RRËFIM PËR VETËN
Nga Uarda Albunesa
DU ME U RRËFY…
Imzot,
m’lejo me t’u rrëfy…
A t’kam tregu për dhimbjen n’kraharor të majtë?
Nji muskul pulson e më kujton
se marr frymë nën vullnetin e mëshirës tande!
Ndjej gjakun
që pluskon venave t’zbehta përgjatë gjymtyrëve t’mpita.
Imzot,
po për kamxhikët e përplasun n’lëkurë,
a t’kam tregu?
Po për shuplakën e urisë?
M’ndigjo pash Zoten, edhe pak…
Po për ambicien e përjetësisë, a t’kam tregu?
M’ndigjo;
sonte du me t’u rrëfy!
Imzot,
sonte du me shpërthy n’lot, du me u rrëfy…
Pash Zoten, m’len me t’u rrëfy…,
m’ndigjo e m’ndjek përmes gishtit tem tregues….
Imzot,
a t’kam tregu për tablonë e njerëzimit?
A e shquan ngjyrën e frikës,
mallkimit, smirës, urrejtjes,
pabesisë, faljes, dashurisë
dhe dritës, shpresës e vullnetit?
Imzot,
pash Zoten, të përgjërohem
m’ndigjo, m’len me t’u rrëfy…
E di, ndër shekuj dëshmitar, t’kam mohu;
madje me mendjemadhësi t’kam zëvendësu,
duke fitu damkën e turpit.
Ndër shekuj dëshmitar,
t’kam harru e jam zotu si Zot i kontinenteve.
Ndër shekuj dëshmitar,
t’kam n’drru “Emën” e “Fe”;
Imzot,
pash Zoten, m’len me t’u rrëfy, të përgjërohem!
A t’kam tregu se sot jam frigu?
M’len t’rrëfehem, pash Zoten!
A t’kam tregu se sot mbas shekujsh dëshmitarë
pranoj se jam krijesë kalimtare, frikacake deri n’palcë!
Du me t’u rrëfy:
TY, ty të druhem; mungesës së mëshirës tande…
Kam frikë se më ke harru…
Tmerrohem mos m’ke harru….
Imzot,
m’len t’rrëfehem….
M’ka këput malli me e ndi Ezanin
e tingëllimën e Kambanave karshi!
Imzot,
e di, jam mëkatar, por jam yt bir!
M’len t’rrëfehem, t’lutem!
Falma mëshirën tande
dhe kujto betimin e rrëfimit”…!
PARFUMI…
Sa herë verí pluhun çon,
e krejt qytezën e vesh gri,
të tana muret i rrëzon,
e me parfum shpërndan stuhi;
U ndez flaka prapë n’zemër,
fluturat n’bark rimarrin ngjyr’,
i gjithe trupi era femër,
i gjithë trazimi në një frymë!
7 MINUTA
Kur krejt bota formë t’ndrroj’,
shtatë minuta dú t’jetoj,
mu aty n’shpirtin prush,
ku s’më zëvëndëson askush!
E PYETA VETEN
E pyeta veten: -“Çfarë i pëlqen Uardës?”
U përgjigja: – Guximin!
E pyeta prapë veten: – “Çfarë s’të pëlqen te Uarda?”
-U përgjigja:- E kam shumë të vështirë të harroj…!
E pyeta Uardën: – A ke mision në këtë jetë?
U pergjigja:- Po, gjurmën!
E pyeta veten: -Mjeti që ke zgjedhur?
U përgjigja: Arti dhe Drejtësia.
E pyeta veten: – A heq dorë ti?
U përgjigja: -Kurrë! Nuk di me heq dorë!
ATA
E hodha krahve thjeshtësinë,
njëlloj e bukur mu duk vedi,
te ata lexova lakminë,
nën za, më quanin “tjetri”.
Po unë përngjaja me ata,
një strukturë edhe gjymtyrë;
Ama në shpirt dallojmë goxha,
unë gjuj n’bukë, ata me gur!
NÀ (NE)
Tridhetë e dy herë ha vedin me dhambë,
e çdo shej n’mish asht vulë e heshtjes.
Prej t’shkumes vjen lajm,
por kapërdihet jehona,
dhimbja gjuen stomakun grusht,
njilloj si hakmarrja shkelmon kujtesen.
Heshtje!
Tridhetë e dy herë ha vedin dhambë,
askush se flet gjuhen teme,
veç dramcës kamba-dorë,
që kërkon me më rrok rreth qafës,
tuj mbështet kryet e njomë në krahrorin tem,
si shejë besimi, në heshtje!
Ishtu u bamë dy memecë,
unë e fmija,
e ia nisme me bërtit n’mijera gjuhë,
se vjen dita kur bota ka me fol njejtë si nà!
NJË DHE NJË NUK BAJNË DY!
Një plus një nuk bëkan dy,
po pse dreqin t’besova ty?!
Memece qënka nata sot,
janë fsheh yjet, s’shfaqen dot;
kur shoh veten s’të shoh ty,
qënkam “një”, nuk jemi “dy”!

