përkushtim ndaj kombit shqiptar kish ish-Sekretarja amerikane Ollbrajt në çdo ballafaqim me qarqet e tjera anti-shqiptare. Këto janë vendime politike ushtarake që trasuan të ardhmen e Kosovës dhe Kombit.

 

Nga ana e drejtimit politik dhe ushtarak të strukturave luftarake dhe menaxhimi i luftës në tërësi duke filluar së pari tek njerëzit e gatshëm për luftë. Plotësimi i nevojave me armatim duke marrë parasysh armikun në armatim dhe në përvojë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, terreni ku do të zhvillohen betejat dhe afrimin e kuadrit komandues të aftë dhe profesional dhe duke i parë të gjitha problemet në unitet dhe të ndërlidhura me njëra tjetrën, lufta fillon tek Njeriu. Armatimi, suporti në popull dhe koha kur duhet të filloj dinamika e luftimit në hapësirën ku shtrihet Kosova dhe suporti ndërkombëtar për realizimin e objektivit madhor Çlirimin e Kosovës. Të gjitha këto kërkojnë intelektualë të çdo fushe ku ndërlidhet historia e vërtetë. Duke njohur edhe mangësitë qysh në start dhe eliminim e tyre në kohë lufte e vështirëson problemin dhe ka efekte për vendimmarrje në kohën e duhur.

 

Deri më sot nuk ka një dorë të mirëfillte intelektuale që ta pasqyroj këtë histori që është kurorëzimi i ëndrrës shekullore për çlirimin nga pushtuesi serb.

 

Historinë e bëjnë institucionet duke mbledhur e analizuar të gjitha faktet e referencat si të faktorit shqiptar ashtu edhe atyre ndërkombëtar. Nuk duhet nënvleftësuar edhe qëndrimi politik i Serbisë me të gjithë resurset e saj politike-ushtarakë, diplomatike dhe atë të funksionimit të Kishës Serbe dhe Akademisë që bën implementimin e narratives serbe për Kosovën. Të gjitha këto nga ana jonë nuk pasqyrohen e dokumentohen në Historinë e Luftës ose nënvleftësohen. Unë personalisht i kam afruar institucionit Ministrisë së Mbrojtjes dokumentacionin e nevojshëm që kishim ne përdorim. Shikoj që palët tregohen indiferent në këtë çështje.

 

Më vjen keq që një pjesë e kolegeve tanë kanë ndërruar jetë dhe nuk e lexuan Historikun e Brigadës 153.

 

Mesa shoh edhe unë, po flas lirshëm, do mbetem si kolegët e mi. Nuk e di që këtë detyrë a do ta realizojmë për tua lënë brezave një Histori.

 

Rafaela: Çfarë porosie keni për brezat e rinj ushtarak e civil nga përvoja e luftës së Kosovës?

 

Kapiten Ademi: Mesazhi nga ana ime si pjesëtar në atë luftë dhe drejtues në detyrën e Komandantit të Brigadës 153 të Zoll-it do jetë një mesazh shpirtëror nga poetët e Rilindjes.

 

Lidhni Besën për Atdhe.

Ju me gjak të Kastriotit.

Lidhni Besën, bëni Be

Para Kombit para Zotit.

 

Së pari, brezat duhet ta dinë dhe mësojnë sakrificat e një populli për liri për të kuptuar nga jemi nisur dhe ku arritëm. Së dyti, të studiojnë për të qenë të barasvlershëm me moshatarët në botë në dije dhe arritje në çdo fushë. Kombi ka nevoje për dije e kulturë. Kandidatëve për Ushtarakë dhe për Dikasteret që kanë prioritet sigurinë kombëtare, u them: “Studioni dhe bëhuni shërbëtorë të denjë të Kombit. Uniforma që keni veshur është e qëndisur me fije te kuqe gjaku, mbajeni atë me dinjitet e krenari atë.”

 

Unë e fillova edukimin ushtarak në moshë 15 vjeçare në Shkollën Ushtarake Skënderbej Tiranë. Në vitin 1992 ajo shkollë u mbyll nga politikanë të papërgjegjshëm.

 

Sot nuk ka fidanishte për ushtarakët e karrierës.

 

Po kujtoj vargje të poezisë së poetit të kombit Dritëro Agolli Malli për Heronjtë:

 

Ç’digjeni nga malli për heronjtë?
Kushedi kur kthehen nga kjo anë.
Ç’i kërkoni? Pritja është e kotë,
S’ka heronj, tani ka pelihvanë

 

Rafaela: Çfarë është për ju Betimi i UÇK-së. A e mbani mend edhe sot pas 27 Vjetësh?

 

Kapiten Ademi: Betimi i Luftëtarëve në radhët e UÇK-së është moment i rëndësishëm si nga ana juridike dhe shpirtërore që shpreh dinjitetin dhe krenarinë kombëtare. Në ceremoninë e betimit djemtë dhe vajzat idealiste u betuan në zjarrin e luftës ku vepronin ose në përgatitjen paraprake luftarake. Këtu kam parasysh kontingjentet që erdhën nga Diaspora dhe u stërviten ne Republikën e Shqipërisë dhe ato në Kosovë gjate inaugurimit të formacioneve të Brigadave dhe Zonave Operative.

 

Teksti i Betimit të luftëtarit të inkuadruar në UÇK është kopje e formulës së Betimit ne Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë me shtesë fjalinë e fundit……”Nëse shkel ketë Betim…qoftë i humbur gjaku im.”

 

Momenti i Betimit është emocional e serioz kur e përsërit atë formulë magjike para interesave kombëtare dukesh më i burrëruar e me besim tek vetja për të bërë realitet detyrën para Kombit duke mos kursyer as jetën.

 

Në funksionimin normal të shtetit, betimi bëhet me Urdhër të veçantë të Ministrit të Mbrojtjes në të gjithë Repartet e Forcave të Armatosura mbas aftësimit në detyrat e mirëfillta ushtarake.

Në UÇK, ky proces u bë në formacionet e mirëfillta të luftës ndaj pushtuesit Serb. Mbasi Ushtria Serbe pranoj kapitullimin në marrëveshjen e Kumanovës më 11 Qershor ‘99 mes përfaqësuesve të NATO-s dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, strukturat drejtuese politike dhe ushtarake të UÇK-së u gjeten të papërgatitur. Në të vërtetë në marrëveshjen e Kumanovës nuk kishte përfaqësues nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ky është momenti më kritik për vazhdimësinë dhe ballafaqimin me kërkesat e betimit. Politika e papërgjegjshme dhe vetëkënaqësia e drejtuesve kryesorë dhe komandave e të gjithë hallkave e vunë në gjumë luftëtarët e UÇK-së.

 

Betimin e Luftëtarit të Lirisë e realizuan vetëm dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë.

Ne të tjerët pritëm, heshtëm dhe na vunë në gjumë “Liderët e Politikës”. Deformimi i formulës së Betimit të Luftëtarit të UÇK-së nga FSK është një njollë turpi për ne. Jo vetëm Tirana po dhe Prishtina, Shkupi, Podgorica i betohen servilizmit të politikanëve që nuk u vjen keq për Atdheun e Kombin.

 

 

Kapiteni i parë Adem Shehu shkruan se ka shërbyer rreth 20 vjet në Divizionin V Tiranë dhe se kur shkoi në UÇK kishte këtë gradë. Ai kishte bërë dy kërkesa për të vajtur në UÇK sepse “nga marsi ‘97 në shtator ‘98 stërviti djemtë që vinin nga Perëndimi dhe bëheshin pjesë e saj. Nga 16,500 oficerë që kishte Shqipëria vetëm 16 kanë qenë në Kosovë. Dhe tre nga këta janë Dëshmorë të Kombit.”

 

Ai kujton se “Kur kemi takuar ish-Presidentin Mejdani dhe deputetë, na pyesnin sa fituat në Kosovë dhe kush ju dërgoj atje.” Për situatën e sotme, ai thotë: “Më zhgënjejnë kolegët që janë në Hagë por dhe ata që mburren si individë për kontributin në luftë.”

 

—————————————————————————————

 

Betimi i UÇK-së: “Unë, ushtari i UÇK betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel betimin, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM!”

 

 

 

 

Exit mobile version