(Shpend Sollaku Noé, “ATDHEU I TJETRIT”, përzgjedhje antologjike, 2011).
Nga Shefqet Dibrani
PROLOG
ose shënim i shkurtër biografik
Poeti Shpend Sollaku Noé është emër letrar i njohur në Itali. Pa ia mohuar dimensionet tjera të veprimtarisë së tij, ky shënim kritik fokusohet te poezitë dhe poemat e përzgjedhura në vëllimin “ATDHEU I TJETRIT”, botuar në Amerikë. “Shkëmbi/ tashmë/ u gërrye,/ por/ edhe/ dallga/ është/ e vdekur”, (faqe 7). I lindur në Lushnje, më 3 prill 1957, dhe u rrit me trazime shpirtërore dhe vështirësi ekonomike, pasi babai i tij u dënua me burg të gjatë. Edhe pse si fëmijë rritej me atë trysni e përbuzjen u dallua si nxënës i shkëlqyeshëm, dhe vetëm pas tre vjetësh, pasi kreu gjimnazin iu dhe e drejta për të studuar, të cilat i kreu në afat dhe me rezultate të larta. Që nga viti 1992, ka punuar mësimdhënës në shkollat e mesme. Vështirësi pati kudo dhe çdo herë, madje edhe në publikimin e krijimtarisë. “Gjithë trupi im është dhimbja/ e një errupsioni të pamundshëm”, (faqe 27).
Poeti në vitin 1992 ka emigruar në Itali, dhe nga kjo kohë do të lulësoj krijimtaria e tij.
KRIJIMTARIA LETRARE
Midis librave të tij kryesorë përmenden: Mëzat e kaltër – poezi, Shtëpia botuese Naim Frashëri, Tiranë 1987; Il regno del proibito – poezi, italisht e shqip, Itali 1995; Applaudire Caligola – poemë deherioke, italisht, Firence, Itali 1997; Un posto a piedi per Galilea – poemë, italisht, Raguza, Itali 1999-2000; La Colombia dei Balcani – prozë hetimore, italisht, Itali 1994; Il secolo breve – prozë hetimore, italisht, Itali 1994; Abysses-Voragini – poemë, italisht e anglisht, SHBA 2009; Barcodes-Codici a Barre – poemë, italisht e anglisht, SHBA 2010; Piramidi in frantumi – antologji, italisht, SHBA 2011; Es hora de andar Sócrates – antologji, spanjisht, SHBA 2011; Se réveiller au fond du précipice – antologji, frëngjisht, SHBA 2011; Atdheu i tjetrit – antologji, shqip, SHBA 2011; Pantheon in Blackout – antologji, anglisht, SHBA 2012; Il confine della nebbia – roman, italisht, Romë, Itali 2012. Eros murmuridhesh në gjendje të virgjër – poemë, shqip, Itali, 2014. Il pero fiorì a dicembre – roman, italisht, Romë, Itali 2018. Filius Hostis ovvero il figlio del nemico, roman, italisht, Romë, Itali 2020; Nascita, infanzia e la gioventù del clone Nicolaus Bonadei, roman, italisht, Romë, Itali 2023.
Po ashtu Shpend Sollaku Noé, ka përkthyer nga italishtja në shqip dhe anasjelltas autorë të ndryshëm. Kurse krijimtaria e tij pos italishtes e shqipes është e përkthyer në gjermanisht, suedisht, anglisht, rumanisht, spanjisht, frëngjisht, rusisht etj. Tashmë krijimtaria e poetit është përkthyer dhe botuar në mëse 70 shtete, si në Itali, Suedi, Gjermani, Zvicër, Austri, SHBA, Indi, Japoni, Kanada, Australi, Angli, Zelandë e Re, Irlandë, Francë, Norvegji, Spanjë, Portugali, Holandë, Kinë, Rusi, si dhe në disa shtete arabe. Përveç këtij suksesi, poeti është prezantuar edhe nëpër shumë antologji botërore, kurse krijimtaria e tij është pritur dhe vlerësuar suksesshëm.
POEZIA SI FANTAZMË PËR NJË KOHË TË BRAKTISUR
Vëllimi “ATDHEU I TJETRIT”, nga Shpend Sollaku Noé, është libër me poezi dhe poema të zgjedhura. Ky vëllim lirik është ndarë në disa cikle: “Sfinksi-Mëzat e kaltër”, “Telegram prej varrezës”, “Mare Nostrum”, “Murus Noster”, “Check up Homerit”, dhe cikli “Barkodë”.
Cikli: “Sfinksi-Mëzat e kaltër”, përbëhet nga poezi të shkurtëra, mjaftë meditative dhe me simbolikë që reflekton mungesën e fjalës së lirë. Si një “Erë e panjohur./ Simfoni të re/ dirigjon pylli./ Dhe është një koncert i fortë/ për drurët e vjetër”, (faqe 22). Nga kjo shihet se simbolika e ciklit, “Sfinksi – Mëzat e kaltër”, përshkruan hapësirën psikologjike, e realizuar përmes simboleve të natyrës dhe heshtjes të cilën karakterizonte mungesa e lirive themelore, nën sistemin e diktaturës. Cikli: “Telegram prej varrezës”, risjell poezi nga librat e botuar, “Sfinksi”, “Mbretëria e gjërave të ndaluara”, “Të duartrokasësh Kaligulën” dhe “Telegram prej varrezës”, të cilat shquhen për tematikë humanizmi, tashmë të poetit në një “Atdhe tjetër”, me reflektim për realitetin e emigrimit duke krahasuar me atë të diktaturës, pasi “Atdheu i tjetrit”, është edhe realitet tjetër. “Është ora të ikim Sokrat,/ ne të kthejmë patkonjtë,/ të tjerë të bëjnë sikur të jetojnë,/ por askujt s’i është e qartë/ kush shkon drejt më së mirës”, (faqe 28). Në këtë cikël shprehet dilema e largimit nga “atdheu”, sepse automatikisht as ndryshimi ku mbizotëron konfuzioni, nuk jep shpresa dhe natyrshëm shprehet si pezm, vargje artistike të cilat janë si perlë e mendimit intelektual: “E plot të tjera kurrë të përjetuara,/ pendimet kurrë të ardhura… dënesën e shurdhër/ të një grushti të shtrenjtësh…” (faqe 28). Kurse vargu, “Nëna ime ndjehej frikshmërisht keq… porta e shtëpisë time qe thyer, kush më spiunonte tash është president…”, (faqe 37), poeti suksesshëm ngërthen rikthimin e mikrohistorive të përjetuara, ku infrastrukturat sociale dhe familjare mbartin plagët e diktaturës dhe tranzicionit. Cikli: “Mare Nostrum”, është poemë e meditimit. Ky sfond kaq meditativ ilustrohet me ngjyrat e vargut, si përzgjedhje metaforike për kohëra dhe gjenerata. “Të mbeturit pezull të përjetshëm të Bolonjës,/ të masakruarit në përçartje të Drenicës”: ky motiv e kthen poezinë (dhe njohësin e realitetit) në një kohë kur Kosova përflakej, e cila ishte “dhimbje e pakptuar”, pasi “deti zemërndrydhur”, (nga poezia: Ekstrakti II. faqe 50-51), nuk hapej, dhe ai popull përveç “Premtimeve të Shenjta”, deri në një moment nuk kishte përfituar gjë. Pa dyshim poema shpreh marrëdhënien tonë me kujtesën historike, sepse përmendja e “masakrave në Drenicë” lidhet përmes metaforës së detit, një strukturë simbolike që përfshin tërheqje dhe dhimbje, por edhe simbolikën e detyrës për t’u solidarizuar ndërkombëtarisht. Për kohen ky varg i Shpend Sollakut Noé, ishte thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare. Poema, “Mare Nostrum”, flet për detin si simbol i mërgimeve tragjike, bashkëjetesës dhe vuajtjes së popujve; ajo flet sidomos për dramën e luftërave të përgjakshme dhe të migracioneve të pa ndalshme drejt Evropës.
Cikli: “Murus Noster”, ose “poema e lakuriqësve”, ka edhe një citim gjermanisht ku thuhet se “Në një moment çdo mur bie”. Në këtë poemë mbi ndarjet (muret), midis njerëzve dhe kulturave poeti ndërton një reflektim mbi muret fizike, kulturore, ideologjike, që shprehimisht janë ndarje tragjike, me ndikime psikologjike. Kudo në poezinë e Shpend Sollaku Noé, artikulohet botëkuptimi metaforik për muret të cilët ndajnë jo vetëm njerëzit, por më shumë qytetërimet:“Shpesh edhe muret/ qahen si bushtrat,/ lotojnë gjak thagmash,/ jashtëqesin pëshpëritje eksplozive,/ ankohen për tension të lartë,/ o reumatizma të dhimbshme,/ dashurohen frikshmërisht/ si çunakët”, (faqe 63). Këto vargje janë bukuri artistike dhe shprehin muret që ekzistojnë mes njerëzve rracash të ndryshme, besimesh të ndryshme, por këto mure janë të trishtëta atëherë kur ndërtohen në mesvetës tonë në raport me të tjerët, dhe ato janë: “Mure që trysin/ mure që heshtin,/ mure që ikin,/ mure që mbesin”, (faqe 72). Pra muri nuk është vetëm objekt i shtangur; ai mbart një histori, ndarje dhe emocione. Siç shprehet poeti muri është “Lot gjaku”, dhe dëfton se ndarjet kanë çmim. Cikli: “Check up Homerit”, është një poemë tjetër e Shpend Sollaku Noé, ose siç e quan vet ai “poemë artscafé”, në të cilën ka qëllim ta sforcojë edhe mëtej mendimin poetik, të shtruar e trajtuar profesionalisht në ciklet e mëparshme. Ndërsa poema artscafé apelon për reflektim intelektual, e ilustruar me figura të shumta nga mitologjia greke, për të kritikuar fenomenet e ndryshme moderne. Kjo është poezia dhe misioni i poetit po ashtu. “E vetmja ngjarje që përkon me versionin bazë/ është ripajtimi mes Helenës e Minellës,/ tashmë ish bërë e modës të ishe brinjar/ e, për të eklipsuar brirët,/ nuk duhej këmbyer më adresa”, (faqe 88). Liria si përkufizim i diktaturës e ka shtypur edhe lirinë elementare për të jetuar, marrë frymë dhe për t’u ushqyer. Të tjerat gjithnjë janë trajtuar si kërkesa borgjeze dhe reaksionare. Poemat: “Mare Nostrum”, “Murus Noster” dhe kjo “Check up Homerit”, janë me vlerë të rrallë artistike.
Poema: “Barkodë”, ose siç pohon autori, “poema e labirinteve” ndihet si një varg ironik për keqëzimin, korrupsionin dhe katrahurën sociale, andaj qytetari zgjohet, “Me sytë pre të pagjumësisë/ në mbrëmje/ bëhem copë të dëshifroj/ Barque-t e tavanit të murrmë,/ ikona anonime që trysin ngushëllimet,/ tempuj të panjohur ankthesh damoklee,/ teprica zemrash të depërtuara”, (faqe 99). Vargjet janë përplot me ironi, përbuzje që e shprehin të vërtetën e pamohueshme, sepse të gjitha poezitë e Shpend Sollaku Noés shprehin realitetin e trishtët që ka ndodhur, është duke ndodhur, dhe sigurisht do të ndodhë aq gjatë sa toka të ketë njerëz përmbi. Poema “Barkodë” e Shpend Sollaku Noé-së, është si një peizazh emocional që ekspozon varfërinë morale dhe mendore. Një lirikë qoftë kjo edhe sociale ka të vërtetën e cila sa është e mirë është edhe e përshpirtshme!
EPILOG
Vëllimi “ATDHEU I TJETRIT”, është një udhëtim emocional, i ndarë në gjashtë cikle që zëvëndësojnë përvojën personale me kujtesën kolektive, me mitologjinë, me reflektimin politik dhe moral. Gjuha poetike është metaforike, por gjithmonë e lidhur me realitetin socio-politik; është poezi e ndjeshme, por nuk e humb asnjëherë fuqinë kritike. Poezia e Shpend Sollakut Noé, ngrihet si zë i vuajtjeve shqiptare dhe universalitetit njerëzor. Vëllimi “ATDHEU I TJETRIT” është jo vetëm koleksion, por dhe këndvështrim historik, filozofik dhe human. Ndërthurur me mitin, kulturën dhe emocionin, përbën një vepër të pazëvendësueshme për letërsinë shqipe dhe me përmasa të asaj botërore.
St. Gallen, korrik 2025.

