ARJOLA KONDAKÇIU ka lindur më 11.10.1979 në Fier, por vazhdimësinë e jetesës dhe punën krijuese e ka aty ku banon, në Durrës.E diplomuar në Universitetin e Tiranës për degën gjuhë-letërsi, është përfshirë prej 20-të vitesh në fushën e të shkruarit. E njohur si gazetare, kritike letrare dhe redaktore letraro-gjuhësore e 35 librave i është prezantuar lexuesit edhe si autore.Libra të botuar: “Fate njerëzore” skica letrare, 2006, “Klithmat e Shpirtit” poezi, 2008 “Ndjesia e Aromave” përjetime letrare (recensione, kritika, këndvështrime), 2022, “Fluturzim” poezi dhe proza të shkurtra, 2024
PËRQAFIM JETËSOR
(Kushtuar femrave, që burimin e forcës e marrin nga fëmijët)
Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin
ai e ndjeu që ishte i brishtë,
dhe me frikën fëminore e përqafoi.
Si zogth u struk thellë në krahët e saj,
dhe… plot siguri e pa në sy.
Në ata sy burues frymëzimi pinte ëndrrat,
se ajo për tingullin e lotit dinte gjithçka;
dhe për ngrohjen grimcuese të zemrës
mund të bënte çdo gjë!
Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin
ai nuk e dinte që ajo, heroina e tij,
edhe pse e rritur
kishte humbur rrugën brenda vetes,
dhe ishte aq “e frikësuar”
sa e përqafonte më fort…
E duke fshehur dridhjen e zërit
nën zhurmën e tmerrshme të rrufeve,
i thoshte: “Mos ki frikë! Do të të mbroj unë!”
Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin
ata shpërthyen dhe frikërat
mes shkëndijash pjekurie.
Hijet lanë gjurmë ngjyrash
në mbështjelljen e zemrave.
Lotët përqafues dritësuan litarë shprese,
si forcë jetësore unike “prind/ fëmije”
ANKTHËZIM PRITJEJE
Mos m’a moho një buzëqeshje të kaltër
fshehur në dobësinë tënde prej mashkulli;
në uljen e drojtur të syve përmalluar,
ku një pjesë e hedh tej buzëve që digjen nga mbyllja
e tjetrën çon sërish të zbardhur
në shpirtin e veshur me muret e seriozitetit.
Ty, të buzëqesh zemra: e ndiej
Të qeshin edhe sytë: e shoh
Por jo buza dridhshëm…E kuptoj!
Po edhe unë jam lodhur duke qëndruar vigjilente
për të rrëmbyer “vjedhurazi”
mozaikë buzëqeshjeje nga cepi i buzës tënde.
Ah! E dua një buzëqeshje të artë!
Një nga ato me gjithë shpirt.
Ji bujar! Dhuroma,
që të më ngrohet zemra e rrudhur nga pritja.
E di? Edhe ti bëhesh më i ëmbël kur qesh…
Ndaj, më shih në sy, e mos m’a kurse’
një Buzëqeshje të VËRTETË !
STACIONI I MENDJES
Vëre stacionin e mendjes te kënga,
edhe kur shpirti të qan.
Melodia ti grimon nyjet e zemrës,
dhe me ëmbëlsi të ledhaton ngadalë.
Pastaj më kërko në ëndrrat e pafjetura
aty ku dashuria është si zjarr.
Dhe me tingullin e ndjenjës unike
m’a puth zemrën plot mall.
Nëse s’më gjen dhe pyet veten:
“A do mundesh dot pa mua”?
Vëre stacionin e mendjes te kënga,
se jam unë melodia në buzët e tua.
PROZA
ARJOLA KONDAKÇIU
FLUTURZIMI
(Shkëputur nga libri me të njëjtin titull)
Të errta e të mëdha, ato hynin tinëzisht e vallëzonin përreth saj, atij shpirti të pastër që ndriçonte përbrenda më shumë se drita verbuese e llampës. Ajo u frikësua! Për herë të parë nuk i deshi fluturat. Të errëta e në errësirën e natës ato sfidonin dritën përreth saj, dhe çuditërisht ai vallëzim i pështjelluar i sillte më shumë trishtim.
Filloi t’i sulmonte me ç’të mundte, madje edhe duke u bërrtitur që të iknin. Por ato strukeshin mjeshtërisht në ngjyrat e përafërta të orendive nëpër shtëpi e bëheshin njësh me to. Ajo mendonte se i largonte pasi s’donte ti vriste, dhe mbyllte sytë e qetë. Por një ngacmim hijeje sipër qepallave e detyronte ta vërtiste shikimin e saj të mprehtë edhe me sytë e mbyllur. Ishin prapë ato: fluturat e errta të kthyera në “tinëzare”, saqë asaj iu duk si një lojë e rrezikshme kjo. U përpoq ta largonte frikën duke fikur dritën, por përplasja e lehtë dhe acaruese e krahëve të tyre në atë vetmi vrastare e frikësoi edhe më shumë.
O Zot! Si mund ti urrente ato krijesa, kur vetë asaj i kishin thënë që ishte e bukur si flutur, e shkathët si flutur krahëshkruar, e lehtë si flutur lozonjare, me ëndrra që i vërtiteshin si flutura nëpër kokë, adhuruese e tyre si muzë në penelata, e madje kishte ndjerë dhe fluturat e dashurisë në stomak…
E vërtetë! Por këto ishin ndryshe. S’kishin as ngjyra të ëmbla që t’i ngrohej zemra, por ama as në simbolika oguresh s’donte të besonte. Ngaqë i rrinin pa leje nëpër supe, flokë e rrobe, aq sa dukej sikur ishin ato që kërkonin mbrojtje e ngrohje nga drita e shpirtit të saj, atëherë ky perceptim ia zbuti disi atë rebelim shpirti, sepse urrejtja nuk kishte vend në atë shpirt paqësor.
Ato flinin gjatë ditës, ndërsa në darkë kryenin vallëzimin e çuditshëm përreth çdo gjëje, si një ritual “pushtues”. Me kalimin e ditëve filluan edhe të shtoheshin me fluturza të vogla duke e thyer heshtjen e asaj shtëpie me muzikën origjinale të kërcitjeve të krahëve ndërsa fluturonin, dhe t’i jepnin njëfarë ekuilibri ambjentit duke e thyer tonalitetin e fortë të dritës me reflektimin ylberik në zbehtësinë e ngjyrës së tyre.
Atëherë ajo e ndjeu veten të privilegjuar, si një e pagojë që shijonte një super spektakël vetëm për të. Pa me një vizualitet ndryshe përreth asaj shtëpize të vogël e të vjetër, e cila dukej edhe si përrallore me bibliotekën e pasur dhe larmishmërinë e pikturave. Por kuptoi edhe se sa bosh ndihej përprenda; pa një dritësim shprese; pa një shigjetim ndjenje; pa një buzëqeshje zemre. Dhe e hodhi vështrimin sërish tek ato: fluturat misterioze, mysafiret e paftuara, që çuditërisht ndoshta ishin të vetmet që e kuptonin brengën e dëshirës për “fluturzimin” e saj të brendshëm. Ah, ç’lehtësim!
U përpoq që të përmirësonte prirjen mendore duke zgjeruar botëkuptimin, për të saktësuar edhe misionin e tyre ndikues ndaj gjendjes ku ndodhej. Kështu, duke hequr gradualisht velin turbullues, filloi ti shikojë përtej ngjyrës së errët, dhe nëpërmjet lëvizjeve kuptoi gjuhën e tyre unike, por edhe qartësoi faktin që me gjallërinë e dhuruar ato e donin jetën, e s’do ti bënin kurrë keq. Ngadalë iu zhduk edhe frika absurde që e kishte gozhduar.
Ndoshta ishte e privilegjuar, që brenda natyrëzimit ngujues të shtëpisë mësoi nga fluturat sekretin e fluturzimit gjatë asaj aventure reale, derisa erdhi stina tjetër, e cila bashkë me një pjesë të shpirtit të saj i rrëmbeu me një fluturim pa kthim në mjedisin e vet natyror ato krijesa.
Arjola KONDAKÇIU



















