“Në shumë prej vargjeve, nëse lexon me kujdes ndjen të përshkruajë mesazhi: Lumturia nuk është privilegj.Në zemrën e secilit zhvillohet një dramë e brendshme, që përmblidhet me fjalën “Pse?”
Tek libri i ri i autores Buqa Softa titulluar “Ujvara e mallit” janë një tufë me poezi shkruar me frymëzim ku tek secila prej tyre njeh njëherësh art dhe ide, mesazh dhe vizion, të bukurën dhe të shëmtuarën në jetë. Njeh atë që mbrin tek ty çdo ditë apo orë, të zhyt në një ujvarë malli ku shikon veten si në pasqyrë dhe qëndron çastit mes tyre gjithë ëndërrime. Dhe kur del nga ky ëndërrim, pëshpërit: “Sa bukur!”. Kjo ndodhi dhe me mua ndërsa lexoja këto poezi që trokasin fort dhe asnjë prej tyre nuk të lë në plogështi. Të zgjon dhe të tregon se secili nga ne duhet të dijë të zotërojë forcën e madhe morale që quhet vullnet. Është aty një hap që na tregon rrugën kur duam të bëjmë diçka dhe mjafton të zgjosh e t’i japësh gjallëri forcës tënde të brendëshme shpirtërore dhe jo vetëm. Fillon ky vëllim me poezinë “Yjet e tokës”. Janë njerëzit që i japin tokës shkëlqim dhe jeta e tyre jepet vetëm një herë.Sa me forcë metaforike nis. “Në shëtitoren e tokës/rradha na jepet veç njëherë… Shkurt, qartë, domethënës del mesazhi qysh në vargun e parë. Varg pas vargu kjo forcë metaforike forcohet duke përdorur dhe paralelizmat dhe idetë për mënyrën e të jetuarit në përgjigje të pyetjeve pse dhe si duhet të jetojmë. E dhimbshme, ideore, patriotike dhe plot qëndisje arti është poezia “Lutja”. I drejtohet Shqipërisë si nënës më të madhe të shqiptarizmit. “Paske lindur për të vuajtur/moj e mjera Shqipëri/ Gjithë jetën të kanë zhvatur/ paske patur fatin e zi. Dhe në vargjet e mëposhtme të kësaj poezia tregon se nuk janë shqiptarët e vërtetë që dëmtojnë vendin tonë, por ajo “elita me kollaro” që mendon me egon më të keqe si të përvetësojë gjithçka… Forca metaforike e kësaj poezie duket të trokas reale në ditët tonë.
Ndjenjë njerëzore, vëllazërore, prindërore gjejmë tek poezia “Qan shqiponja”. Frymëzim i përlotuar nëpërmjet vargjeve aq të spikatura që mbrijnë tek ne me tmerrin e tërmetit të 26 nëntorit. Lexo dhe do shikosh si para një sekuence filmike por shumë jetësore dhimbjen që ende është mes nesh dhe që autorja e ngre para sysh me forcën e ndjenjës së saj atdhetare dhe njerëzore. Mjaft intrigues por me mesazhe të qarta dhe ide të fiksuara në artin e thurrur me stilin e saj janë poezitë: “Mos vdis ëndërrimtar”, “Amanet dhe dashuri”, “Dëshirë për të jetuar”, “Banor pa dëshirë”, “Letra e zhubrosur”, “Ujvara e mallit”, “Kush jam unë?”. Në disa prej tyre duket se përcillet mesazhi se “Njeriu dashuron se dashuria është thelbi i shpirtit të tij, sepse nuk mund të mos dashurojë.” Dhe ashtu siç e ka thënë FLOBER “Zemra është një pasuri që nuk shitet e as blihet, por vetëm dhurohet”. Nga një kënd tjetër vështrimi duken poezitë “Maska” dhe “Marka”. Në poezinë “Maska” identifikohet dyfytyrësia tek njerëzit që jetojnë duke vënë maskë në fytyrë dhe poezia tjetër “Marka”, përcjell mesazhin që para bukurisë së shpirtit asgjë nuk ka vlerë. Poezi pas poezi ndjej se si autorja, tashmë me katër vëllime poetike tregon se si të imponohesh nuk është vetëm një e drejtë por dhe një detyrë sepse duke u imponuar arrihet më shpejt në qëllimet që i ke vënë vetes.Kjo është një arsye që Buqa Softa si poete me stilin e veçantë dhe të vërtetë të njohur në vargje, e paraqit jetën në mënyrë shumë bindëse siç është duke theksuar mesazhin: “Beso në vetvete duke qënë tipi ideal në të gjitha aspektet!”. Të dish të flasësh nëpërmjet vargjeve për të drejtat është njësoj sikur të dish të marrësh frymë.
Në shumë prej vargjeve, nëse lexon me kujdes ndjen të përshkruajë mesazhi: Lumturia nuk është privilegj.Në zemrën e secilit zhvillohet një dramë e brendshme, që përmblidhet me fjalën “Pse?”. Dhe po në vargje shpërthejnë mesazhet e forcës që japin përgjigje dhe të tregojnë që jeta nuk është kurrë monotone si një ditë dimri. Për të qënë të lumtur, kjo është e drejta jonë e para dhe më e rëndësishmja, aspirata më e thellë e shpirtit njerëzor. Dhe për këtë secili duhet të bindi veten për të drejtën e lumturisë. Gjithësecilit i takon të jetë i lumtur. Autorja është e pajisur me një inteligjencë që e kalon në poezi si një vlerë të vërtetë bashkëkohore ku secili njeh probleme dhe dëshira të vetes. Le të kujtojmë fjalët e të madhit Saadi, poetit të famshëm persian, me thënien e tij: “Nëse do që jeta të të buzëqesh, buzëqeshi ti i pari jetës”.
SHKRIMTARE YJET E TOKËS
Në shëtitoren e jetës
rradha na jepet veç njëherë
Sepse në atë shëtitore
presin të kalojnë dhe të tjerë
Ndryshe nga yjet e qiellit
që ndriçojnë përherë
Ne jemi yjet e tokës
që ndriçojmë veç njëherë
Çdo kush nga ne mbetet një yll
i gdhendur në shëtitoren e jetës
Me emrin e tij dhe …
datën e lindjes dhe atë të vdekjes
Ndryshe nga yjet e qiellit
që nuk fiken asnjëherë
Yjet e tokës kur fiken
në memorje vezullojnë përherë !
ZEMRA E KOMBIT
Kush nuk i dëgjoi të sajat rënkime
Për shpirtrat që mbetën nën rrënime
Rënkime dhe ulërima të llahtarshme
Për ato jetë të pafajshme?!
Për ato dashuri që mbetën lehonë
Për ato zëra që bënë jehonë
Për ato filiza që nuk u rritën kurrë
Për ato ëndrra që u varrosën nën gurë.
Rënkimet e saj u dëgjuan shumë larg
Në çdo rrugë e në çdo prag
E shkreta zemër as e gjallë e sa e vdekur
E futur nën dhe por ende e patretur.
Çdo zemër shqiptari anembanë globit
Rënkoi bashkë me zemrën e kombit
Të bashkuar rreth saj e ngushëllojmë sot këtë hallemadhe
Ngushëllimet tona për bijtë e tu, zemra jonë e madhe
Gëzime paç e kurrë dhimbje
Mos ardhtë kurrë si kjo ditëlindje
Bekuar qofsh përherë, o zemra jonë
Ne jemi me ty sot e gjithmonë.
Të dua zemra ime më e bukur në botë
Lotët janë fjalët që zemra dot s’i thotë!
LUTJA
Paske lindur për të vuajtur
Moj e mjera Shqipëri
Gjithë jetën të kanë zhvatur
Paske pas fatin e zi.
S’të lanë krye të ngresh
Hajdutët me kollare
Sot kur lotët derdh rrebesh
Fqinjët s’të lanë qyqare.
Të zgjatën dorën, e lotin t’a fshinë
Ndërsa hajdutët e tu zihen për një kockë
Fqinjët e përlotur pranë të rrinë
Ndaj ktheje dhimbjen në forcë
Sot për ty kam ndezur qiri
E zotit i lutem me gjithë shpirt
Ruaje o zot nënën time Shqipëri
Fali mëkatet e bëja jetën drit’
Se nuk është faji i saj
Që disa monstra nuk njohin zot
Dhe as fukarai nuk ka faj
Që sot të dergjet në lot.
Mos e digj dhe të njomin
Bashkë me barin e thatë
Mos i dhuro kujtdo lotin
Veç atij që e ka hakë.
Dëgjoje o zot lutjen time
Ndoshta jam dhe gabim
Por, më fal se është nëna ime
Dhe bijtë e saj, janë gjaku im!
QAN SHQIPONJA
Qan shqiponja për bijtë e saj
Ka ndal fluturimin mbi gërmadhat e tërmetit
Qan e shkreta e dergjet në vaj
Për fëmijët e humbur, në ditën e qametit.
Ehhh… ç’ti thuash sot të gjorës
Nuk ka fjalë për ngushëllim besoj
Se fëmijët janë si gishtat e dorës
Çdo gisht kur e pret të dhemb njësoj.
Kë të qajë sot më parë e shkreta
Cilën fëmijë të varrosë më parë
Loti i rrokulliset si gurë i rëndë mbi shkrepa
Kur sheh bijtë e saj të vrarë.
I lutet zotit me lot në sy
“M’i ruaj o zot bijtë e tjerë
Ata që ikën hallall të qofshin ty
Mos më lër nënë të mjerë.
Të gëzoj dhe unë fëmijët e mi
Si gjithë nënat të gëzoj nipër e mbesa
Të fluturoj e lumtur në kaltërsi
E të shoh si shtohen shqipet në breza.
Mbaj dorën të lutem, o zot
Zemërimin tënd mos e hidh mbi fëmijën tim
Se jam shqipe me halle plot
E nuk duron dot ky shpirti im”!
MOS VDIS ËNDËRRIMTAR
Shpirti i njeriut është një det pafund me dëshira
Lufto për to, që t’mos vdesësh nga mëshira
Nëse do t’i trembesh zhytjes, s’mund të bëhesh notar
Atëherë do të mbetesh vetëm një ëndërrimtar
Se deti kalohet me not, e jo me këmbë
As nuk matet me sy e me pëllëmbë
Që në botën tjetër, nga ky det mos të mbytesh
Mëso në këtë botë si të zhytesh !
AMANET DHE DASHURI
Kur më pyesin, se nga jam, i them se jam nga Albania
Rrënjët e mia atje i kam
Atje dua të prehen dhe eshtrat e mia.
Disa s’e njohin,
normal që po “Ku ndodhet ky vend?” më pyesin
Çuditen kur i them kudo
Më shohin çuditshëm dhe me mua qeshin.
Se Shqipëri ka kudo,ku ka shqiptarë
Dhe nuk ka shqiptarë, pa shqiptari
Se në të gjithë botën mbarë
Gjendet një copëz e vogël Shqipëri.
Kudo flitet gjuha jonë
Kuq e zi kudo valvitet
Ku ka shqiptarë ka jehonë
Shqipja jonë në zemra skalitet
Jam shqiptare kuq e zi
Dhe kudo është Shqipëria
Amanet dhe dashuri
Do të mbetet nga Shqiptaria!
MOS MË QANI
Ma do shpirti, ma do xhani
Që ta pi nga një gotë
Kur të vdes, mos më qani
Që ika nga kjo botë.
Se çfarë desha unë bëra
Qejfin zemrës kurrë s’ja prisha
Kësaj jete s’ja mora të tëra
Por, u kënaqa me ato që kisha.
S’u rrita me lugë të florinjtë
E nuk linda në zjarrin e parave
Por jetës ja piva gjinjtë
E s’ja kam zilinë agallarëve.
Nga gjinjtë e jetës mora ajkën
Atë që quhet dashuri
Nuk e mbusha dot bankën
Por, mbusha shpirtin me lumturi.
Nuk linda në zjarrin e parave
Linda nga skamja si shumë të tjerë
Por, s’ja kam zilinë bejlerëve e agallarëve
Kur ndjej aromën e dashurisë, në gotën me verë.
E rrufita dashurinë në këtë gotë
Kjo gotë me dashuri është vetë jeta
Tani iki pa pishman nga kjo botë
Sepse po marr me vete atë që desha
Nuk më duhet më gota bosh
Tani ajo nuk ka më vlerë
Po e flak diku në një qosh
E po largohem e dehur me verë!
Yjet rrinë në lartësi dhe në largësi
Edhe pse ndjehesh i vetmuar
Asnjëherë vetëm nuk je
Dikush për ty është duke ëndërruar
Je ëndrra e tij çdo natë kur fle.
Fle dhe zgjohesh bashkë me të
Je ylli i mbrëmjes dhe rrezja e parë e diellit
Je nisja e ditës e heshtur pa zë
Je rrahje zemre pafund, si pafundësia e qiellit.
Ka dashuri që ndizen dhe shuhen shpejt
Si flaka e qiririt në errësirë
Por, ka dhe dashuri që ndezur rrinë përjetë
Ruhen në zemra si xhevahirë.
Sa herë të ndjehesh vetëm, hidh sytë nga horizonti
Dikush është duke të ëndërruar ty në fshehtësi
Ndaj mos thuaj se të ka dënuar zoti
Se yjet rrinë në lartësi dhe në largësi!
Urtë e butë
Ah, kjo jetë si mushkë xanxare
Të hedh shqelma e të vret
Por ti mos e vrit mendjen fare
Ngarkoja drutë si i do ajo vet.
Merre jetën urtë e butë
Sepse mushka duhet zbutur
Ngarkoja siç i do vetë drutë
E kështu do të jesh i lumtur.
Sa herë jeta të të hedhë shqelma
Fërkoje e merre me të mirë
Sepse qingji i urtë pi dy nëna
E në fund vdes i ngrënë dhe i pirë .
Jeto pa borxh
Sa herë pyes miqtë e mi, si janë me shëndet
Mirë më thonë,mirë u them edhe vetë
E ç’ti bësh? Eshtë bërë zakon
Mirë u themi e mirë n’a thon
Por, askush nuk është pa halle
Se kjo botë është bela e madhe
Të gjithë i trazojmë hallet në një kazan
Halli – hallit thonë nuk i ngjan
Ndaje hallin me miqtë e tu
Edhe lumturinë gjithashtu
Se dhimbja kur ndahet pjesëtohet
Kurse lumturia me miq shumëzohet
Mangësitë një ditë plotësohen
Dhe të thyerat rregullohen
Jeta ka shumë variacione
Zgjidh atë që të jep emocione
Bëj alenacë me dashurinë
Se aty do të gjesh lumturinë
Lësho sa mundesh rreze mirësie
Dhe do të marrësh buqeta dashurie
Kështu s’do të kesh nevojë as për prift e as për hoxh
E kësaj jete s’i mbetesh “borxh”!
Shpirti i festave
Sa herë vijnë festat
Dërgohen urimet edhe ftesat
Zbukurohen ambientet brenda dhe jashtë
Kjo është traditë e lashtë
Por, jo të gjithë i festojnë
Disa vetëm i ëndërrojnë
Shih me sy e plas me zemër
Festa për to është thjesht një emër
Diku hidhen pa pushim fishekzjarre
Diku fshehurazi hapen varre
Diku mbushen tryezat plot e për plot
Diku të pashpresë të mbytur në mjerim e lot
Diku çifte të lumtur të përqafuar
Diku të dashuruar festojnë të vetmuar
Diku pleq të harruar fillikat
Diku të sëmurë që lëngojnë në shtrat
Diku hidhet valle e këndohet këngë
Diku hidhen bomba e shfarosen me rrënjë
Ky është shpirti i festave në këtë botë
Sikur të ndriçoheshin si ambientet të gjithë shpirtrat në tokë
Rreze drite të hynin ku ka pllakosur errisra
Të hynte dielli dhe të shkrinte shpirtrat e ngrira
Sikur shpirti i festave të mos ishte vezullimi i dritave
Por, të ishte pastrimi dhe vezullimi i shpirtrave
Bota sot ka nevojë për më shumë dashuri
Ndaj ndriço shpirtin dhe jo ambientin, o njeri !
Dëshirë për të jetuar
Është e pamundur të jetosh e mos të duash
Të duash në heshtje, e të mos vuash
Të duash me mish e me shpirt
Çdo natë me ëndrrën të bësh flirt
Të prekësh pa vetëdije çdo gjë si sonambul
E gjithçka që prek të duket e ftohtë si akull
Derisa kur prek atë që ndjen
E pastaj thua se të jetosh ia vlen
Në mundsh të prekësh atë që ke ëndërruar
Atëherë kupton që ke dëshirë për të jetuar!
Banor’ pa dëshirë
Të dënoftë perëndia ty, që s’i di vlerat e mia
Zemra ime s’do të jetë më banesa jote
Tradhëtisë ia mbyll derën çdo zemër e kësaj bote.
Atëherë kur të mbetesh i pastreh
Në zemrën time do të kërkosh të të fsheh
Por, ajo banesë do të jetë e mbyllur për ty
Se dikush tjetër banor do të jetë aty.
Për tradhëtinë, zemra s’ka vend për falje
Ajo derë që është për hyrje, është dhe për dalje
Banorë si ty, zemrës nuk i duhen
Don Zhuanë, që dinë të mburren.
Fjala e fundit është”Lamtumirë”
Zemra nuk mban banor pa dëshirë!
Ke lindur për mua
Atë që pështyn, s’duhet t’a lëpish
Por, kur zemra dashuron, s’do t’ja dish
S’ka krenari kjo zemra e shkretë
E hap dhe e mbyll portën, sa herë do vetë,
Sa herë e provova derën e saj t’a mbyll
M’u duk vetja si egërsirë në pyll
E shtyva pak, por s’e kyça kurrë
Kur zemra dashuron, s’i vë dot gur.
Kur zemra thotë “të dua”
Nuk mban dot inat
Ke lindur për mua
Je shpirti im binjak !
Romeo dhe zhuljeta (romancë)
Dua të jem pemë, që dora jote të më vjelë
Dua të jem gjethe, që era tek ti të më sjellë
Dua të jem diell, që ty të të ngroh
Të bëhem engjëlli yt, që ty të të shoh
Të jem valë dhe trupin tënd t’a puth si breg
Ti të jesh nektar dhe unë të jem blet’
Dua të jem fllad që ty të ledhatoj
Diamant në gushën tënde të ndriçoj
Dua të jem ëndrra jote në qepallat e tua
Të jem verë e të dehesh me mua
Dua valsin e lumturisë, ta vallëzoj me ty çdo natë
Dhe hëna bashkë me yjet, të na bëjnë serenatë
Dua një jetë me ty të jem e përqafuar
E në krahët e tua të vdes e dashuruar
E le të na kujtojnë ne, si Romeo me Zhuljetën
Se pa dashuri s’ke ç’e do jetën !
Letra e zhubrosur
I shkundi pema të fundit gjethe
Degët e saj lakuriq mbetën
Të prita poshtë pemës, por ti s’erdhe
Me lot në sy e zhubrosa letrën.
Ishte letër malli, dashurie
Kisha shkruar fjalët, që dot s’ti thoja
Ndoshta do të vije po ta dije
Apo ndoshta më kot ëndërroja.
Ndoshta s’më ke dashur, sa të doja unë
Ndoshta për ty ishte një aventurë
E megjithatë më mungon shumë
E pamundur të t’harroj, s’të harroj kurrë.
Disa përfundojnë, por pendohen
Disa kurrë nuk përfundojnë
Ka dashuri që kurrë s’harrohen
Edhe pse nuk bashkëjetojnë.
Kështu do të mbesë
Dhe dashuria ime
E njejtë si dikur
Ti je me mua gjithmonë
në zemrën time
Edhe nëse nuk takohemi kurrë.
Vjeshta e ftohtë, e ftohu shpirtin tim
Por, kurrë s’e ftohu ndjenjën për ty
Mes reve të zeza të shpirtit,
shkrep si vetëtim,
E dielli i dashurisë e çel njërin sy.
Po largohem ngadalë,
me zemrën e rrudhosur
Me shpresën se një ditë
do t’i hapë përsëri petalet e saj
Me letrën time të zhubrosur
Që si kujtim për ty do ta mbaj !
Shënim: Nuk është historia ime. Mos e keqkuptoni.
Mirëmëngjesi !
Ditë të bukur me pranverë në shpirt
edhe pse jashtë është vjeshtë!
Ujvara e mallit
Buzëplasur, plasaritur
Nga etja e mallit që kurrë s’u shua
Si peshku pa ujë duke u përpëlitur
Do të pres të më shpëtosh mua.
Në ujvarën e mallit që s’u shterua
Do të pres aty të vish
Se të kam dashur dhe të dua
Je fryma ime, këtë ta dish.
Të kam pritur dhe do të pres
Unë jam syri, ti je ëndrra
Do të pres derisa të vdes
Eja shpirt, se më plasi zemra.
Në ujvarën e mallit jam duke u mbytur
Të pres të vish, të mbytemi të dy
E fundi i botës, le të vijë duke të pritur
Se s’kam ç’e dua, k’të botë pa ty.
Do të pres të puth, siç puth hëna diellin
Do të pres çdo mëngjes
Të shkrihemi të dy e të ndriçojmë qiellin
Do të pres derisa të vdes.
Të ndriçojmë në përjetësi
Flakë le të ndizet qielli
Të dy bashkë një tjetër yllësi
Unë hëna dhe ti dielli !
E bukura dhe bisha
Një ditë e bukura e përshëndeti bishën
Bisha u çudit dhe u gëzua
E pa ëmbël me sytë e tij të frikshëm
Dhe i tha:”askush veç teje, s’më ka përshëndetur mua.
Sepse unë jam krijesë e shëmtuar
Të gjithë që më njohin, më thërrasin bishë e egër
Askush me mua nuk është dashuruar
Por, ti qenke ndryshe, qenke tjetër”.
“Askush s’është i shëmtuar- ia priti e bukura
Çdo kush është i bukur në mënyrën e vet
Jetoji ditët e tua të lumtura
Se ti je i bukur dhe kjo është e vërtet”.
Sa shumë u gëzua bisha kur e dëgjoi
E përqafoi të bukurën dhe ëmbël e pa
Dy pika lot nga sytë e tij lëshoi
“M’i dhe jetë, jetës sime”- i tha.
Buzëqeshi e bukura dhe u largua
E lumtur që zbuti zemrën e bishës, të ngurtë si gurë
Bisha me të bukurën u dashurua
Që nga ajo ditë s’e harroi më kurrë!
Të kam shpirt
Të kam shpirt, të kam xhan
Për ty u bëfsha kurban
Sikur ta dish, sa të dua unë.
Flet vetë emri nënë,
ç’të të them më shumë.
Edhe kur të vdes,
për ty do bëhem flutur
Mbi faqen tënde do ulem,
të jap një të puthur
Pastaj përballë teje,
do rri e të vështroj
Të çmallem me ty,
e pastaj të shkoj.
Për ty jetoj, për ty dhe vdes
Jeta ime tek ti, peng le të mbes’
Sikur ta dish, sa të dua unë
Të kam shpirt,
ç’të të them më shumë!
Maska
Në shkollën e jetës, dhashë shumë provime
Të gjitha i kalova,me ca gabime
Veç një provim, dot s’e kalova
Maskimin dot, kurrë s’e mësova.
Ishte provimi më i vështirë
Duhet të jesh, aktor i mirë
Të kesh maskë, s’është e lehtë
Kur s’di t’a mbash, të bie shpejt.
U munduan, t’më fusin në grackë
Që të vija dhe unë maskë
Duhej maskën, t’a bëja shpirt
Thashë : “s’e bëj dot, më mirë më vrit”!
Marka
Si çdo ditë e njejta rutinë
Do vras mendjen se çfarë të vesh
Kërkoj rrobat në komodinë
Që të dukem bukur dhe thjesht
Komplimente marr pa masë
Dikush më pyet se kush është rrobaqepësi
Dikush betohet për kokë të mamasë
Se unë jam femra më e bukur dhe seksi
Dikush më thotë se jam vajzë trendi
Dikush tjetër më propozon
Dikush më sheh dhe ngrihet nga vendi
Më zgjat dorën dhe lule më dhuron.
Dikush më pyet se çfarë markash vesh
I them që vesh vetëm një markë
“Bukuria shpirtërore”, që askund s’do t’a gjesh
E kam dizanjuar vetë, pa asnjë qindarkë.
Rrobat dhe stilin çdo ditë i ndërroj
Sipas kohës dhe sipas vendit
Por, markën e shpirtit kurrë s’e ndryshoj
Është marka më e shtrenjtë e trendit!
Kush jam unë
Eh, si erdhi kështu kjo kohë
As veten time më s’po e njoh
Më duket vetja person i dyzuar
Brenda meje dy persona
me një shpirt të trazuar.
Nuk e di kë të zgjedh
Njëri është engjëll që paqe kërkon
dhe tjetri djalli që në luftë më hedh.
Engjëlli më thotë: “duro se ka zot
Do të shpërblehesh për çdo lot”.
Djalli më thotë: “Mos duro,
se edhe durimi ka një kufi
Se dhe unë dikur isha engjëll
ashtu si ti
Gjaku i nxehtë që më vlon ndër deje
Më nxit të vras engjëllin që fle brenda meje”.