Ah, sa i pëlqente shiu, sa i pëlqente ! E sidomos netëve dimërore, kur qëmtonte gati fshehtësisht si psherëtimë nëpër trotuare, ku për shkak të tij lëviznin pak këmbësorë , ashtu si për shkak të tij, nëpër rrugë qarkullonin më tepër se zakonisht makina, dritat e kuqe të të cilave , i kthenin në rubinë të rrejshëm pikat që shkundeshin si nga një shegë e çarë…
I pëlqente shiu pra, siç i pëlqente edhe kalamajve dhe, tek çapitej ngeshëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, poshtë pishave të larta , apo përgjatë Lanës me bar dhe drurë që kullonin, të ndriçuar aty – këtu , siç do t’i ndriçonte edhe hëna në pyll , ndihej më zotërues i atyre netëve…
Por kujt t’i thoshte se, e pëlqente shiun dhe dehej prej tij më përhumbshëm sesa prej çdo lloj alkooli, kujt t’ia shpjegonte se, asqë pyeste që lagej ? Sa ta hapte gojën , do t’i ktheheshin si gjithmonë shpërfillshëm dhe me mahi; eh, ai shiu, aman ; nuk ka këngë dashurie të prishur që të mos rigojë, s’ka telenovelë qaramane pasditesh ku të mos rrjedhë nëpër xhama kafenesh , apo nëpër dritaret e dhomës së një femre të zhgënjyer aq ligsht sa, nuk pranon askënd t’i trokasë në derë ! Le pastaj atë letërsinë e brezit të humbur, ku nuk shfleton dot asnjë faqe libri të palagur ! Ke influencë leximesh, prandaj e do shiun ti, i ktheheshin ; ke bindur veten se bëhesh interesant kësisoj dhe romantik që ke mbijetuar paq mes asaj racës suaj të rralluar…
Por, le të thoshin ç’të donin…
Por një natë , duke ecuar i menduar nën një çadër si nën një strehëz që e mëvetësonte , vuri re një femër pranë një stacioni autobusi. Kishte veshur pantallona xhins, një xhakavento të shkurtër lëkure dhe, këmishën poshtë saj, e kishte zbërthyer dhe, njërën cicë , të madhe dhe të bardhë borë, e kishte nxjerrë jashtë në një mënyrë krejt të pazakontë.
Ndjeu të rrahura të forta në zemër, krejt papritur dhe, tek i kaloi pranë , vuri re tinës, se ishte e bukur edhe ashtu me flokët e lagur ,të ngjitur pas kokës. O, Zot; dhe ishte e gjatë , me kofshë të plota prej atleteje dhe, bythë që merrnin përpjetë.
Po përse ajo nuk e pa miklueshëm , kur ai , më në fund, i hodhi një vështrim rrëshqitës ? Tek ai vështrim nuk kishte aspak përbuzje, pale neveri. Po mirë, përse nuk kishte dalë në rrugë me minifund ? Po taka të larta që ta ngrefosin tërë trupin përse nuk mbante ? O, pun’ e saj , pun’e saj …
Ajo cica e saj e plotë dhe vezulluese, ishte pa dyshim posteri pa fjalë që njoftonte saktësisht veprimtarinë e saj. Të marrsha të keqen e alfabetit me figura, apo piktura ! E ç’do të thoshte më shumë , një tabelë e varur në qafë, ku të shkruhej , fjala vjen : ejani klientë ,unë jam gati.…
Asgjë më shumë s’do të mund të thoshte një tabelë me shkronja, përveçse, njëherësh, do të ishte edhe diçka vulgare dhe prozaike.; të marrsha të keqen e shkrimit me piktura !
Por, ç’bëhej ? Zyrtarisht në Shqipëri ishte i ndaluar prostitucioni dhe, për këtë arsye , po të të kapnin në rrugë, në një kafene , në një motel, apo kudo gjetkë, me një prostitutë të cilën e paguaje për shërbimin që të ofronte , dënoheshe edhe ti njëlloj si ajo.
Eh, sa për të qeshur dhe për t’u tallur me këtë farë ligji ! Po në Shqipërinë, gjoja pa shtëpi publike , bëhej nami me prostituta të ardhura nga e gjithë Europa dhe, në krye të këtij harbimi erotik, ishin pikërisht ligjëvënësit, ministrat , deputetët e ca më lart tyre…
Kishte dëgjuar se, diku në qendër të Tiranës , aty rrotull lulishteve , pas orës nëntë të mbrëmjes, silleshin të vetmuara ca prostituta, në dukje, të paorganizuara. Dhe ja njera prej tyre ; e bukur e bukur, me rroba të pastra dhe flokë të artë, që i ndrisnin më shumë ashtu të qullura. Ato koleget e tij të zyrës, s’ishin gjë fare , para kësaj femre , që kushedi përse kishte dalë në rrugë të madhe dhe, s’hapte as çadër përmbi krye ! Ato koleget e tij, veçse hidhnin vickëla dhe mbaheshin me të madh. E pastaj; ai s’i kishte pasur asnjëherë më tepër sesa kolege…
Shih, si po e tërhiqte ajo krijesë; fort e fort, pa asnjë mundësi kundërshtimi, a thua se nuk bëhej fjalë për një lak virtual, por për një lak të vërtetë fizik.
Por sa mbrapa ishte ende Shqipëria në kësi punësh, në krahasim me çdo vend tjetër përqark ! Veçse ca prostituta që lëviznin spontanisht dhe të frikësuara , të cilat bëheshin pre e propagandës spekulative të medieve qorre ; medet !
Në Tiranën , prej vetëm njëzet e pesëmijë banorësh të viteve të Mbretërsë, kishte disa shtëpi publike, që frekuentoheshin rregullisht , kurse sot, ah, sot…
Po ai përse po i vinte rrotull asaj prostitute ? Ç’kishte ndër mend të bënte ? Po sikur të futej tek ai parku aty pranë dhe, të fshihej me të pas pemëve dhe ligustrave ? Ç’do të arrinte të bënte aty në këmbë mes shiut ? E kush se ai, që s’kishte pikën e përvojës me të tilla femra !
Në rininë e tij, kishte përjetuar veçse ca dashuri platonike ëndërrimtare që, megjithatë, të fusnin ca ethe përvëluese dhe të dëshirueshme ,por në asnjë rast nuk kishte shkuar më tej. Thjesht, edhe ideja e të bërit seks me një femër që dashuronte, i shkaktonte shpërbërjen e adhurimit plot pasion ndaj saj …
Në librat e tij të parë me vjersha , nuk mungonin motivet e dashurisë; vrap pas një vajze mes grurit të pjekur, gjumë i shqetësuar nga një kryeneçe tradhtare , puthje nën hënë ,e të tjera si këto…
Por, edhe tashmë , që ishte pesëdhjetë e tetë vjeç , i martuar dhe me dy fëmijë të rritur dhe, prej kohësh shkruante më së shumti romane , temën e dashurisë së ëmbël dhe dramatike , nuk e ndante nga krijimtaria e tij asnjëherë, ndonëse , ca kritikë, por kryesisht, ca miq të tij , me të cilët, pinte kafen, i thoshin vazhdimisht se, në të gjitha faqet e librave të tij bridhte e njejta femër, me të njëjtat tipare dhe, me të njëjtat shije dhe trille erotike.Je i pavërtetë, me një fjalë, i thoshin më së fundmi, në ato dashuriçkat që na vë përpara, je ëmbëlcak dhe libresk, çka është edhe më e papranueshmja…
Aha, i pavertetë me një fjalë, libresk dhe i shtirur, si edhe në ato shëtitjet n’ajrin e elektrizuar, nën një çadër, ku rigonte e rigonte shiu, si një poemë lirike që s’mbaronte.
Por ndryshe një vjershë, ndryshe një roman ! Një roman i humbiste mjaft vlerat , nëse shestohej i tëri mbi ca ngjarje bajate , që të dukej sikur i kishe përjetuar me emocion më herët nga leximi i librave të autorëve të tjerë. Ku ta dije , ndoshta kritikët e tij kishin të drejtë .
Në vitet shtatëdhjetë , kur filloi të shkruajë vrullshëm dhe të botojë , ishte poeti që nuk kundërshtonte për asgjë, në ato bisedat që ndizeshin në kafene, apo nëpër redaksitë e gazetave letrare , pale pastaj nëpër sallat e mbledhjeve, ku merrej në analizë nga Partia krijimtaria njëvjeçare e shkrimtarëve dhe artistëve.Ishte ai që pranonte dhe miratonte me lehtësi shijet dhe bindjet e të tjerëve , duke u përpjekur të ndihej sa më i përshtatur mes mediokërve dhe konformistëve të panumërt…
Por, ja pra, një prostitutë e vërtetë përballë tij që ecte para – mbrapa, ashtu e gjatë, me bythët që i tundeshin shtrëngueshëm dhe, me njerën cicë përjashta, që ndriste nga një bardhësi gjthë freski. Po si nuk i qe vënë ndërkohë prapa ndokush ? Apo kujt ia mbante aty në rrugë të madhe . Se mos ishte një rrugicë e humbur në gjysmëerrësirë…
E çfarë, do t’ia mbante atij ? Atij, që s’ishte marrë kurrë në jetën e tij me të tilla prapësish ? Pse jo; vjen një çast, në një moshë të shtyrë , kur nxitesh nga ca forca diabolike , për të provuar patjetër ca gjëra , para se të bëhet pandreqshmërisht vonë, apo, le ta themi, para se të ikësh nga kjo e shkretë jetë…
Epo, ai nuk ishte i humbur. Kishte bërë një jetë korrekte prej familjari , në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale dhe, kaq. Por tani i nevojitej një përvojë e prekshme me një prostitutë. i mjaftonte , i mjaftonte edhe një rast i vetëm; ai pastaj me aftësitë e tij përgjithësuese, do të arrinte të shprehej gjerësisht , duke përshkruar situata të tjera nga më të ndryshmet, në një roman të ri…
Po përse ajo, të gjithë ata që i kalonin përbri, i shihte vëngër ? Apo që ishte gati t’i lëshohej me fjalë të ndyra ndokujt që do të guxonte ta fyente ?
Ah, ato fjalët e ndyra , jo ato të sajuarat, ato , ato të dëgjuarat drejt e nga goja e një femre që del në rrugë që të ta japë kundrejt ca lekëve. Ato fjalë ia vlente t’i hidhje në letër aty për aty, apo t’i regjistroje nëpërmjet një diktofoni, sepse , përndryshe , ca më vonë ,në një tjetër mjedis dhe në një tjetër gjendje, mund t’i riprodhoje të deformuara dhe pa atë ngjyrimin që i bën të lezetshme …
O, sot njeriu mund të bëjë letërsi të mirë, edhe duke qenë tetëdhjetë vjeç, madje edhe më shumë…
Ajo ndali poshtë bazamentit të mermertë dhe të lartë të një monumenti dhe, në sfond të tij dallohej çuditërisht qartë. Por këmba e majtë e heroit të bronztë mbi bazament, i cili ecte krenarisht drejt historisë, sikur i binte mbi kokë dhe, ia ulte me qortim.
Por ajo kishte jashtë njerën cicë; hehe…
Vendosi t’i afrohej dhe t’i fliste ! E si, do të turpërohej tani në këtë moshë dhe në atë status që mezi e kishte përpunuar ? Jo, or ‘jo, nuk do të turpërohej ! Të dilte ku të dilte .Do t’i thoshte ashtu shpejt e shpejt të futeshin në errësirë dhe nuk do t’i bënte pazar. Sa t’i kërkonte do t’i jepte ,punë e madhe ! Këto femra hak i kishin sado t’iu jepje. Prezervativë ? O, ajo me siguri duhet të kishte me vete, përndryshe , i binte të fusje në shtëpi (bobo ! ) ndonjë infeksion të tmershëm. Por sa mirë që, i kishte përdorur herë pas here ato dreq prezervativësh dhe, nuk do të hutohej kur t’i duhej ta përdorte një të tillë sonte; vëre në atë mënyrë që vishen edhe çorapet, hahaha…
Shih, shih; ajo cica përjashta sikur ishte gufuar…
Si je ? – iu drejtua prostitutës, duke bërë disa hapa të pasigurt përpara dhe duke mos e parë në sy. Ajo nuk iu përgjigj, madje nuk reagoi fare, por pas pak zbriti dy shkallët e bazamentit të heroit dhe iu ngjit në krah. Pikërisht atëherë ai u trand dhe, iu kujtua e shoqja që kishte nisur ta quante huqli dhe neurotik.
Ec me mua në anën tjetër – i tha ajo femra dhe i tregoi trotuarin përballë. Shqipja e saj iu duk e dëmtuar si e të gjithë atyre që kthehen pas nja dhjetë vitesh nga emigracioni.
Prit, se na u ndez drita e kuqe në semafor.
I shtyp unë makinat me këtë timin, mos ki merak. Si do, të ta marr në gojë, si fillim ? Jam gola profonda unë…
Ku do të futemi ?
Te makina jote, o plak, ku e ke parkuar makinën ?
Nuk kam makinë, ku kam makinë unë !
A debil pa koqe, po ku t’i ul brekët unë, në shi ?
Shiko …
Zhduku, se na nxore sytë me atë çadër…
… Sa shumë i pëlqente shiu, sa shumë, kur shëtiste netëve n’intimitet trotuareve të Tiranës, duke ëndërruar i frymëzuar…