Site icon Gazeta Nacional Albania

Shefqet DIBRANI: Gjekë Marinaj dhe PARADIGMA E TIJ E RE KRITIKE-PROTONIZMI

 

(Letërsia si kujtesë dhe si energji, vlerësim kritik për librin “Protonizmi, nga teoria në praktikë”, nga Prof. Dr. Gjekë Marinaj, botoi “NACIONAL” Tiranë 2010)

 

Fillim

Letërsia, si kuptim më i thellë teorik, është përpjekje për të ruajtur kujtesën dhe për ta përjetësuar atë përmes fjalës që buron nga shpirti. Letërsia, sidomos kritika letrare është një formë e veçantë e komunikimit, ndërsa autori i kritikës është një ndërmjetësues në mes veprës dhe lexuesit, kuptohet të atij lexuesi që nuk i ka lexuar veprat, në këtë rast të librit “PROTONIZMI, nga teoria në praktikë”, nga Gjekë Marina. Kur i lexojmë këto tekste, jo vetëm marrim një përvojë nga një personalitet akademik, por me automatizëm hyjmë në një marrëdhënie të re, në mes veprës dhe vetvetës. Në këtë kuptim, letërsia, sidomos kritika letrare është pasqyrë e veprës, ndërsa lexuesi i kritikës gjen shtegun e vet drejt një vlerë e cila shndritë pozitivitet dhe bënë thirrje për urtësi dhe vlerë pozitive.

Kritika letrare, në këtë proces, nuk është një akt dytësor, por një pjesëmarrje aktive në këto marrëdhënie. Kritika profesionale është urë që lidh autorin me lexuesin, tekstin me kontekstin, dhe përvojën individuale me përmasën e saj shoqërore e kulturore. Por për të qenë e tillë, kritika duhet të mbajë mbi vete përgjegjësinë e ndershmërisë, të thellësisë dhe të dashurisë për fjalën, dhe ky kod është i plotësuar nga Prof. Dr. Gjekë Marinaj, sidomos tek vepra “PROTONIZMI, nga teoria në praktikë”, dhe kjo metodologji vlerësimi nuk është një instrument i ftohtë gjykimi, por është një kulturë e ngrohtë komunikimi, në të cilën kritiku Gjekë Marinaj, është treguar dëgjues i mirë, përkthyes me përvojë dhe një ndërmjetës i së bukurës, në kuptimin ma pozitiv të kësaj shprehjeje artistike e letrare.

 

Nga përvoja e letërsisë së diasporës te një etikë e re e kritikës

 

Veprat e autorëve, dhe veçanërisht këto brenda këtij studimi letrar nga Gjekë Marinaj, përfaqësojnë një përpjekje të sinqertë për ta kthyer vlerësimin kritik në një akt dashurie dhe respekti ndaj letërsisë, me theks të veçantë të të gjitha veprave të përfshira në këtë vëllim kritik. Gjekë Marinaj, falë përvojües akademike, nuk e sheh veten si një arbitër i fjalës, por më shumë si një lexues i përkushtuar, që dëshiron të ndihmojë lexuesit e tjerë të kuptojnë më mirë veprën në fjalë, dhe autorin në fjalë ta ndjejë të pranuar në përpjekjen e tij krijuese. Në këtë kuptim, kritika e Gjekë Marinajt, është një kritikë që vlerëson, që nxit dhe që ndërton ide dhe vizione.

 

Pikërisht në këtë përpjekje, Prof. Dr. Gjekë Marinaj identifikon embrionin e një paradigme të re kritike: PROTONIZMIN. Ky koncept, i ndërtuar mbi metaforën e protonit si bartës i ngarkesës pozitive në strukturën atomike, përfaqëson një etikë të re të leximit dhe të kritikës, ku qëllimi kryesor është të nxjerrësh në pah energjinë pozitive të veprës, ta vlerësosh atë për atë që jep, jo për atë që mungon, dhe të krijosh një hapësirë komunikimi të ndershme e frymëzuese, në mes veprës dhe lexuesit.

Protonizmi, si rrymë e mendimit kritik, nuk mohon vlerësimin estetik, as nuk shmang analizën e dobësive. Por ai nuk ndalet tek dobësia, sepse beson se çdo vepër letrare është në vetvete një përpjekje për të kapërcyer kufijtë e të zakonshmes. Kritiku protonist, në këtë kuptim, është një nxitës i dritës që vepra përmban, një zbulues i së bukurës që shpesh fshihet pas thjeshtësisë, një përkthyes i sinqertë i shpirtit të autorit.

 

Kritika si akt kujtese dhe bashkimi kulturor

 

Në të gjitha esetë dhe shënimet e përfshira në këtë përmbledhje, vihet re një element i përbashkët: Dëshira për të ruajtur kujtesën kulturore dhe për ta bashkuar atë me përvojën e sotme letrare. Kritika këtu në veprën “PROTONIZMI, nga teoria në praktikë”, nuk është thjesht një mjet akademik, por një akt i kujtesës kolektive, një përpjekje për të mos harruar rrugët që ka ndjekur letërsia shqiptare, duke mos përjashtuar as atë në diasporë, për të mos harruar autorët që kanë kontribuar në kulturën tonë, qoftë edhe nga larg.

Shënimet e Prof. Dr. Gjekë Marinajt, për gazetat si “Illyria”, “Albania Press”, apo reflektimet për figurat që kanë jetuar dhe krijuar në mërgim, e tregojnë qartë këtë synim të tij. Sepse letërsia dhe kritika nuk mund të jenë të ndara nga historia e njerëzve që e kanë mbajtur gjallë fjalën në kohë të vështira. Këtu kritika bëhet një akt nderimi dhe mirënjohjeje, një mënyrë për t’u thënë atyre që kanë lënë vepra për ne: “Ne ju dëgjojmë dhe ju vlerësojmë ende”!

Në këtë kuptim, protonizmi nuk është thjesht një teori kritike, por një etikë e kujtesës dhe e përbashkimit kulturor. Kjo teori letrare e filozofike, na kujton se fjala ka fuqi shëruese, se kritika mund të jetë një akt ndërtues, dhe se kultura jonë ka nevojë për më shumë dashuri dhe mirëkuptim, jo për ndasi dhe paragjykim.

 

Letërsia si energji, kritika si dritë

 

Ky shënim hyrës për veprën “PROTONIZMI, nga teoria në praktikë”, është një ftesë për lexuesin që të hyjë në këtë vepër me ese dhe kritika letrare, jo thjesht si në një libër vlerësimesh, por si në një udhëtim shpirtëror dhe kulturor. Çdo ese këtu përpiqet të nxjerrë në pah një vlerë, një kujtim, një shembull frymëzimi. Qoftë kur flet për një autor, për një gazetë, për një ngjarje, për një libër a për një përvojë jetësore, kritika e Prof. Dr. Gjekë Marinajt, përpiqet të ndriçojë atë që ka qenë e bukur, e vlefshme dhe e nevojshme për t’u kujtuar.

Në këtë udhëtim, protonizmi është busulla e vlerës letrare të një libri. Ai na ndihmon të shohim me sy të butë, të gjykojmë me mendje të kthjellët, dhe të shkruajmë me zemër të hapur. Protonizmi na mëson se kritika nuk është një garë për të gjetur gabime, por një mundësi për të zbuluar dritën që secila vepër mbart në vetvete.

 

Përmbyllje

 

Në fund, “PROTONIZMI, nga teoria në praktikë”, nuk është thjesht një koleksion tekstesh, por një akt i përbashkët i ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës sonë letrare. Vepra është një dëshmi e gjallë se letërsia shqiptare jeton jo vetëm në librat e autorëve, por edhe në zemrat e atyre që e lexojnë me dashuri dhe që e ndihmojnë të kuptohet më mirë.

Ky shënim hyrës (në projektin tim), është një ftesë për ta lexuar veprën e Gjekës me kujdes, për të dëgjuar me shpirt atë që ai rrëfen, dhe për të reflektuar me dashuri mbi atë që na jep kjo letërsi të cilën ai na propozon: Kujtesë, identitet, bukuri dhe shpresë.

Nëse PROTONIZMI do të mbetet si një qasje e vlefshme kritike, është sepse Prof. Dr. Gjekë Marinaj e sheh letërsinë jo si një fushë lufte, por si një fushë drite, ku fjala është farë, dhe kritika e tij është dritë që ndihmon të mbijë ajo farë.

 

Prishtinë, 28 tetor 2025.

 

 

* Marrë nga vepra në dorëshkrim: Sh.DIBRANI, “LEXIM METAKRITIK NË DRITËN E PROTONIZMIT”, (Kritikë letrare, për librin “Protonizmi, nga teoria në praktikë”, nga prof. dr. Gjekë Marinaj)

 

 

Exit mobile version