Shënim për   libri i ri të poeteshës Buqa Softa titulluar “Ujvara e mallit”. NGA JETA SINA

 

 

 

 

“Në shumë prej vargjeve, nëse lexon me kujdes ndjen të përshkruajë mesazhi: Lumturia nuk është privilegj.Në zemrën e secilit zhvillohet një dramë e brendshme, që përmblidhet me fjalën “Pse?”

 

 

 

Tek  libri i ri i autores Buqa Softa titulluar “Ujvara e mallit” janë një tufë me poezi shkruar me frymëzim ku tek secila prej tyre njeh njëherësh art dhe ide, mesazh dhe vizion, të  bukurën dhe të shëmtuarën në jetë. Njeh atë që mbrin tek ty çdo ditë apo orë, të zhyt në një ujvarë malli ku shikon veten si në pasqyrë dhe qëndron çastit mes tyre gjithë ëndërrime. Dhe kur del nga ky ëndërrim, pëshpërit: “Sa bukur!”. Kjo ndodhi dhe me mua ndërsa lexoja këto poezi që trokasin fort dhe asnjë prej tyre nuk të lë në plogështi. Të zgjon dhe të tregon se secili nga ne duhet të dijë të zotërojë forcën e madhe morale që quhet vullnet. Është aty një hap që na tregon rrugën kur duam të bëjmë diçka dhe mjafton të zgjosh e t’i japësh gjallëri forcës tënde të brendëshme shpirtërore dhe jo vetëm. Fillon ky vëllim me poezinë “Yjet e tokës”. Janë njerëzit që i japin tokës shkëlqim dhe jeta e tyre jepet vetëm një herë.Sa me forcë metaforike nis. “Në shëtitoren e tokës/rradha na jepet veç njëherë… Shkurt, qartë, domethënës del mesazhi qysh në vargun e parë. Varg pas vargu kjo forcë metaforike forcohet duke përdorur dhe paralelizmat dhe idetë për mënyrën e të jetuarit në përgjigje të pyetjeve pse dhe si duhet të jetojmë. E dhimbshme, ideore, patriotike dhe plot qëndisje arti është poezia “Lutja”. I drejtohet Shqipërisë si nënës më të madhe të shqiptarizmit. “Paske lindur për të vuajtur/moj e mjera Shqipëri/ Gjithë jetën të kanë zhvatur/ paske patur fatin e zi. Dhe në vargjet e mëposhtme të kësaj poezia tregon se nuk janë shqiptarët e vërtetë që dëmtojnë vendin tonë, por ajo “elita me kollaro” që mendon me egon më të keqe si të përvetësojë gjithçka… Forca metaforike e kësaj poezie duket të trokas reale në ditët tonë.

Ndjenjë njerëzore, vëllazërore, prindërore gjejmë tek  poezia “Qan shqiponja”. Frymëzim i përlotuar nëpërmjet vargjeve aq të spikatura që mbrijnë tek ne me tmerrin e tërmetit të 26 nëntorit. Lexo dhe do shikosh si para një sekuence filmike por shumë jetësore dhimbjen që ende është mes nesh dhe që autorja e ngre para sysh me forcën e ndjenjës së saj atdhetare dhe njerëzore. Mjaft intrigues por me mesazhe të qarta dhe ide të fiksuara në artin e thurrur me stilin e saj janë poezitë: “Mos vdis ëndërrimtar”, “Amanet dhe dashuri”, “Dëshirë për të jetuar”, “Banor pa dëshirë”, “Letra e zhubrosur”, “Ujvara e mallit”, “Kush jam unë?”. Në disa prej tyre duket se përcillet mesazhi se “Njeriu dashuron se dashuria është thelbi i shpirtit të tij, sepse nuk mund të mos dashurojë.” Dhe ashtu siç e ka thënë FLOBER “Zemra është një pasuri që nuk shitet e as blihet, por vetëm dhurohet”. Nga një kënd tjetër vështrimi duken poezitë “Maska” dhe “Marka”. Në poezinë “Maska” identifikohet dyfytyrësia tek njerëzit që jetojnë duke vënë maskë në fytyrë dhe poezia tjetër “Marka”, përcjell mesazhin që para  bukurisë së shpirtit asgjë nuk ka vlerë. Poezi pas poezi ndjej se si autorja, tashmë me katër vëllime poetike tregon se si të imponohesh nuk është vetëm një e drejtë por dhe një detyrë sepse duke u imponuar arrihet më shpejt në qëllimet që i ke vënë vetes.Kjo është një arsye që Buqa Softa si poete me stilin e veçantë dhe të vërtetë të njohur në vargje, e paraqit  jetën në mënyrë shumë bindëse siç është duke theksuar mesazhin: “Beso në vetvete duke qënë tipi ideal në të gjitha aspektet!”. Të dish të flasësh nëpërmjet vargjeve për të drejtat është njësoj sikur të dish të marrësh frymë.

Në shumë prej vargjeve, nëse lexon me kujdes ndjen të përshkruajë mesazhi: Lumturia nuk është privilegj.Në zemrën e secilit zhvillohet një dramë e brendshme, që përmblidhet me fjalën “Pse?”. Dhe po në vargje shpërthejnë mesazhet e forcës që japin përgjigje dhe të tregojnë që jeta nuk është kurrë monotone si një ditë dimri. Për të qënë të lumtur, kjo është e drejta jonë e para dhe më e rëndësishmja, aspirata më e thellë e shpirtit njerëzor.  Dhe për këtë secili duhet të bindi veten për të drejtën e lumturisë. Gjithësecilit i takon të jetë i lumtur. Autorja është e pajisur me një inteligjencë që e kalon në  poezi si një vlerë të vërtetë bashkëkohore ku secili njeh probleme dhe dëshira të vetes. Le të kujtojmë fjalët e të madhit Saadi, poetit të famshëm persian, me thënien e tij: “Nëse do që jeta të të buzëqesh, buzëqeshi ti i pari jetës”.

 

 

SHKRIMTARE  YJET E TOKËS

 

Në shëtitoren e jetës

rradha na jepet veç njëherë

Sepse në atë shëtitore

presin të kalojnë dhe të tjerë

 

Ndryshe nga yjet e qiellit

që ndriçojnë përherë

Ne jemi yjet e tokës

që ndriçojmë veç njëherë

 

Çdo kush nga ne mbetet një yll

i gdhendur në shëtitoren e jetës

Me emrin e tij dhe …

datën e lindjes dhe atë të vdekjes

 

Ndryshe nga yjet e qiellit

që nuk fiken asnjëherë

Yjet e tokës kur fiken

në memorje vezullojnë përherë !

 

 

 

 

ZEMRA E KOMBIT

 

Kush nuk i dëgjoi të sajat rënkime

Për shpirtrat që mbetën nën rrënime

Rënkime dhe ulërima të llahtarshme

Për ato jetë të pafajshme?!

 

Për ato dashuri që mbetën lehonë

Për ato zëra që bënë jehonë

Për ato filiza që nuk u rritën kurrë

Për ato ëndrra që u varrosën nën gurë.

 

Rënkimet e saj u dëgjuan shumë larg

Në çdo rrugë e në çdo prag

E shkreta zemër as e gjallë e sa e vdekur

E futur nën dhe por ende e patretur.

 

Çdo zemër shqiptari anembanë globit

Rënkoi bashkë me zemrën e kombit

Të bashkuar rreth saj e ngushëllojmë sot këtë hallemadhe

Ngushëllimet tona për bijtë e tu, zemra jonë e madhe

 

Gëzime paç e kurrë dhimbje

Mos ardhtë kurrë si kjo ditëlindje

Bekuar qofsh përherë, o zemra jonë

Ne jemi me ty sot e gjithmonë.

 

Të dua zemra ime më e bukur në botë

Lotët janë fjalët që zemra dot s’i thotë!

 

 

 

 

 

 

LUTJA

 

Paske lindur për të vuajtur

Moj e mjera Shqipëri

Gjithë jetën të kanë zhvatur

Paske pas fatin e zi.

 

S’të lanë krye të ngresh

Hajdutët me kollare

Sot kur lotët derdh rrebesh

Fqinjët s’të lanë qyqare.

 

Të zgjatën dorën, e lotin t’a fshinë

Ndërsa hajdutët e tu zihen për një kockë

Fqinjët e përlotur pranë të rrinë

Ndaj ktheje dhimbjen në forcë

 

Sot për ty kam ndezur qiri

E zotit i lutem me gjithë shpirt

Ruaje o zot nënën time Shqipëri

Fali mëkatet e bëja jetën drit’

 

Se nuk është faji i saj

Që disa monstra nuk njohin zot

Dhe as fukarai nuk ka faj

Që sot të dergjet në lot.

 

Mos e digj dhe të njomin

Bashkë me barin e thatë

Mos i dhuro kujtdo lotin

Veç atij që e ka hakë.

 

Dëgjoje o zot lutjen time

Ndoshta jam dhe gabim

Por, më fal se është nëna ime

Dhe bijtë e saj, janë gjaku im!

 

 

 

QAN SHQIPONJA

 

Qan shqiponja për bijtë e saj

Ka ndal fluturimin mbi gërmadhat e tërmetit

Qan e shkreta e dergjet në vaj

Për fëmijët e humbur, në ditën e qametit.

 

Ehhh… ç’ti thuash sot të gjorës

Nuk ka fjalë për ngushëllim besoj

Se fëmijët janë si gishtat e dorës

Çdo gisht kur e pret të dhemb njësoj.

 

Kë të qajë sot më parë e shkreta

Cilën fëmijë të varrosë më parë

Loti i rrokulliset si gurë i rëndë mbi shkrepa

Kur sheh bijtë e saj të vrarë.

 

I lutet zotit me lot në sy

“M’i ruaj o zot bijtë e tjerë

Ata që ikën hallall të qofshin ty

Mos më lër nënë të mjerë.

 

Të gëzoj dhe unë fëmijët e mi

Si gjithë nënat të gëzoj nipër e mbesa

Të fluturoj e lumtur në kaltërsi

E të shoh si shtohen shqipet në breza.

 

Mbaj dorën të lutem, o zot

Zemërimin tënd mos e hidh mbi fëmijën tim

Se jam shqipe me halle plot

E nuk duron dot ky shpirti im”!

 

 

 

 

MOS VDIS ËNDËRRIMTAR

 

Shpirti i njeriut është një det pafund me dëshira

Lufto për to, që t’mos vdesësh nga mëshira

Nëse do t’i trembesh zhytjes, s’mund të bëhesh notar

Atëherë do të mbetesh vetëm një ëndërrimtar

 

Se deti kalohet me not, e jo me këmbë

As nuk matet me sy e me pëllëmbë

Që në botën tjetër, nga ky det mos të mbytesh

Mëso në këtë botë si të zhytesh !

 

 

 

 

 

 

 

 

 

AMANET DHE DASHURI

 

Kur më pyesin, se nga jam, i them se jam nga Albania

Rrënjët e mia atje i kam

Atje dua të prehen dhe eshtrat e mia.

Disa s’e njohin,

normal që po “Ku ndodhet ky vend?” më pyesin

Çuditen kur i them kudo

Më shohin çuditshëm dhe me mua qeshin.

 

Se Shqipëri ka kudo,ku ka shqiptarë

Dhe nuk ka shqiptarë, pa shqiptari

Se në të gjithë botën mbarë

Gjendet një copëz e vogël Shqipëri.

 

Kudo flitet gjuha jonë

Kuq e zi kudo valvitet

Ku ka shqiptarë ka jehonë

Shqipja jonë në zemra skalitet

 

Jam shqiptare kuq e zi

Dhe kudo është Shqipëria

Amanet dhe dashuri

Do të mbetet nga Shqiptaria!

 

 

 

 

 

MOS MË QANI

 

Ma do shpirti, ma do xhani

Që ta pi nga një gotë

Kur të vdes, mos më qani

Që ika nga kjo botë.

 

Se çfarë desha unë bëra

Qejfin zemrës kurrë s’ja prisha

Kësaj jete s’ja mora të tëra

Por, u kënaqa me ato që kisha.

 

S’u rrita me lugë të florinjtë

E nuk linda në zjarrin e parave

Por jetës ja piva gjinjtë

E s’ja kam zilinë agallarëve.

 

Nga gjinjtë e jetës mora ajkën

Atë që quhet dashuri

Nuk e mbusha dot bankën

Por, mbusha shpirtin me lumturi.

 

Nuk linda në zjarrin e parave

Linda nga skamja si shumë të tjerë

Por, s’ja kam zilinë bejlerëve e agallarëve

Kur ndjej aromën e dashurisë, në gotën me verë.

 

E rrufita dashurinë në këtë gotë

Kjo gotë me dashuri është vetë jeta

Tani iki pa pishman nga kjo botë

Sepse po marr me vete atë që desha

 

Nuk më duhet më gota bosh

Tani ajo nuk ka më vlerë

Po e flak diku në një qosh

E po largohem e dehur me verë!

 

Yjet rrinë në lartësi dhe në largësi

 

Edhe pse ndjehesh i vetmuar

Asnjëherë vetëm nuk je

Dikush për ty është duke ëndërruar

Je ëndrra e tij çdo natë kur fle.

 

Fle dhe zgjohesh bashkë me të

Je ylli i mbrëmjes dhe rrezja e parë e diellit

Je nisja e ditës e heshtur pa zë

Je rrahje zemre pafund, si pafundësia e qiellit.

 

Ka dashuri që ndizen dhe shuhen shpejt

Si flaka e qiririt në errësirë

Por, ka dhe dashuri që ndezur rrinë përjetë

Ruhen në zemra si xhevahirë.

 

Sa herë të ndjehesh vetëm, hidh sytë nga horizonti

Dikush është duke të ëndërruar ty në fshehtësi

Ndaj mos thuaj se të ka dënuar zoti

Se yjet rrinë në lartësi dhe në largësi!

 

 

Urtë e butë

 

Ah, kjo jetë si mushkë xanxare

Të hedh shqelma e të vret

Por ti mos e vrit mendjen fare

Ngarkoja drutë si i do ajo vet.

 

Merre jetën urtë e butë

Sepse mushka duhet zbutur

Ngarkoja siç i do vetë drutë

E kështu do të jesh i lumtur.

 

Sa herë jeta të të hedhë shqelma

Fërkoje e merre me të mirë

Sepse qingji i urtë pi dy nëna

E në fund vdes i ngrënë dhe i pirë .

 

 

 

Jeto pa borxh

 

Sa herë pyes miqtë e mi, si janë me shëndet

Mirë më thonë,mirë u them edhe vetë

E ç’ti bësh? Eshtë bërë zakon

Mirë u themi e mirë n’a thon

 

Por, askush nuk është pa halle

Se kjo botë është bela e madhe

Të gjithë i trazojmë hallet në një kazan

Halli – hallit thonë nuk i ngjan

 

Ndaje hallin me miqtë e tu

Edhe lumturinë gjithashtu

Se dhimbja kur ndahet pjesëtohet

Kurse lumturia me miq shumëzohet

 

Mangësitë një ditë plotësohen

Dhe të thyerat rregullohen

Jeta ka shumë variacione

Zgjidh atë që të jep emocione

 

Bëj alenacë me dashurinë

Se aty do të gjesh lumturinë

Lësho sa mundesh rreze mirësie

Dhe do të marrësh buqeta dashurie

 

Kështu s’do të kesh nevojë as për prift e as për hoxh

E kësaj jete s’i mbetesh “borxh”!

 

Shpirti i festave

 

Sa herë vijnë festat

Dërgohen urimet edhe ftesat

Zbukurohen ambientet brenda dhe jashtë

Kjo është traditë e lashtë

 

Por, jo të gjithë i festojnë

Disa vetëm i ëndërrojnë

Shih me sy e plas me zemër

Festa për to është thjesht një emër

 

Diku hidhen pa pushim fishekzjarre

Diku fshehurazi hapen varre

Diku mbushen tryezat plot e për plot

Diku të pashpresë të mbytur në mjerim e lot

 

Diku çifte të lumtur të përqafuar

Diku të dashuruar festojnë të vetmuar

Diku pleq të harruar fillikat

Diku të sëmurë që lëngojnë në shtrat

 

Diku hidhet valle e këndohet këngë

Diku hidhen bomba e shfarosen me rrënjë

Ky është shpirti i festave në këtë botë

Sikur të ndriçoheshin si ambientet të gjithë shpirtrat në tokë

 

Rreze drite të hynin ku ka pllakosur errisra

Të hynte dielli dhe të shkrinte shpirtrat e ngrira

Sikur shpirti i festave të mos ishte vezullimi i dritave

Por, të ishte pastrimi dhe vezullimi i shpirtrave

 

Bota sot ka nevojë për më shumë dashuri

Ndaj ndriço shpirtin dhe jo ambientin, o njeri !

Dëshirë për të jetuar

 

Është e pamundur të jetosh e mos të duash

Të duash në heshtje, e të mos vuash

Të duash me mish e me shpirt

Çdo natë me ëndrrën të bësh flirt

 

Të prekësh pa vetëdije çdo gjë si sonambul

E gjithçka që prek të duket e ftohtë si akull

Derisa kur prek atë që ndjen

E pastaj thua se të jetosh ia vlen

Në mundsh të prekësh atë që ke ëndërruar

Atëherë kupton që ke dëshirë për të jetuar!

 

 

 

 

Banor’  pa dëshirë

 

Të dënoftë perëndia ty, që s’i di vlerat e mia

Zemra ime s’do të jetë më banesa jote

Tradhëtisë ia mbyll derën çdo zemër e kësaj bote.

Atëherë kur të mbetesh i pastreh

Në zemrën time do të kërkosh të të fsheh

Por, ajo banesë do të jetë e mbyllur për ty

Se dikush tjetër banor do të jetë aty.

Për tradhëtinë, zemra s’ka vend për falje

Ajo derë që është për hyrje, është dhe për dalje

Banorë si ty, zemrës nuk i duhen

Don Zhuanë, që dinë të mburren.

Fjala e fundit është”Lamtumirë”

Zemra nuk mban banor pa dëshirë!

 

 

 

Ke lindur për mua

 

Atë që pështyn, s’duhet t’a lëpish

Por, kur zemra dashuron, s’do t’ja dish

S’ka krenari kjo zemra e shkretë

E hap dhe e mbyll portën, sa herë do vetë,

 

Sa herë e provova derën e saj t’a mbyll

M’u duk vetja si egërsirë në pyll

E shtyva pak, por s’e kyça kurrë

Kur zemra dashuron, s’i vë dot gur.

 

Kur zemra thotë “të dua”

Nuk mban dot inat

Ke lindur për mua

Je shpirti im binjak !

 

 

 

Romeo dhe zhuljeta (romancë)

 

Dua të jem pemë, që dora jote të më vjelë

Dua të jem gjethe, që era tek ti të më sjellë

Dua të jem diell, që ty të të ngroh

Të bëhem engjëlli yt, që ty të të shoh

 

Të jem valë dhe trupin tënd t’a puth si breg

Ti të jesh nektar dhe unë të jem blet’

Dua të jem fllad që ty të ledhatoj

Diamant në gushën tënde të ndriçoj

 

Dua të jem ëndrra jote në qepallat e tua

Të jem verë e të dehesh me mua

Dua valsin e lumturisë, ta vallëzoj me ty çdo natë

Dhe hëna bashkë me yjet, të na bëjnë serenatë

 

Dua një jetë me ty të jem e përqafuar

E në krahët e tua të vdes e dashuruar

E le të na kujtojnë ne, si Romeo me Zhuljetën

Se pa dashuri s’ke ç’e do jetën !

 

 

 

Letra e zhubrosur

 

I shkundi pema të fundit gjethe

Degët e saj lakuriq mbetën

Të prita poshtë pemës, por ti s’erdhe

Me lot në sy e zhubrosa letrën.

 

Ishte letër malli, dashurie

Kisha shkruar fjalët, që dot s’ti thoja

Ndoshta do të vije po ta dije

Apo ndoshta më kot ëndërroja.

 

Ndoshta s’më ke dashur, sa të doja unë

Ndoshta për ty ishte një aventurë

E megjithatë më mungon shumë

E pamundur të t’harroj, s’të harroj kurrë.

 

Disa përfundojnë, por pendohen

Disa kurrë nuk përfundojnë

Ka dashuri që kurrë s’harrohen

Edhe pse nuk bashkëjetojnë.

 

 

Kështu do të mbesë

 

Dhe dashuria ime

E njejtë si dikur

Ti je me mua gjithmonë

në zemrën time

Edhe nëse nuk takohemi kurrë.

 

Vjeshta e ftohtë, e ftohu shpirtin tim

Por, kurrë s’e ftohu ndjenjën për ty

Mes reve të zeza të shpirtit,

shkrep si vetëtim,

E dielli i dashurisë e çel njërin sy.

 

Po largohem ngadalë,

me zemrën e rrudhosur

Me shpresën se një ditë

do t’i hapë përsëri petalet e saj

Me letrën time të zhubrosur

Që si kujtim për ty do ta mbaj !

 

 

Shënim: Nuk është historia ime. Mos e keqkuptoni.

Mirëmëngjesi !

Ditë të bukur me pranverë në shpirt

edhe pse jashtë është vjeshtë!

 

Ujvara e mallit

 

Buzëplasur, plasaritur

Nga etja e mallit që kurrë s’u shua

Si peshku pa ujë duke u përpëlitur

Do të pres të më shpëtosh mua.

 

Në ujvarën e mallit që s’u shterua

Do të pres aty të vish

Se të kam dashur dhe të dua

Je fryma ime, këtë ta dish.

 

Të kam pritur dhe do të pres

Unë jam syri, ti je ëndrra

Do të pres derisa të vdes

Eja shpirt, se më plasi zemra.

 

Në ujvarën e mallit jam duke u mbytur

Të pres të vish, të mbytemi të dy

E fundi i botës, le të vijë duke të pritur

Se s’kam ç’e dua, k’të botë pa ty.

 

Do të pres të puth, siç puth hëna diellin

Do të pres çdo mëngjes

Të shkrihemi të dy e të ndriçojmë qiellin

Do të pres derisa të vdes.

 

Të ndriçojmë në përjetësi

Flakë le të ndizet qielli

Të dy bashkë një tjetër yllësi

Unë hëna dhe ti dielli !

 

 

 

 

E bukura dhe bisha

 

Një ditë e bukura e përshëndeti bishën

Bisha u çudit dhe u gëzua

E pa ëmbël me sytë e tij të frikshëm

Dhe i tha:”askush veç teje, s’më ka përshëndetur mua.

 

Sepse unë jam krijesë e shëmtuar

Të gjithë që më njohin, më thërrasin bishë e egër

Askush me mua nuk është dashuruar

Por, ti qenke ndryshe, qenke tjetër”.

 

“Askush s’është i shëmtuar- ia priti e bukura

Çdo kush është i bukur në mënyrën e vet

Jetoji ditët e tua të lumtura

Se ti je i bukur dhe kjo është e vërtet”.

 

Sa shumë u gëzua bisha kur e dëgjoi

E përqafoi të bukurën dhe ëmbël e pa

Dy pika lot nga sytë e tij lëshoi

“M’i dhe jetë, jetës sime”- i tha.

 

Buzëqeshi e bukura dhe u largua

E lumtur që zbuti zemrën e bishës, të ngurtë si gurë

Bisha me të bukurën u dashurua

Që nga ajo ditë s’e harroi më kurrë!

 

 

Të kam shpirt

 

Të kam shpirt, të kam xhan

Për ty u bëfsha kurban

Sikur ta dish, sa të dua unë.

Flet vetë emri nënë,

ç’të të them më shumë.

 

Edhe kur të vdes,

për ty do bëhem flutur

Mbi faqen tënde do ulem,

të jap një të puthur

Pastaj përballë teje,

do rri e të vështroj

Të çmallem me ty,

e pastaj të shkoj.

 

Për ty jetoj, për ty dhe vdes

Jeta ime tek ti, peng le të mbes’

Sikur ta dish, sa të dua unë

Të kam shpirt,

ç’të të them më shumë!

 

 

 

Maska

 

Në shkollën e jetës, dhashë shumë provime

Të gjitha i kalova,me ca gabime

Veç një provim, dot s’e kalova

Maskimin dot, kurrë s’e mësova.

 

Ishte provimi më i vështirë

Duhet të jesh, aktor i mirë

Të kesh maskë, s’është e lehtë

Kur s’di t’a mbash, të bie shpejt.

 

U munduan, t’më fusin në grackë

Që të vija dhe unë maskë

Duhej maskën, t’a bëja shpirt

Thashë : “s’e bëj dot, më mirë më vrit”!

 

 

 

 

Marka

 

Si çdo ditë e njejta rutinë

Do vras mendjen se çfarë të vesh

Kërkoj rrobat në komodinë

Që të dukem bukur dhe thjesht

 

Komplimente marr pa masë

Dikush më pyet se kush është rrobaqepësi

Dikush betohet për kokë të mamasë

Se unë jam femra më e bukur dhe seksi

 

Dikush më thotë se jam vajzë trendi

Dikush tjetër më propozon

Dikush më sheh dhe ngrihet nga vendi

Më zgjat dorën dhe lule më dhuron.

 

Dikush më pyet se çfarë markash vesh

I them që vesh vetëm një markë

“Bukuria shpirtërore”, që askund s’do t’a gjesh

E kam dizanjuar vetë, pa asnjë qindarkë.

 

Rrobat dhe stilin çdo ditë i ndërroj

Sipas kohës dhe sipas vendit

Por, markën e shpirtit kurrë s’e ndryshoj

Është marka më e shtrenjtë e trendit!

 

 

Kush jam unë

 

Eh, si erdhi kështu kjo kohë

As veten time më s’po e njoh

Më duket vetja person i dyzuar

Brenda meje dy persona

me një shpirt të trazuar.

Nuk e di kë të zgjedh

Njëri është engjëll që paqe kërkon

dhe tjetri djalli që në luftë më hedh.

Engjëlli më thotë: “duro se ka zot

Do të shpërblehesh për çdo lot”.

Djalli më thotë: “Mos duro,

se edhe durimi ka një kufi

Se dhe unë dikur isha engjëll

ashtu si ti

Gjaku i nxehtë që më vlon ndër deje

Më nxit të vras engjëllin që fle brenda meje”.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here