Gazeta Nacional Albania

SKËNDER BUÇPAPAJ: Rreth Librit “HEBREU I FUNDIT “ të shkrimtarit Shkëlqim Hajno

FATET E TRAZUARA NJERËZORE NËPËR RELIEVET E ASHPRA TË JETËS SHQIPTARE

(Rreth Librit “HEBREU I FUNDIT “ të shkrimtarit Shkëlqim Hajno )

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Me portrete në skulpturë ngjajnë personazhet që gjallojnë në librin e ri të shkrimtarit të njohur Shkëlqim Hajno.
Dhe duket se nuk i ka zgjedhur autori personazhet, por e kanë zgjedhur vet personazhet autorin e tyre. I kanë dalë përballë, kanë marrë vëmendjen e tij, kanë fituar zemrën e tij dhe autori i ka portretizuar duke i gdhendur, duke iu dhënë atyre jetë të përjetshme- disa me pamje e tipare të plota, disa në profil, disa në hije të sfondeve të gjithfarshme të jetës dhe të historisë shqiptare, gjithmonë e tronditur dhe asnjëherë e qetë, asnjëherë e paqësuar.
Janë të gjithë fate të trazuara njerëzore të cilët i kanë rrëmbyer dallgët e jetës dhe i kanë hedhur pa mëshirë nëpër relievet e ashpra të jetës shqiptare. Në novelat dhe në 27 tregimet që përbëjnë librin e ri të Shkëlqim Hajnos “Hebreu i fundit” në qendër janë personazhe pozitive, të gjithë të ndeshur me të papriturat e panumërta, paudhësitë, pabesitë, ligësitë, dramat, tragjeditë aq të pamunguara në jetën e individëve të një populli sa dhe në jetën e vetë popullit të cilin e përbëjnë këta individë. Sekush prej tyre mund të kishte pasur fat më të mirë nëse do të ishte lakuar dhe do të ishte përshtatur me furtunat gjithfarëshe dhe të mos zgjdhnin të përballeshin me to.
Sekush prej tyre është vënë në prova nga më të rëndat, është luhatur dhe ka shfaqur ndonjëherë edhe dobësitë dhe pafuqitë njerëzore dhe prapë është ngritur në këmbë, ka drejqëndruar dhe ka mbetur i tillë në kujtesën njerëzore. I tillë është Jani në tregimin “Vdekja e Janit”, fshtari i thjeshtë nga Librazhdi, i cili iu kishte dhënë kuptim jetëve të banorëve pleq të mbetur në fshatrat e minoritetit në vitet e mbrapshta tranzicionit në Shqipëri. Sa epik dhe dramatik është Minella Bolena në tregimin homonim që, pasi përballet me një burg të gjatë dhe të rëndë, duke ruajtur të paprekur dinjitetin njerëzor, jashtë mureve të burgut e ndjen veten të shndërruar në një të huaj të papranueshëm.
Karakter i paepur përballë provave të vështira është Damo Kasneci në “Nata pa fund”, ish partizan që merr detyrën e gardianit tek burgu i “Shtatë penxhereve”. Nuk iu shpëton ligësive prokurori Cacja, i cili çon në burg për vjedhje të pasurisë socialiste nënën e tij Parashqevinë, nuk e shmang dot as burgun e tij politik si armik i partisë dhe popullit, por mbetet njeriu që nuk i druhet vetes në përballjen me njerëzit.
Dramatik sa dhe tragjik është fati i vëllezërve (Stavro partizan dhe Kosta pjesëtar në ushtrinë qeveritare greke) që morën rrugë të ndryshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vatrën e tyre, në praninë e nënës së tyre, i pari vret të dytin ngaqë nuk pajtohet me zgjedhjen e tij, por nëna Mana Niqi mbetet monument madhështor i shpirtit njerëzor.
Një portret tejet lirik është Magdalena te tregimi “Aroma e vjetër e trëndafilit”, ëndrra e gjithë djelmoshave të qytetit të vogël, e braktisur nga i dashuri që i kishte bërë xhelozë të gjithë, sa është edhe Pavli i zgjedhur i ri i saj i zemrës.
Tejet i veçantë është Gjon Tisia, nga tregimi “Loti i sorkadhes”, njeriu i shumë pasioneve të mëdha. Sa është krejt i kundërt me kolegun gjahtar Pallavriqi, gjesti mizor i të cilit e detyron atë të heqë dorë përgjithmonë nga ky pasion. Rrallë të përsëritshëm në humanitetin e lartë njerëzor janë dy klerikët e qytetit jugor, myftiu Tanush Omeri dhe Papa Leksi, tek tregimi “Hebreu i fundit”, që ia jep titullin librit të ri të Shkëlqim Hajnos, të cilët detyrën e tyre para Perëndisë, para Atdheut, kombit e njerëzimit e ndiejnë të kryer vetëm pasi ia arrijnë që edhe hebreun e fundit ta shpëtojnë nga rreziku i nazistëve që sapo janë vendosur në qytetin e tyre.
Rrallë mund të gjejmë në prozën tonë personazhe pozitive të portretizuara me aq dashuri sa në prozën e këtij libri të ri të Shkëlqim Hajnos. Dhe është meritë e veçantë e shkrimtarit që personazheve pozitive iu është përkushtuar pa drojën e cila, jo rrallë, prozatorët, për lehtësi portretizimi, i bën të vënë në qendër të veprave të tyre personazhe negativë. Personazhet pozitivë në qendër të tregimeve dhe novelave të Shkëlqim Hajnos kanë shumë dritë për veten, por rrezatojnë edhe te personazhet e dorës së dytë apo tek të kundërtit e tyre, personazhet negativë, rrezatojnë edhe tek turmat, kur ato janë të pranishme në këto tregime.
Kjo përmasë i bën jo vetëm të paharrueshëm këto personazhe, por edhe i bën lexuesit që të tillë karaktere, të tillë portrete që i ka sjellë jeta tek shkrimtari, t’i sjellë edhe në rrugët e tyre të jetës. Pa dyshim, sekush nga ne do të donte që në jetën e tij të ndeshet me njerëz të tillë, me sa më shumë njerëz të tillë si këta që kanë fituar simpatinë dhe dashurinë e autorit dhe janë personazhe pozitive të librit “Hebreu i fundit”.
Më të paharrueshmit, pa dyshim, do të mbeten për lexuesit personazhet e novelës “Ura”, Gjin Strati dhe e shoqja e tij Tanusha Zenebishi së cilës “vetja i dukej si një skulpturë antike e beftë që lëvizte ngadaltë, gdhendur në mermer të bardhë, pluhurosur aty-këtu me purpur të trëndafiltë si ai i kopshtijeve të saj. Përtej dritares së vogël kupa e qiellit dukej vërtet hyjnore, me atë blunë e saj dhe retë krejt të bardha si kurrize delesh, të shenjta gjithashtu, shpërndarë vende-vende në mes asaj bluje.” Janë dy bukuri fizike dhe shpirtërore, në një nga familjet më të rëndësishme që kanë shënuar historinë tonë kombëtare, janë një dashuri nga më të përkryerat, një dashuri që nuk sjell fëmijë, nuk i bën ata prindër, prandaj fati e gjykon këtë dashuri që të jetë pemë pa fryte. Dhe e mbyllin jetën e tyre në mënyrë të përnjëhershme vetëm pas emrat e tyre arrijn t’i bëjnë të përjetshëm në jetën e bashkëkohësve të tyre dhe në jetën e breznive të ardhshme, shumë më pavdekshëm se kunatat dhe kunetërit e asaj, shumë më pavdekshëm se vëllezërit dhe kunatat e atij. Gjini dhe Tanusha, pa dyshim, spikatin më fortë në atë larmi portretesh skulpturore që e kanë gjetur veten e tyre tek një autor aq i përkushtuar, për t’u bërë të gjalla dhe të paharruara.
Shkëlqim Hajno ka ditur t’iu krijojë atyre hapësirat e dritës dhe të frymëmarrjes, ka ditur të ruajë masën e portretit, të dialogut, të përshkrimit të mjedisit, të dhënies së hollësive të ngjarjeve, në atë mënyrë që lexuesi të mos e ndjejë të nevojshme për asnjë moment të shkëputet nga leximi dhe që të mos i shpëtojë dot dëshirës për t’iu rikthyer leximeve dhe për të zbuluar në çdo rilexim diçka të re, të pahetuar më herët./