Unë nuk mund t’i kapërdij të djeshmet,
pa zbritur më parë nëpër ato shkallë,
thërrimet pa ua mbledhur melankolive,
notat melodive,
pa i bërë edhe një herë dhimbjet gërshet,
pa u arratisur edhe një herë heshtjeve të bekuara,
rebusit të labirinteve,
e thepnajave të lodhura darovitjes së reve
që me vete sjellin përherë rrufe…
Më pas mund të ngjitem shkallëve të shpirtit,
të fluturoj lartësive,
ku korbat nuk venë
dhe me fije shprese në sqep
të ndërtoj folenë…
TI FLET E PËRMALLUAR
Ti flet gjithnjë e përmalluar
tek më tregon ç’ shkoi, çfarë do të vijë
unë, gojëkyçur e i mrekulluar
heshtjes së gjatë të dëgjoj ty
Prerë më thërret, ngre zërin, pyet;
“- A më dëgjon? thuamë një fjalë
Ndoshta po flas vetëm me veten
më bën të ndihem gjithnjë e marrë”
“-Vërtetë s’më ndien? mërmërij unë
S’i ndien gishtërinjtë e mi mbi flokë?
Shpirtin, s’ ma ndien në furtunë
e thembrrat që s’shkelin në tokë?
A thua s’e ndien ti frymën time
që djeg e krejt ty të mbështjellë
s’i ndien të ngrohtat përqafime
kurmit tënd mbjellë?
Yjet s’ i sheh në vezullim
tek dritën kullojnë syve të mi,
detin, si s’ ndien si trazon dallgët
tek flas me ty?
Po mendimet që më bëhen lëmsh
dielli kur zjarrmon krejt i përflakur
S’ kupton vallë se kjo bote e murrme
pa zërin tënd është e plakur?
Bisqe të pafajshëm vështro si çelin
vetullave, buzëve, syve të tu
pranverën tek shkruan akuarelin
zëri yt, kur mbërrin këtu…
Që të më gjeje, një mijë vjet të prita
që të më flisnje kam pritur mijëra të tjerë
e në drita ime nuk të ka mjaftuar
do të ndriçoj edhe më shumë këtë herë
HIJET TONA
Tashmë gjithçka ka mbaruar
Karonti i ka ngritur velat,
e ka ulur spirancën,
e pret të tragetojë hijet tona…!
NUK MUNDA TA NDAL LUMIN
Nuk munda ta ndal lumin,
as erën,
e valës vrapin t’ia ndal s’munda,
Ndaj, ndalova vetë,
e lashë që gjithçka të ndodhë,
pa u shqetësuar
Zoti, gjithmonë më ka befasuar me ç’më fsheh…!
TOKA IME
Ti më thua, se unë të kam braktisur,
në një farë mënyre, dhe ke të drejtë,
Ti Dheu im mërzitur stinësh…
Por Ti flet, flet krejt pa ditur,
Pa ditur se unë do të të dua përjetë
Do të të dua, ashtu siç duhet ajri,
siç dielli i së nesërmes, siç fryma e nënës,
fjala e saj kur e imja s’ ka më forcë
ashtu siç duhet fëmija, pa hile,
siç duhen krejt lulet që i qepen shëkëmbinjve, O Toka ime!
Ti ke mbetur gjithnjë e bukur në mua,
kohërat që vrapuan s’të verbuan dot
as herojtë e rremë…
s’ e zbehën dashurinë time të pacak
as harabelët që shpesh ndërruan qiejtë,
Sepse unë të dua,
Të dua, ashtu siç dashurohet pranvera,
pa kushte,
Ashtu siç duhet parfumi i trëndafilave
QË E NESËRMJA TË VIJË MË E BUKUR
Trëndafilat s’ kundërmojnë më si më parë,
dhe zogjtë fjalët i kanë ngatërruar
ndërsa honet, thellohen…
Thellohen e ngrenë re mjegullash
kujtesat drithshëm për t’ i përmbysur
ndoshta, për të na bërë më të padukshëm…
Mërzia pushton tërë skutat e mendimeve,
krejt skutat e shpirtit e pamjet m’i zbeh
kujtimin e largët të shkëlqimit të syve
teksa bota, me taka të larta,
ngut hapin mbi dhimbjet e të tjerëve
shpërfillëse ndaj kohërave të rrëzuara.
Numëroj ditët që hapin s’ e ndalin
gris nga kalendari dhe një tjetër fletë,
që e nesërmja të vijë më e bukur,
që trëndafilët të shfaqen sërish plot diell
dhe flakërima e buzëqeshjes plot jetë.
SHTIN NË DHÈ NJË NARÇIZ
Zogj beftas braktisin stinën,
rrahje flatrash drithërojnë qiejt,
dhembje mbivendosen e therin n’ asht.
Ndërsa ti,
ti përditë zbeh ngjyrat,
e shtin në dhè të gjallë një narçiz…
PO SHKOJ
Po shkoj me hënën
muzgut të vonë që merr frymë thellë
andej nga zbehen ëndrrat,
andej nga plaken fjalët
ku kujtimet thinjen në heshtje…
Po shkoj si dallëndyshe me trishtimin mbi pendë
në sy shkëlqimin e humbur të vjeshtave
gërmadhave që memoriet mbartin të gjalla
që dimri mbulon me borë kaherë.
Po shkoj nënkateve të shpirtit
larg reflektimeve me rreze të rrema
larg nga fantazmat që ngrejnë kështjella
të rrëmoj mes rrëmujës time
e të vesh sërish një buzëqeshje…
DHIMBJE E PËRSHPIRTSHME
Babë
Bie shi mbi varrin tënd
mbi germat që vetë t’i shkrova
mbi lulet që nëna paska mbjellë
e mbi ato që vetë t’i solla…
Rrëshkasin bulëzat mbi portretin tënd
dy lot më zbresin trishtimit
vizatojnë shënjtërinë e shpirtit që dhemb
mëngjesi zbeh udhët e rënkimit.
Ndonjëherë më mungon shumë
balli, fytyra që flet me hieroglife…
sytë flasin përmes një vështrim malli,
një dhimbje e përshpirtshme.
PËRQAFIMET
Përqafimeve,
asnjëherë s’u janë dashur stolira plotësuese,
përveç heshtjeve të gjata që më pas i kanë shoqëruar
e që pakkush ka mundur t’i kuptojë
si poezitë më të bukura të shpirtit…
Poezi,
që kanë shndërruar në të pavdekshme çastet,
ku janë shkruar
fjalët e pathëna… .
BUZËQESHJEN TËNDE
E mora me vete buzëqeshjen tënde
përzier me qiellin e përndritjes së syve,
dhe krejt ngrohtësinë
që në ajër fërgëllonte si ajo e një perëndie,
…flatrat për t’ i shpalosur sërish.
TË MOS VDESIN ËNDRRAT
U thanë, të gjitha fjalët,
mendimet pa thërrmuar mirë mokrra,
shpirtrat zbrazëm me duhma mjegulle,
midis zallahisë me dokrra…,
barisën emocionet ngashërimave,
lavdeve të vërteta e të rreme…
zbrazdësive e psherëtimave
që shkëlqimin ua vodhën syve,
e frymëmarrjet, shndërruan në gulçimë
teksa “fama”, kërkonte strehë…
Dashtë Zoti, të mos vdesin ëndrrat,
e të nesërmet të vijnë më të mira…!