Gazeta Nacional Albania

SABAHATTİN ALİ : MBRETËRESHA E BUKURISË NGA KOSTANCA . Tregim, nga turqishtja: Besiana Zyfi.

Sapo kisha mbërritur në Berlin, aty ku nuk vija që prej katër vitesh. Pas këtyre katër viteve që kisha kaluar duke jetuar sa në qyteza me shtëpi qerpiçi, e sa në qytete bregdetare ku dielli prush i nxehtë puqej me detin e kaltër, duke u endur herë pas here nga fshati në fshat nëpër rrugët e nxehta mbi një kalë të plakur, Berlini m’u duk si ndonjë vend që nuk e kisha parë asnjëherë. Shkallët e stacionit ku zbrita në këtë muzg dhe dritaret tepër të ndriçuara të një kazinoje të madhe që më doli përpara, më bënë të ndjehesha sikur po i përdorja këmbët dhe sytë për herë të parë. Sapo lashë bagazhet në hotel, pa ndërruar as rrobat, dola jashtë me vrap, dhe fillova të ecja ngadalë.
Vetëm se shtëpitë përreth u ngjallën sikur do më shembeshin përsipër; tramvajet që rrotulloheshin rrugëve, autobusët, njerëzit e zhurmshëm papritur filluan të gjithë të vraponin drejt meje. Kërkova një vend për t’u fshehur. Zhurma e njerëzve dhe aroma e turmës që erdhi nga brenda kazinove drejt të cilave vrapova për t’u futur, më zmbrapsën. Edhe në vendet ku hyra deri brenda, sikur më ngjallej ajo në çdo gjë, sikur shikoja se si vraponte tek unë. Imagjinoja sikur ata që kërcenin rrotulloheshin rreth meje. Abazhuret e fiksuar në tavan herë afroheshin e herë largoheshin. Kamarierët që mbaronin punë brenda dhe fluturonin nxitimthi përjashta, ndalonin e më shikonin.
Më kishte tronditur ky qytet i madh. Sikur të qëndroja edhe pak brenda tij, në stomakun e tij me të cilin kisha kohë i pamësuar, do të mbytesha.
Hipa në autobusin e parë që erdhi dhe u nisa për në një adresë rastësore.
Moti ishte pak i lagësht, ndaj në katin e sipërm të autobusit nuk kishte asnjeri. U ngjita atje. U ula në kolltuqet e lagur prej mushamaje.
Sikur erdha disi në vete. Njerëzit poshtë në rrugë vazhdonin të vraponin sa andej këndej. Ndërtesat nga të dyja anët fshiheshin pas tabelave ndriçuese të reklamave. Dritat që dilnin nga dritaret e shtëpive ezmere ngjiteshin pas pemëve në të dyja anët e rrugës e qëndronin aty. Zgjata dorën drejt degëve që më lëkundeshin mbi kokë e iknin njëra pas tjetrës. Gishtat m’u lagën prej gjetheve. M’u përhap një freski nëpër të tërë trupin. Vetëm atëherë e kuptova se po digjesha si zjarr.
Autobusi vazhdonte të ecte nëpër rrugë të vetmuara, duke e shtuar shpejtësinë sa më shumë që zbrazej rruga. Nuk kisha ndonjë qëllim të caktuar; doja vetëm të largohesha, të vija në vete e të shpëtoja nga ky qytet që papritur më kishte dehur e që donte të më mbërthente me kthetrat e tij si një përbindësh. Ndërkohë që ishim larguar nga qendra e Berlinit dhe kishim arritur në lagjet dytësore, rrugët e asfaltuara kishin mbaruar e kishin filluar ato me kalldrëm. Autobusi ecte duke u lëkundur lehtë. Ndaluam në fillimin e një qosheje. Fatorinoja erdhi e më tha që nuk do shkonim më tutje. Zbrita. Pashë rreth e rrotull. Ishin vende që nuk i njihja fare. Dija vetëm që kishim ecur drejt veriut të qytetit dhe kaq. Nga të dyja anët kisha ndërtesa të larta me fasada të drejta. Ndërkohë që autobusi kthehej duke gulçuar, unë fillova të ecja nga të më çonin këmbët. Papritur më erdhi në vesh një muzikë që nga larg.
Nuk ishte një nga ata tingujt e muzikave që përhapeshin herë herë nëpër rrugë në Berlin nga dritaret e shtëpive. Me shumë mundësi diku afër kishte ndonjë kazino me vegla muzikore brenda. Kërkova me sy, jo për t’u futur brenda, thjesht për t’i kaluar njëherë pranë. Vura re një vend, dritat e të cilit pasqyronin pak më tutje në rrugën përballë. Ishte një bodrum. Pasi zbrisje nja katër shkallë, shfaqej një derë e ulët. Më kaploi kurioziteti, zbrita shkallët dhe duke shtyrë derën, hyra brenda.
M’u përplas në fytyrë era e alkoolit dhe një ajër i lagësht. Nëpër tavolinat e shpërndara anash një salloni me shumë kthina ishin ulur burra fytyrëkuq që ngrinin shishet e birrave herë pas here. Diku në qoshe, në një vend të lartë, një grup muzikantësh prej katër personash (njëri piano, njëri violonçel, njëri violinë dhe tjetri bateri), luante pjesët e zakonshme muzikore të këtyre lloj vendeve. U ula në njërën nga tavolinat e lira afër me derën. Meqënëse nuk kisha gjetur vestier apo diçka të ngjashme kur pata hyrë, kapelen dhe disa gazeta që kisha në dorë i vendosa mbi karrige. Më sollën një gotë birrë.
Fillova të hedh sytë rreth e rrotull.
Nëpër tavolinat me mbulesa me kuadrata blu, ishin ulur njerëz që ngjanin kryesisht si punëtorë dhe flisnin me shpejtësi.
Muzika herë pas here kthehej në një vals gjashtëdhjetë vjeçar, burra trupmëdhenj merrnin ndonjë prej grave të dehura dhe fillonin të kërcenin. Ato, me një shprehje mërzie dhe lodhjeje në fytyrë, u buzëqeshnin këtyre çapkënëve një-ditorë që u shkelnin këmbët. Pas kërcimit, burri që luante violonçelin, tregoi mjeshtëritë e tij bashkë me pianistin. Debutuan njëra pas tjetrës pjesë muzikore që këtu përbënin nivelin më të lartë muzikor. Këto vepra që luheshin me qindra herë në çdo kazino të vogël: ky Barkarol, ky Nokturn, kjo Rapsodi Hungareze dhe Karmen… dhe shprehja e fytyrës tek ata që luanin këto pjesë do më benin të ikja edhe prej këtej. Por në ato momente hyri brenda një burrë i çuditshëm.
Dera në fillim u hap paksa dhe dy sy bojëqielli shëtitën nëpër sallon. Pastaj me hapa të trembur, rrëshkiti brenda një trup i vogël, i hollë. Hidhte sytë i frikësuar rreth e rrotull, sikur shikimet e tij do lëndonin ndokënd aty, e nuk guxonte të ulej. Mora kapelen dhe gazetat e mia nga karrigia aty afër. Kur pa këtë veprim, fytyrën ia kaploi një falënderim dhe u ul pranë meje.
Dukej mjaft i vjetër. Lëkurën përreth syve dhe qafën i kishte plot rrudha. Disa prej tyre arrinin deri në kraharor. Kurse llapat e veshëve i kishte me qime. Duke më hedhur sytë, buzëqeshi sikur donte të më falënderonte dhe mes buzëve të holla u dukën dhëmbët e tij të verdhë. Vështrimi iu fiksua në pjesën e brendshme të kazinosë dhe në një moment shkëlqeu. Pashë andej. Një grua trupgjatë po vinte drejt nesh. Përshëndeti në Gjermanisht:
-Mirë se erdhe Gravila!- tha. Pastaj folën në një gjuhë që nuk e kuptoja.
Gruaja tërhoqi një karrige që të ulej dhe vazhdoi bisedën. Nga ndalesat e herë pas hershme, kuptova që nuk po flisnin për ndonjë temë të caktuar. Gruaja kishte një melankoli të çuditshme që e bënte akoma dhe më tërheqëse fytyrën e saj gjithsesi të bukur. Vetëm se kjo, ishte një tërheqje paksa e frikshme, e ngjashme me pamjen e jashtme të kështjellave të vjetra të braktisura. Në vend të dëshirës për t’iu bashkuar, buzëqeshja e saj zgjonte tek njerëzit nevojën për të shmangur shikimin, madje për t’ia mbathur. Sikur fshihej diçka pas këtyre buzëqeshjeve. Të gjitha këto së bashku, nuk vononin ta lidhnin tjetrin me fatin e saj. Me një kuriozitet që mezi po e kontrolloja, po prisja momentin që ajo të largohej. Do filloja menjëherë të pyesja burrin afër meje.
Ndërkohe ai, me qafën e hollë të zgjatur përpara, ia kishte ngjitur sytë gruas përballë sikur, po të ishte e mundur, nuk do ta linte deri në përjetësi. Dukej sikur e përpinte çdo gjë që thoshte ajo dhe dridhej herë pas here sikur fjalët i vërshonin në trup si ndonjë pije e fortë.
Pas pak gruaja u drejtua. Pasi ia rrahu shpatullën me dorën e saj, u largua me hapa të rëndë por harmoniozë. Atëherë në sytë e burrit, në vend të shikimit të mëparshëm lutës e të ëmbël, u shfaq një ambicie që digjej si zjarr. U drodha. Nuk kisha parë asnjëherë më parë në jetën time ndonjë mashkull që të shikonte një femër me kaq dëshirë, me kaq çmenduri, me kaq dëshpërim. Nuk guxova të pyesja asgjë.
Gruaja u ul pak më tutje pranë disa burrave të vjetër e të shëndoshë. Dukej se ishin ca tregëtarë të shtresës së mesme që thjesht po kalonin një natë larg shtepisë. Herë pas here e harronin gruan dhe fillonin diskutimet midis tyre. Ndërkohë ajo rrinte si e dremitur.
Burri pranë meje i mbante sytë akoma andej. Duke folur ngadalë, i propozova të pinte diçka.
Më zhbiriloi me atë shikimin që dukej gjithë kohën sikur po më falënderonte:
-Mund të pi verë…- tha.
Thirra kamarierin. I thashë që t’i sillte verë. E njohu kur e pa dhe m’u duk sikur buzëqeshi. Një buzëqeshje që nuk më pëlqeu shumë.
Pasi mbushi gotën dhe e ktheu me një frymë, më tha me një shikim dinak:
-Më njohin këtu.
Dhe më pas shtoi: – Qeshin sepse përsëri kam gjetur dikë që të më qerasë me verë!
E vështrova i habitur.
-Nuk vjen gjithmonë një si ti…- tha. – Shpesh rri ulur gjithë natën pa pirë gjë. I zoti i lokalit nevrikoset…
Duke pirë edhe ca nga vera që po fillonte t’i vishte sytë tha:
-Edhe Marina mund të më qerasë, por nuk do fare që të dehem. Mezi më çon në shtëpi pastaj.
Sytë i shkuan sërish te gruaja dhe iu ndezën njësoj si pak më parë.
Duke menduar se kishte ardhur momenti, e pyeta:
-Është shoqja juaj?
-Po!- tha.
Vetëm se në këtë “po” sikur fshihej diçka që nuk e kuptoja. E pashë në fytyrë.
-Jemi të dy nga Rumania! – tha. -Jemi bashkë që prej gjashtë vitesh…
Në atë moment përjetova një zhgënjim të ardhur prej një ngjarjeje krejt të zakonshme. Por kur kujtova qëndrimin e tyre ndaj njëri tjetrit, u kuriozova akoma dhe më tepër duke menduar se duhet të kishte gjëra të tjera, të pakuptueshme, të errëta pas këtij normaliteti.
Kishte filluar shishen e dytë. Sallonin po e përfshinte mjegulla akoma më tepër. Tavolinat ishin izoluar, fytyrat e grave i kishte kapluar një lodhje më e dukshme. Përpiqeshin të mos i zinte gjumi nëpër tavolina. Burri në banak ishte ulur në një qoshe dhe duke mbështetur mjekrën në duar ishte futur në mendime. Violina për kushedi të satën herë luante serenatën e Tosellit dhe pianisti duke hedhur kokën pas, mundohej të arrinte entuziazmin e herës së parë që kishte luajtur këtë pjesë.
Burri që kishte përgjysmuar edhe shishen e dytë, ma vendosi dorën në sup:
-Ju jeni një njeri çuditshëm! – tha. -Nuk flisni, nuk pyesni. Vetëm se keni një pamje që të jep ndjesinë sikur mund të kuptoni çdo gjë.
Mbajti jakën me duar, shtyu shishen e verës. Donte të thoshte diçka. M’u ngjit pas dorës që qëndronte mbi tavolinë:
-Nuk duroj dot më…-tha. -Nuk duroj dot. Më thoni… Çfarë të bëj?
Tërhoqa dorën. Edhe ai sikur u përmblodh dhe uli kokën përpara. Pastaj me një zë të hollë tha duke u përgjëruar:
-Më falni… Kërkoj ndjesë. O Zot, sa shumë po ju bezdis…
U mundova ta qetësoj:
-Më tregoni- i thashë, -do ju dëgjoj me vëmendje!
-Ah! Jo me vëmendje… Më dëgjoni duke më kuptuar… Kini mëshirë për mua.
Ahhh!- rënkoi. Pastaj papritur, pa bërë asnjë hyrje apo shpjegim, filloi të tregonte:
-Para tetë vitesh… Studioja në Universitetin e Bukureshtit në atë kohë. Do bëhesha stomatolog. Babai im ishte doktor në Kostanca. Gjendja e tij nuk ishte e keqe. Më siguronte një jetë studentore të kënaqshme. Nuk e di a keni qënë, Bukureshti është qyteti më i lumtur në botë, Universiteti i Bukureshtit është shkolla më e lumtur në botë… Dhe unë isha studenti më i lumtur atje… Ndoshta dhe më çapkëni. Kisha ndikim të konsiderueshëm mbi vajzat. Dija t’i bëja për vete pa u dhënë shumë rëndësi. Si një tren që kalon nëpër shumë stacione, kaloja nga njëra tek tjetra fare natyrshëm. Por në vit të fundit një vajzë nga Besarabia (Moldavia) më kishte bërë për vete. Madje bashkëjetonim. Ishte një krijesë shumë çapkëne. Nuk dinte ç’ishte dëshpërimi. Pasi kishim jetuar bashkë për disa muaj, erdhën pushimet e dimrit. Unë do shkoja në Kostanca. U ndamë pa ndonjë hije dyshimi. Do kthehesha pas pesëmbëdhjetë ditësh.
Arrita në Kostanca në drekë. Sapo dola nga treni u përballa me njerëz që po hidhnin valle. Ndalova për t’i parë. Mes tyre kalonte një kamion i zbukuruar me lule dhe një vajzë e re pothuajse fëmijë, veshur me të bardha, qëndronte brenda tij në këmbë dhe përshëndeste. Në kokë kishte një kurorë me dorëzonja. Pyeta njerëzit që kisha afër. ‘Mbretëresha e Bukurisë së Kostancës!’ më thanë; këtë vit ishte zgjedhur mbretëresha për herë të parë, ndaj populli ishte shumë entuziast dhe gjithë Kostanca ishte në këmbë që dje në darkë.
Vështrova vajzën në makinë. Fytyrën e kishte pak të lodhur, ishte e habitur dhe e lumtur.
Pasi mbaroi vallja shkova në shtëpi.
Atë natë organizohej një ballo për nder të mbretëreshës. Shokët donin që të shkoja edhe unë. U thashë që isha i lodhur por këmbëngulën.
A e dini, një moment dyshimi, një vendim që merret ose që nuk merret në një minutë, madje në një sekondë, mund të sjellë pasoja marramendëse në jetën e njeriut.
Sikur mos kisha shkuar në ballo atë ditë, sikur t’i kisha kundërshtuar pak më fuqishëm këmbënguljet e shokëve, kushedi se ç’rrjedhë do më kishte marrë jeta.
Shkova në ballo atë natë. Kishte shumë njerëz. Mbretëresha ne çdo kërcim ishte në krahët e një djaloshi të ndryshëm. Më kaloi disa herë pranë. Fytyra e saj, ashtu si në drekë, ishte pak e lodhur, pak e habitur dhe pak e lumtur.
Po qëndroja në një cep për një pushim të shkurtër. Më tërhoqi dikush nga pas. U ktheva: njëri prej shokëvë të mi. Pranë tij ishte mbretëresha. Na prezantoi, pastaj pyeti:
‘A do kishit mirësinë t’i dhuronit një kërcim studentit nga Universiteti i Bukureshtit?’
Fillova të rrotullohem dhe e vështrova këtë grua për herë të parë me kujdes. Sikur m’u ngatërruan këmbët dhe diçka u thye brenda meje. Edhe ajo m’i kishte ngulur sytë. Nuk pata guximin e fuqinë të them asgjë dhe u mundova të vija në vete derisa mbaroi kërcimi. U ndamë pa folur fare.
Por në kërcimet pasuese, mësova se quhej Marina, ishte zgjedhur Mbretëreshë e Bukurisë ndërkohë që punonte si shitëse në një dyqan dhe lodhja e këtyre dy ditëve e kishte futur në mendime meqënëse nesër do fillonte punë sërish.
Dukej sikur donte të zgjohej tashmë nga kjo ëndërr e ëmbël por pa vazhdim. Kjo situatë bëri që të ndjehem akoma më pranë saj. Ndoshta ngaqë asnjeherë nuk kisha pare kaq shumë njerëz njëherësh rreth meje, ajo më dukej si një qoshe e ngrohtë dhe e qetë. I mora premtimin që të mund të shiheshim edhe në ditët në vazhdim. E pse ta zgjas kot! Pas asaj nate e pashë çdo ditë. Pesëmbëdhjetë ditët që kalova në Kostanca mbaruan sikur të ishin një orë. Ah, sikur ta dinit se si i ruaj kujtimet e atyre pesëmbëdhjetë ditëve brenda meje… Gjatë atyre ditëve mendoja se mund ta lëvizja gjithë botën me një gisht. Çdo gjë ishte e mundur për mua. Sikur i tërë universi dhe e gjithë jeta prej miliona vitesh të mos kishin asnjë kuptim, mendoja se pesëmbëdhjetë ditë si këto mund ti jepnin kuptim çdo gjëje. Ecnim bashkë në breg të detit dhe buzëqeshnim duke u vështruar. Në plazhet plot dallgë dhe erë vraponim duke u mbështjellë nëpër palltot tona dhe puthnim faqet e skuqura nga era të njëri tjetrit. Por pesëmbëdhjetë dite kaluan shumë shpejt. Erdhi koha që të kthehesha në Bukuresht. I kisha premtuar se do martoheshim, por ishte e pamundur ta flisja këtë gjë me familjen time. Do të ishte e rrezikshme të përmendja qoftë edhe emrin e një vajze e cila dikur kishte qenë shitëse në një dyqan dhe më pas kishte marrë titullin Mbretëreshë e Bukurisë, gjë që mjaftonte për të qenë e përjashtuar prej klasës borgjeze.
I premtova se do vija ta merrja sapo të mbaroja shkollën, duke i thënë se atëherë do të isha i pavarur dhe nuk më nevojitej leja e askujt. Nuk do të kishte qenë e përshtatshme të vinte në stacion, prandaj u ndamë që një ditë më parë. Atë çast e kam ende para syve.
Kishim kaluar ndoshta gjysëm ore duke u përqafuar e duke qarë, kur më thirri nga pas ndërkohë qe po largohesha. Me një zë serioz që nuk e pata dëgjuar deri atëherë prej saj, më tha:
‘Mos më lër… Do të bëhesha shumë keq Gravila!’
Nuk e kisha menduar fare tmerrin e këtij paralajmërimi. E nga ta dija… Nga ta dija se do të ishte kaq e vërtetë?
Gravila ndaloi pak. Ktheu sytë nga gruaja që po dremiste larg në një qoshe dhe më pas piu gotën e verës me fund. Pikat e verës pikonin nga mjekra e rruar drejt kemishës së tij të ndotur. Bëri sikur i fshiu me dorë dhe vazhdoi:
-Shkëmbyem letra për disa muaj pasi unë u ktheva në Bukuresht.
Letrat e saj bëheshin gjithnjë e më të zjarrta. Por unë, në qytetin më gazmor të botës e në mes të njerëzve më të gëzuar të botës, nuk e kujtoja aq shumë sa duhej Mbretereshën e Bukurisë nga Kostanca. Mendoja se e ndjente këtë nga letrat e mia të fundit dhe kjo gjë më mërziste. Por ajo nuk shkruante asgjë që ta nënkuptonte këtë. Letrat e mia u rralluan me kalimin e kohës. Mësimet dhe miqtë më mbanin të zënë dhe në hostelin ku u kthyem serish, Besarabiani i vogël nuk na linte të bënim hap. Mendoja se edhe ajo ka filluar të më harrojë. Sepse pasi i lashë pa përgjigje tre letra njëra pas tjetrës, as ajo nuk po shkruante më. E groposa edhe këtë aventurë mes kujtimeve të tjera. Vetëm se, edhe pse më pëlqente ta kujtoja, trembesha ta sillja ndërmend. Mbaroi universiteti. Pa shkuar fare në Kostanca, duke marrë me të mira prindërit e mi që kishin ardhur në Bukuresht, erdha këtu, në Gjermani. Doja të bëja karrierë, të zhvillohesha në profesionin tim. Ditët e bukura e të gëzueshme filluan sërish dhe zgjatën një vit e gjysëm.
Më pas u ktheva në Rumani. Me qëllim që të gjeja lekët për të hapur një klinikë, shkova në Kostanca. Gjatë kësaj kohe, një shok të cilin e pyeta për Mbretereshën e Bukurisë, më tha se ajo ishte zhdukur papritur para shumë kohësh. Eh, thashë, fati paska dashur që rrugët tona të ndahen, ç’të bëjmë?
Por sa shumë gabohesha. Ah, zotëri, sikur ta dinit sa shumë gabohesha. Po ju mërzit, apo jo? Ju kërkoj ndjesë, jam afër fundit… Ateherë, gjatë ditëve kur u ktheva në Bukuresht pasi pata marrë një shumë parash prej babait, shkuam në një kazino me disa të tjerë. E pashë atë atje, në tavolinën e ca studentëve të pirë.
Ishte e dehur dhe pothuajse gjysëm e zhveshur. Nuk më njohu nga larg. Kur iu afrova, u drejtua duke qeshur. Pastaj papritur rrudhi vetullat. E turbulluar nga pija, iu mjegulluan sytë sikur po sulmohej nga mijëra kujtime dhe duke më shtyrë me dorë në gjoks u largua duke u lëkundur; atë natë nuk erdhi më.
Unë mbeta në një gjendje të mjerë. Duke mos qëndruar dot më, u ktheva në vendin ku flija dhe mbrëmjen e të nesërmes vrapova që herët për në të njëjtën kazino. Ishte atje, sikur ta dinte që do vija, m’u afrua pa u habitur. U ul në tavolinën time. Biseduam pak. Por nuk tha asnjë fjalë për gjendjen e saj, as nuk përmendi ditët e shkuara. Kur unë u përpoqa ta hap atë temë, më detyroi të pushoj me ashpërsi dhe tha:
‘Unë i kam harruar të gjitha ngjarjet e së kaluarës. Nuk mbaj mend asgjë!’
Çdo mbrëmje shkova atje dhe çdo mbrëmje u përsëritën midis nesh ato biseda të pakuptimta. Fliste me mua si me një shok, pinim bashkë, kërcenim, por nuk më lejonte të thoja as edhe një fjalë në lidhje me të kaluarën.
Ndjeva se isha sërish i dashuruar çmendurisht pas saj. Përpëlitesha si një njeri gati për t’u rrëzuar buzë një gremine. Me një shpresë të fundit, e luta të largohej prej këtej dhe të vinte me mua; vetëm qeshi, qeshi hidhur.
Që nga ai moment filloi për mua një jetë e padurueshme.
Marina nuk qëndronte në një vend, udhëtonte nëpër vende e qytete të ndryshme. Fillova dhe unë të shëtisja me të duke lënë çdo gjë. Ajo nuk kundërshtoi. Madje interesohej për mua. Më ndihmonte. Por asgjë më tepër… Sikur të mos ishte një qënie prej mishi dhe kockash. Dukej si copë mermeri, si një shkëmb, madje herë herë si një kufomë. As të qarat e mia, dhe as përpjekjet e pafund për të ndrequr të shkuarën nuk vlejtën për asgjë. Kjo jetë prej ferri vazhdon që prej gjashtë vitesh. Në këto gjashtë vite, zemra e saj nuk u zbut as edhe një herë ndaj meje.
Siç e patë qëparë, interesohet për mua dhe jemi miq.
Por vetëm kaq. Zemrën e ka mbyllur për të mos e hapur më kurrë. Në qytetet ku shkojmë ndodh shpesh që të qëndrojmë në të njëjtin vend, madje në të njëjtën dhomë. Ajo di gjithmonë si të ngrejë një mur të ftohtë midis nesh. Unë dua që ajo të inatoset me mua, të më shajë, të më rrahë.
Pranoj çdo gjë. Madje le të më vrasë. Vetëm të zvogëlohet sadopak kjo distancë shkatërruese midis nesh. Ka patur momente kur kam menduar se nuk do mund të vazhdoj dot të jetoj kështu, nuk do duroj dot më. Kam dashur t’i jap fund çdo gjëje. Por shpresa m’i ka lidhur duart. Shpesh zhdukesha për disa ditë. Doja që ajo të mendonte se nuk do kthehesha më dhe të gjente dikë tjetër. E vëshgoja prej së largu gjatë atyre ditëve. Sikur ta shihja me ndonjë mashkull pranë, të hynte në shtëpi bashkë me të ose të shkonte në shtëpinë e tij, do shpëtoja, do vrisja atë dhe veten time dhe do i jepja fund kësaj torture. Por asnjëherë, zotëri, as edhe njëherë nuk e pashë me ndonjë mashkull tjetër. Mua kjo më shkatërron… Të di që më do mua, akoma më do, më do si e çmendur; të di që nuk do dojë kurrë dikë tjetër përveç meje… Është shkatërrues mendimi se kjo torturë e padurueshme është arsyeja pse po jetojmë të dy… Ah… sikur ta dini sa më do ajo mua. E kuptoj këtë. Ju nuk e kuptuat? Nuk e shikoni se sa shumë vuan edhe ajo? Ç’të bëj zotëri, ç’të bëj unë?
Lotët i rridhnin prej syve të kaltër.
Brenda nuk kishte mbetur pothuajse asnjeri. Marina erdhi ngadalë.
Pasi më vëzhgoi me sytë pa asnjë shprehi, e tundi atë duke e kapur nga shpatullat:
-Çohu Gravila, ke pirë përsëri. Si do të shkojmë në shtëpi?
Me sy të gozhduar, vështronte kokën e burrit të trullosur nga të qarat dhe me një dritë të pakuptimtë, digjej nga një shkëlqim që i ngjasonte një bisedë sekrete. Për një moment iu shfaq në fytyrë një ëmbëlsi sikur po e përqafonte. Por u fshi menjëherë. Tashmë nuk kishte asgjë perveç melankolisë së mëparshme në këtë çehre. O Zot, sa shumë po vuante kjo grua. Kërceva përpjetë duke ndjerë se nuk kisha fuqi të qëndroja më gjatë dhe të shikoja këtë skenë. Me një lamtumirë të thatë e hodha veten jashtë. Po afronte agimi. Fillova të ecja brenda një mjegulle që më freskonte kokën. Qyteti i madh flinte në heshtje brenda rrëmujës e pafundësisë së tij dhe ruante në gji miliona njerëz e aventura të ndryshme.
Për një imagjinatë që kapërcente edhe muret e errëta prej guri, thjesht soditja e kësaj ishte e tmerrshme. Por a nuk është zemra e një njeriu edhe më e ngatërruar, edhe më e pamatë se ky qytet?