Nga Çanakalaja nuk ka lajm, as letër. Nga Adem Nimani

Nga Çanakalaja nuk ka lajm, as letër

 

 

 

Brenda tri ditësh do freskohemi me akullore në Stamboll!

          (-iu kishte thënë ushtarëve të vetë komanda e flotës luftarake angleze)

 

“Dy ushtar vullnetarë

Njëri nga Kosova, bari, me plis të bardhë

Tjetri nga Zelanda, me uniformë  gri, pylltar

Ishin rreshtua ushtar

Në dy taborre kundërshtarë

Një ditë në foto bashkë kishin dal

Duke varrosur shokët e tyre të pa ndarë

Të nesërmen me bajoneta pa pritë pa parë

Iu kishin vërsulë njeri tjetrit si barbarë

Të therur nga singitë të vdekur kishin ra mbi dhe

Dëshmorë pa emër pa kombësi, pa fe

Njeri nga Zelanda vdiq, thonë për Britani

E tjetri nga Kosova, thonë vdiq për Turqi”

Atyre që ranë në fushëbetejë, pa letërnjoftim, pa kombësi, ju thurën lavdi, dhe ashtu hynë pa emër pa nishan në histori.

 

 Lufta e Canakalasë tejkalon  kufijtë e një tregimi të zakonshëm letrar!

 

Tregimet për vullnetarët shqiptarë që morën pjesë në luftën e Çanakalasë i kanë mbijetuar një shekulli. Mund të pyes dikush a shkroi letër nga fronti ndonjë ushtar vullnetar? Ata nuk i dinin shkronjat por ishin të paluhatshëm. Sapo përfundonte ushtima e armëve,  ata bisedonin pa zë me familjet e tyre, me të dashurit e tyre. Ata mendonin të shkruanin letra pa ditur asnjë shkronjë.

Tregimi për dy barinj shqiptarë që shkuan vullnetarë në luftën e Çanakalasë, aty këtu jeton akoma në fshatrat e Zezës. Dëshmitarët e kohës kanë vdekur moti, por nami i asaj lufte vazhdon të tregohet brez pas brezi me të tepër se njëqind vjet.

Rapsodët e njohur Salih e Feriz Krasniqi rrallë ka ndodhë të mos e këndojnë këngën e Çanakalasë, në ndonjë dasmë a gëzim rasti, ashtu plot mall e dhembje, duke përtëri kujtimin për ushtarët vullnetarë, pa dallim kombësie a feje, që luftuan atje.

 

–Çka thua mixha Hajredin?- a shkojmë na të dy vullnetarë, kishte pyetur axhën pesëdhjetë vjeçar, Kadri Jashari, njëzet vjet ma i ri. A duhet ti tregojmë familjes që po shkojmë?

-Ç ‘far  more !Nuk guxon me ditë kush i gjallë që po shkojmë vullnetarë në luftë, kishte folur Hajredini. Kishte ai  përvojë katërvjeçare në luftë dhe ishte kthye gjallë. .

Hajredini e kishte shikuar drejt në sy nipin dhe kishte menduar mirë se Kadriu njëzetë vjeçar akoma nuk ka parë luftë me sy, e ndoshta nuk po kupton mirë. Ngrysi vetullat duke shikuar nipin dhe nuk e foli asnjë fjalë.

 Ai akoma po mendonte të shkonte vetëm. E dinte se rrugës do të bashkohet edhe me vullnetarë të tjerë, por kjo pyetja e Kadriut nuk i hiqej nga mendja. Ta merrte djalin e të vëllait në front luftë, nuk i dukej punë e lehtë. Po kërkonte ndonjë arsyetim, por e dinte mirë se nga luftimet fyt për fyt, pak kush kthehet i gjallë. Për vete ai nuk po mendonte fare.

-Kadriun do ta mbaj afër vetës sa kohë të jemi gjallë në luftë, mendonte Hajredini.

-Kadriu është i ri plot fuqi dhe në një moment mund të më duhet edhe mua, mendonte Hajredin Zeza.

Dy malësor shqiptarë, dy barinj, atë natë u kthyen në shtëpi me besë se nuk do ti tregojnë askujt, as familjeve të tyre.

 Të nesërmen në mëngjes lëshuan delet në kullosë si zakonisht. Kadriu gjithmonë mbante në krah pushkën e të atit. Të dy kishin bukën në jonxhik si përherë. Kadriu fshehu pushkën në vendin ku e linte përherë, dhe ku mund ta gjente vetëm i ati i tij. Dy janxhikët me bukë i morën me veti. Zbriten këmbë deri në Shkup. Ishte rrëmujë e madhe nga njerëzit. Udhëtimi me tren kishte kohë që ishte ndërprerë. Duhej gjetur rrugë alternative. Hajredini kishte përvojë të gjatë në ushtri. Në rrugët e Shkupit dy barinjve të Zezës ju bashkuan edhe njerëz të tjerë me besë për të mos treguar se ku po shkojnë, nëse i pyet dikush gjatë rrugës. Lëvizje refugjatesh kishte në çdo pëllëmbë. Hajredinit e Kadriut ju bashkuan edhe një berber nga Prizreni dhe një rrobaqepës nga Shkupi. Kishte rabaxhinj qe me qerre kuajsh për një pagesë të vogël i dërgonin njerëzit deri në Manastir e prej andej i merrte tjetri deri në Selanik. Ishte kaos i madh dhe akoma kufijtë e shteteve që po krijoheshin nuk ishin të pranueshëm  e as funksional. Në një qerre kuajsh ishin bërë bashkë dhjetë veta. Kështu ata kishin udhëtuar deri në Selanik, e prej andej me anije në Edrene. Udhëtimi drejt Galipolit ishte pjesë e luftës.

Një natë me shi të dendur, vonë kishin arritur krejt të rraskapitur në vendin e duhur, por akoma larg vijës së frontit. Sa kohë që ju kishin afruar fushëbetejës, përherë e më pak dëgjonin ndonjë fjalë shqip.

Ata një ditë e kishin parë vetën të rreshtuar ushtarë, por po me atë veshje me të cilën ishin larguar nga vendlindja. Sa kohë që nuk kishin uniforma ushtarake, veten e ndienin sikur ishin barinj, të lirë fare. Me plisa shkuan edhe për shumë ditë në front. Më nuk kishte kohë për të pritur. Kadri e Hajredin Jashari ishin rreshtuar në të njëjtën njësi të luftës. Kadriut as që i dukej interesant puna e asqerit kur akoma nuk kishte parë ushtarë me uniforma.. 

Kadri Jashari, vet me veti mendonte çka do të mund  ti shkruante në letër të atit, po ti dinte shkronjat.

 

 

 

Baba!

Më shumë ushtarë të sëmurë  nga tifoja dhe bark qitja i largojnë nga fronti së sa të vrarë e të plagosur. Na që jemi të aftë vazhdojmë të vrasim armiq ashtu siç na vrasin edhe ata neve kudo që kanë rast. Pardon nuk ka për askënd.

Ka ditë që kam filluar të mendoj për çka po vritemi në këta shkëmbinj ku ka pak shkurre të cilat tashmë janë kositur nga plumbat dhe zjarri i artilerisë. Më nuk ka mbet dru a shkurre mbi gurë. Këtu, ku jemi na, grupi i Hajredin Jasharit, ka vetëm shkëmbinj të lartë e mprehtë si dhembë dinosauresh.

          Nuk di kush urdhëron vrasjen mes neve ushtarëve. Vet me veti mendoj pse na ushtarët e të dy taborëve vrasim njeri tjetrin, kur nuk jemi njohur e takuar kurrë dhe as kemi këmbyer një fjalë të vetme mes nesh në jetën tonë.

Pse unë duhet të vras djem të ri nga Australia?

As nuk di kush është ai ushtar, që nuk e njoh, e as nuk e di pse ai ka ardhur të na vrasë neve.  I kam dëgjuar kah thonë se kjo luftë nuk po bëhet për mezhda arash apo kullosash, por krejt kjo kasaphane po bahet me urdhër nga lartë.. Çdo ushtarë dushman që kemi vrarë kishte një zinxhir të hollë në qafë, me një pllakë metali me   numër. Na nuk kemi asnjë shenjë pos flamurit osman që qëndron diku diku nëpër majat shkëmbore.

Baba, grupi jem të cilin e komandon mixha Hajredin akoma jemi të veshur me teshat tona, me të cilat kemi ardhur.

Merre me mend, këtu ka ardhur një rrobaqepës nga Shkupi i cili, shpeshherë, kur na shqyhen rrobat, ndodhë të na i qepë ashtu veshur. Është zor tepër të gjejmë kohë për të qepur ndonjë rrobe atje ku ka edhe makina qepëse. Njerëzit që na furnizojnë e kanë detyrë që të sjellin çdo gjë që na mungon. Ato mungesa duhet me i pa ata, e jo me u ankua na.

Sa kisha pasur dëshirë të përshkruaja gjithë atë që po shoh me sy, ku edhe vet jam pjesëmarrës i kësaj kasaphane, fundin e së cilës nuk e përmend askush.

Askush nga ne ushtarët më nuk mendojmë si njerëz. Të gjithë zbatojmë vetëm urdhrat që arrijnë shkallë shkallë deri të skuadra e jonë, të cilën e komandon mixha. Edhe axha jep urdhra vetëm çka i thonë të tjerët nga komanda  e lartë që është diku jo fort larg nesh.

Sa keq ndjehem që nuk di të shkruaj.

Baba!

Jam i bindur se edhe po të dija të shkruaj unë, dhe po tu dërgoja këto fjalë në letër, se çka po shoh me sy, nuk do të më besonit.

Jam përshtatë në këto kushte. Zëvendësimet i kemi tepër të rralla, pasi siç i kam dëgjuar të thonë, e ashtu na thotë edhe axha Hajredin, se vija e frontit është e gjatë afër njëqind kilometra dhe duhen shumë ushtarë.

 Baba

Aty ku jemi unë e axha Hajredin, tashmë e njohim terrenin në çdo pëllëmbë dhe në çdo shkurre. Ato rrugica dhiare mes shkëmbinjve të mprehtë  i mbajmë mend mirë dhe mund të ecim endej me sy mbyllur natë e ditë. Istikamet tona janë të mbrojtura  fort nga shkëmbinjtë e zhveshur. Edhe tash kur kemi kaluar tre muaj në llogore, nga grupi jonë nuk është vrarë askush.

          Baba

Dy shokëve të plagosur lehtë, dje ju bashkova edhe unë. Pasi isha mbuluar me gjak,  shokët nga frika se jam plagosur rëndë me dërguan në spitalin ushtarak.

Me kishte goditur një copë e vogël bombe. Nuk ndjeva farë dhembje të madhe, por mbi fytyrë më rridhte shumë gjak. Grimca e bombës ma kishte marrë me vete vetullën e majtë. Kisha mbetur pa njërën  vetull, por akoma nuk dija se çka mund të ishte ajo plagë? Pasi ma kanë qepur vetullën dhe pasi e kanë parë që nuk kam plagë të rëndë, me kanë kthyer serish në front. Meqenëse plagën e kam akoma të lidhur, askush, përveç mjekut, nuk e di që kam mbetur pa vetull.

Ka një javë që nuk kam pasur mundësi as të mendoj për ju.

Në një rrëmujë lufte fytas, as nuk me ka shkuar mendja se çka ka ndodhur me mua. Kam vazhduar sulmin bashkë me shokët tjerë. Ata më kishin parë fytyrën mbuluar me gjak. Kishin menduar se jam plagosur shumë në kokë dhe me kanë dërguar me lese në spital. Megjithëse isha me vetëdije të plotë edhe mjeku me shikim të parë mendoi se plaga mund të jetë më thellë në kokë. Plagën ma kanë qepur pa anestezion, por pa vetull, ngase ajo ishte tretur diku mbi shkëmbinjtë e Galipolit. Hajredini me ka shoqërua edhe të mjeku pasi ai kuptonte gjuhën tjetër.

Nuk e di si do të dukem pa një vetull!

E mendoja vetën ashtu pa vetull si pa një sy dhe kam qeshur me zë. Kur do të kthehem, do të më thonë, ai Kadriu çakar, pa vetull, u kthye nga Canakalaja. .

Serish ju kam bashkuar shokëve në llogore.

Baba!

Merre me mend, një fshatar që na sjell ujë me gomar ngarkuar në dy enë të mëdha nga pesëdhjetë okë, një ditë e pyeit komandantin; a ju dërgoj një ngarkesë ujë edhe ushtarëve armiq.

-Edhe ata janë njerëz, kishte thënë ai. Edhe ata po digjen nga etja. Ata janë buzë ujit të detit që përditë ua lagë këmbët e besa edhe trupin deri në fyt.

Ata e dinë se po të pinë ujë deti do të digjen fare nga etja.

Është sevap i madh se edhe ata janë njerëz si na, kishte fol fshatari.

Komandanti ka qeshur me zë. Pas pak, nuk di pse, por i kishte dhënë leje që ashtu siç ishte gomari me ujë ngarkuar, fshatari e kishte vu një  leckë të bardhë në një shtagë dhe ishte lëshua shpatit shkëmbor drejt ushtarëve të armikut.

Të gjithë kemi pritur në ankth kthimin e tij për shumë kohë, por kot. Atë nuk e kishin lejuar të kthehet pa e vërtetuar se uji nuk është i helmuar.

Ushtarët armiq, pasi e kishin detyruar fshatarin të pinte një gotë ujë, atëherë e kishin zbrazur ujin në një enë të madhe, por vetë nuk kishin pi ujë pa kaluar njëzetë e katër orë.

Pas kësaj kohe, i kishin dhënë ujë fshatarit edhe një herë dhe e kishin liruar të kthehej nga ka ardhur. Fshatari kur u kthye na tregonte sesa janë frikësuar ushtarët armiq nga uji që ua kemi dërguar, gjoja kemi dashur ti vrasim me ujë të helmuar. Sa kohë që më kanë mbajtur aty nuk ka pi askush j ujin që ua dërgova, ka rrëfyer ai fshatari.

Baba!

Nuk ju harroj asnjëherë. Hajredini tash, pasi më është shëruar vetulla, po tallet me mua kur po me shikon pa një vetull. Po thotë se humbja e vetullës ma ka ndryshua krejt pamjen.

Baba, jam mësua të luftojë.

Më nuk po frikohem aspak. Tifoja po vret ushtarë më shumë.se plumbat. Nuk kalon orë pa parë ndonjë ushtarë të çmendur nga tifoja. Grupi jonë, të cilin e komandon mixha Hajredin, akoma nuk ka humbur asnjë ushtar. Shumë grupe janë vrarë të gjithë. Akoma komanda po sjellë ushtarë të rinj. Kam parë djem  të ri që  kanë ardhur vullnetar të luftojnë, por që akoma nuk i kanë ra brisk fytyrës.

Mixha Hajredin nuk është rruar kurrë prej se kemi ardhur këtu, dhe duket si ari, ndërsa unë tash kam mbetur pa një vetull.

Plisat i kemi humbur moti në sulmin e parë që kemi pasur. Na i kanë sjellë do kësula sikur hinka të gazit. Me ra shi do të na shpëtonte nga vapa që po na përvëlon.

Baba !

Një mbrëmje vonë, i kam dëgjuar duke pëshpëritur se afër nesh kishte ardhur komandanti kryesor, ai të cilin e quanin Mustafa Kemal. Të gjithë ata që e dinin kush është ai, janë gëzuar  fort dhe tash duken sikur kanë marr forcë të re.

Vritemi me thika, me bajoneta e me plumba dhe krejt na duket gjë normale. Unë besoj se kjo është çmendi. Nuk besoj se dikush mund e arsyeton këtë kasaphane, apo mulliri që bluan mish njerëzish.

Po të më lironin sot për të shkuar në shtëpi, nuk do të shkoja kurrë pa shokët e pa axhën Hajredin.

Sa herë ja kemi shpëtuar jetën njeri tjetrit nuk i kemi numëruar. Jemi bërë si ta kishim një shpirt të vetëm.   

Më nuk ka  shkurre ku mund të fshihet dikush.

Baba!

Atë ditë që eproret tanë janë marrë vesh me armikun për armëpushim 24 orë, askush nuk ka festuar me asgjë. Armëpushimi ndodhi për të varrosur mijëra ushtarë të vrarë e të copëtuar që kishin mbuluar çdo pëllëmbë toke dhe i gjithë terreni kishte marrë erë të qelbur sa më nuk e duronte dot askush. Shumë kufoma janë kalbur. Shumë janë bërë copë copë nga artileria dhe bombat. Ashtu, për 24 orë, të dy palët i kemi varrosur të vdekurit.

Baba

Dikush na ka fotografuar, duke varrosur shokët tanë se bashku me armiqtë. Mendoja, ndoshta e sheh dikush atë foto diku atje në vilajetin tonë dhe i tregon babit se djali yt është duke luftuar në Çanakala. Në foto kemi dal se bashku me ushtaret e armikut, me të cilët do të  vazhdojmë të vritemi serish qysh nesër.