22 MARSI, DITA MË E RËNDËSISHME E HISTORISË SË RE TË SHQIPËRISË. Studim nga Dr. Mujë Buçpapaj

Fundi i shtetit komunist, fillimi i erës së demokracisë

Partia Demokratike erdhi në fuqi më 22 mars 1992, vetëm 14 muaj nga koha kur ajo ishte themeluar, duke përshkuar një rrugë të vështirë përballjesh dhe sfidash të pabarabarta me PPSH-në dhe Sigurimin e Shtetit, si dhe provën e zgjedhjeve të para pluraliste të mbajtura më 31 mars 1991.
Si një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe përsonazh i asaj Levizje të madhe kam ndjekur me interes atë shndërrim që po lindte në vendin më të izoluar të botës, por edhe në vazhdim gjatë këtyre 29 vjetëve të jetës politike të shtetit demokratik shqiptar.

Kohët e fundit kam vënë re që më dashakeqësi, biles më ligësi, ndonjë përsonazh i asaj kohe përpiqet të zhvlerësojë këtë fitore të PD-së dhe të drejtuesve të lartë të saj, duke i etiketuar ata “si njerëz të Sigurimit të Shtetit” dhe akoma më keq duke e paraqitur vetë PD-në si krijim të kësaj strukture famëkeqe. Kjo është një hakmarrje primitive, një baltosje e verbër në stilin e strukturavë të vjetra puniste, “ që kur nuk i vrasin heronjtë, t’i njollosin.”

Gjatë këtyre 29 vjetëve pluralizëm dhe vecanarisht gjatë periudhës dhjetor 1990- mars 1992, si në asnjë vend tjetër ish-komunist, në Shqipëri është zhvilluar një luftë e vertëtë dhe e pabarabratë, mes PD të drejtuar nga Sali Berisha dhe Azem Hajdari, të mbeshtetur nga mijëra përkrahës të tyre, si dhe sigurimit të shtetit. Rebelimi bolshevik i marsit 1997 ishte një deshmi që këto struktura të egra dhe primitive, ishin tërhequr të poshtruara dhe të mundura nga njerëzit e PD-së, me 22 mars 1992 për t’u kakmarrë ndaj tyre në atë mënyrë që tashmë e dimë të gjithë. PD la në këtë ballafaqim të egër qindra të vrarë përfshirë edhe kryetarin e saj të parë Azem Hajdari, ndërsa lidërit historik të PD-së, Sali Berisha iu bë disa herë atentat, përfshirë edhe sulmin me bombë në Shkallnuer të Durrsit, në qershor 1997. Në këtë ngjarje dramatike kam asistuar duke qënë gazetar i RD-së. Por le të shohim ngjarjet që paraprinë fitoren 22 marsit 1992.

ZHGËNJIMI I ZGJEDHJEVE TË 31 MARSIT

Në zgjedhjet e 31 Marsit 1991, Partia Demokratike u paraqit si një forcë kërcënuese për sistemin e vjetër. Fakti që për kandidatët e saj votuan zgjedhësit në qytetet kryesore të vendit, e sillte atë në mendjet e njerëzve si një forcë politike të së ardhmes. Në zgjedhjet e 31 marsit morën pjesë 11 parti dhe shoqata, të cilat konkuruan për 250 vende në Kuvendin Popullor. Partia Demokratike bashkë me Partinë Republikane i përkisnin frontit opozitar, ndërsa Partia Agrare dhe Partia Ekologjike shiheshin si vegla të Partisë së Punës, bashkë me disa shoqata të kontrolluara nga PPSH. PD, megjithëse nuk kishte më shumë se 4 muaj jetë në skenën politike të vendit, konkuroi në 250 zona elektorale. Në kaq zona konkuroi edhe PPSH me aleatët e saj. Për të parë pabarazinë në këto zgjedhje, përveç të tjerash mjafton të përmendim vetëm një fakt. Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve, Rexhep Meidani, ishte vetë kandidat për deputet. PPSH fitoi 169 vende ose 67,6% nga 250 vende. PPSH dominoi në zonat fshatare, ku kontrolli i shtetit dhe strukturave të tij ishte akoma i madh. Kandidatët kryesorë të PPSH, duke përfshirë edhe Ramiz Alinë, humbën, ndërsa kryeministri Fatos Nano mundi të fitonte vetëm pas një balotazhi. Alia dështoi në një zonë të Tiranës, përballë Frano Krroqit, një emër deri atëherë krejt i panjohur. PDSH fitoi 79 vende ose 30%, duke dominuar thuajse tërësisht në zonat urbane të vendit. Qytetet kryesore votuan për kandidatët e PD-së. Organizata e minoritetet grek “Omonia“ fitoi 2% ose 5 vende në parlament, ndërsa Komiteti i Veteranëve mori vetëm një vend, ose 0.4 %.
Sado që rezultatet e PD-së qenë të mira, ajo nuk mundi të fitonte dy të tretat e vendeve në Kuvend. Kështu që ajo nuk do të mund të ndikonte në miratimin e ligjeve të rëndësishme në parlament. Në fakt PD+PR kishin fituar rreth 40% të numrit të përgjithshëm të votave të zgjedhësve në shkallë vendi, por sistemi mazhoritar e pengoi opozitën të kishte më shumë vende në parlament. Sido që mbështetësit e PD dolën të zhgënjyer nga këto zgjedhje, vetë PD dhe Berisha e vlerësoi këtë konkurim të parë me PPSH-në, si shpresëdhënës, nisur nga fakti që PD kishte vetëm 4 muaj që ishte themeluar.
PD nuk kishte ndonjë potencial ekonomik, as mjete të nevojshme për të përballuar makinerinë shtetërore të PPSH-së. Ajo ishte e paorganizuar mirë si dhe përballë manipulimve të hapura të PPSH. Partia në pushtet kontrollonte RTSH, dhe 90% të shtypit, ajo kishte në anën e saj policinë dhe sigurimin famëkeq. Forcat e terrorit shtetëror nga dhjetori 1990 deri ditën e zgjedhjeve kishin vrarë mbi 20 veprimtarë dhe aktivistë të Partisë Demokratike, kishin burgosur dhe rrahur me qindra të tjerë. Edhe vetë drejtuesit kryesorë të PD-së, përfshirë Berishën dhe Hajdarin kishin qenë preh e sulmeve dhe incidenteve të rënda, të provokuara nga sigurimi.
PD u mbështet fuqishëm nga seksioni shqip i “Zërit të Amerikës“ i drejtuar nga analisti i mirënjohur Elez Biberiaj, një qëndrim editorial ky që vinte në frymën e politikës së Qeverisë Amerikane për të larguar nga pushteti komunistët dhe mbeshtetur forcat e reja opozitare në vend.
Alia dhe komunistët kishin pranuar pluralizmin të detyruar nga presionet e forta ndërkombëtare si dhe nga pakënaqësitë që vinin nga brenda dhe revotat e forta studentore, por ata nuk ishin për reforma që do të çonin në prekjen e thelbit të sistemit.
Megjithë këto fakte vëzhguesit ndërkombëtarë nuk përfillën shumë vërejtjet e opozitës për parregullësi. Vetëm SHBA-të shprehën shqetësimin e tyre se «mos zgjedhjet nuk kishin qenë krejt të liria dhe të ndershme.“ Janush Bugajski «Christian Science Monitor » (25.prill 1991). PD reagoi me optimizëm. Sali Berisha në një shkrim të botuar tek gazeta « RD » me 10 prill 1991 shprehej se « megjithëse zgjedhjet nuk kishin qenë as të lira dhe as të ndershme PD e pranonte rezultatin dhe do të vazhdonte përpjekjet për të arritur qëllimet e veta». Berisha shkruante se « zgjedhjet e 31 marsit u zhvilluan në kushte të pabarabarta, në kushtet e një terrori dhe frike të paparë, gjë që i detyroi mijëra shqiptarë të marrin rrugët e dheut si dhe qindra dhe mijëra të tjerë të votojnë për PPSH-në».
Kaosi që përfshiu vendin gjatë muajve të parë të vitit 1991, bënë që shumë shqiptarë shumica mbështetës të PD-së, të linin Atdheun.
Me 4 mars TVSH njoftonte se një grup qytetarësh në Vlorë kishin sulmuar dhe vënë nën kontroll një anije, e cila që nisur drejt brigjeve të Italisë. Njerëz nga e gjithë Shqipëria u nisën me çdo mjet që mundnin në drejtim të Vlorës. Me 5 mars pas përleshjeve me policinë qe pushtuar porti i Durrësit. Përsëri RTSH njoftonte se 4 anije të mëdha nga Durrësi qenë nisur plot e përplot me njerëz drejt Italisë. Shqipëria po braktisej. Ikjet biblike të qytetarëve të saj mbushën ekranet e Italisë dhe të Europës. Me 6 mars RAI njoftonte se kishin mbërritur në brigjet italiane 7 mijë vetë dhe priteshin edhe rreth 15 mijë të tjerë.
Gjatë eksodit të marsit thuhet se mbi 70 mijë shqiptarë zbarkuan në Itali. Prej tyre rreth 5 mijë mendohej të ishin studentë, një pjesë e madhe e të cilëve pjesëmarrës të lëvizjes së dhjetorit 1990 si dhe të grevës së urisë të 20 shkurtit 1991, e cila siç dihet pati çuar në rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha në sheshin qendror të Tiranës.
Populli shprehu pakënaqësinë e tij për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve të 31 marsit. Me 2 prill në Shkodër sigurimi i shtetit për të frikësuar demokratët vret Arben Brocin, Nazmi Kryeziun, Bujar Bishanakun, Besnik Cekën, si dhe plagos rreth 70 pjesëmarrës të tjerë në një demonstratë paqësore në qender të qytetit të Shkodrës. Situata tensionohet edhe më shumë kur një deklaratë e dalë nga Këshilli Presidencial i fajësonte viktimat, duke i quajtur «terroristë».

Deklarata bënte të ditur se Ministria e Brendshme ishte porositur që «të qëllonte pa paralajmërim» këdo që do të prishte rendin dhe qetësinë.“ PD ishte para një agresioni dhe terrori të hapur për të mos ngritur kokën. Asaj qysh prej trazirave të fundit të shkurtit i ishin vrarë nga sigurimi me dhjetra aktivistë dhe anëtarë të PD në të gjithë vendin, mes të cilëve Spartak Delia, Artur Lenja, Ismail Capari, Artur Daka, Pëllumb Tahiri, Mikel Lara, Lulëzim Borxha etj.Regjimi i vjetër po hakmerrej në mënyrën e tij më barbare.

PD, NJË ZË I FUQISHËM NË PARLAMENTIN E PARË PLURALIST

Në shenjë protesate për masakrën e Shkodrës Partia Demokratike nuk mori pjesë në hapjen e seancës së parë të parlamentit. Ajo nëpërmjet një deklarate akuzoi PPSH dhe Ramiz Alinë për masakrën e Shkodrës si dhe terrorin e egër të drejtuar kundër anëtarëve të opozitës. Me ndërhyrjen edhe të miqve të PD në Perëndimin, ajo kthehet në Kuvend për të lujatur një rol të rëndësishëm për miratimin e ligjeve të domosdoshme që do t’u hapnin rrugë reformave të ekonomisë së tregut, hapjes së vendit si dhe ndërtimit të një infrastukture të nevojshme që do të çonte forcat e reja demokratike drejt pushtetit.
Parlamenti pluralist zgjedh Ramiz Alinë president të ri të vendit me 172 vota, ndërsa rivali i tij socialist kryeredaktori i ZP-së, Namik Dokle merr vetëm 2 vota. Opozita nuk paraqiti kandidiat, por ajo votoi kundër. Menjëherë pas zgjedhjes në krye të shtetit, Alia dha dorëheqje formalisht nga postet partiake. Ai ngarkoi Fatos Nanon që të krijonte qeverinë “Nano dy.” Askush në Shqipëri dhe aq më pak në Perëndim nuk mendonte se PPSH dhe qeveria e saj e deshtuar do të mund të çonte vendin përpara. Shqipëria ndodhej në prag të rrënimit të plotë. Reformat e paraqitura nga Nano mbetën në letër. PPSH po shihej gjithnjë e më shumë si një forcë politike e vjetër dhe e izoluar ndërkombëtarisht, të cilës i kishte ardhur koha të dilte nga skena politike, ashtu siç kishin bërë simotrat e saj në Europën ish-komuniste. PD, qenien në parlament e përdori shumë mirë për prezantimin e potencialit të saj intelektual. Ajo imponohej për të gjitha çështjet përfshirë edhe hartimin e ligjeve të reja kushtetuese.
Me 29 prill 1991 parlamenti miratoi paketën Kushtetuese, pasi kishte hedhur poshtë një variant, siç thoshte Abdi Baleta «komunisto-ushtarak» të propozuar nga PPSH në dhjetor 1990. Amendamentet Kushteteuse u miratuan pothuajse me konsesnus dhe u panë nga të gjitha palët si të përshtatshme deri në krijimin e një kushtetute të re. PPSH ndodhej vetëm formalisht në fuqi. Autoriteti i saj kishte marrë fund. Garda e vjetër ishte e paaftë për t’iu përshtatur rregullave të reja të lojës. Ajo nuk mund të udhëhiqte Shqipërinë drejt sfidave të reja. Nga ana e saj Partia Demokratike e kordinoi hyrjen në parlament me protestat popullore në rrugë.
Me 15 maj 1991 Sindikatat e Pavarura me mbështetjen e PD-së, shpallën grevë të përgjithshme. Ndër kërkesat kryesore të tyre ishin rritja e pagave 50% si dhe gjetja dhe dënimi i vrasësve të Shkodrës. Greva qe totale. Ajo përfshiu rreth 400 mijë vetë. Bashkë me sindikalistët bashkohen edhe studentët e Universitetit të Tiranës dhe të Shkodrës.
Fillimi i grevës së urisë së minatorëve të Valiasit e dramatizon edhe më tej situatën në Tiranë dhe kudo në vend. Ajo mori mbështetje të fortë ndërkombëtare.
Në fund të majit të vitit 1991 Sali Berisha kryen një vizitë në SHBA. Ai duke folur para Komisionit të Kongresit Amerikan për bashkëpunimimin dhe sigurinë me Europën mes të tjerash kërkoi «ndihmë humanitare të menjëhershme për Shqipërinë». Berisha bëri thirrje për pjesëmarrjen më të gjërë të SHBA për ripërtëritjen e ekonomisë shqiptare». Ai tha para autoriteteve të Kongresit amerikan se « populli shqiptar ushqen ndjenja të vjetra miqësie për popullin amerikan, prandaj në këto kohë të vështira kërkon ndihmën dhe mbështetjen e tij». («RD» 29 Maj 1991).
Më 29 maj, Sindikata e Pavarur dhe studentët e UT organizojnë një protestë të madhe në Sheshin «Skënderbej», ndërkohë policia kishte ndaluar në mesnatën e 28 majit shtabin drejtues të protestës në Qytetin «Studenti». Me mijëra studentë rrethojnë komisariatin nr.1 të policisë në kërkim të lirimit të studentëve të ndaluar. Rreth orës 12.00, në Sheshin «Skënderbej» zhvillohet një betejë e vërtetë mes protestuesve të irrituar të pajisur me gur dhe mjete të tjera forta si dhe policisë, e cila përdor kundër tyre makinat me ujë, qentë, si dhe shkopinjtë e gomës. Në përfundim policia tërhiqet duke lënë të djegura disa makina, përfshirë edhe klubin e Ministrisë së Brendshme. Regjimi merr një tjetër goditje të fortë. Vendi ishte paralizuar, ai i ngjante një anije të pa timon. «Ramiz Alia, i cili gjatë tre javëve të krizës nuk e kishte vënë veten shumë në dukje, i hoqi mbështetjen Fatos Nanos. Pas më pak se dy muajsh në fuqi, qeveria e tij u detyrua që të jepte dorëheqjen ». (E.Biberaj, «Shqipëria në Tranzicion », faqe 164). Fatos Nano detyrohet të deklarojë se «qeveria ka falimentuar dhe nuk i përmbush dot kërkesat e punëtorëve grevistë».

  1. 3. PD PRANON PJESËMARRJEN NË QEVERINË E STABILITETIT PËR TË SHMANGUR GJENDJEN E JASHTËZAKONSHME

Më 4 qershor 1991 partitë politike arritën marrëveshje për krijimin e një qeverie të re nën drejtimin e socialistit Ylli Bufi. Ajo qe konsideruar si një qeverisje e përkohëshme koalicioni mes komunistëve dhe demokratëve. Koalicioni shpresonte të siguronte mbështetje dhe ndihma të domosdoshme nga jashtë si dhe të ulte tensionin e lartë politik në vend. Partia Demokratike mori pjesë në këtë qeveri duke marrë shtatë portofole. Nënkryetari i PD-së, Gramoz Pashko, u zgjodh zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ministër i Financave, Perikli Teta, ministër i Mbrojtjes, Preç Zogaj, ministër i Kulturës, etj.
Shumë mbështetës të PD-së dhe sidomos studentët dhe ish-të përndjekurit nuk e miratuan këtë hap bashkëpunimi të PD-së. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në «RD» e 15 Qershorit 1991 e justifikonte pjesëmarrjen e opozitës në qeveri si “mjeti i fundit për të ndaluar shkitjen e vendit në anarki të plotë, për të ndaluar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme që kërkohej nga Ramiz Alia ose marrjen e pushtetit nga ushtarakët, çfarë do të dëmtonte kalimin paqësor në demokraci.” Nga ana tjetër, Berisha theksonte se “qeverisë moniste i ishin mbyllur dyert në një kohë, kur vendi kishte nevoja emergjente qoftë edhe për bukë.”
Sali Berisha pati deklaruar në “Indipendent“ më 12 Qershor 1991 se, «jemi në pragun e një katastrofe tërësore. Vendi po shpërbëhej. Nuk mund të presim më gjatë». Edhe Pashko e vlerësonte këtë lloj bashkëpunimi si “një qeverisje kamikaze”.

  1. SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT VIZITON TIRANËN ME FTESË TË BERISHËS, SHBA RIKTHEHET NË SHQIPËRI PAS 50 VJETËSH

Pjesëmarrja e PD-së dhe e opozitës në qeverinë e koalicionit fillon ta nxjerrë Shqipërinë nga izolimi 47-vjeçar. Megjithëse i kritikuar aq shumë nga brenda, kompromisi i opozitës dhe pjesëmarrja e saj në një qeveri me komunistët pati ndikime pozitive, në raport me institucionet ndërkombëtare. Shqipëria do të pranohej menjëherë dhe me të drejta të plota anëtare e KSBE (sot OSBE). Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, më 22 Qershor 1992 vjen në Tiranë. Pritja që populli shqiptar i bëri ministrit të Jashtëm të Xhorxh Bushit ishte e jashtëzakonshme.
Një javë më parë, studentët dhe populli i kryeqytetit për nder të vizitës së tij kishte hequr bustin e Leninit para Hotel “Dajtit”. Thuhej se një grup studentësh dhe intelektualësh në kryeqytet kishin krijuar “Shoqatën e rrëzimit të busteve dhe monumenteve komuniste”. Pas rreth 50 vjetësh ndërpreje të lidhjeve të SHBA-ve me Shqipërinë, ajo shihej nga shqiptarët si shpëtimtarja e tyre nga komunizmi, uria dhe mjerimi, që kishte pllakosur vendin.
Megjithatë Bejker, duke folur para disa qindra mijëra shqiptarëve në Sheshin “Skënderbej” tha se “ndihma amerikane do të ishte e kushtëzuar nga hapat konkretë që do të bënte Shqipëria drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut”.
Në fjalën që mbajti para Kuvendit të Shqipërisë, Bejker tha se vizitën e tij në Tiranë e kishte bërë me ftesën e Berishës. Bejker akordoi 6 milion dollarë ndihma për Shqipërinë, shumë të cilën do ta ironizonin qysh të nesërmen socialistët nëpërmjet gazetës së tyre “ZP”. Gjatë viteve në vazhdim, SHBA do të ishin mbështetësit kryesorë të shqiptarëve dhe reformave të ekonomisë së tregut të lirë në vend.

  1. PPSH KTHEHET BRENDA NATËS NË PS, VENDIN E PËRFSHIN KAOSI DHE SHKATËRRIMET

PPSH-së po i shkiste toka nën këmbë. Ajo i kishte humbur të gjitha betejat si brenda, ashtu edhe jashtë. Ndërsa mbështetësit e PD-së shtoheshin çdo ditë, PPSH ndjehej e braktisur dhe e përçmuar nga shumica e shqiptarëve. Në këto rrethana, Ramiz Alia vendos ndërrimin e emrit të partisë së vjetër, me shpresë se do t’u përshtatet zhvillimeve të reja si dhe do t‘u ikte përgjegjësive të PPSH-së dhe Enver Hoxhës për rreth 50 vjet diktaturë dhe krime në Shqipëri.
Më 10 Qershor 1991, mblidhet Kongresi i 10-të i PPSH-së. Kongresi mori dy vendime. Së pari, ndërrimin e emrit nga PPSH në PS dhe së dyti, zgjedhjen e Fatos Nanos kryetar i PS. Nano sapo kishte dhënë dorëheqje nga kryeministër i vendit, i detyruar nga greva e përgjithshme e punëtorëve shqiptarë.
Më 12 qershor, kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Ylli Bufi, paraqiti në Kuvend programin e tij. Bufi përshkroi një ekonomi të shkatërruar nga rrënimet, si dhe mungesën e plotë të lëndëve të para për industrinë e vendit. Ai foli për mundësi të vogla të nxjerrjes së vendit nga kriza dhe sidomos për kaosin dhe pasigurinë në vend.
Gjatë kësaj kohe, kryesisht në fshat pati shkatërrime të kooperativave, ndërmarrjeve bujqësore, SMT, etj. Një pasuri e akumuluar në dhjetra vite nga djersa e popullit shqiptar po vidhej nga njerëz të nomenklaturës së kuqe. PD dhe Berisha akuzojnë sigurimin që qëndronte pas këtyre shkatërrimeve dhe plaçkitjeve barbare. Ishte e qartë se komunistët po bënin çmos të paraqisnin demokracinë si anarki dhe kaos, çfarë sipas tyre do të thoshte se “demokracia qenka më e keqe se diktatura”. PS kundërshtoi në këtë kohë kërkesën e PD-së për shpërndarjen e kooperativave bujqësore dhe privatizimin e plotë të bujqësisë.
Pasiguria dhe frika për të nesërmen e kishte shndërruar Shqipërinë në një vend thuajse të pabanuar.
Mbi 100 mijë shqiptarë kishin braktisur atdheun në harkun kohor 1990-1991. Shqipëria ishte në sytë e njerëzve të saj dhe sidomos të më të rinjve një vend ferri. Qeveria Bufi ishte e paaftë jo vetëm të rindërtonte besimin dhe shpresën, por as të shpërndante ndihmat ndërkombëtare.
Në Shtator 1991, qeveria shqiptare arriti në një marrëveshje me qeverinë italiane «për të mbikqyrur dhe shpërndarë ndihmat humanitare». Rreth 1000 ushtarë italianë erdhën në Shqipëri. Gjendja vetëm sa vinte dhe përkeqësohej. Shumë shqiptarë filluan të fajësonin PD, e cila në vend të përmbysjes së komunistëve nga pushteti, kishte zgjedhur rrugën e bashkëpunimit me ta. Zhgënjimi ndaj PD-së po shtohej dhe këto sinjale po i kuptonte më mirë se kushdo vetë Sali Berisha, i cili po mendonte për ndryshimin e gjendjes në vend, pa dhunë dhe konfrontime sociale, të cilat rrezikonin fitoren paqësore të PD-së.
Megjithatë, Berisha deklaron në një intervistë dhënë “RD“-së, më 24 Korrik 1991 se, «PD është e vetmja forcë që mund të demokratizojë vendin». Berisha shprehej në këtë intervistë se “zgjidhja politike është e domosdoshme”, duke kërkuar që “zgjedhjet e reja të mbaheshin para Majit të vitit 1992”. Berisha akuzoi ashpër nomenklaturën e kuqe për sulmet e egra ndaj PD, duke kërkuar shkrirjen e Sigurimit famëkeq të Shtetit”.
Berisha do të organizonte partinë për t’u hedhur në sulm ndaj komunistëve. Ai krijoi një koalicion me PR, PSD, Sindikatat e Pavarura dhe ish-të burgosurit politik. Më 22 gusht, ky koalicion doli me një komunikatë të përbashkët, e cila shprehte vendosmërinë e opozitës për të instaluar demokracinë e vërtetë në Shqipëri. PD gjatë kësaj kohe kishte arritur disa suksese të rëndësishme politike si lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, miratimin në parlament të një ligji për shkrirjen e sigurimit të shtetit, miratimin e një pakete kushtetuese moderne, si dhe të një ligji që u kthente tokën e tyre fshatarëve, duke hedhur poshtë variantin e PS “për tokë në përdorim”.

  1. PD DHE BERISHA VENDOSIN QË TË RIFILLOJNË PROTESTAT

Qeveria e Stabilitetit dukej qartë se kishte dështuar. PD dhe Berisha vendosin që të rifillojnë protestat. Më 14 shtator, rreth 70 mijë vetë protestojnë në sheshin “Skënderbej». Të tre partitë opozitare, nën drejtimin e PD-së, organizojnë protestën. PD kritikon bllokimin e reformave dhe në mënyrë të veçantë abuzimet me privatizimet e para në vend. Deri tani llogaritej që qeveria “Bufi” të kishte kryer rreth 30 mijë privatizime të ndërmarrjeve të vogla në favor të njerëzve të nomenklaturës së vjetër.
Qysh tani komunistët ishin vënë në një garë të pasurimit të menjëhershëm nëpërmjet këtyre privatizimeve abuzuese. Komunistët në fakt po lëshonin pushtetin politik, ndërsa po fitonin pushtetin ekonomik. Në kupolën e lartë të PD filluan përçarjet rreth qëndrimeve ndaj qeverisë së koalicionit me komunistët. Berisha pati mosmarrëveshje me Pashkon lidhur me ngadalësimin e reformave antikomuniste në vend si dhe konsumimin e padrejtë të reputacionit të PD-së në sytë e opinionit.
Në fakt, PS po shfrytëzonte qenien e PD në qeveri për të fajësuar atë edhe për varfërinë, kaosin, mjerimin dhe zinë, që kishte pllakosur vendin. Filluan hapur presionet e bazës ndaj PD-së për të dalë nga qeveria e stabilitetit. Berisha po i përkrahte këto mendime gjithnjë dhe më shumë, i bindur se nuk kishte rrugë tjetër për nxjerrjen e vendit nga kriza. Në kundërpërgjigje të këtij qëndrimi, në fshehtësi, klanet e majta në PD po planifikonin largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së.
Para Kuvendit të parë të PDSH që do të mbahej më 26 Shtator 1991, grupi i të majtëve në udhëheqjen e PD-së kishte organizuar edhe skenarin e zëvendësimit të Berishës me Cekën.
«Ramiz Alia në prapaskenë po punonte që të bënte për vete kundërshtarët e Berishës në kryesinë e PD-së, sidomos Pashkon, Cekën dhe Zogajn. (E.Biberaj «Shqipëria në tranzicion», faq.194). Berisha që ishte figura më e padiskutueshme në PD, i mbështetur nga delegatët, studentët dhe ish-të dënuarit politikë, u zgjodh kryetar i PDSH me 499 vota pro, ndërsa rivalët e tij për këtë post Nertian Ceka dhe Azem Hajdari morën nga 77 dhe 7 vota.
Të majtët kishin humbur përfundimisht betejën për të kontrolluar PD, ndërsa ishin akoma që të mos dilej nga qeveria e koalicionit.
Pas Kuvendit filluan grevat dhe protestat në të gjithë vendin. Sindikatat e Pavarura riformuluan kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Shumica e punëtorëve shqiptarë paguheshin sipas ligjit të 80%. Me PD bashkohen edhe studentët. Në ILP Shkodër, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”, studentët të udhëhequr nga studenti i historisë  Flamur Bucpapaj, paraqesin kërkesat e tyre ku mes të cilave kërkohej dalja e PD-së nga Qeveria e Stabilitetit si edhe largimi i Presidentit komunist Ramiz Alia. Fillon greva e fuqishme e gazetarëve të RTSH, me kërkesën kryesore largimin e drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Kumbaro.
Kriza po vinte duke u shtuar me afrimin e të ftohtit dhe dimrit. Shqipëria gjendej në prag të katastrofës, me një ekonomi tërësisht të paralizuar. Asgjë nuk prodhohej. Vendi mbahej vetëm me ndihma humanitare që vinin nga Italia, SHBA, Turqia dhe BE. Infrastruktura e sistemit komunist kishte dalë jashtë funksionimit, ndërsa ndihmat e vërteta nga jashtë nuk po vinin. Komunistët ndodheshin të rrethuar. Në Nëntor 1991, kryeministri Ylli Bufi kthehet duarbosh nga një vizitë në SHBA. Sekretari amerikan i Shtetit nuk denjoi ta priste Bufin, qeveria e të cilit pas një muaji do të rrëzohej.

  1. BERISHA NXJERR PD NGA KOALICIONI ME KOMUNISTËT. ALIA KRIJON QEVERINË TEKNIKE NËN DREJTIMIN E VILSON AHMETIT

Më 26 nëntor, në Tiranë mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së me pjesëmarrjen edhe të grupit të deputetëve të kësaj partie. Nga mbledhja u publikua një ultimatum drejtuar Ramiz Alisë, në të cilën kërcënohej se PD do të tërhiqej nga qeveria në qoftë se nuk do të realizoheshin kërkesat e saj deri më 3 dhjetor.
Kërkesat kryesore të PD ishin mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare deri më 23 Shkurt 1992, të arrestohej e veja e diktatorit komunist N.Hoxha, të gjendeshin vrasësit e masakrës së 2 prillit në Shkodër, si dhe të bëheshin ndryshime në kreun drejtues të RTSH.
Ndërsa shumica e Këshillit Kombëtar përkrahu deklaratën e PD-së, ministrat e saj vazhdonin të kundërshtonin daljen nga qeveria, duke përdorur argumentet e tyre. Ndërkohë tre anëtarë republikanë të kabinetit “Bufi”, konkretisht Kareco, Bitincka dhe Karamuço, bënë publike një deklaratë të ashpër kundër Bufit si dhe paralajmëruan dorëheqjen. Situata tensionohet.
PD ngarkon për bisedime me Presidentin Alia, Neritan Cekën, nënkryetar i PD-së, dhe Genc Rulin, anëtar i Kryesisë së kësaj partie. I gjendur para presioneve të forta të PD-së dhe Berishës, Presidenti komunist pranon që të bëheshin zgjedhje të reja, që të largohej Kumbaro nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm i RTSH, si dhe të shpejtoheshin hetimet për masakrën e Shkodrës. Drejtor i Përgjithshëm i RTSH do të emërohej Agron Çobani, një gazetar profesionist, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i i propozuar nga PD do të ishte poeti dhe studiuesi i njohur Skënder Buçpapaj, në atë kohë redaktor i gazetës “Drita” ndërsa drejtor Radios së brendshme do të emërohej gazetari i njohur Bardhyl Pollo, edhe ky mbështetës i opozitës.
Më 4 Dhjetor 1991, PD vendos të dalë nga qeveria. Kryetari i PD-së pas një mbledhje maratonë të kabinetit “Bufi” i akuzoi komunistët se nuk ishin për reforma të vërteta dhe se po destabilizonin vendin me paaftësinë për të qeverisur. Shqipëria ishte kthyer në një vend pa zot. Autoriteti i ligjit dhe i mbrojtësve të tyre kishte rënë për tokë. Bandat grabisnin në rrugë udhëtarët dhe makinat. Depot e ushqimeve vidheshin dhe plaçkiteshin ditën për diell. Braktisja e vendit ishte masive.
Më 6 dhjetor mblidhet në Tiranë Kuvendi i Parë Kombëtar i Studentëve të universiteteve të vendit, ku autori i këtyre radhëve ishte organizator kryesor. Një rezulotë e këtij Kuvendi i jepte mbështetje PD dhe Berishës për daljen nga qeveria e koalicionit me komunistët dhe vazhdimin e përpjekjeve për imponimin e zgjedhjeve të reja dhe largimin e tyre nga pushteti. Berisha në këtë takim u bëri thirrje studentëve dhe të gjithë të rinjve të dëshpëruar shqiptarë që të mos braktisnin vendin në këto kohë të vështira. “Nënës që lyp nuk duhet t’i kthejmë shpinën“, apeloi ai. Berisha paralajmëroi se  “një betejë e ashpër na pret dhe kjo betejë është lufta për çrrënjosjen e komunizmit nga Shqipëria”. Ai i ftoi studentët që të ishin pararojë e kësaj lëvizje.
Berisha, duke shpjeguar arsyet e daljes së PD-së nga Qeveria e Stabilitetit tha se, “PD konkludoi se reformat ekonomike nuk mund të realizoheshin për shkak të intolerancës, qëndrimeve antireformë të strukturave shtetërore komuniste, proceset demokratike po ngadalësoheshin, rendi publik pothuaj nuk ekzistonte, pushteti u paralizua, kreditë nuk po vinin për shkak të komunistëve në pushtet”.
Për udhëheqësin demokrat Berisha, “pa çrrënjosjen e komunizmit nga Shqipëria, vendi nuk mund të pranohej në Këshillin e Europës. Europa demokratike nuk mund të na pranojë kurrën e kurrës në gjirin e saj me një president komunist, me një parlament enverist, dhe qeveri të kryesuar nga komunistët”.
Dalja e PD-së nga qeveria vuri në qendër të kritikave të egra të shtypit komunist kryetarin e saj, Sali Berisha, por edhe të disa zërave nga brenda saj. Nënkryetari i PD-së, Ceka, nëpërmjet një deklarate të mbajtur në zyrën e Presidentit Ramiz Alia, ku ishte parashikuar një takim, njoftoi qëndrimin e tij kundër daljes së PD-së nga qeveria e koalicionit, si një vendim personal i Berishës dhe jo i Këshillit Kombëtar të kësaj partie. Ceka tha direkt në RTSH se po jepte dorëheqjen nga PD dhe politika në tërësi. Qysh të nesërmen, filluan protestat popullore në mbështetje të vendimit të PD-së, në Tiranë dhe në rrethe.
Partia Republikane u bashkua pa rezerva me PD dhe Berishën, ndërsa PSD e shikonte vendimin si “të nxituar”. Pozitat e Berishës, ndryshe nga sa mendonin kundërshtarët e tij, u forcuan. Pas këtij ndryshimi forcash, edhe më kritikët në PD, ndaj daljes së partisë nga qeveria e koalicionit, filluan të përkrahnin vendimin e kryetarit të PD-së, qoftë edhe për arsye taktike.
Komunistët u gjendën të papërgatitur nga dalja e opozitës nga qeveria. Ata nuk paralajmëruan ndonjë qeveri të re. Megjithatë dukej qartë se komunistët ishin shokuar nga vendimi i PD-së, biles kishin humbur edhe kontrollin. Një pamje të tillë e ilustron edhe një deklaratë e kryeministrit Bufi bërë nëpërmjet një emisioni direkt në RTSH. Bufi pas përshkrimit të zymtë të gjendjes, tha se “Shqipëria kishte rezerva buke vetëm për 6 ditë”. Komunistët nëpërmjet kësaj propagande mendonin se do të kundërvinin popullin ndaj PD-së dhe Berishës. Paralajmërimi ogurzi i Bufit solli edhe më tej kaos dhe anarki në vend.
Frika e bukës bëri që në të gjithë vendin të sulmoheshin magazinat e drithrave dhe të ushqimeve. Në një përpjekje të tillë, rreth 35 vetë u dogjën të gjallë në magazinat ushqimore në qytetin e Fushë-Arrësit.
Më 4 dhjetor, e veja e diktatorit ishte arrestuar. Komunistëve po u mbarohej çdo shans. Ramiz Alia detyrohet të shpallë zgjedhjet e reja më 22 Mars 1992 si dhe krijimin e një qeverie teknike nën drejtimin e Vilson Ahmetit, ish-ministër i Ushqimit. Qeverisë teknike iu ngarkua për të zgjidhur dy detyra. Së pari, rivendosjen e rendit dhe të sigurisë në vend si dhe përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Qeveria teknike, qysh në ditët e para të jetës, u gjend në vështirësi të mëdha. Ajo thuajse nuk ekzistonte fare. Vendi siç shkruante shtypi i huaj i ngjante më shumë “një autobuzi pa shofer”.

  1. TRIUMFI I PD-SË NË ZGJEDHJET E 22 MARSIT

PD dukej e vendosur për fitore. Brenda pak muajsh ajo ishte forcuar dhe shtrirë në të gjithë territorin e vendit ku kishte siguruar një përkrahje të madhe. Pas shumë diskutimesh mes PD dhe PS-së, sistemi zgjedhor u vendos të ishte mazhoritar me përqinje proporcionali. Ligji i mëparshëm parashikonte 250 vende në parlament, ndërsa ligji i ri parashikonte 100 zona zgjedhore me konkurim të drejtpërdrejtë. Rreth 40 vende do të ndaheshin nga proporcionali. Në kohën e diskutimeve për miratimin e këtij ligji, kryetari i “Omonias”, Bezhani, bën një deklaratë provokuese në shtyp. Deputeti i PD-së, Abdi Baleta, e dënon qëndrimin e Bezhanit sipas të cilit “OMONIA do të luftonte t’ia bashkangjiste zonat e minoritetit Greqisë. Me Baletën bashkohen edhe deputetë të tjerë nga PD dhe PS. Ligji i ri nuk lejonte më parti mbi baza etnike, kështu që Omonia u skualifikua. Brenda pak ditësh me ndërhyrjen nga Europa u arrit krijimi i PBDNJ, e cila ishte një parti e hapur edhe për shqiptarët.
Në prag të zgjedhjeve të 22 marsit vendi dukej pa rrugëdalje. Komunistët po largoheshin nga pushteti, duke u lënë pas demokratëve një tokë të djegur. Papunësia ishte e plotë, ndërsa inflacioni mbi 400%. Në treg mungonin edhe ushqimet më të domosdoshme si buka, vaji dhe sheqeri.
PD shihej si e vetmja shpresë për të nxjerrë vendin nga kriza dhe ecur përpara jo vetëm nga populli shqiptar, por edhe nga ndërkombëtarët. Ambasada amerikane në Tiranë e drejtuar nga ambasadori Uilliam Ryerson dhe zëvendësambasadori Cristofer Hill mbështetën fuqimisht proçesin e demokratizimit dhe të reformave në vend. «Ata bënë presione të forta diplomatike mbi komunistët», (E.Biberaj “Shqipëria në tranzicion”, faq.2004). Instituti Kombëtar Demokrat (NDI) dhe Instituti Ndërkombëtar Amerikan (IRI), u dhanë partive politike ndihmë. Ata bënë disa kualifikime parazgjedhore si dhe ndihmë të natyrës teknike, pasi në vend kishte shumë pak përvojë në përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Gjatë një viti pluralizëm në Shqipëri kishin ndodhur shumë ndryshime, sidomos në psikologjinë e njerëzve. Fshati, shumë konservator në zgjedhjet e para pluraliste te 31 marsit 1991, në këto zgjedhje dukej i vendosur për të votuar kundër PS. Fshatarët pas shndërrimit në pronarë të tokës së tyre, nuk kishin më frikë nga brigadierët dhe kryetarët e kooperativave, nga të plotfuqishmit dhe operativët e zonave.
PD doli në zgjedhje me një program të plotë reformash, të cilat synonin ndërtimin e shtetit ligjor si dhe dhënien fund të ekonomisë së centralizuar, rivendosjen e rendit dhe të qetësisë si dhe integrimin euroatlantik të vendit. PD e udhëhequr nga Berisha bëri një fushatë të paparë jo vetëm në Shqipëri, por askund tjetër në Europën ish-komuniste. Lideri demokrat diti të vendoste unitetin dhe të ruante balancat brenda grupeve në parti, sado që në radhët e veta kishte njerëz me interesa të ndryshme, por që i bashkonte urrejtja ndaj komunizmit. Fronti antikomunist ishte forcuar.
Berisha me slloganin e tij “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor” dhe “jo hakmarrje” fitoi simpatinë e shumicës së shqiptarëve. Udhëheqësi demokrat, duke përhapur mesazhet e pajtimit kombëtar anembanë vendit përmes një fushate legjendare, kishte prekur zemrat e të gjithë shqiptarëve. “Berisha tregoi aftësi të mëdha politike në drejtimin e ngjarjeve, duke u bërë forcë shtytëse e padiskutueshme e lëvizjes për të zhvendosur komunistët nga pushteti”. (E.Biberaj, “Shqipëria në tranzicion“, faqe 207).
Në fund të fushatës dukej qartë se fitorja e PD ishte e padiskutueshme. PS sido që u përpoq të distancohej nga PPSH dhe Enver Hoxha, nuk siguroi besimin e shqiptarëve se do të mund të kryente reformat e ekonomisë së tregut. “Socialistët ishin për ruajtjen në shumë aspekte të stilit të vjetër për ndryshime graduale”. PD dhe opozita ishin superiorë dhe me një përkrahje të padiskutueshme perëndimore. Brenda një viti Berisha kishte vizituar dy herë SHBA-të, ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Bejker, me ftesë të tij kishte ardhur në Tiranë më 22 Qershor 1991.
Nga ana e tyre, socialistët u përpoqën të propagandonin si mbështetje ndërkombëtare marrjen e teserës së PSSH nga kryeministri italian Betino Kraksi. Zgjedhjet u vëzhguan nga disa qindra vëzhgues të huaj. Ata u konsideruan si të lira dhe të ndershme sado që u shoqëruan me presione, vrasje dhe terror ndaj veprimtarëve të PD-së.
Në fund të zgjedhjeve të 22 marsit 1992 PD kishte fituar 92 vende ose 65.7%, PS 38 vende ose 27%, PSD 7 vende ose 5%, PBDNJ 2 vende ose 1.4%. PR nuk fitoi asnjë vend. Lideri demokrat Sali Berisha, në konferencën e parë për shtyp, foli për vizionin e PD-së, për një Shqipëri të re të integruar në Europë.
Më 3 prill 1992, Presidenti komunist Ramiz Alia njoftoi dorëheqjen, siç tha ai‚ “për të mirën e Atdheut”. Ai shprehu besimin se parlamenti i ri do t’i besonte udhëheqjen e vendit një personaliteti të ri, që do të jetë në gjendje të udhëheqë Shqipërinë sipas vullnetit të shumicës. Ishte e qartë se postin e Presidentit do ta zinte kreu i PD-së, Sali Berisha.
Më 9 prill 1992, me 96 vota pro dhe 35 kundër, Sali Berisha u zgjodh President i ri i vendit.
Në fjalën e tij të parë si kryetar shteti, ai bëri thirrje për pajtim kombëtar. “Vuajtjet nën diktaturë të na shërbejnë për të ndërtuar një shoqëri të qytetëruar“, u shpreh ai. Presidenti i ri bëri të ditur se do të jetonte në apartamentin e tij dhe jo në vilën presidenciale.
Më 10 prill, Berisha dekretoi intelektualin e njohur dhe bashkëthemeluesin e PD-se, Aleksandër Meksin të krijonte qeverinë e parë demokratike. Ndërkohë që në postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë ishte zgjedhur Pjetër Arbnori, pas një votimi të ngushtë në këshillin Kombëtar të PD-së, me Arben Imamin, ish nënkryetar i PD-së. Më 16 Prill 1992, Konferenca Kombëtare e PD zgjedh në postin e kryetarit të partisë si pasardhës të Berishës, Eduard Selamin, deri atëherë sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. Selami mori 411 vota nga 485 gjithsej, ndërsa Azem Hajdari dhe Arben Imami, të dy kandidatë për kryetarë, u zgjodhën nënkryetarë të Partisë.
Shqipëria tashmë kishte një klasë të re politikanësh në udhëheqje, si dhe institucione shtetërore të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Fitorja e Partisë Demokratike u mbeshtet fuqishëm nga SHBA-të, por njëkohësisht pati përkrahjen e fortë të sindikatave, ish të përsekutuarve të regjimit komunist dhe sidomos të studentëve të shkollave të larta të vendit. Vetë PD-ja doli si forcë politike pas levizjes studentore të dhjetorit 1990 në Universitetin e Tiranës dhe të Shkodrës. Fryma radikale e levizjes studentore në Tiranë te udhehqur nga Azem Hajdari dhe në Shkodër nga lideri tjetër Flamur Buçpapaj do të nxiste PD-në, të shkurtonte kohën e ardhjes në pushtet, duke kaluar njëra pas tjetrës pengesat e regjimit të vjetër.
Sot 29-vjet pas 22 marsit të vitit 1992, Shqipëria është anëtare e NATO-s, është vend kandidat për në BE, ndërsa qytetarët shqiptarë udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian, duke realizuar kështu një premtim të fortë të Partisë Demokratike të bërë 29 vjet më parë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here