Site icon Gazeta Nacional Albania

TANGO E BJESHKËVE. NGA EVA GJONI

Në një mbrëmje kushtuar  ribotimin te Lahutës së Malësisë, u gjenda e rrethuar nga magjia e fjalëve të asaj kryevepre, ku vargjet rrjedhin nga një histori ADN-je e skalitur nder breza. Ishte një atmosferë ku ndjesia e instinktit natyror, tingulli i përplasjes së drurëve, flladi i erës nëpër gjethe dhe ajri që vjen nga deti për të përshëndetur tokën u bënë njësh me shpirtin. Pikërisht në këtë mjedis mistik, nisën tingujt e Valles së Tropojës.

Vallja e Tropojës nuk nis me hapin, por me një rrahje të brendshme, si zemra që kujton kush je. Një tingull çiftelia ngrihet si thirrje mali dhe këmbët nuk pyesin më thjesht ndjekin. Hapi bie fort, toka e njeh atë goditje. Është si një kujtim i lashtë që zgjohet, si të kenë vallëzuar kështu edhe para tyre, edhe para kujtimit vetë.

U futa në ritmin e saj, në ato lëvizje aq të prera dhe lakuese, një ndërveprim trupash që marrin dhe japin shpirt si dy trupa qiellorë. Do ta quaja, pa hezitim, “Tango e Tropojës”. Në tango ka ndjeshmëri trupore dhe kimi, pa të cilën ajo humbet sensin e saj të vërtetë. Por në Vallen e Tropojës, ekziston një aureolë trupash që afrohet e largohet, duke krijuar një energji vepruese që i bashkon dhe i ndan në një vorbull ku reaksioni i vorbullës është aq i fortë, sa trupat qëndrojnë në atë distancë që nuk ndryshon, por vetëm bashkëveprojnë. Kur këmba godet tokën, ajo nuk po kryen thjesht një lëvizje mekanike, ajo po komunikon me eshtrat e paraardhësve që prehen në atë tokë. Valltarët bëhen ‘mediume’ përmes të cilëve koha e shkuar dhe e ardhmja takohen në një pikë të vetme, në ‘tani’-në e valles.

Kjo valle është magjia e një elementi të dukshëm fizik që mbart të padukshmen e fuqishme dhe mistike me natyrën. distanca midis dy trupave nuk është ndarje, por një hapësirë e shenjtë ku jeton energjia. Është si tensioni i telit të çiftelisë, duke krijuar një ekuilibër perfekt mes unit dhe tjetrit. duhet të jetë i tërhequr që të prodhojë tingull.

Teksa i shoh ato trupa, imagjinata mi zhvendos në bjeshkë, duke u drejtuar drejt hapësirës, sepse ndërveprimi i trupave është themelimi i saj. Ritmi i saj, sfidues dhe krenar, na kujton se vallja nuk është thjesht lëvizje, por një kujtesë kozmike që na lidh me rrënjët tona më të thella, jemi pjesë e një rregulli universal, ku njeriu, mali dhe era janë instrumente të të njëjtit orkestrim hyjnor.

 

Exit mobile version