ZOGU
Zog! Emër i çuditshëm, por që tregon një jetë njeriu në rrethanat e tij sa të vështira, po aq komike madje edhe më shumë se kaq. Kështu e pagëzuan prindërit, pikërisht sugarin e lindur pas gjashtë fëmijëve, katër nga ata binjakë të dy lindjeve. Fëmija i parë lindi dy vjet, tre muaj e pesë ditë pas martesës së prindërve të tij. Ishte vajzë, pra motra e tij e parë e cila jetoi vetëm një javë. Dy vjet më vonë lindi fëmija i dytë që ishte djalë, pra vëllai i tij i parë i cili jetoi vetëm tre ditë më shumë sesa motra, gjithsejt dhjetë ditë. Në lindjen e tretë, pas një viti e gjysmë, lindën binjakë, djalë e vajzë, të cilët jetuan vetëm pesë ditë. Historia e lindjeve vazhdon, në vjeshtën e vitit të dhjetë të martesës. Kur ishte vera më e thatë që mbahej mend nga banorët, lindën vëllezërit binjakë të cilët jetuan vetëm pak ditë me kokat e nxira nga rrahja e shpatave të vegjës mbi stofin e qilimit dhe trupat e tyre që rriteshin bashkë me zgjatjen e stofit kobzi në mbështjelljen e tij në shulin e bungut. Kjo vegjë e mallkuar dyshohej si shkaku i vdekjes së binjakëve të fundit, një mallkim i rëndë për jetën e kullës. Ndërsa vdekjet e para ishin përballuar nga familja, kjo e fundit kishte qenë goditje e rëndë, jo vetëm për ata, por për të gjithë lagjen e fshatin e vogël rrëzë bjeshkës. Nëna e mjerë me lotët në sy i kishte mbështjellë me kujdes për në shtëpinë e fundit frytet e saj me zemër të plasur pa mundur të nxirrte zë nga goja. Zemra i fliste e dëneste rëndë si asnjëherë më parë dhe brenda gjoksit mallkonte gurë e dru, tjerrjen e vegjën, diellin e hënën. E lodhur, mendimi i fajësisë ia dërmonte shpirtin dhe ishte e gatshme të zbrazte mbi veten e saj të gjitha mundësitë. Ndaj nëse nuk do të rregullohej gjë, do t`i mbytej shpresa në një moshë kaq të re.
Mbi trupin e saj të rraskapitur nga vuajtjet binin të gjitha punët e shtëpisë: gatimi, veshmbathja, kujdesi për fëmijët, vegja me endjet e drugëzës mes tjerrëses, që rrihej nga shpatat përbiruese. Të gjithë pjesëtarët e tjerë brenda shtëpisë mund të arsyetoheshin, apo kishin të drejtën e frymëmarrjes ndonjëherë, kurse vetëm nëna jo. Ajo duhej e fortë, ishte themeli i shtëpisë edhe pse përfillej pak nga burrat dhe rrethi përqark. Kështu ishte ligji i kullës i shkruar në muret e nxira nga tymi i oxhakut me verigun e përhershëm mbi zjarr, në frëngjitë erë baroti e gjaku dhe në sofrën e vuajtur.
Arsyetimi i vdekjes gjithmonë i lihej atij lart edhe pse jeta ishte e rëndë nga fuqia e vetë njeriut poshtë. Hallat e axhat nuk kishin lënë gurë pa lëvizur për ta mbështetur shtimin e pasardhësve në familje.
Feridja, halla e tyre, ishte interesuar për mendimin e falltareve duke kërkuar të bërat e të ligave, atyre plakave që endeshin të mjera kalldrëmit, të cilat kishin derdhur trupin e tyre për jetën që do të vinte dhe shpesh u mvishej faji i magjisë. Por magjia e bërë nga shpirtligët ngatërronte mendjet e lehta që s’kuptonin asgjë dhe sapo e kishin kuptuar se magjia të zinte vetëm nëse bëhet nga të afërmit, madje nuk e kishin përjashtuar mundësinë, që edhe ajo vetë të ishte aktore në këtë punë. Atëherë halla e kishte hedhur poshtë këtë dyshim dhe ishte dorëzuar në mëshirimin me sy nga qielli duke thënë e shkruar. Axha i madh, Seferi, ishte interesuar të gjente mjekë për ta dërguar në vizitë mjekësore nënën, por të gjithë gjinekologët kishin qenë burra jo shqiptarë. Ku të gjeje mjekë për gratë asokohe? Më në fund ai ishte dorëzuar para kësaj sfide. Axha i vogël Dema, ishte interesuar për bimë, gurë, drurë, kroje, banja me ujë ngrohtë, gjallesa të ndryshme që mund të ndihmonin në jetëgjatësinë e fëmijëve të cilët e dorëzonin jetën sapo merrnin rrugën e jetës ajrore.
Kur u mbush kupa, një mbrëmje rreth oxhakut hirplotë, morën vendimin: barra e re duhet emëruar. Vetëm gjyshja, ndjesë pastë, ishte treguar e matur dhe nuk kishte folur fare. Ajo pareshtur shprushte hirin me mashën e hekurt për të parë nëse ishin pjekur apo jo patatet.
“Unë linda tetë fëmijë, pesë vajza e tre djem prandaj me aq shumë gëzim e dashuri e pritnim vajin e tyre të parë”, kujtonte shpesh gjyshja dhe disa pika loti i rrëshqitën faqeve përmes rrudhave deri në gushë. Mbi hirin në skaj të oxhakut ajo rreshtonte xixat që xixëllonin sapo shprusheshin ngjashëm me yjet në qiellin e natës dhe dalëngadalë shuheshin nën rrethin e mashës.
Zogu erdhi në jetë ditën e Shnmitrit. Sipas fjalëve të gjyshes, ajo kishte qenë e para që hodhi ujë të ftohtë mbushur te Kroni i Mollës mbi trupin e foshnjës, si një lloj dite festive të madhe e të heshtur në kullë e cila jetonte me kujtimet e hidhura nga lindjet e shuara qysh në ditët e para të jetës. Askush nuk fliste! Të gjithë pritnin minutën fatale kur do të jepej lajmi i shuarjes së frymës së Zogut fatkeq me emrin e tij po aq fatkeq sa historia e lindjeve në këtë shtëpi të lashtë prej guri. Kjo shihej në fytyrën e zbehur të secilit, shihej në ecjen dhe fjalën e secilit: A thua sa ditë do të jetojë?! Ai tani kishte emrin e tij që para lindjes, por asnjërit nuk i shkonte mendja ta thërriste në emër. Fundi-fundit, kush e donte atë emër! Kaluan ditë, javë e muaj, Zogu rritej dhe kur zgjohej i drejtonte sytë nga tavani i kaftë prej druri të vjetër pa u shqetësuar për jetën dhe brengat e atyre që e rrethonin. Ashtu lindi ai shqiptar me kokën lart dhe në vështirësi. Fundja, ai ishte një foshnjë në jetë që nuk kuptonte për vdekjen, as për jetën. Sapo ndokush ia ndërpriste pamjen nga tavani, ku ai shikonte ashtu siç ishte i lidhur në djep, rrudhte buzët, mrrolej dhe ia kriste vajit.
– E zezë ishte dita! – thoshte nëna, kur ai ia kriste vajit. Nuk di të ndalet, vraponte e vinte me gjithë djep në prehër dhe shpejt e shpejt i jepte gji. Gulçimet e tij nga ngutja në thithje dëgjoheshin deri në skaj të dhomës, sikur e dinte se koha nuk priste e pastaj do mbetej i uritur.
Zogu u rrit me emrin e tij të veçantë dhe pas tij erdhi Dashmiri dhe Vjollca, vëllai dhe motra e tij e vogël. U shtua shtëpia me fëmijë të cilët u rritën ashtu siç piqej pogaçja në çerep mbuluar me qiellin e skuqur të tij prej saçi. Zogu mësoi shkrim e lexim në shkollën e fshatit Dushkajë e cila ishte larg, shumë larg. Rruga deri në shkollë ishte një orë vajtje dhe po aq kthimi. E filloi nëntëvjeçar dhe e përfundoi klasën e pestë në të trembëdhjetat. Nuk e vazhdoi më shumë përkundër përpjekjeve të mësuesit që ta bindte, se shkolla të bën të ditur dhe të edukuar. Por më kot! Zogu ngiste qetë me plugun e ri që e rrotullonte dheun aq mirë sa ai vetë kënaqej kur e shihte. Fshati kishte filluar të zgjohej nga errësira e analfabetizmit e paditurisë.
Në ditën e Shën Gjergjit kur fshati ishte në festë dhe vajzat e veshura bukur me gjithfarë zbukurimesh, ai njohu Zanën e Shpatajve. Ishte vajza më vogël e prindërve të ndershëm e të vuajtur shumë nga regjimi i kohës dhe fati i Zogut dukej sukur varej në fije të perit. Nëse ata nuk do të ktheheshin nga Shkupi në rrugën e tyre të mashtrimit në Turqi, ajo nuk do ishte e dashura e tij këtu, por do të ishte larg diku në shkretëtirat e Anadollit. Zogu u tregoi prindërve të gjithë historinë e tij me Zanën dhe Shpatajt. Për ceremonitë e fejesës sipas traditës u kujdesën prindërit e Zogut, Era dhe Guri. Tani e fejuara qëndronte në shtëpi tek prindërit e saj deri në ditën e martesës.
Nga të gjithë njerëzit, gjyshja e Zogut ishte gëzuar më shumë për fejesën e tij. Ai ishte i kujdesshëm, e donte gjyshen e tij, kujdesej për të dhe nuk shkonte askund pa i treguar dhe puthur gjyshja në ballë. Pak ditë pasi mori thirrjen për ushtri, Zogu vendosi t’i tregonte gjyshes.
-Gjyshe, a jam bërë burrë a jo?- e pyeti me shaka Zogu. Kam marrë thirrje për ushtar, e ke dëgjuar!
-Nuk i duhesh, ti Zogu im ushtrisë, të nxjerr buza qumësht, -qeshi ajo lehtë duke kthyer sytë drejt Zogut e shqetësuar.
Burrat e ushtrisë kanë mustaqe vesh më vesh dhe tirq me dymbëdhjetë gajtanë, foli gjyshja e shtrirë në shtratin e saj të drunjtë mbi kashtën nën mbulojën e trashë të qilimit.
Pas dy javësh Zogu u përcoll për në ushtri. Veshi rrobat e pastra të cilat i rrinin bukur në trupin e tij të drejtë me shpatulla të gjera. Plisin e la mbi dollapin e djathtë të odës, e mbuloi me zimil, anash të cilit shkëlqente guri i shkruar, e mbylli me kujdes duke u lutur që ta gjente pas dy vjetëve dhe ta vinte sërish në kokën e tij.
Udhëtimin me tren nga Fushë Kosova deri në Lubjanë e pastaj për Trigllav e kaloi me disa rekrutë dhe punëtorë që ktheheshin nga pushimet. Ishte hera e parë që udhëtonte aq larg me tren. I kujdesshëm kurdo që i kërkohej bileta, nxirrte adresën ushtarake bashkë me thirrjen dhe kjo e lehtësonte komunikimin në gjuhën serbokroate të cilën ai nuk e njihte.
Letrën e parë Zogu mundi ta shkruante pas tre muajve qëndrimi në ushtri. Kishte kaluar një kohë të vështirë rekruti përplot me sfida. Kushedi sa herë e kishte kujtuar familjen e fshatin e tij. I kishte parë e komunikuar me ata vetëm në ëndrra. Letrën Zogu e fillonte me gjyshen dhe vazhdonte deri tek motra e tij Vjosa.
E dashur gjyshe! Të dashurit e mi! Kam pak pushim pas gjithë asaj stërvitjeje pa kufi ditë e natë dhe me padurim, ju shkruaj këtë letër. Bile, nuk dihet a do mund ta përfundoj kështu në gjendje gatishmërie. Me shëndet jam mirë. Tani më janë shëruar ndrydhjet e shputave nga të cilat kam vuajtur shumë. Tërë ditën jemi në këmbë, gjumë flemë vetëm tetë orë me komandë, kur fiken dritat dhe ndizen. Duart i kam përgjakur telave të shtratit në përgatitjen e shpejtë të tij pa asnjë rrudhë. Ju e dini që unë kam qenë dembel përsa i përket shtrojës e mbulojës. Tani e kam kuptuar sa indiferent kam qenë në shtëpinë tonë atje në fshat. Shoku im nga Dalmacia, kroat i cili flet shqipen e vjetër, arbërishten si dikur, më ka ndihmuar shumë që ta mësoj kroatishten dhe tani i kuptoj, por të flas nuk mundem pasi më vjen turp se mos bëj gabime. Sa herë e kam kujtuar gjyshin kur më thoshte: Mësoje gjuhën! Njeriu sa më shumë gjuhë të dijë, aq njerëzve i vlen. Ah, sa i gabuar që isha!
Për mua mos u brengosni fare sepse të gjitha i kam. Një javë ishim lart në Trigllav, roje në trekufirin prej nga dukej e gjithë Sllovenia, Austria dhe Trieste në Itali. Stipe, një ushtar edhe më i ri se unë, më ofroi tejqyrën kur kishim pak pushim. Disa nga komandantët duken të çartur nga fytyra, shajnë, bërtasin për një imtësi të vogël. Kjo më pengon shumë! Lutem të mos më ndodhë mua. Nuk e di çfarë mund të kisha bërë i fyer para gjithë atyre ushtarëve. Nënës i them, mos u brengos për mua, tërë pjatat po i fshij nga oreksi që kam. Më duket se jam bërë ujk. Të gjithëve ju kam në mendje, gjithë lagjen dhe fshatin me Zabelin e Delisë dhe Kronin e Mollës me ujë ftohtë. Ju përqafoj me mall!
Për letrën e Zogut mori lajmin i gjithë fshati brenda pak minutave. Gardh më gardh e portë me portë përhapej fjala për çdo gjë. Kështu i kishin shërbyer bashkëfshatarët jetës së tyre qëmoti, stuhive të rënda të robërisë. Njëra ushtri hynte nga lindja e fshatit dhe ikte nga veriu, tjetra hynte nga perëndimi dhe ikte Luginës së Lepurit drejt jugut. Banorët lëviznin në bjeshkën mbi fshat, shtigjeve dhe shpellave sapo lajmësi i binte daulles: dum, dum, dum-dum, dum, dum bërrrrr dum. Ishte kodi i drejtimit nga vinte ushtria dhe kahjes së vrapit drejt bjeshkës. Po të hynte ushtria e huaj pa u diktuar mblidhte burra e djem shqiptarë në radhët e tyre, të cilët nuk ktheheshin asnjëherë, madje kishte raste të plaçkitjeve të kuajve bashkë me qerre, me tesha e kotesha. Ushtria e Titos, ishte e fundit e cila mblodhi djem shqiptarë akoma pa mbushur të tetëmbëdhjetat, që u trajtuan si armiq dhe shumica u pushkatuan maleve e hendeqeve dhe kurrë nuk u mor vesh varri i tyre, nga Tivari deri në Srem.
Të nesërmen e letrës së shumëpritur nga Zogu, në shtëpinë e Ramë Gjokës erdhën shumë vizitorë që ta uronin për djalin e lajmëruar shëndoshë e mirë nga ushtria. Mbasdite erdhi xha Amrushi, një burrë i gjatë i kërrusur nga pesha e viteve. Ai mezi hyri në portën e oborrit pas përuljes së kokës që të mos i zinte në te plisi i bardhë rrethuar me shall qenari në traun e portës. Ai dallohej në të gjithë rrethin për guximin dhe sinqeritetin qysh nga jeta e tij tre vjet si ushtar i krajlit dhe asnjëherë nuk ishte lejuar të vinte në shtëpi as të shkruante letër. Derisa familja e tij vendosi ta kërkonin tek krajli, papritur një natë dimri kur derri ngrinte, ai shëndosh e mirë trokiti në portë pas tre vjetësh. Qysh nga ajo kohë ai ishte njeriu më i dashur i rrethinës me gjithë rrëfimet e tij nga jeta e rëndë si ushtar.
-Ushtria, fëmijët tanë i bën të fortë, i njeh me njerëz të kombeve të tjera, i kalit me vështirësitë duke kuptuar të tashmen, – tha xha Amrushi. Ajo që vjen e mbulon të shkuarën dhe njeriu jeton me ndjenjat e së ardhmes duke qëndruar mbi të tashmen. Nuk thonë kot se burrë bëhesh vetëm pasi ta mbarosh ushtrinë tha xha Amrushi pasi u rehatua mbi shilten e cila mbulonte shkamin e drurit.
-Faleminderit, xha Amrush, – ia ktheu Rama i gëzuar teksa mbushte xhezven me ujë.
Ushtria e krajlit ishte e rëndë dhe e vështirë. Duhej të rropateshin hendeqeve e maleve për tre vjet, të etur dhe të uritur nën komandën e shkaut, por tani erdhi kohë tjetër dhe rreziqe të tjera. Ata që ishin dje, tani kanë ndërruar ngjyrë, por mbeten po ata ndaj shqiptarëve. Europa na ndau pa të drejtë nga nëna Shqipëri. Do vijë koha e bashkimit, por duhet kujdes dhe trimëri, mbi të gjitha mençuri, ashtu siç na porosit Hasan Prishtina dhe dijetarët e Polacit. Shkollimi i femrës do të na ndihmojë që një ditë të bashkohemi. Kjo do të ndodhë pasi u lejua shkollimi në gjuhën tonë të ndaluar nga mbreti dhe krali.
-Zogu është djalë i mençur dhe kreshnik i vërtetë, nuk ia ha qeni shkopin atij, – vazhdoi i vendosur xha Amrushi derisa aroma oreks nxitëse e kafes kaploi dhomën.
……
Në ushtrimet e fundit me njësitin e këmbësorisë sulmuese në kombinim me tanke, Zogu u tregua i shkëlqyeshëm. Hipte me sukses në tank derisa ai ecte fushës së minave të këmbësorisë dhe zbriste mbrapa duke vazhduar gjurmëve të saj deri në cakun përtej përroit, skaj pyllit të pishave të vjetra. Kështu zhvillohej mësimi sulmues nëpër zonat e minuara. Fusha e Kranjit gjëmonte nga tanket e vjetra ruse të ndryshkura nga lagështia alpine, ku nuk dihej si dhe ku do përfundonte caku i tyre me ushtarët të cilët dëgjonin vetëm zërin komandues. Lavdet qe mori Zogu nga drejtuesi i njësitit, komandant Jozhe e bënë krenar, por ngjalli xhelozi tek të tjerët, ata që nuk donin të dëgjonin emrin dhe gjuhën e tij. Kjo u duk një javë më vonë në ushtrimin e gjuajtjes luftarake kur komanduesi i njësitit të këmbësorisë ndërroi shënjestrën e tij me goditje të sakta në zemër të cakut, kurse Zogut ia paraqitën shënjestrën numër katër të gjuajtur nga Petkoviqi i cili vinte nga rrethina e Kralevës. Ai ishte i njohur si ushtar dembel dhe i paaftë që dinte vetëm të shantazhonte me gënjeshtrat e tij qesharake të njohura në tërë batalionin i vendosur në objektin tre katesh ku bashkëjetonin tri çeta këmbësorie. Të gjithë u habitën me saktësinë e Petkos dhe askujt nuk i shkoi ndërmend tek Zogu i cili u përqesh keq nga njësiti drejtues i gjuajtjes dhe komandanti i saj nga Banja e largët. Kjo e zemëroi Zogun i cili tërë natën nuk fjeti nga inati. Nuk e besonte se e kishte gënjyer syri aq shumë mu në momentin e duhur, kur kishte edhe shpërblim pushimi prej shtatë ditësh për secilin që arrinte rezultate të shkëlqyera. Zogu shqetësimin e ndau me shokun e tij që i besonte Stipen. I tregoi atij fije për pe se si kishte ndodhur, se si Petko dembeli kishte qenë afër tij në shënjestrën numër pesë.
-Jeni mërzitur shumë si duket, – iu drejtua ai Zogut.
Stipe atë të diel me ajrin e freskët të alpeve gjeti kohë të takonte Zogun nga i cili mësonte shumë gjëra, por edhe e ndihmonte.
Dukeni se jeni shumë i shqetësuar Zog. Këtu duhen nervat e gomarit që të mos e thyesh mbajtësen e rrotës, përndryshe do jemi të humbur. Sukseset tuaja të paraqitura deri më tani nuk shihen me sy të mirë nga ata që ishin dhe mbeten armiq.
-Po, iu përgjigj Zogu, – keni të drejtë. Ofendimi që më bëri komandanti i gjuajtjes ishte poshtërues.
-Ku je rritur ti kështu i verbër e kokëbosh? – më tha ai pa u skuqur fare! Armiku do të të kishte vrarë me një plumb, kurse ti dështon me dhjetë plumba.
Oh, sa rëndë më erdhi! M`u duk sikur Trigllavi më ra mbi kokë. Petko mori shtatë ditë pushimi si shpërblim dhe unë mora sharje e fyerje. Pastaj të nesërmen kur e gjeta pushkën e huaj, në vendin tim, gati e mora, por e njoha ashtu shpejt në alarmin e natës, derisa e gjeta timen në skaj, aty tek vendi i pjesëve anësore. Për këtë humba gjysmë minute dhe tek plepat, ku ishte caku i arritjes si mbërritja i parafundit. Këtë e ka bërë dikush me qëllim, kjo dihet, mendova. Pastaj, të premten kujdestari nuk më la të hyja në ndërtesën ku flinin ushtarët, kinse nuk i kisha lustruar mirë çizmet. Me dorën e majtë ia ngriti rripin dhe i tha: Kthehu e pastroi mirë!
-Stipe, jam shumë i mërzitur, – vazhdoi i inatosur Zogu. Nëse do të vazhdojë kështu nuk e di çfarë të bëj pasi kam edhe tetë muaj shërbim.
-Eh, Zog shoku, – ia ktheu Stipe, këtu duhet durim. Strategjia luftarake durimin e ka elementin bazë të pjekurisë së një ushtari. Ndoshta këtë e ke dëgjuar në ligjërata, nëse i ke kuptuar mirë. Këtu nuk je në Arat e Gata, siç më ke folur ti, dhe të kthehesh tek nëna për drekë të hash pogaçen e nxehtë në çerep. Këtu je në ushtri, je në luftë. Këtu pak kilometra në perëndim dhe në veri i ke ushtritë e huaja. Unë do të përdor një strategji zbulimi rreth rezultateve të gjuajtjes tuaj. Kam një shok të mirë zëvendës komandant nga Dalmacia, do ta mashtroj disi që t’i kërkojmë shenjat e plumbave dhe numrat e tyre me emra sipas radhës. Kur të takohemi herën tjetër do bisedojmë. Në rregull?!
Stipe vuri kapelën ushtarake me yllin pesëcepësh të kuq dhe u largua si vetëtima drejt ndërtesës ushtarake numër dy ku kishte selinë e tij si ushtar i vjetër.
Sapo Zogu kishte filluar të qetësohej pak, në mëngjesin e së hënës u gjet në izolim burgu. Ushtrimi i hapave marshues solemn me armë kishte filluar para disa ditëve. Një ditë më parë në stërvitje oficeri i ri e zhvendosi Zogun, sipas gjatësisë së trupit, nga rreshti i treti në të dytin, pasi ishte më i gjatë mbi tre centimetra se Kaleni, ushtar nga Maqedonia, dhe duke ia ndërruar armën sipas rendit, automatik rus me karikatore rrethi me shtatëdhjetë e dy fishekë në vend të pushkës M-katër dhjetë e tetë që mbante në rendin e tretë. Pas katër ditësh, të hënën, filloi ushtrimi ashtu sipas caktimit të rreshtimit të fundit nga oficeri. Sapo e pa komandanti nga Banjalluka e ndërpreu marshimin, e thirri policinë ushtarake, pa e pyetur gjatë dhe Zogu përfundoi në dhomë i vetmuar me rroba burgu. Dhoma e vogël e rrethuar me grila hekuri dhe xhama gjysmë të hapur kishte vetëm një batanije të hollë ku Zogu do flinte, do pushonte, do mbulohej, e do ngrohej. Nuk kishte asgjë më shumë. Ashtu i shkarkuar i tëri nuk u lejua të merrte as një grimë letër, as edhe një copë lapsi me vete. Pasdite dy ushtarë i hapën derën dhe e dërguan për drekë në kuzhinë, po aty ku hanin gjithnjë. Duke u kthyer, njëri nga ushtarët i tha Zogut që të mos merakoset fare. Të gjitha këto janë ditë ushtrie, bile më mirë je aty vetëm, se sa në bazë ku duhet gatishmëri natë e ditë.
Vetmia është dënimi më i rëndë shpirtëror për njeriun. Kështu i përjetonte këto ditë Zogu. Nata i dukej e gjatë njëqind vjet, i shtrirë mbi dërrasat e forta të dyshemesë me gjithë krrokamën e tyre në çdo hap të Zogut. Gjumi ishe shndërruar në kujtime larg nga këtu, në ato vende ku Zogu ishte rritur bashkë me peripecitë e shumta të tij. Përtej dritares me grila hekuri dukej maja e Trigllavit e mbuluar me borë mbi të cilin hëna lëshonte rrezet e ftohta po aq sa akullnajat shekullore të tij. Fytyra e hënës ngjante me Zanën e tij të bukur ku fytyra e saj shkëlqente si rreze përtej maleve e detit, atje në kodrën e fshatit ku tani flinte e qetë në ëndrra engjëllore. Re të shpejta bashkë më shtrëngatën e tyre thyheshin përtej bjeshkës gjigante me tri koka, në tri shtete. Në bebëza i afrohej fytyra e Zanës në rreth shkëlqimin e artë drejt tij deri sa e pushtoi me krahët e saj aty mbi Fushën e Pëllumbave si dikur të shtrirë mbi barin e njomë. “Jo Zog, unë nuk jam Zana! Jam Zana e malit! Të kujtohet kur më tregove legjendën e fuqisë së Zanës së malit. Tani jam legjendë, hip në krahët e mi, mbaju fort, fort! E sheh qiellin e kaltër pa re, e sheh sa dragonj kujdesen për dashurinë tonë, për ne! Më puth si ditën e parë kur u takuam, kur binte shi pranvere nën bungun e vjetër dhe ne ktheheshim nga shkolla. Ah, ke harruar më duket! Je bërë ushtar tani. E sheh sa të dua, vij kudo që të jesh edhe pas shtatë kodrave, edhe pas shtatë fushave, edhe pas shtatë qiejsh! Jam legjendë, jam Zana e malit! Kurrë nuk do jesh vetëm, unë jetoj vetëm për ty, për besën e fjalës, për besën e zemrës, për besën e dashurisë sonë! Mjaft Zanë, mjaft, se po më zihet fryma në këtë kasolle mbi kulmin e botës! A do ndalemi pak, sa për çmallje, sa për një puthje të largët? Dua të pushojmë diku, diku larg botës, larg këtyre grilave të mallkuara, larg urrejtjeve e inateve të të ligjve”.
Trokitja në derë e shoqëruar me borinë e mëngjesit e kthyen Zogun në botën e dhomës me ajër të prishur. U mërzit që u shkëput nga takimi me Zanën e tij. Ndjeu se disa pika loti i rrodhën faqeve duke u bërë copë e grimë mbi pluhurin e dyshemesë.
-Do shkojmë për mëngjes, – iu drejtua ushtari trupvogël me syzet e mjegulluara nga lagështia e ajrit të ftohtë.
Izolimi i tij dhjetëditor i dha mësim të madh Zogut, të ishte i durueshëm dhe i kujdesshëm, ta kuptonte se ka armiq të shumtë përreth dhe vazhdimisht duhej pasur kujdes. Për një të ri nuk ishte i lehtë shërbimi ushtarak në gojë të ujkut, andaj e thoshte me të drejtë populli, se prindërit kanë djalë vetëm pasi ta përfundojë ushtrinë. Sa e sa arkivole të blinduara me ushtarët e vrarë shqiptarë u varrosën në trevat shqiptare nga armata jugosllave. Armiku nuk fle, është ai i vjetri që ushqehet me urrejtje ndaj shqiptarëve.
Marrja në pyetje nga njeriu i sigurimit ishte neveritëse. Pyetjet e tij rreth çdo gjëje tregonin se sa ishin në shënjestrën e tyre të rinjtë shqiptarë. “E ke njohur Fatmirin e kishte pyetur njeriu i sigurimit? Jo i ishte përgjigjur Zogu. Ai i nervozuar i kishte treguar për historinë e djaloshit shqiptar, se si ai nuk i kishte përfillur komandantët, i kishte refuzuar urdhrat e tyre dhe kishte sulmuar komandantin e batalionit. Por ai ishte burgosur nga sigurimi. Kureshtar për të gjitha këto çka i kishte mësuar më vonë Zogu nga të tjerët, kishte qenë veç një kurdisje nga ana e sigurimit ndaj Fatmirit, vetëm e vetëm për shantazhe të sa më shumë shqiptarëve dhe për t’i paraqitur ata armiq të shtetit para kombeve të tjera. Nga të gjitha ato ishte bindur se Fatmirin e kishin fyer duke e sharë në diell e qiell, dhe ai ishte betuar se nuk do punojë me askënd prej komandantëve që e kishin poshtëruar. Kulmi i fyerjes kishte qenë në ushtrimet kundërajrore kur e vinin në radhë për goditje kundër aeroplanëve armiq me flamujt e tyre në bisht të aeroplanit. Në fluturimin e improvizuar ai kishte goditur shtatëmbëdhjetë aeroplanë me flamuj armiq, por nuk e kishte goditur aeroplanin luftarak shqiptar me flamurin kuqezi. Kjo e kishte çmendur komandant “Mjekrën” i cili nuk ishte përmbajtur nga sharja dhe fyerja ndaj kombit shqiptar si armik, si tradhtar nga idealet komuniste, si vend i rrezikshëm. Atë ushtarak të egër, ushtarët e quanin Mjekër Piskama nga se ishte një çetnik i përbetuar, por pa mjekër pasi nuk lejohej sipas rregullores ushtarake. Ushtarët boshnjakë, sllovenë e kroatë i dallonin mirë qëndrimet e komandantëve serbë, kurse maqedonasit dhe malazezët ishin përkrah tyre kur ishte në pyetje mbështetja e veprimeve nacionaliste. Gati të gjitha rrjedhat diskutoheshin në këshillin partiak komunist me ushtarë e oficerë. Aty ishte vendi ku fjala mund të të mashtronte keq dhe të kishte vazhdimisht telashe që nga ndërhyrja ruse në Budapest.
Kaluan disa muaj nga ditët e izolimit që ata e quanin burg për ushtarët të cilët thyenin urdhrat e komandantëve. Kjo nuk ishte rastësi që përsëritej. Për të treguar seriozitetin, komandantët para ushtarëve e ftonin policinë ushtarake të merrnin nga rreshti ushtarët që nuk ishin të dëgjueshëm. Frika nga këto ngadalë u bë e pakuptimtë.
Zogu tani sikur i harroi të gjitha ato që i kishin ngjarë kohët e fundit. Stërvitjet intensive ushtarake në kufi me Austrinë u shoqëruan me kontrolle mjekësore dhe detaje të ushtarëve. Ai tani ishte bërë ushtar i respektuar me qëndrimin e tij ndaj shokëve dhe rrethit shoqëror. Nuk nervozohej edhe kur caktohej kujdestar aty ku kërkohej.
***
Stërvitja e radhës, sulm i këmbësorisë me njësitin tankist ishte më i vështiri. Zogu merrte pjesë për të tretën herë dhe i njihte specifikat e tij. Zona e ushtrimeve kësaj radhe ishte në një terren të vështirë, ku ana veriore e gjatësisë së saj ishte rrëpirë malore e cila përfundonte në përroin që ndante dy shtete dhe ishte e pakalueshme. Komandat Piskama, i njohur për qëndrimet çetnike, kishte caktuar ushtarët në pikat e llogoreve të tyre mbi të cilët do marshonin tanket “armike”. Zogu ishte caktuar në llogoren e pestë, në fillim të kthesës së gjerë, mbuluar me bar e barishte të dendura. Ai pasi mori këshilla që i kishte dëgjuar disa herë, zuri pozicion në gropën e betonuar më pak të thellë se gjatësia trupore, ndaj atij i duhej të kërrusej me trup e këmbë për të shpëtuar nga zinxhirët e tankut kushedi sa të vjetër. Pikërisht atëherë dalloi se betoni rrethues i sigurisë së llogores ishte çarë në të dy anët bashkë me pjesën e sipërme mbrojtëse. Sapo u largua njësiti i tij në pozicionimet e tjera dhe humbi nga pamja, Zogu doli nga gropa dhe pa se toka ishte e gërmuar aq thellë bashkë me çarjet e betonit mbrojtës anash deri në skajin e tij përtej rrugës dhe ishte e pamundur ta mbanin tankun. Tani i mbetej zgjidhja: të rrinte dhe vdiste nën tank apo të ikte malit teposhtë dhe të mos kthehej kurrë më në Kosovën e tij ku e priste familja dhe Zana e tij e dashur. Mendja i shkoi ta vendoste kapsollën luftarake në minë, edhe pse nuk e kishte, që ta ngrinte në ajër tankun e mallkuar para se të arrinte ai mbi trupin e tij. Por shpejt u bind, se kjo do të ishte zgjidhja më e keqe për te, për shokët e tij që do ta pësonin nën tanke të cilët nuk ishin fare fajtorë. Jo, tha me vete, do i pres zinxhirët e tankut mbi trupin tim dhe nuk pranoj të vras shokët e pafajshëm!
Mos ka ndonjë kurth nga Piskama? Po, sigurisht që po, mendoi Zogu. “Këtu është e qartë, se fshihet diçka e rrezikshme. “Armiku nuk fle”, iu duk sikur i tha dikush në vesh, sikur dëgjoi frymëmarrjen e një njeriu të njohur i cili u zhduk bashkë me jehonën e luginës së panjohur. Komandant Piskama vazhdimisht shikon si i çmendur, shan e bërtet për imtësi të vogla. Në sytë e tij dallohet urrejtje e mbjellë qysh nga fëmijëria e tij ndaj të tjerëve. Për një çast i erdhi trishtueshëm parasysh varrimi i Gencit nga Rrezarta pak vite më parë, i sjellë nga ushtria në arkivolin e blinduar i cili nuk duhej të hapej. “A thua, mund të jetë kurth vrasës ndaj meje pas gjithë atyre urrejtjeve të tij!”, pëshpëriti duke u dredhur nga inati. Koha nuk priste, sekondat iknin shpejt, duhej të vendosja. “Shkau nuk ka besë, iu duk sikur dëgjoi zërin e të atit për të satën herë, e pastaj zërin e nënës që i lutej të kishte kujdes si dikur pasi dilte nga shtëpia.
Derisa të jepej komanda për marshimin e tankeve kishte edhe pak minuta, apo ndoshta vetëm edhe pak sekonda dhe ai duhej të zinte pozicionin e tij në llogore sipër të cilit do kalonte tanku. Zogu pasi e pa se nuk dukej nga të tjerët. E vuri minën kundërtank disa metra para llogores, siguroi mirë pushkën, shikoi fishekët luftarakë të ruajtura për të fundit herë, nxori nga çanta kapotën e vjetër ushtarake, e hodhi në llogore dhe pasi e forcoi ngarkesën në shpinë, kaloi prapa trungut anash, e vëzhgoi për të fundit herë, kurse shishen me benzinë dhe fitilin për ta ndezur në mbrojtje nga tanku, e futi në çantën e tij. Pasi u sigurua se nuk dëgjohej ecja e tij drejt përroit, filloi të largohej sa më larg derisa të jepej urdhri për sulm nga tanket. Duhej një shpejtësi e madhe për kalimin e lëndinës që vinte pjerrinës ku ishte rrezik të kapej nga shënjestra e snajperëve të rojes kufitare. Larg në anën tjetër përballë dukeshin kullat vrojtuese austriake me drita të ndezura, por pa rrezik prej tyre.
Komanda e marshimit tankist u shoqërua me zhurmën e tankeve e cila drodhi pishat e gjata duke trembur shpezët e shtazët e malit deri në luginën e thellë me kanionin e saj që lagej në rrjedhën e lumit me ujë ftohtë ku tani Zogu kishe arritur. Retë e dendura po mblidheshin duke mbuluar Trigllavin me plis të errët jo të zakontë. Pikat e shiut filluan melodinë e tyre përmbi gjethe me gjithë koloritin e tingujve të tyre në tribunën e gjelbër të natyrës alpine, shoqëruar me gurgullimën e përroit.
Zogu mori frymë thellë i djersitur buzë Shuhlit të turbullt.
Tanku i parë mbi llogoren e pestë kishte ngelur në batakun e dheut dhe copave të betonit ku kishte shtypur hapësirën strehuese bashkë me ushtarin fatkeq. Komanda e garnizonit pa vonesë lajmëroi: “Ushtari fatkeq ka humbur jetën nën tank nga thyerja e rrethit të sigurisë dhe nga pakujdesia e vetë ushtarit i cili duke kërcënuar komandantin ishte vendosur pikërisht aty edhe pse komandanti kishte qenë kategorik kundër. Kjo tregon se ai është vetëvrarë me qëllim”. Këto arsyetime të komandës iu dërguan familjes së Zogut në telegramin urgjent si informim sipas rregullave ushtarake të armatës.
Në të gjitha informatat nuk tregohej emri i ushtarit, por shoqëria e dinin se aty ishte Zogu, i cili mungonte.
Sirena e alarmit pushtoi gjithçka. Komisioni ushtarak nga komanda qendrore pas dy orësh zbriti nga helikopteri në poligon. Gjeneral Smole bashkë me ushtarakë të tjerë hetues e sanitarë të gatishmërisë së lartë luftarake, i prerë në fytyrë nga hidhërimi nuk hyri fare në garnizon, por u nis drejt e tek pika pesë e tragjedisë. Urdhri i tij ishte i prerë: E gjithë komanda e garnizonit të qëndronte anash gatitur, deri në nxjerrjen e kufomës nga njësiti i inxhinierisë ushtarake dhe gjyqit ushtarak. Pasi larguan me kujdes tankun e shkatërruar me vështirësi, ata të lemerisur pritnin të shihej ushtari i shtypur nga pesha e hekurt dyzet tonësh. Largimi i dheut dhe copave të betonit vazhdoi pak nga pak, por nuk dukej se nuk dukej gjurmë njeriu. Pas pak nën armaturën e këputur u duk skaji i kapotës në ngjyrë të gjelbër.
-Ja, trupi i ushtarit, – kërceu i çrregulluar Piskama.
Asnjë fjalë, u dëgjua drejtuesi i inxhinierisë. Na duhet ta dëgjojmë reagimin e ushtarit, frymëmarrjen e tij.
Kujdes, mos u ngutni që të mos dëmtohet trupi i ushtarit, dha ai urdhrin tjetër. Me kazmë ngadalë u zbulua kapota, por nuk dukej trupi as koka e tij. Punëtori e tërhoqi me dorë ngadalë kapotën e cila ashtu e zhytur doli lehtë duke lënë një zbrazëti nën të.
Të gjithë mbetën të befasuar! Si ka mundësi kjo, ku është ushtari? Tani i gjithë vendi kishte marrë lajmin e fatkeqësisë. Aq sa ishte enigmë e hidhur, po aq ishte ndjenjë gëzimi që nuk gjetën trupin e pajetë të ushtarit, të tjerat janë hiçi i gjërave.
Nuk ka shenja të viktimës, u dha lajmi i drejtuesit inxhinier. Të gjithë u gëzuan dhe sa nuk bërtitën, përveç komandant Piskamës i cili ishte skuqur në fytyrë nga inati dhe nuk e zinte vendi, vend.
Zogu u bë pjesë e shpellave të kanionit për ditë e netë të tëra. Garnizoni ushtarak ishte ngritur në gjendje alarmi dhe aq sa kishte fjetur Zogu në shpella, më pak kishin fjetur ata brenda mureve të gurta. Jeta në kanionin alpin ishte e rëndë sa vetë shkëmbinjtë e dheut të huaj. Pasi kishin kaluar ekspeditat kërkimore në ditën e tretë ai hapi radion e vogël me bateri dhe dëgjoi lajmet, ku mësoi mbi masat e ndërmarra në kërkimin e tij. Ishte trishtuar nga gënjeshtra e komandës së garnizonit, por ishte krenar që e gjitha kjo ngjarje zbulonte arrogancën dhe armiqësinë e ushtarakëve serbë ndaj shqiptarëve.
E kishte menduar ikjen jashtë kufirit, kthimin në garnizon dhe vrasjen e Piskamës, pasi ai e kishte vrarë atë, por kishte vendosur të kthehej sërish në garnizon dhe ta përfundonte shërbimin ushtarak bashkë me shokët e grupit. Kthimi i tij ishte aq sa ngazëllues edhe i dhembshëm. Komanda qendrore menjëherë urdhëroi dërgimin e tij në një garnizon tjetër në Pula të Kroacisë deri në mbarimin e dy muajve të shërbimit. Vizita e të atit dhe dajës së tij e qetësuan familjen dhe të gjithë miqtë. Në “Djello” u publikua shkrimi mbi dramën e ushtarit shqiptar i mençur dhe sypatrembur, se si kishte mënjanuar kurthin e vdekjes së tij nga komandanti gjakatar i dënuar për tentativë vrasje dhe përgjegjësive komanduese të moralit ushtarak.
Zogu u kthye në shtëpi si hero i një kujtimi nga koha e gjatë e vrasjeve të ushtarëve shqiptarë prej komandantëve të tyre mizorë. Jeta e tij ishte e ndërtuar nga përjetimet e mijëra të rinjve shqiptarë. Në kthesën e parë përballë fshatit emri i tij qëndronte i skalitur në Shkëmbin e Qëndresës: ZOGU YNË.

