Site icon Gazeta Nacional Albania

Të jetosh, ja vlen gjithmonë. Novelë nga Valbona Malaj Arnaboldi

Të jetosh, ja vlen gjithmonë!
“Jeta nuk matet nga numri i frymëmarrjeve, por nga momentet që na lënë pa frymë.” -Maya Angelou

Nga Valbona Malaj Arnaboldi

Përshëndetje! Si e pate gjumin këtë natë? Ose më saktë: A zgjodhe të flesh si një mbretëreshë mbi dyshekun prej puplash të dijes?
Më pëlqen shumë kjo linjë e hollë mendimi që përdor herë pas here, ku ironia shpesh pickon inteligjencën dhe e shndërron këtë bisedë në një argëtim të këndshëm. E di mirë që fenomenet janë të lidhura me njëra-tjetrën, por në lojën e ndërlikuar të jetës, është thelbësore që idetë dhe veprimet tona të jenë në harmoni dhe akordim me zgjedhjet që bëjmë.
Në akordim? Ne, që adhurojmë të kërcejmë pa ndryshuar kurrë ritmin e valles së përditshme?
Pikërisht! Braktisja e zonës së komfortit është si të bësh një hedhje të guximshme mbi sustën e jetës… nuk është e lehtë ta shohësh veten nga një perspektivë e largët.
Pak a shumë si syri i fshehur në programin televiziv “Big Brother”.
Në mënyrë analoge, syri mund të përfaqësojë gjykatësin e lartë të modës dhe të ndërgjegjes kolektive të një kategorie trendi. Dyshoj që ky program të ketë më shumë klas sesa një sfilatë mode.
Sa bukur do të ishte sikur të mund të parakalonim të veshur me rrobat e mençurisë, përtej kufirit të egos.
Shtyllat e kufirit janë një udhëzim në vallen ekscentrike të jetës. Duhet ta pranojmë me vetëdije që ato na shërbejnë për të përcaktuar limitin e pistës ku vallëzojmë.
Pothuajse gjithmonë, kjo zonë kufitare është e krijuar nga paragjykime dhe koncepte të sedimentuara me kalimin e kohës.
Frika e humbjes së sigurisë dhe komoditetit që kjo zonë na ofron, minon kurajën tonë për t’i ndryshuar, lëvizur apo spostuar këto limite. Është njësoj si të thuash: “Jam i gatshëm të bëj ndryshime rrënjësore në jetën time, me pakt që gjithçka të mbetet ashtu siç është.”
Këta njerëz nuk do të ndërronin as divanin, ah, ah, ah…
Divanin? Mbi të gjitha atë jo… ah, ah, ah…
Qenin dhe macen nuk do t’i ndërroja as unë.
Kurse gruan apo burrin… ah ah ah…
E bukura është që ti nuk e lë kurrë topin të bjerë në tokë.
Kur bëhet fjalë për shaka, kurrë. Humori është arma jonë sekrete. Është maska më e rafinuar në skenën e jetës.
E di mirë: nuk harrohet kurrë sa herë jemi zbavitur dhe kemi qeshur me shakatë tona. Dhe ti, ishe me të vërtetë e guximshme në arkitekturën e disa prej tyre.
Guximi nuk më mungon as sot.
Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë. Më kujtohet si sot, kur lajkatoje zyshën e letërsisë me komplimente të ekzagjeruara, vetëm që të mos çonte në tabelë.
Sa për atë punë, zbavitesha pa masë edhe kur merrja në lojë drejtorin e shkollës duke shkëmbyer etiketën “drejtoria e shkollës” me atë të banjos dhe anasjelltas. Gjithmonë kam pasur cilësinë, apo difektin, të sfidoj autoritetin e eprorëve.
Pse tani nuk e ke më?
Varet.
Nga çfarë?
Nga konsiderata që kam ndaj personit në fjalë.
Ma do mendja që nga diçka do kesh frikë, apo jo?
Nga vetë frika! Mendoj se e kam tejkaluar atë fazë ku duhet me çdo kusht të demonstroj vlerën time për t’u pranuar në shoqëri. Me fjalë të tjera, kam fituar të drejtën të jem ajo që jam.
Sipas teje, kush na qenke?
Jam njëkohësisht: ushqimi dhe uria, uji dhe etja, iniciativa dhe tërheqja, drejtësia dhe dënimi, ngrohtësia dhe ftohtësia, afrimi dhe largimi, pyetja dhe përgjigjja…
Do të thuash të dyja anët e të njëjtës medalje?
Insistoj të nënvizoj faktin që jetojmë në një dimension të bazuar në një vizion dualist, ku çdo gjë perceptohet e ndarë, ashtu si dhe e mira nga e keqja. Megjithatë, nga rrudhat e eksperiencës sonë, del vazhdimisht në pah ndërthurja dhe bashkëpunimi i këtyre dy elementëve, ashtu si në një kompozim muzikor ku notat nuk mund të funksionojnë të pavarura nga njëra-tjetra. Do ta quaja një martesë autentike interesash, në skenën e gjerë të jetës.
Dy komponentë që gjithashtu i nënshtrohen magjisë së transformimit kur menaxhohen për një qëllim të caktuar.
Për këtë, arti mbizotëron me mjeshtëri një gjuhë ndër-dimensionale, të pasuruar me shprehje gati elektrizuese, që të përcjellin drejt botëkuptimit cilësor të këtyre komponentëve. Askush nuk duartroket “profesionin më të vjetër” të botës, por të gjithë adhurojnë personazhin e Violetës në operën “Traviata” të kompozitorit G. Verdi, “Madama Butterfly” të kompozitorit G. Puccini, dhe për të qenë më modernë, aktoren Julia Roberts në filmin “Pretty Woman” të regjisorit G. Marshall, sa për të dhënë disa shembuj.
Sakrifica, devocioni dhe kapaciteti për të dashur që karakterizojnë këto figura femërore, dalin në pah si fishekzjarre që shkëlqejnë përtej gjykimit të masave, gati deri në provokimin e xhelozisë së murgeshave të mbyllura në emër të dashurisë për Zotin.
Kujdes me krahasimet; gjithsesi, po, kjo është magjia e vërtetë e artit.
Sa i përket artit: i ke ende poezitë dhe tregimet që shkruaje dikur?
I kam humbur të gjitha, bashkë me to edhe disa debutime muzikore cilësore, të regjistruara në studiot e Radiotelevizionit, nën mbështetje dhe ndihmën e madhe të mikës sime të paharruar, Sysheta Mali, një grua zonjë me cilësi të përsosura, që pata fatin ta njoh.
Çfarë mëkati, një thesar i vogël i humbur.
Ndoshta ke harruar, një nga periudhat më të errëta që përfshiu vendin tonë me rrëzimin e komunizmit?!
Si mund të harrohet!
Pikërisht për këtë e kisha fjalën… Edhe pse, do të doja t’i fshija disa kujtime… kur mendoj entuziazmin, këmbënguljen, besimin dhe gjithë energjinë që kemi investuar për të rrëzuar atë sistem…
Duhet të ndihesh me fat që ky ndryshim të gjeti ende studente. Mund të thuash me krenari: “Unë isha aty.”
Ishim të gjithë euforikë dhe të motivuar për të shkuar deri në fund në realizimin e qëllimit tonë. Madje kam marrë pjesë edhe në një grevë urie ku ushqeheshim vetëm nga një iluzion.
Për çfarë e ke fjalën?
I referohem faktit që asgjë nuk është plotësisht ashtu siç duket. Vetëm më vonë e kuptuam rolin tonë si eshkë zjarri, ndezur për të djegur vetveten. Ishte një orkestrim i shkëlqyer për daljen nga skena pas dyzet vjetësh diktaturë, të zotërinjve të paprekshëm. Quaje demokraci po deshe… Menjëherë pas kësaj filloi ferri. Një shtet jashtë kontrollit, plotësisht në duart e bandave dhe kriminelëve të liruar nga burgjet për të përhapur kaos dhe panik. Asgjë nuk do të ishte më si më parë. Duhej të hiqja dorë nga shëtitja ime relaksuese e darkës, që si zakonisht e bëja pas studimit të violinës.
Pikërisht: qetësia, rregulli, arsimi, shëndetësia, puna, strehimi… në fund të fundit, diçka të mirë ka prodhuar edhe komunizmi, apo jo?
Kjo pyetje i duhet drejtuar sakrificave prindërore dhe, mbi të gjitha, shtresës intelektuale që kishte diçka për të thënë. Kanë qenë kohë sa të qeta, po aq edhe të vështira, ku zhvilluam aftësinë për të komunikuar në heshtje. Një heshtje e mbingarkuar me mendime dhe ëndrra të burgosura në periferi të mendjes, të cilat nuk mund t’i lironim as brenda mureve të shtëpisë nga frika se edhe ato mund të dëgjonin. Jetonim si sardina të shtypura brenda një kutie të vogël, të dorëzuar përpara një fati të paracaktuar, ku të qenit mediokër përbënte të vetmin urim të mundshëm ndaj vetvetes, për të mos u tradhtuar në mënyrë të pavullnetshme dhe për të përfunduar kështu, plotësisht në humnerë. Duhej të ishim mirënjohës për majën e karotës së ofruar, ndërsa një dru gjigand rrotullohej egërsisht mbi kokat tona, i gatshëm për të goditur këdo që guxonte ta ngrinte atë. Artistët përpiqeshin të komunikonin të vërtetën me anë të një gjuhe të kodifikuar, fatmirësisht jo të deshifrueshme për të gjithë. Nuk kishte asgjë më të rrezikshme se sa të përfundoje në duart e një klase politike të korruptuar, despotike, manipuluese dhe të përkundur në djepin e injorancës, në një sistem ku secili mund të ndihej i autorizuar të përulte të tjerët, në emër të partisë.
Si puna e asaj sanitares së konviktit. Të kujtohet?
Le ta lëmë këtë kujtim mënjanë, nuk dua të flas keq për të. Në fund të fundit, ndoshta ishte tepër e lodhur duke pastruar dhe larë rrobat tona.
Çfarë thua, harrove që i kemi larë vetë që kur ishim dhjetëvjeçarë? Gjithsesi, gëzohem që nuk i mban më inat për atë ndëshkim absurd dhe të fshehtë ndaj teje dhe Anës në lidhje me atë ngjarjen e famshme.
Ka kaluar gati gjysmë shekulli; si nuk e paske harruar?
Si mund ta harroj? Ishim kaq në merak!
Ishim ende fëmijë, vetëm tetë vjeç, kur përjetuam atë aventurë pranverore. Më kujtohet si sot ajo pasdite e ndritur, kur dielli rrezatonte fuqishëm, duke na dhuruar një dritë verbuese. Gjithçka erdhi natyrshëm. Ishim katër shoqe, me dëshirën për të bërë disa hapa, asgjë më tepër se një shëtitje e vogël brenda një caku territorial të kufizuar sipas rregullores në fuqi, të cilën nuk kishim aspak synim që ta shkelnim. Fabiola, e cila meriton të ketë protagonizmin e kësaj aventure, na sugjeroi të shkonim pak më tej, çfarë mund të ndodhte për disa hapa më shumë? “Oreksi vjen duke ngrënë,” thonë, dhe ashtu ndodhi edhe me ne. Duke u shtyrë nga kurioziteti, u gjetëm përpara stacionit të trenit, i cili më solli në mendje ndalesën e fundit që autobusi i linjës Bajram Curri – Tiranë kishte bërë. Rruga atëherë më ishte dukur shumë më e gjatë, ndoshta nga pesha e valixhes sime prej druri që mezi e ngrija. Pikërisht në këtë çast Fabiola propozoi:
– Po sikur të bëjmë një xhiro me tren?
Një zë i vogël brenda meje ngurroi:
– Do bëhemi vonë!
Por Fabiola u përgjigj e sigurt:
– Do të kthehemi në kohë dhe askush nuk do ta vërë re mungesën tonë.
Ana, gjithmonë më e kujdesshme, shtoi:
– Nuk kemi para për bileta.
– Fshihemi në banjo!- tha përsëri Fabiola që ndërkohë, priste një shenjë miratimi edhe nga Mimoza, që, si më e vogla e grupit, ishte krejtësisht e dorëzuar ndaj nesh, përpara syve të saj më të rritura dhe më të pjekura. Ndihesha e lëkundur ndërmjet entuziazmit për të eksploruar diçka të re dhe frikës për t’u zbuluar. E gjithë situata erdhi kaq befasisht dhe ideja për të bërë diçka të ndaluar amplifikonte gjendjen time shpirtërore. Pavarësisht kundërshtimeve dhe dyshimeve, përfunduam duke pranuar idenë e Fabiolës. Me hapa disi të ndrojtur, filluam të ecim me kujdes për të mos rënë në sy, teksa anashkalonim biletarinë që ndodhej pothuajse në hyrje të stacionit. Ndërkohë, rrahjet e forta të zemrës vazhdonin të pulsonin në mënyrë ritmike, si një trokitje insistuese në ndërgjegjen e injoruar nga pafajësia e moshës. Ishte një ditë e diel dhe stacioni gumëzhinte nga gjallëria e njerëzve që nxitonin për të hipur në tren, duke avantazhuar kështu edhe kalimin tonë. Sapo u gjendëm brenda, na mjaftoi të hidhnim një vështrim njëra-tjetrës për të vrapuar me një shpejtësi të rrufeshme në drejtim të banjos, ku do të qëndronim të mbyllura gjatë gjithë kohës së udhëtimit. Një tension i lehtë që filloi të rritej sapo ndjemë lëvizjen e trenit, u përzie me një kontrast emocionesh që na shoqëronin në këtë aventurë, ku çdo gjë dukej e përpirë nga zhurma e shinave poshtë nesh. Herë pas here, përgjonim me kuriozitet pasagjerët që hipnin dhe zbrisnin, ndërsa përpiqeshim të mbanim gazin për çdo gjest apo veprim komik që na zbaviste tej mase. Por nuk kaloi shumë kur dëgjuam trokitje në derë. Zemrat na u ngrinë. Kontrollorët na kishin zbuluar dhe, si zakonisht, vështruan drejt meje, duke më konsideruar më të madhen për shkak të gjatësisë sime. Në fund të fundit, shumë njerëz gabimisht i barazojnë gjatësinë me moshën. Edhe pse u ndjeva e tunduar të drejtoja gishtin nga Ana, që ishte më e madhe, krenaria ime nuk do të ma lejonte. Në fund të fundit, do të kishte qenë mëse normale të ndaja përgjegjësinë me të tjerat, për t’u lehtësuar nga pesha e vendosur padrejtësisht vetëm mbi shpatullat e mia, edhe pse kisha të njëjtën moshë me Fabiolën. Pasi na kthyen në pikën e nisjes, na dorëzuan në duart e një agjenti policie. Ai, qoftë nga indiferenca, qoftë për ndonjë arsye tjetër, na shoqëroi vetëm një pjesë të shkurtër të rrugës, duke na dhënë disa këshilla të thjeshta, por të nevojshme. Me një kujtesë të qetë për orën e vonë të natës, ai na la të vetëdijshme për përgjegjësinë që tashmë rëndonte mbi ne. Me mendimin se vonesa do të na sillte një ndëshkim të rreptë, vendosëm të mos ktheheshim në konvikt, por të kërkonim një zgjidhje tjetër. Ndërkohë, Mimoza, e tronditur nga pasiguria dhe frika, nisi të qante në heshtje. Ishte e qartë që kjo aventurë nuk ishte më për të. Me fjalë të buta, e inkurajuam të kthehej, duke e siguruar se mund të mbështetej tek ndihma e mirësjelljes së kalimtarëve, ashtu siç e diktonte koha. Për ta qetësuar, i thamë që mund të na fajësonte ne, si më të rriturat, duke shpresuar se kjo do t’ia lehtësonte sadopak barrën. Tashmë të mbetura vetëm në tre, vendosëm të arrinim në Laç, nga ku niseshin autobusët për në Rrëshen, vendlindja e Fabiolës dhe Anës. Duke ndjekur shinat e trenit, ecnim drejt së panjohurës, ndërsa dielli perëndonte ngadalë dhe muzgu i natës, si një pëlhurë e errët, fillonte të mbulonte horizontin me nuanca të ndezura që shuanin dritën e fundit të ditës. Një kalimtar i vëmendshëm na ndaloi dhe me një ton të qetë na këshilloi të mos vazhdonim rrugën në errësirë, duke na paralajmëruar për rreziqet e natës. E kuptuam se aventura jonë kishte kaluar çdo kufi të sigurisë. Kështu, vendosëm të kërkonim strehim te kushërira e Fabiolës, e cila na priti dhe na përcolli në mëngjesin e hershëm me kujdesin dhe qetësinë e një mikpritjeje të sinqertë. Tani kishim vetëm një qëllim: të arrinim në shtëpinë e Fabiolës. Ajo na kishte folur me aq pasion për ëmbëlsirat që nëna e saj përgatiste me mjeshtëri, sa mezi prisnim të gdhihej për të nisur udhëtimin tonë drejt këtij premtimi të ëmbël. Ndërsa dita po lindte ngadalë, rrezet e ngrohta të diellit na përkëdhelnin me një prekje të butë, duke na dhënë një ndjesi lirie dhe shkujdesjeje. Si të dehura nga kjo ndjenjë e papërcaktuar, u dorëzuam ndaj lehtësisë së momentit. Por papritmas, një sirenë e largët dhe zhurma e një treni që afrohej me shpejtësi na zgjoi nga ëndërrimi. Instinktivisht, u hodhëm përtej shinave, me zemrat që na rrihnin fort nga një përzierje frike dhe eksitimi. Përpiqeshim të mbanim një ndjenjë kontrolli mbi këtë aventurë, edhe pse e ndienim se po na ikte nga duart. Brenda një çasti të shkurtër, që na u duk se zgjati gati të thuash disa fraksione sekondash, vërejtëm me tmerr se Ana kishte mbetur mbi shina, e ngrirë dhe e shokuar nga frika. Një përzierje e fatit dhe reagimit tonë të shpejtë e shpëtoi atë moment nga kthimi në tragjedi. Ndërsa treni fluturonte përpara me shpejtësi rrufeje, pasagjerët, të shqetësuar dhe me zëra të lartë, na qortonin nga dritaret me fjalë të ashpra. Ne, të trija, të shtrira për tokë, ndiheshim ende të tronditura nga fuqia e shtytjes që i bëmë Anës, duke e rrëzuar atë jashtë rrezikut në sekondat e fundit. Ishte një nga ato momente ku instinkti me ndërhyrjen e tij të rrufeshme, shndërrohet në një hero të vërtetë. Kjo ngjarje, përveç ankthit, frikës, urisë, etjes dhe lodhjes, që si hije të pashmangshme na shoqëronin në çdo hap, na bëri të kuptojmë se ndoshta kishte ardhur momenti të ktheheshim në konvikt dhe të përballeshim me çfarëdo ndëshkimi që eprorët do të mendonin se meritonim. Me një qetësi të vendosur dhe një ndjenjë dorëzimi të pashmangshme, vendosëm të ktheheshim, duke i dhënë fund kështu aventurës sonë të jashtëzakonshme. Brenda nesh, kjo përvojë kishte lënë gjurmë të pashlyeshme: një ndjesi e pashpjegueshme, e ngjashme me shijen e një fruti të ndaluar, që nuk donte të na braktiste. Ndërkohë, për të mbrojtur versionin tonë të historisë, ramë dakord për tregimin që do të bënim. Disa detaje, megjithatë, do të mbeteshin një sekret i vogël mes nesh, të fshehura thellë në kujtimet tona.
Në të vërtetë ne ju kemi kërkuar për dy ditë të tëra.
E di! Faktikisht zgjodha me vetëdije të tregoj vetëm një pjesë të ngjarjes, e cila në vetvete është një reflektim mbi atë që mund të prodhojë frika, veçanërisht në mendjen e një fëmijë që në rastin konkret rezultoi të ishte e ekzagjeruar në krahasim me reagimin e eprorëve tanë.
Sigurisht që ishin shumë të lehtësuar që nuk kishit pësuar asgjë të rëndë. Mos harro se në rastin e kundërt, përgjegjësia për çdo incident do të binte mbi ta. Prandaj edhe familjet nuk u njoftuan për këtë ngjarje. Në fund, kjo ishte një situatë që mund të kishte përfunduar ndryshe…
Ka mundësi! Megjithatë, edhe pse nuk ishte e drejta apo detyra e asaj “punonjëses” që përmende më sipër, prapë ajo ndjeu nevojën të barazonte llogaritë. Tani, që e kuptoj më mirë se nga vjen nevoja e disa individëve për të shfryrë mbi shtresat më të dobëta e delikate të shoqërisë, duke hedhur mbi ta gjithë mizerjen, problemet dhe negativitetet që përshkojnë jetën e tyre, arrij jo vetëm t’i fal, por edhe të ndjej keqardhje për ta. Në atë moment, dhe veçanërisht për moshën time të re, nuk mund ta kuptoja se si mund të fshihej kaq ligësi në shpirtin e një gruaje, për më tepër një nëne, që arriti të zhveshte dhe të godiste me zorrën e ujit dy vajza të vogla, siç ishim unë dhe Ana. Ndoshta është prejardhja ime, dashuria e pakushtëzuar e prindërve të mi, ose ndoshta vetë natyra ime, që më bën të fortë dhe të papërkulshme përballë abuzimeve të tilla. Zgjedh gjithmonë të mbroj më të dobëtit, ashtu si në ato çaste m’u duk shoqja ime Ana. Dhimbja që ndieja për të ishte më e thellë se ajo që provoja për veten. Zemra më shtrëngohej teksa e shihja të frikësuar dhe duke u dridhur nga të ftohtit, ku të vetmen armë mbrojtjeje kishte zërin e saj belbëzues, që lutej dhe kërkonte falje për të dyja, pasi unë kurrë nuk do ta kisha kërkuar vetë.
Kushedi se nga bëhet Ana tani?
Nuk kam asnjë lajm prej saj që nga shkolla tetëvjeçare. Më duket se kishte lënë violinën.
Po për Fabiolën, a dihet ndonjë gjë?
Di vetëm se u martua para se të përfundonte liceun, duke rënë në kurthin e adoleshencës që kap veçanërisht ato vajza të cilat bukuria eksplozive dhe shprehëse në të gjitha format e trupit, tejkalon përtej pjekurisë së moshës. Ashtu si mimozat e para që lulëzojnë në shkurt, të gënjyera nga rrezet e një ndriçimi diellor të parakohshëm për stinën e pranverës.
Gjithsesi, në kujtimet e mia, dalin në pah më shumë anët pozitive të jetës sonë konviktore sesa aspektet e saj më të errëta.
Absolutisht po. Përveç faktit që natyra vetë kujdeset për ne, përmes mekanizmave të saj të ruajtjes, ekziston edhe një mënyrë subjektive e të jetuarit, e cila lidhet me kërkesat e brendshme, qëllimet, interesat, pasionet, ëndrrat dhe personat që na rrethojnë.
E di që ke qenë shumë e lidhur me zyshën tënde të violinës, Didi Tartarin.
Ajo nuk ishte thjesht një mësuese e jashtëzakonshme; për mua, ajo mishëronte diçka shumë më të thellë – një udhëheqëse shpirtërore, një frymëzim i pashtershëm që më tërhiqte drejt saj me një përkujdesje të heshtur dhe dashuri të rrallë. Kurdo që shkoja në shtëpinë e saj, nuk ndihesha asnjëherë e tepërt, pavarësisht orës apo momentit. Nëse përkonte me kohën e ngrënies, ajo thjesht shtonte një pjatë në tavolinë, sikur të isha pjesë e përhershme e atij vendi të ngrohtë e të mirëpritur. Shpesh, në orët e qeta, dëgjonim muzikë klasike, interpretime të pavdekshme që buronin nga disqet e saj, duke na transportuar në një botë magjike ku arti dhe shpirti gërshetoheshin në një harmoni të heshtur. Gjurmët e saj në jetën time mbeten të pashlyera, si shenjat e një gruaje me vlera të thella, të pasura, dhe e kompletuar në çdo dimension të jetës. Energjia e saj rrezaton një thelb të përbërë nga një mendje e ndriçuar, një zemër e ngrohtë, një shije të rafinuar, elegancë natyrale, butësi të ëmbël, një temperament të ndjeshëm dhe cilësi të tjera që lartësojnë figurën e saj.Talenti i zysh Didit shfaqet jo vetëm përmes teknikës, ekspresivitetit dhe një llogjike të fortë analitike në violinë, por edhe përmes mënyrës së saj të komunikimit. Çdo fjalë, çdo gjest, reflekton një shpirti fisnik, të lehtë, dhe plot dritë. Ajo nuk ishte thjesht një mësuese; ishte një udhërrëfyese e shpirtit tim, një model frymëzimi që më ndihmoi të shoh muzikën dhe jetën, përmes një prizmi më të pastër, më të qartë dhe më të bukur. Një mësuese tjetër që kujtoj me shumë nostalgji është Kozeta Lelo, mësuesja e matematikës, një nga lëndët e mia më të preferuara.
Një kënaqësi të veçantë na dhuronin edhe orët e solfezhit me zysh Lida Darsian, e cila, me ëmbëlsinë, bukurinë dhe rininë e saj, la një gjurmë të përjetshme në zemrat tona. Nuk mund të lëmë pa përmendur as zysh Dhurata Fishtën, që na mësonte fizikën me një kompetencë të jashtëzakonshme dhe një mirësjellje të veçantë, tipike për një zonjë elegante, me klas dhe me një zemër të madhe.

Po aq mbresëlënëse ishte edhe zysh Diana Ziu, një kompozitore dhe piktore e talentuar, e cila përcillte njohuritë e saj me lehtësi dhe pasion të rrallë.
Përvoja ime e parë si pjesëmarrëse në një kuartet harqesh të formuar nga një bashkëpunim i ngushtë mes nxënësve dhe mësuesve, mbetet një nga kujtimet më të paharrueshme. Për mua dhe violisten e talentuar Elizabeta Uka, luajtja krahas violinistit të çmuar, profesor dhe drejtori i liceut në atë periudhë, Roland Xhorxhi, si dhe violoncelistit të afirmuar, profesor Muharrem Denizi, ishte një privilegj i veçantë. Çmimi i parë që juria e dekadave të majit i dha këtij kuarteti, nuk ishte thjesht një njohje e përkushtimit dhe interpretimit tonë, por edhe një vlerësim i merituar i mjeshtërisë dhe talentit të kompozitores Diana Ziu.
Një vend tjetër në kujtesën time zë edhe zysha e kimisë, Sabiha Bekteshi, e cila gjithmonë përpiqej të mbështeste nxënësit e talentuar që nuk gëzonin përkrahje. Kjo vëmendje e kujdesshme, pa numëruar të gjitha cilësitë e tjera, shfaqej gjithashtu te prof. Zana Shuteriqi, një bukuri prej zane që, me elegancën, sharmën dhe horizontin e saj kulturor, të ngjallte një magji të veçantë.

Po konsultimet e shpeshta me prof. Pëllumb Vorpsin për formën, përmbajtjen, harmoninë dhe interpretimin e veprave muzikore të repertorit tonë, a mund të harrohen?

Profesor Pëllumbi mbetet një figurë e patejkalueshme në jetën tonë. Mentorë si ai, që i përkushtohen nxënësve me mish e me shpirt, duke i frymëzuar në çdo hap, janë vërtet të rrallë. Aftësia e tij për të krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot interes inkurajonte kreativitetin dhe përpjekjet e secilit student. Orët tona të mësimit ishin të pasura me ide, informacione dhe analiza të hollësishme të veprave dhe koncerteve, të cilat ai i sillte nga një bagazh kulturor të jashtëzakonshëm. Adhurimi i tij për violonçelistin e madh Gjergj Antoniu shpesh shndërrohej në një temë diskutimi mbi gjenialitetin e interpretimit të tij. Me shumë kompetencë, mençuri dhe pasion, ai na shpjegonte detajet që e bënin Antoniun kaq të veçantë. Këtë konsideratë e ndan edhe prof. Iliriana Dema në librin e saj, “Gjergj Antoniu! Një jetë me violonçel.” Zgjedhja e saj për të shkruar mbi këtë figurë të rëndësishme nuk është aspak rastësi; ajo është një studiuese e thellë dhe pasionante e muzikës, me një sy të mprehtë për detajet që e bëjnë çdo vepër të kuptohet dhe të vlerësohet në mënyrë më të plotë. Dedikimi i Ilirianës ndaj edukimit dhe formimit artistik është një shembull për të gjithë ne. Ashtu si profesor Pëllumbi, ajo shpenzon jetën e saj për të lartësuar ndjenjën e thellë artistike dhe për të formuar një ndërgjegje të lartë te publiku mbi rëndësinë, bukurinë dhe estetikën e artit muzikor.

Pastaj kishte dhe nga ata mësues që të fyenin lehtësisht, si puna e asaj që i thoshte “derr” njërit prej shokëve tanë vetëm për vështirësitë që kishte në atë lëndë.
Ah, ah, ah… Absolutisht e falshme në atë kontekst social, ku agresiviteti dhe fyerjet ishin pjesë e normave edukuese të sistemit totalitar. Nuk na bënin aspak përshtypje.
Gjithsesi, këta mësues, të cilët me vullnet dhe dedikim ndër vite janë pasuruar edhe me tituj të lartë, për mua mbeten mësuesit e parë, ai brez që ka lënë gjurmë të thella në krijimin e bazave estetike në art dhe kudo.
Fatmirësisht, mësuesit e mirë nuk na kanë munguar kurrë. Edhe pse dëshira do të ishte t’i përmendnim të gjithë me emër, kujtimi i tyre mbetet gjithmonë i gjallë në mendjet tona, i shoqëruar me një mirënjohje të thellë për çdo mësim të vyer dhe udhëzim që na kanë dhënë.
E vërtetë, në fund të fundit, ja kemi kaluar mirë. Pastaj, sa kemi qeshur, po sa kemi qeshur!
Eh, gjashtëmbëdhjetë vjet në konvikt nuk janë pak. Gati një jetë, mund të thuash. Nuk do të mjaftonte një libër për ta treguar atë. Pastaj, vitet e akademisë, të ndjekura në një moshë më të madhe dhe më të pjekur, të lënë të imagjinosh bukurinë e lirisë së asaj kohe.
Në fakt, ishte një avantazh i madh të kishim një strukturë të disponueshme për studim, natë e ditë, gjithmonë të hapur, siç ishte Akademia e Arteve.
Kam dëgjuar se tani gjërat nuk janë më si dikur. Madje, për të qenë më i saktë, ky privilegj nuk është më në shërbim që nga periudha e errët e tranzicionit, për të cilën fole më sipër.
Kujt ia thua, ajo ishte një kohë e frikshme, ku askush nuk kishte guximin të dilte në orët e vona, e madje edhe gjatë ditës mbretëronte një atmosferë terrori. Lamtumirë, shëtitjeve të mia medituese, që dikur i bëja përpara se të arkivoja prodhimin tim ditor. Faleminderit, o Zot, që e bëre të mundur jetesën time pas asaj nate të paharruar.
Oh, po të dëgjoj me vëmendje, me shumë gadishmëri për t’u zhytur në kujtimet e tua.
Isha e bindur që nuk do të rreshqiste fraza ime e fundit, të cilën dëshiroja ta mbyllja me aq.
Kujtimet, edhe pse të dhimbshme, mund të luajnë rolin e një balsami shërues për shpirtin.
Nuk dua t’i përjetoj më disa momente.
E kuptoj vështirësinë tënde në këtë drejtim, por koha ka fuqi të transformojë edhe dhimbjen më të madhe. Ndoshta mund të jetë çliruese të ndash disa fragmente të së kaluarës, jo me një emocion të gjallë, por me një përshkrim të ftohtë dhe të largët.
Nuk është emocioni që më preokupon, por thjesht dëshira për ta shuar totalisht atë ngjarje.
Duke marrë parasysh faktin që jemi duke folur, bëje një përpjekje dhe çoje deri në fund.
Këmbëngulja jote është një art i vërtetë!
Dua të kuptohemi mirë. E ndjej se ky hezitim nga ana jote po përpiqet të largoje ankthin që në këtë moment të mbështjell në një vello pasigurie. Por mos harro se ajo që nuk të vret, të bën më të fortë.
Ok, në fund të fundit, i hymë kësaj rruge. Një tregim më shumë apo më pak nuk ndryshon asgjë.
Atëherë?
Ishte një mbrëmje e zakonshme, pezulluar midis faqeve muzikore dhe shënimeve në fletore, në vetminë paqësore të një klase studimi, mbështjellë nga një atmosferë e qetë dhe intime, ideale për t’u zhytur në një dialog të thellë me violinën. Akustika e boshllëkut amplifikonte në mënyrë të veçantë tingujt e saj, që thyheshin butësisht mbi qetësinë mbretëruese të asaj shtese të izoluar të akademisë. Papritur, gjithçka u ndërpre, si një thyerje e befasishme e një heshtjeje të brishtë nga ulërima që vinin nga larg, dhe që afroheshin gjithnjë e më tepër si dallgë të rrembyeshme të një oqeani të trazuar. Zhurma e tyre depërtonte në ajër, duke infektuar mjedisin me ndjenja ankthi dhe shqetësimi, të cilat shoqëroheshin me përplasje të dhunshme dyersh. Dukej sikur forca të pamëshirshme godisnin barrierën e vendosur midis sigurisë dhe rrezikut, duke krijuar një terren të favorshëm për ata që kërkonin një shënjestër njerëzore për të nënshtruar. Në kaosin që rritej, frika dhe ankthi kishin zënë vend në gjoksin tim si mysafirë të padëshiruar. Mbetet një fenomen unik kur reflekton mbi kapacitetin njerëzor, që në momente krizash, shndërrohet në një burim të thellë idesh dhe zgjidhjesh, duke aktivizuar çdo qelizë në shërbim të mbijetesës. Nëse ekzistojnë engjëjt, besoj se atë natë vepronin si hije të padukshme dhe roje të heshtura, në shërbim të jetës.
Për këtë, jam i bindur. Engjëjt ndërhyjnë në forma të ndryshme, herë nëpërmjet personave të njohur ose të panjohur, herë përmes sendeve të thjeshta që marrin një rëndësi të veçantë…
Mos je edhe ti një engjëll?
“Le t’i japim Çezarit atë që i përket Çezarit!”
Dhe ajo dera, e mbështetur në murin e klasës ku po studioja, mund të them se ishte shpëtimi im. Fillimisht, më dukej si një bezdi e panevojshme, një pengesë në atë klasë të vogël… Me siguri, ishte forca e dëshpërimit ajo që më shtyu ta lëvizja nga vendi, aq e madhe dhe e rëndë ishte! Por fati deshi që gjatësia e saj të përputhej në mënyrë të përkryer me dimensionet e klasës, duke përforcuar edhe më shumë bllokimin e hapjes së derës. Gati si një lojë fjalësh: dera që bllokon derën. Prandaj, mendoj se kushdo që e kishte vendosur aty, veproi nën vullnetin e Zotit, apo ndoshta të një engjëlli.
Nuk arrij ta imagjinoj se çfarë ke kaluar.
Kur vdekja fillon të konsiderohet si një opsion i mundshëm… Kjo është ndjenja që më ka shoqëruar atë natë. Do të kisha preferuar të hidhesha nga kati i katërt, sesa të bija në kthetrat e atyre çakallëve të egërsuar. Kjo ishte gjendja ime, teksa qëndroja e ulur mbi parvazin e dritares së hapur, me këmbët që vareshin poshtë dhe me një vështrim të përhumbur drejt ndërtesës përballë, që ndodhej vetëm pak metra më larg, duke penguar çdo kontakt vizual me botën e jashtme. Përveç kësaj, drita e fikur dhe muzgu i mbrëmjes thellonin misterin e skenës, duke errësuar edhe më tej pamjen time të kufizuar. Fiksoja vështrimin në fund të atij boshllëku të ftohtë dhe të frikshëm si vetë vdekja. Isha e vetëdijshme atëherë, ashtu siç jam edhe tani, që hedhja do të kishte qenë fatale. Si të thuash, qëndroja si e mpirë, në një heshtje absolute dhe me një këmbë në varr, ndërkohë që dridhjet e derës shtoheshin pas çdo tentative të dhunshme për ta hapur apo shkatërruar atë Nuk e di sa kohë kalova e terrorizuar nga ai tmerr pa fund. Më kujtohet vetëm që në një moment dëgjova disa komente në lidhje me këtë klasë, ku sipas tyre, brenda duhej të kishte dokumenta për të cilat nuk ia vlente të mundoheshin aq shumë. Në atë çast, një dritë shprese filloi të ndizej brenda meje, derisa u shndërrua në një fener të ndritshëm, teksa zërat e sulmuesve shuheshin gjithnjë e më shumë në largësi.
Askush nuk duhet të përjetojë tensione kaq shtypëse ose mendime kaq të errëta që të çojnë drejt një zgjidhjeje tragjike, veçanërisht kur këto episode shkaktohen nga veprimet e të tjerëve.
Në këto raste, me një ndjenjë të pashpjegueshme faji, të vjen e pashmangshme të pyesësh veten: Në çfarë mënyre mund të kem kontribuar?
Është një mendim që, fatkeqësisht, mundon të gjitha viktimat dhe ndoshta shpesh përbën edhe arsyen e heshtjes së tyre.
Sot, jam e vetëdijshme që askush nuk mundet të na grabisë shpirtin dhe atë që na përfaqëson në thellësinë e qenies sonë. Edhe pse disa situata mund të duken shkatërruese, është thelbësore të kuptojmë se vlerat tona më të thella dhe esencën tonë të vërtetë nuk mund t’i dhunojë askush.
Në fund të fundit, çdo përvojë sjell me vete një mësim që jo të gjithë kanë fatin ta përvetësojnë.
Është e vërtetë! Edhe pse, pa dyshim, ajo natë e kaluar, pak ulur, pak e shtrirë mbi dyshemenë e ftohtë, m’u duk e pafundme, zemra ime vlonte nga mirënjohja. Për herë të parë, ndjeva gjakun të qarkullonte në vena me një vetëdije krejt të re. Isha gjallë, dhe ky ishte mësimi më i bukur që përvetësova atë natë: Të jetosh, ja vlen gjithmonë!
E vërtetë! Nuk ka nevojë të shtosh fjalë të tjera.

Exit mobile version