Poezi nga POETË POLAKË. Përktheu nga anglishtja: KOSTA NAKE

NËN NJË YLL TË VOGËL

 

 

 

Poezi nga POETË POLAKË

 

Përktheu nga anglishtja:        KOSTA NAKE

 

Francizka ARNSZTAJNOWA

(1865 – 1942)

 

ROMANTIKU

 

“Vajzë budallaqe, dëgjo!”

Por ajo nuk dëgjon

teksa çatitë e fshatit shkëlqejnë,

nën dritën e diellit.

 

“Vajzë budallaqe, ç’bën atje,

sikur ka diçka për të parë,

një fytyrë ta soditësh dhe ta përshëndetësh,

një formë jete ngrohtësisht të takosh,

kur nuk ka asnjë, asnjë, dëgjon?”

Por ajo nuk dëgjon.

 

Si një gur pa shpirt ajo qëndron atje e vetme,

kureshtare për të, duke hedhur sytë përqark

për diçka që duhet gjetur

derisa, duke e vëzhguar befas atë,

ajo e prek, e mbërthen atë, duke qeshur dhe qarë.

 

“Ti je, Xhoni im, dashuria ime e vërtetë?

E dija që nuk do të më harroje,

madje as në vdekje! Eja me mua,

Më lejo të ta tregoj rrugën tani! Mbaje frymën, gjithsesi,

dhe ec në majë të gishtave që të mos dëgjojë njerka!

 

Çfar’ mund të dëgjojë ajo?

Ata i kanë bërë atij një varr,

dy vjet më parë u shtri ai tutje me të vdekurit.

Më shpëto, Shën Mari!

 

Ka frikë. Po pse? Pse duhet të ik tani? Kujt i frikësohem?,

Jo Xhonit! Xhoni im nuk do të më lëndojë.

Është Xhoni im! Të shoh tani,

sytë e tu, këmishën tënde të bardhë.

 

Por ti je i zbehtë si e linjta jote, i ftohtë si dimri ti je!

Më ler ta marr të ftohtën me buzët e mia,

të puth freskinë e mykut prej teje.

 

O dashuria më e shtrenjtë, më lër të vdes me ty,

në thellësi të tokës të shtrihem me ty,

sepse kjo botë është e errët dhe e zymtë,

kurse unë jam e vetme dhe e lodhur.

 

E vetme mes të pasjellshmish që tallen me vizionin tim,

lotët e mi përqeshja e tyre,

ngaqë nuk shohin asgjë, të verbërit!

Zoti im! Një këndez po këndon duke ndezur agimin bardhërisht

Xhoni! Ku po shkon?

Mos më lër! Jam e dëshpëruar!”

 

Kështu, ledhatues, duke folur për të

e dashura, pengohet dhe bie,

dhe qarja e saj nga ankthi thërret

një turmë keqardhëse për të.

 

“Kryqëzoje veten! Është sigurisht

Xhoni i saj që kthehet nga varri:

Kur ai ish gjallë e donte atë të gjithën

Zoti e shpëtoftë shpirtin e tij tani!”

 

Duke dëgjuar ç’po thonë ata,

unë gjithashtu filloj të lutem.

 

“Vajza po luan mendsh!”

Bërtet një burrë me paruke gjykatësi,

“Sytë e mi dhe syzet e mia

E dinë që atje s’ka asgjë.

 

Fantazmat janë një mit

nga bashkëshortja e birrarisë dhe farkëtari

Këpucarët! Kjo është tradhëti kundër mbretit Arsye!”

 

“Vajza ende dashuron,” përgjigjem e tërhequr,

dhe njerëzit besojnë me nderim,

besimi dhe dashuria janë më të holla

se gjyslyket dhe të mësuarit.

 

Ju i dini të vërtetat e vdekura, jo të gjallat,

botën e sendeve, jo botën e dashurisë.

Ku fillon mrekullia?

Sy i ftohtë, shiko në zemrën tënde!”

 

 

 

 

 

Anna SWIRSZCZYNSKA

(7 shkurt 1909 – 30 shtator 1984)

 

KAM QENË DUKE PRITUR KËTO 30 VJET

 

Ai punëtori zemërbardhë nga Povisle

Që luftoi në ferrin e rrugës Zielna,

në ndërtesën e telefonit,

Kur ia ndërruam fashot

Në këmbën e tij çarë thellë,

U tkurr dhe qeshi.

 

“Kur të mbarojë lufta,

Ne do vallëzojmë, zonjush.

E kam unë.”

 

Kam qenë duke pritur për të

Këto tridhjetë vjet.

 

 

Czeslaw MILOCZ

(30 qershor 1911 – 14 gusht 2004)

 

DASHURIA

 

Dashuri do të thotë të mësosh të shohësh veten,

Mënyrën se si dikush të sheh nga larg,

Sepse ti je vetëm një në mes të të shumtëve

Dhe kushdo sheh në atë mënyrë që shëron zemrën e vet

Pa e ditur, nga sëmundje të ndryshme –

Një shpend dhe një pemë i thonë atij: Mik.

 

Pastaj ai dëshiron të përdorë veten dhe gjërat

Që ato të theken në prushin e pjekurisë.

Nuk ka rëndësi në se ai e di kujt i shërben:

Kush shërben më mirë nuk e kupton gjithnjë.

 

Tadeusz ROZEWICZ

(9 tetor 1921 – 24 prill 2014)

 

KTHIMI

 

Befas dritarja do të hapet

dhe nëna do më thërresë

është koha të hyj

muri do të hapet

do t’i hyj qiellit me këpucë me baltë

 

do të vij te tavolina

dhe do t’i përgjigjem pyetjeve lapërdhisht

jam në rregull, më lini vetëm,

kokën në duar unë rri e rri.

Si mund t’u tregoj atyre

rreth asaj rruge të gjatë dhe të koklavitur.

 

Këtu në qiell nënat thurrin shalle  jeshilë

mizat zukasin

babi kotet te stufa

pas gjashtë ditë pune.

Jo – sigurisht nuk mund t’u them

që njerëzit janë te grykat e njëri-tjetrit.

 

 

 

 

 

Miron BIALLOSZEWSKI

(30 qershor 1922 – 17 qershor 1983)

 

NJË BALADË E ZBRITJES NË DEPO

 

Në fillim zbrita në depo nga shkallët,

ah, imagjnojeni,

nga shkallët.

Pastaj njerëzit të njohur për njerëzit e panjohur

më kaluan pranë dhe unë pranë tyre.

Më vjen keq që ju nuk i patë

si njerëzit ecën

sa keq!

Hyra në gjithë depon:

dritat prej qelqi po digjeshin.

Pashë dikë – ai u ul –

dhe çfar’ dëgjova? çfar’ dëgjova?

fëshfërimë çantash dhe bisedë njerëzish.

Dhe në të vërtetë,

në të vërtetë

u ktheva.

 

 

 

Wislawa SZYMBORSKA)

(2 korrik 1923 – 1 shkurt 2012)

 

NËN NJË YLL TË VOGËL

 

Keqardhja ime për mundësinë e thirrjes në nevojë,

Keqardhja ime për nevojën në se kam gabuar, pas të gjithash,

Të lutem, mos u zemëro, lumturi, që të mora si veglën time.

Bëj durim, e vdekura ime, për mënyrën si zbehen kujtimet e mia.

Keqardhja ime për kohën e gjithë botës që s’e vura re çdo sekondë,

Keqardhja ime për dashuritë e shkuara

duke menduar se më e fundit është e para.

Më falni, luftra të largëta, që lulet i solla në shtëpi,

Më falni, plagë të hapura, që ju shpoi gishti im.

Më vjen keq për regjistrimin e minuetave

të atyre që thërrasin nga thellësitë,

Më vjen keq për ata që presin në stacionet hekurudhore

se isha përgjumësh sot në orën pesë,

Më fal, shpresë e persekutuar, sepse kam qeshur herë pas here,

Më falni, shkretëtira, që nuk vrapoj t’ju sjell një lugë ujë,

Dhe ti, fajkua, i pandërruar vit pas viti, gjithmonë në të njëjtin kafaz,

Vështrimi yt gjithmonë i ngulur në të njëjtën pikë në hapësirë,

Më fal, edhe sikur të largohesh nga ku ishe futur.

Keqardhja ime për pemën e rrëzuar për katër këmbë tavoline,

Keqardhja ime për pyetjet e mëdha të përgjigjeve të vogla.

E vërtetë, të lutem mos më kushto shumë vëmendje.

Dinjitet, të lutem bëju shpirtmadh.

Duro me mua, o mjerim i ekzistencës,

pasi këput fillin rastësor nga treni yt.

Shpirt, mos e merr pë ofendim që të kam marrë vetëm ndonjëherë,

Keqardhje për gjithçka që nuk mund të jem kudo menjëherë,

Keqardhje për këdo që nuk mund të jem për ta burrë a grua,

E di që nuk do të justifikohem sa të jem gjallë,

Qëkurse qëndroj vetë në rrugën time.

Mos më sill vullnet të keq, ligjërim, që të huazova fjalë të rënda,

Atëherë puno fort që ato të mund të duken dritë.

 

 

 

Zbigniew HERBERT

(29 tetor 1924 – 28 korrik 1998)

 

ALIÇ

 

Aliçi është një krijesë e përsosur

i barabartë me veten

i kujdesshëm në kufijtë e tij

i mbushur saktësisht

me kuptimin e gurit

me një erë që nuk të kujton diçka

nuk friket prej askujt

nuk nxit dëshirë

ngrohtësia dhe ftohtësia e tij

janë plot dinjitet

 

unë ndiej një pendim të rëndë

kur e mbaj në dorë

dhe trupi i tij fisnik

është ngopur me ngrohtësi të gënjeshtërt

 

aliçët nuk mund të zbuten

në fund ata do të na shohin

me qetësi dhe sy shumë të qartë.

 

 

Adam ZAGAJEWSKI

(21 qershor 1945)

 

AUTOPORTRET

 

Midis kompjuterit, një lapsi dhe një makine shkrimi

gjysma e ditës sime kalon.

Një ditë do të jem gjysmë shekulli

Jetoj në qytete të huaj

dhe nganjëherë bisedoj me të huaj

rreth çështjeve të çuditshme për mua

Dëgjoj shumë muzikë: Bah, Mahler, Shopen, Shostakoviç,

shoh tre elementë në muzikë: dobësi, fuqi dhe dhimbje

e katërta nuk ka emër.

Lexoj poetë, të gjallë e të vdekur, që më mësojnë

këmbënguljen, besimin dhe krenarinë.

Përpiqem të kuptoj filozofët e mëdhenj

– por zakonisht kap vetëm skrapin e mendimeve të tyre të çmuara,

Pëlqej të bëj shëtitje të gjata në rrugët e Parisit

dhe të shoh krijesat si mua,

nxitur nga smira, zemërimi, dëshira;

të ndjek një monedhë argjendi

duke kaluar nga dora në dorë

dhe se si ngadalë ajo humb formën e saj rrumbullake

(profili i perandorit është fshirë).

Pranë meje pemët nuk shprehin asgjë

veç një përsosmërie indiferente të blertë.

Zogj të zinj çapiten fushave

duke pritur me durim si vejushat spanjolle.

Nuk jam më i ri, po dikush tjetër është gjithmonë më i moshuar.

Më pëlqen gjumi i thellë, kur pushoj së ekzistuari

dhe shpejt biçikletën e ngas rrugëve të fshatit

kur plepat dhe shtëpitë përhapen si retë në ditët me diell.

Ndonjëherë në muze pikturat më flasin

dhe ironia befas shqimet.

Dua t’ia ngul sytë fytyrës së sime shoqeje.

Çdo të diel i telefonoj tim eti,

çdo javë takoj shokët që më provojnë besnikërinë.

Vendi im është çliruar nga një e keqe,

do të doja një tjetër çlirim ta pasojë.

Mund të ndihmoj për këtë? Nuk e di,

në të vërtetë nuk jam fëmijë i oqeanit,

as Antonio Makado që shkroi për veten,

por një fëmijë i ajrit, mendër dhe violonçel

dhe jo të gjitha rrugët e botës së lartë

kryqëzohen me jetën

që, deri tani, më përket mua.

 

 

Ewa LIPSKA

(8 tetor 1945)

 

HUMNERA

 

Nganjëherë ju shihni gips

duke rënë nga kokat.

Fasada e arsyes po qërohet.

 

Historia përsëri.

Pse i kthehemi asaj

kur gjithçka është para nesh gjithsesi.

Ajo u bë. Nuk mund të zhbëhet.

 

Ulem përposh një qielli plak

dhe dëgjoj ç’mediokritet duhet të thotë.

 

Në librat e lutjeve

një shirit reklame

për bythëpuljet.

 

Prej çdo kombi ju e dini

Vrasësit duhen përjashtuar.

 

 

Stanisław BARANCZAK

(13 nëntor 1946 –  26 dhjetor 2014)

 

KJO NUK ËSHTË BISEDË PËR NË TELEFON

 

Mirë, le ta pranojmë si “po”,

Por kjo nuk është një bisedë për në telefon,

Ti e di, veshët tanë kanë dëgjues vigjilentë,

Prandaj le ta përgatitim atë në një gjuhë të huaj

Dhe ne, të mos themi “po” para se ta përkthesh atë.

 

Mirë, le ta pranojmë si “po”,

Por kjo nuk është e volitshme për momentin,

Ti e di, muret tanë kanë veshë të ndjeshëm,

Prandaj le ta ruajmë atë për më vonë,

Mbaje dhe mos thuaj “po” para se ta presësh jashtë.

 

Mirë, le të biem dakord për “po”,

Por ky nuk është një kusht i përhershëm,

Prandaj le ta hamendojmë atë për sot, për një kohë

Dhe mos thuaj “po” para se ta fshish atë.

 

Mirë, ajo duhet të jetë “jo”,

Po ky nuk është një konkluzion real,

Ti e di, dëgjuesit tanë kanë shpirtra të ndjeshëm,

Prandaj le të pretendojmë tani që protestojmë

Dhe mos thuaj “jo” para se të shfajësohesh.