NJË LIBËR I RI I STUDIUESIT KUDRET ISAJ PËR CIFTIN ZVICERAN  EUGENE DHE HELENE PITTARD(NOELLE ROGER), PËR SHQIPËRINË DHE ZVICRËN

 

 

NJË LIBËR I RI I STUDIUESIT KUDRET ISAJ PËR CIFTIN ZVICERAN

EUGENE DHE HELENE PITTARD(NOELLE ROGER), PËR SHQIPËRINË DHE

ZVICRËN

 

 

Këto ditë doli nga shtypi dhe mund të gjendet në librarinë Adrion në Tiranë libri i publicistit dhe studiuesit Kudret Isaj me titull : «Eugène dhe Hélène Pittard(Noëlle Roger) Dy helvetë nëpër udhët e Ilirisë së vjetër», botuar nga shtëpia botuese Argeta LMG. Po botojmë me këtë rast, parathënien e gazetarit, botuesit dhe shkrimtarit zviceran Christian Campiche, parafjalën e shkrimtarit, diplomatit dhe botuesit Luan Rama dhe parafjalën e Mehmet Gëzhillit, drejtor i shtëpisë botuese Argeta LMG.

Redaksia

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

EUGENE PITTARD – MBROJTËS I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

 

Nuk ndodh çdo ditë që një figurë historike zvicerane të nxirret nga harresa nga një studiues kureshtar që vjen nga një vend që nuk është – vërtet – fqinj ; Eugène Pittard, pasi për të bëhet fjalë, është një emër i njohur për banorët e Gjenevës ; ai është emri i një rruge që ndodhet në një lagje rezidenciale të qytetit ndërkombëtar. Por shumica e gjenevasve ndoshta nuk e dinë që Eugène Pittard ishte një shkencëtar ndër më të njohurit e gjysmës së parë të shekullit XX-të. Profet në vendin e tij, Pittard, i lindur në vitin 1867 dhe  i ndarë nga jeta në vitin 1962, ishte i tillë që në gjallje, si studiues i shquar, por edhe si anëtar apo president nderi i shumë shoqatave shkencore. Gjeneva i detyrohet atij veçanërisht për Muzeun e Etnografisë, një perlë e kulturës. Pittard ishte gjithashtu një filantrop, i cili i kushtoi një pjesë të madhe të energjisë së tij çështjeve fisnike. Një prej tyre ishte angazhimi humanitar në favor të Shqipërisë, ku ai krijoi një degë të Kryqit të K  uq në vitin 1921, përpara se të dërgonte grurë në këtë vend tre vjet më pas.

 

Ngarkesa e aktivitetit të Eugène Pittard i detyrohet padyshim edhe bashkëshortes së tij, Noëlle Roger, emri i vërtetë i së cilës është Hélène Dufour, gazetare dhe shkrimtare nga Gjeneva, e cila e shoqëroi bashkëshortin e saj në shumicën e udhëtimeve të tij. Rreth 50 libra, kryesisht romane, disa prej të cilëve flasin për katastrofa, zbulojnë natyrën profetike të autores. Kështu «Dielli i varrosur», roman i botuar në vitin 1928, flet për rikthimin e Atlantidës. Fjalori online shkruan se në vitin 1915 ajo u angazhua si infermiere në spitalin e Lionit në Francë ku kujdesej për të plagosurit e luftës. Pa dyshim, zonja Pittard, e njohur si Roger, do të meritonte gjithashtu që Gjeneva t’i kushtonte një rrugë. Sot, për fat të keq, Eugène Pittard ka rënë në një harresë relative. Ai është zhdukur nga kujtesa kolektive. Por shpirti i tij që vuan nga mosmirënjohja e bashkëqytetarëve, ringjallet tani falë kësaj mrekullie botuese që përbën biografia monumentale e ndërtuar si një kaleidoskop nga Kudret Isaj. Duhej që një gazetar dhe poet shqiptar, adhurues i muzikës cigane si Pittard, ta rikthente në vëmendje punën e një gjenevasi të madh, këtij shkencëtari që prehet në varrezat e Mbretërve në Gjenevë.

 

Kur e mban në duar biografinë kushtuar Eugène Pittard-it, nuk mund të mos mbetesh i mahnitur nga puna e bërë. Gati 1000 faqe! Një vepër voluminoze, siç thuhet për libra të tillë. Por një vepër që përshkruan «vetëm» përfundimin e një jete, siç tregon titulli : «Udhëtimi i mbramë i Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri. Gjenevë – Tiranë. Në gjurmët e Kryqit të Kuq shqiptar në Gjenevë». Sa vëllime të tjera të kësaj natyre do të duheshin nëse do të trajtoheshin udhëtimet e mëparshme të antropologut gjenevas ! Pittard ishte në të dyzetat kur kreu gërmime në Shqipëri, ku zbuloi një vendbanim neolitik pranë liqenit të Prespës. Por më parë ai kishte ardhur disa herë në këtë vend, kishte furnizuar popullsinë me grurë dhe kishte themeluar një degë të Kryqit të Kuq. Mbi të gjitha, ai kishte luftuar për pavarësinë e Shqipërisë në një kohë kur kombet europiane përplaseshin me njëri tjetrin. Shqiptarët nuk janë mosmirënjohës. Ata e ftuan së bashku me bashkëshorten e tij Hélène. Të dy përshkuan vendin. Me një qëndrim krenar, mjekërr të dendur kripë e piper, zotëria mbante në dorë një bllok shënimesh, ndërsa zonja një bllok skicash që do ta frymëzonin për romanet e saj. Mund të thuhet se ky çift plot ngjyra nuk kalonte pa u vënë re. Në botimin e librit shqip, i uroja autorit të gjente shpejt një botues, aq shumë e meritonte. Përkthimi dhe botimi në frengjisht, falë «shkopit magjik» të botuesit Luan Rama, më dha ndjesinë sikur po përjetoja një mrekulli të Herkulit. Prisja me padurim të zbuloja librin e Kudret Isaj-it në versionin frengjisht dhe të shihja kështu të gjitha hollësitë e tij. Sot kjo është bërë realitet, edhe pse, e pranoj ; jam ende larg përfundimit të plotë të leximit, aq shumë pasuri përmban ai. Humanist, dashamirës i komunitetit cigan, të cilit i kushtoi një vepër, Pittard hodhi poshtë nocionin e racës shumë përpara lindjes së hitlerizmit.

 

Gjenevas nga lindja, ishte e natyrshme që ai t’i shtonte krijimin e një Kryqi të Kuq shqiptar realizimeve të tij të panumërta. Lexuesi i biografisë së tij mëson gjithashtu me interes se në vitin 1949, mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë kishte zhvilluar një korrespondencë me selinë e komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë për të krijuar një degë të re të Kryqit të Kuq shqiptar në Aleksandri, ku ajo ndodhej në mërgim. Ky kapitull më ka tërhequr vëmendjen, pasi zonja e shoqërimit të mbretërëshës Geraldinë, Antoinette de Vecsey – Szinyei Merse, ishte shumë e lidhur me nënën time për shkak të origjinës së tyre hungareze. Projekti i këtij libri, Kudret Isaj-it i kishte lindur që në vitin 1989. Rrethanat e jetës bënë që ai të mund t’i përkushtohej seriozisht vetëm pas vitit 2005. Në vitin 2023, ai arriti më në fund të realizonte ëndrrën e tij, duke respektuar kështu angazhimin moral të marrë dikur gjatë një bisede me Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

 

Zvicra dhe Shqipëria kanë shumë gjëra të përbashkëta, jo vetëm relievin malor dhe mungesën e burimeve natyrore. Janë vende krenare, të lidhura fort me pavarësinë e tyre. Zvicra ka shumë shqiptarë prandaj nuk është as e çuditshme dhe as e pabesueshme që një shqiptar të interesohet për jetën e një shkencëtari të madh zviceran, duke i bërë njëkohësisht homazh vendit ku jeton miqësisht. Kudret Isaj më shpjegoi se përmes udhëtimit të Eugène dhe Hélène Pittard, « ai ka dashur të tregojë edhe historinë e marrëdhënieve midis Zvicrës dhe Shqipërisë gjatë një pjese të mirë të  shekullit të XX-të, deri rreth vitit 1970». Sprovë që pa dyshim, ai ia ka arritur.

 

Christian Campiche

Gazetar, botues dhe shkrimtar zviceran

 

 

 

 

 

 

 

GJURMË TË VJETRA HISTORIKE DHE PËRKUSHTIMI I NJË MESAZHERI

SHQIPTARO -ZVICERAN

 

Pas sprovave të hershme poetike dhe më pas një kontributi të veçantë publicistik, jo vetëm në drejtimin e së parës revistë shkencore « Shkenca dhe jeta » si dhe botimit të veprës madhore të Edith Durham « Brenga e Ballkanit », në dy dekadat e fundit Kudret Isaj iu përkushtua gjurmëve shqiptare në Zvicër. Duke jetuar në Gjenevë, me pasionin e tij të veçantë, ai nisi kërkimet historike aq sa nga një hulumtues, shpejt ai u kthye në një lloj kronisti, duke kërkuar me ngulm në arkivat e Zvicrës apo koleksionet e vjetra të bibliotekave të Konfederatës Zvicerane duke na prezantuar fakte e ngjarje mjaft interesante për historinë tonë dhe mërgatën shqiptare, të cilat i bëri të njohura në publikun shqiptar. Një lëndë kjo e pasur dhe tepër e nevojshme për studiuesit dhe historianët e  sotëm në fusha të ndryshme që i përkasin jo vetëm historisë por dhe shkencës politike, sociale, artit e letërsisë, arkeologjisë apo fotografisë, kulturës materiale dhe jomateriale të shqiptarëve duke filluar nga vitet e para të shekullit XX -të e deri më sot.

 

Një punë kolosale, një afresk i madh  shumëngjyrësh ku gjen personazhe të rëndësishëm të historisë shqiptare si Mit’hat Frashëri, Dervish Hima, politikanë e diplomatë shqiptarë si dhe figura të ndritura të historisë zvicerane, humanistë dhe shkencëtarë siç ishte dhe Eugène Pittard, figurë politike dhe antropolog i shquar bashkë me gruan e tij romanciere Noëlle Roger, e quajtur gjithashtu Helene Pittard, shoqen e pandarë me të cilën pikëtakoi tri herë shqiptarët : në vitin 1910 si dhe në udhëtimet  në  vitet 1921 e 1924 duke u pritur krahëhapur ngado nga shqiptarët nga malet e veriut shqiptar apo në jug, madje në momente tragjike. Duke lexuar këtë libër, nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, një interes i veçantë të ndjek vazhdimisht pasi gjithçka e hulumtuar nga autori është diçka e re, e panjohur apo pak e njohur, e zgjuar nga arkivat.

 

Në rrugëtimin e tij në kërkim të personazheve historike, ai ka ndalur në shtëpitë e tyre ku kanë jetuar, në rrugë e sheshe, ku mes të tjerave na tregon më gjatë për Çajupin dhe jetën e tij në Zvicër, për diplomatët shqiptarë në vitet ‘20-’30 të shekullit XX, të shoqatave të shqiptarëve në Gjenevë e Lozanë gjatë kësaj periudhe apo për figurat e diplomacisë sonë e përpjekjet e shqiptarëve dhe miqve të tyre zviceranë në pallatin e Shoqatës së Kombeve në Gjenevë për pranimin e Shqipërisë si anëtare e saj. Po kështu na sjell informacione tepër interesante për studentët shqiptarë të kësaj periudhe që të etur për dije, kulturë e shkencë, më vonë do të jepnin një kontribut të veçantë për vendin e tyre. Gjithashtu befasohesh gjatë leximit kur lexon për mbresat e çiftit Pittard dhe takimet e tyre me Kolë Idromenon apo Gjeçovin gjatë vizitës së tyre të parë apo historinë e disa zonjave zvicerane për të ndërtuar « fshatin Zvicër » në Kolonjë të Shqipërisë, pa harruar dhe vështrime të tjera interesante si Shqipëria dhe Shqiptarët në veprat e piktorëve zviceranë, monedhat iliriane dhe ato të epokës veneciane në muzeumet e Zvicrës, madje dhe një hartë e vitit 1476 ku spikat vendndodhja e Albanisë. Gjithçka është e shkruar me shumë dashuri. Në synimet e tij të përditëshme, për vite me rradhë ishte rilevimi historik i gjithçkaje që kishte të bënte me kulturën dhe historinë shqiptare. Kështu, ai zbuloi koleksionin e jashtëzakonshëm të Eugène Pittard në Muzeun Etnografik të Gjenevës që e prezantoi në një vëllim më vete. Këto dy vite të fundit kisha kënaqësinë që këtë koleksion si dhe dy botimet, në frëngjisht dhe në shqip të librit voluminoz « Udhëtimi i mbramë i Hélène dhe Eugène Pittard në Shqipëri » t’i botoja në shtëpinë time botuese « Les Livres Rama » në Paris. Ishte një përvojë e mrekullueshme bashkëpunimi e botimi. Duke zbuluar vendet historike të mërgatës shqiptare në Zvicër ai na jep të gjallë jetën e tyre përmes fakteve, letrave e korrespondencave, si dhe fotografive të shumta apo jehonën publiçistike rreth veprës së tyre.

 

Këto gjurmë historike kanë një vlerë të madhe pasi ato janë një referencë për kohën, për atë ç’kanë bërë të parët tanë e njëkohësisht një referencë për të ardhmen, jo vetëm si një ndjenjë krenarie, por dhe si nxitje për diasporën shqiptare për të kontribuar kudo që janë për Shqipërinë tonë të dashur dhe krijimin e urave të miqësisë midis popujve tanë. Pas një pune studimore shumëvjeçare, Kudret Isaj arriti të na prezantojë librat madhorë mbi Eugène Pittard si dhe këtë libër në vazhdim çka do të jenë pjesë e opusit historik mbi Shqipërinë dhe miqtë e saj.

Luan Rama

Shkrimtar, diplomat, botues

 

 

 

NJË VEPËR QË NA DUHET

 

Me emrin e Kudret Isajt jemi takuar shpesh në fillimet e viteve ’70 kur si bashkëstudenta, në fakultete të ndryshme, takoheshim shpesh në gazetën “Zëri i Rinisë”, kur çdo të shtunë gazeta botohej me shkrimet e të rinjve, kurse javën tjetër i kushtohej shkencës. Kjo gazetë bëri një punë të shkëlqyer në afirmimin dhe prurjen e talenteve të reja. Po në atë periudhë, shumë të rinj dhe të reja dolën me vëllimet e para, të cilat konkuruan me guxim por edhe krijuan një brez në krijimtari, ku edhe sot kujtohen me respekt shumë poetë dhe poetesha për veprën që krijuan në ato vite, me gjithë përpjekjet dhe kufizimet e kohës. Në ato vite, edhe emri i Kudretit dilte herë pas here me ndonjë poezi, të cilën unë e lexoja me interes, por nuk di nëse arriti të botonte vëllim ose jo. Një ditë të bukur, emrin e tij e lexova në faqet e revistës “Shkenca dhe jeta”, ku ishte emëruar kryeredaktor i saj. Që në numrin e parë, revista më pëlqeu, por të them të drejtën, pata një mëdyshje në vetvete: për moshën e re që kishte. Ngarkimi i një barre të tillë dukej shumë e rëndë dhe me përgjegjësi për moshën e tij, kur revista do të ishte organi i intelektualëve më të shquar të shkencës shqiptare. Por unë nuk u zhgënjeva, Kudreti e drejtoi atë revistë me shumë kompetencë dhe dashuri. Dhe prapë kisha një mëdyshje: si ua gjen gjuhën, si komunikon Kudreti me personalitetet më të shquara të shkencës shqiptare? Por me kalimin e viteve, ku unë çdo numër e kaloja ndër duar dhe e koleksionoja, sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë më shtohej respekti për të dhe gëzohesha që në Shqipëri kishte njerëz të tillë të talentuar që drejtonin një revistë shkencore të nivelit ndërkombëtar, por edhe shumë cilësore nga ana estetike. Në atë kohë, midis shkrimeve që botonte edhe vetë si autor, Kudreti botoi një shkrim të hollësishëm kushtuar jetës dhe veprës së Edit Durhamit. Nuk kaloi shumë kohë, dhe nën kujdesin e tij të veçantë duke bashkëpunuar edhe me prof. Xhevat Lloshin, botuan për herë të parë një përmbledhje me pjesë të zgjedhura nga shtatë vepra të Edith Durhamit. Si lexues dhe adhurues i veprave të autorëve botërorë që kanë shkruajtur për Shqipërinë, ajo vepër plotësoi diçka shumë të madhe në shpirt për atë grua që gjithçka ia kushtoi Shqipërisë. Do kalonin vite. As mua dhe as Kudretit nuk na ra rasti të takoheshim ose të pinim kafe ndonjëherë.

 

Ai shkoi në Zvicër, kurse unë në fillimet e ardhjes së të ashtuquajturës demokraci, vendosa të mos e tradhtoja vetveten. Me shumë përpjekje dhe peripeci, 30 vjet më parë, më 4 nëntor 1996, çela Shtëpinë Botuese “Argeta-LMG”, që këtë vit do të përkujtojë 30-vjetorin e nisjes së botimeve të veta. Që në fillim, i vumë objektiv vetes që të kishim një bibliotekë të veçantë me vepra të autorëve botërorë që kanë shkruar për Shqipërinë. Kështu që, krahas krijimit të disa bibliotekave brenda për brenda shtëpisë botuese, menduam që të krijonim një bibliotekë me titujt “Miqtë e Shqipërisë”. Dhe si libër të parë, që në fillimet e saj, botuam veprën “20 vjet ngatërresa ballkanike”, përkthyer nga i mirënjohuri Selaudin Toto dhe botuar që në vitin 1940. Dhe deri tani kemi botuar veprën e plotë të Durhamit në 7 vëllime. Biblioteka u pasurua me botimin në shqip dhe anglisht “Shqiptarët” të Xhorxh Fred Uilliamsit. Në këtë kolanë u botua vepra e akademikut italian Antonio Baldaçi “Rrugëtime shqiptare”.

 

Në këtë rrugë ecëm me sukses duke e pasuruar me veprën “Krushq të largët” (Marrëdhëniet shqiptaro-franceze nga shekulli XI deri në ditët tona), ku një punë të lavdërueshme ka bërë autori i saj, studiuesi dhe botuesi Luan Rama, i cili ka evidentuar në mënyrë të veçantë kontributin e shqiptarëve në jetën dhe mjedisin francez. Në këtë bibliotekë, bën pjesë autorja amerikane Roza Lleji me “Majat e Shalës”, si dhe kemi në proces botimi po veprën e saj shumë interesante “Me kadillak nga Parisi në Tiranë”, përkthyer me mjeshtëri nga Avni Spahia.

 

Po në këtë kuadër, si i dërguar nga Zoti, na erdhi libri i Kudret Isajt “Dy helvetë nëpër udhët e Ilirisë së vjetër”. Ky është botimi i pestë që autori ka punuar për kaq vite për të dhënë një punë që i kalon të gjitha caqet e heroizmit në fushën e kërkimit, studimit dhe publikimit. Nuk do të ndalemi në përmbajtjen e librit, në vlerën e madhe shkencore e edukative. Këtë do t’ia lëmë ta gjykojë vetë lexuesi dhe studiuesi specialist, të cilët me siguri do kenë kohë të merren gjatë, se veprat që ka krijuar Kudret Isaj nuk kalohen dhe nuk përtypen kollaj me një të lexuar. Puna shumëvjeçare skrupuloze dhe me përkushtim është një shembull, një model për ata njerëz që jetën, ëndrrat, pasionin, mundin, gjithçka e kanë vënë në shërbim të shkencës dhe gjithçka lidhet me përkushtimin për Atdheun. Kudreti ka vite që punon dhe krijon në Zvicër, dhe kjo më shtije ndër mend se historia, letërsia, kultura shqiptare u krijuan në diasporë. Kujtojmë Naimin që nga brigjet e Bosforit ulurinte “Ti Shqipëri më jep nder…”, Çajupi nga shkretëtirat e Misirit me plagët dhe zemër të përvëluar këndonte: “Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënë koka”, Filip Shiroka po nga Egjipti i largët shikonte dallëndyshet që ktheheshin në Atdhe, dhe me lot në sy dhe brengë në zemër iu drejtohej: “Dhe eja dallëndyshe” që t’i shuante sado pak plagët e zemrës së plagosur të mërgimtarit. Faik Konica do bridhte nëpër Evropë dhe do botonte si enciklopedinë e parë shqiptare revistën “Albania”.

 

Kurse Fan Noli nga brigjet e Bostonit duke kthyer sytë dhe mendjen drejt brigjeve shqiptare, sikur të ishte ndonjë ari, kreshpëronte dhe bërtiste gjithë shpresë: “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Po sa bij dhe bija ka sot Shqipëria nëpër botë dhe shumë të tjerë, po në rastin konkret duke veçuar punën dhe krijimtarinë e Kudret Isajt, pa frikë do të thosha: “Lum o Shqipëri që ke këta burra djema që edhe në gjumë, një sy e lënë hapët, një vesh e lënë po hapët, që të dëgjojnë çfarë të bëjnë për këtë, siç thoshte Dritëro Agolli, “Hallemadhe Shqipëri”. Përfitoj nga rasti që të hap një parantezë: Ka ardhur koha që të bëjmë një korrigjim sado të vogël. Ne na vijnë miq, na vijnë shkrimtarë, studentë, lloj-lloj njerëzish nga të katër anët e botës, dhe na është mësuar goja të themi: “Na kanë ardhur ca miq të huaj, studentë të huaj, turistë të huaj” deri tek ajo që themi “letërsi e huaj”. Dhe kur përkthejmë nga letërsia botërore, ajo nuk është më letërsi e huaj, por bëhet pronë e kulturës dhe e gjuhës së përkthyer.

 

Dhe unë, duke falenderuar Kudretin për besimin e madh që na e besoi dhe na e pasuroi “Bibliotekën e miqve të Shqipërisë”, me atë bisedë që bëj me shokët gjatë përgatitjes për botim të librit të tij, them që na ka ardhur një vepër shumë e mirë nga Zvicra, duke ndjerë kënaqësinë që më jep kjo vepër që në lexim të parë, uroj “Paçim fat që të na vinë dhe vepra të tjera, të cilat do t’i botojmë me gjithë kujdesin dhe dashurinë tonë”.

 

Mehmet Gëzhilli

Drejtor i shtëpisë botuese Argeta LMG