50-vjetori i Shkollës së Mesme në Shëngjergj
Nga Veli Dusha – Drejtori i parë i shkollës (1975)
Teksa afron jubileu i 50-vjetorit të themelimit të Shkollës së Mesme në Shëngjergj të Tiranës, ndjej detyrimin moral e profesional të risjell disa nga momentet themelore që shënuan lindjen dhe konsolidimin e këtij institucioni arsimor. Ky rrëfim nuk është thjesht përkujtim personal, por një dëshmi historike për një etapë të rëndësishme në zhvillimin e arsimit në zonat rurale shqiptare nw vitet 1970.
Ishte viti 1975 kur, në funksion të strategjisë së zgjerimit të arsimit të mesëm në zonat periferike dhe të thella të vendit, ndërmora iniciativën për hapjen e një shkolle të mesme bujqësore në Shëngjergj. Kjo nismë mori jetë pas një mbledhjeje zyrtare me drejtorët arsimorë në Tiranë, ku, me këmbëngulje dhe bindje profesionale, kërkova hapjen e shkollës në këtë zonë malore. Kishim përgatitur më parë terrenin institucional, përmes konsultimeve me drejtues të tjerë të arsimit, ndër ta edhe ish-drejtori i shkollës së mesme në Kamëz, i cili fillimisht shfaqi hezitim për të lejuar transferimin e nxënësve konviktorë nga Shëngjergji, për shkak të nivelit të lartë të tyre dhe reputacionit që kishin ndërtuar në institucionin e tij.
Megjithatë, argumentimi pedagogjik, psikologjik dhe social ishte i qartë: nuk kishte asnjë kuptim që të rinjtë të vazhdonin shkollën larg familjes, ndërkohë që në vendlindjen e tyre po ngrihej një institucion arsimor me potencial të plotë zhvillimi. Në përfundim të mbledhjes, kërkesa jonë mori miratim. Brenda dy ditësh u sigurua kontingjenti fillestar i nxënësve, që përfshinte edhe të rinj që u kthyen nga Tirana për të ndjekur shkollimin pranë komunitetit të tyre.
Një moment kritik në procesin e themelimit ndodhi më 22 gusht të vitit 1975, kur në Shëngjergj mbërriti një përfaqësues i lartë i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Në mënyrë të beftë, mora njoftimin për emërimin tim si drejtor i parë i shkollës ku më ngarkuan me përgjegjësinë për të hapur institucionin arsimor në kohë rekord. Angazhimi ishte i menjëhershëm dhe pa kushte. Premtova se me bashkëpunimin e trupës mësimore dhe me mobilizim të plotë të burimeve njerëzore e infrastrukturore, shkolla do të funksiononte sipas standardeve të kohës. Dhe ja arritëm qëllimit.
Stafi pedagogjik i asaj kohe – të cilin e përshëndes me mirënjohje të thellë – përmbushi me përkushtim të lartë detyrat e planifikimit mësimor dhe organizimit të regjistrimeve, si për nxënësit me shkëputje nga puna, ashtu edhe për ata që e ndiqnin arsimin në shkollw nate. Dëshiroj të përmend me respekt të veçantë disa nga mësuesit e parë të shkollës, tashmë të ndarë nga jeta: Viron Xinxon, Asllan Troksin dhe Dragush Çabejn – të cilët kontribuan në themelimin e një kulture të lartë pedagogjike e qytetare. Po ashtu, përpjekjet e palodhura të Bedri Kolës, Enver Dordës, Zabit Koçit dhe shumë të tjerëve, përbëjnë gurë themeli në historikun e kësaj shkolle.
Nga bujqësia drejt universiteteve – një transformim i modeluar
Shkolla e Mesme “Xhelal Shtëpani” u shndërrua shumë shpejt në një model institucional, jo vetëm në nivel lokal, por në mbarë rrethin. Ajo dallohej për rezultate të larta në të gjitha drejtimet: mësimore, edukative, organizative, prodhuese dhe kulturore. Me kalimin e viteve, u kthye në një shkollë të mesme të përgjithshme, duke përfshirë profile të ndryshme arsimore dhe duke ndjekur zhvillimet kombëtare në fushën e edukimit.
Statistikat flasin vetë: mbi 60% e nxënësve të shkollës sonë vijuan studimet e larta, duke u diplomuar në profile të tilla si agronomia, veterinaria, zooteknia, ekonomia, edukimi fizik, shkencat natyrore, inxhinieria dhe pedagogjia. Ata u kthyen në kuadro të përkushtuar, që kontribuan në zhvillimin e komunitetit të tyre, por edhe përtej tij – në Tiranë dhe në të gjitha rrethet e vendit.
Nga 23 nxënës që e filluan vitin e parë shkollor ditën, pra në mënyrë të rregullt, dhe 17 nxënës në sistemin e shkollës së natës, në vitin 1990 shkolla e bashkuar kishte rreth 2500 nxënës. Kjo tregon vetë suksesin e kësaj shkolle. Ky interesim vijoi edhe në vazhdim deri në fillim të viteve 2000, kur lëvizja demografike dhe dalja jashte shtetit bënë që numri i nxënësve të binte. Shkolla bujqësore u mbyll dhe tani vazhdon vetëm shkolla e mesme e përgjithshme.
Trashëgimia arsimore dhe thirrja për brezat e rinj
Në këto pesë dekada, shkolla ka zhvilluar një identitet të fortë institucional, të mbështetur në një traditë të pasur mësimore, kërkimore dhe edukative. Ajo ishte e pajisur me laboratorë funksionalë, bazë eksperimentale bujqësore, mjedise kulturore dhe sportive, si dhe një staf pedagogjik elitë, shpesh i ardhur nga Tirana.
Nga 50 nxënës në vitin e parë të saj (1975), deri në fund të viteve ’90, shkolla kishte arritur në një kapacitet prej rreth 2500 nxënësish, duke funksionuar si një shkollë e bashkuar, që ofronte arsimin bazë dhe të mesëm për një territor të gjerë.
Shëngjergji është dhe mbetet një zonë me ndjeshmëri të lartë arsimore. Kjo traditë nuk duhet thjesht përkujtuar, por vijuar dhe thelluar, sidomos nga brezat e rinj që sot marrin stafetën e dijes.
Në këtë 50-vjetor, u drejtohem me dashuri dhe respekt maturantëve të parë e të gjithë brezave që kanë kaluar në bangat e kësaj shkolle: le ta kujtojmë së bashku këtë jubile historik, në një takim vëllazëror në muajin shtator, për të nderuar kujtesën, për të forcuar identitetin dhe për të ndërtuar të ardhmen mbi themele të forta.
HISTORIA E ARSIMIT NË SHËNGJERGJ: NJË DRITË QË NUK U SHUA KURRË
Ky vit shënonjo vetwm 50 vjetorin e shkollws sw Mesme Shwngjer, por edhe një nga ngjarjet më domethënëse për banorët e Shëngjergjit: 111-vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe legale në këtë krahinë malore të Tiranës. Një ngjarje që nuk i përket vetëm historisë lokale, por që zë një vend të denjë në mozaikun e lëvizjes kombëtare arsimore shqiptare. E themeluar në vitin 1913, kjo shkollë mbetet një dëshmi e gjallë e përpjekjeve heroike për mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe, në një kohë kur mësimi në gjuhën amtare ishte më shumë një akt guximi, se sa një e drejtë e garantuar.
Krahina e Tomadhesë – nga emri i lashtë tek identiteti arsimdashës
Në të kaluarën, Shëngjergji njihej me emrin e lashtë “Krahina e Tomadhesë”, emër që ka ngjallur interes tek gjuhëtarët dhe historianët shqiptarë e të huaj. Sipas Eqerem Çabejt, fjala “Tomadhe” është një fjalë shqipe autoktone, me rrënjë të lashta. Gjon Muzaka e përmend si krahinë historike, ndërsa prof. Dhimitër Shuteriqi e interpreton si “Dheu i Tomës”, duke e lidhur me një pasardhës të fisnikëve Aranitasi. Kristo Frashëri dhe autorë të tjerë e identifikojnë këtë zonë si vendbanim ilir që në shekullin III-IV.
Sot, kjo krahinë ruan në emërtimin e saj trashëgiminë shpirtërore të tre shenjtorëve: Shëngjergj, Shënmri dhe Shëngjin, që i dhanë emër dhe frymë kësaj toke të bekuar. E kjo frymë, me kalimin e kohës, u kthye në etje për dije dhe përparim.
Iluministët e parë dhe përpjekjet për shkollën shqipe
Në fund të shekullit XIX, një numër i konsiderueshëm i të rinjve shëngjergjas u arsimuan në qendra të Perandorisë Osmane, ku morën formim në dituri të përgjithshme dhe teologji. Ndër ta, përmendim Mustafa Shtëpanin, Rakip Dishën, Hafiz Beqir Shabën, Hoxhë Jonuz Toqin, Ferik Altafën, të cilët, ndonëse në petkun fetar, u kthyen në mbështetës të zjarrtë të lëvizjes për shkollën shqipe.
Në dekadat në vijim, atyre iu bashkuan figura të tjera patriotike si Ali Shtëpani, Osman Distafa, Islam Keta, Muharrem Lorja, Ismail Rrëceku, Abdi Ceni, Gani Hala, Shaban Balla, Begtash Cani, e shumë të tjerë, të cilët mbollën farën e arsimit kombëtar në tokën e Shëngjergjit.
Rrënjët ilegale të mësimit shqip – dhe lindja e një shkolle legale
Dokumentet historike dëshmojnë se mësimi i gjuhës shqipe në Shëngjergj ka nisur para vitit 1912, në mënyrë të fshehtë, në shtëpitë e patriotëve vendas. Letra e Kristoforidhit e vitit 1871 konfirmon praninë e abetareve në fshat.
Pas shpalljes së Hyrietit (Kushtetutës Osmane) më 1908, lëvizjet patriotike morën hov. Në këtë kontekst, Xhaferr Shtëpani, një nga figurat më të ndritura të zonës, i frymëzuar nga rilindës si Aqif Pashë Elbasani, Abdi Murat Toptani dhe Murat Toptani, ndërmori hapin vendimtar: hapjen e shkollës shqipe në Shëngjergj.
Në fillim, me ndihmën e mikut të tij, solli në fshat mësuesin Ramiz Hatibi, i cili, duke u paraqitur si mësues fetar, zhvillonte mësim në gjuhën shqipe në mënyrë të fshehtë gjatë natës. Pas një periudhe kualifikimi në Elbasan, ai u rikthye në vitin 1913, kur shkolla u hap zyrtarisht. Gjatë mungesës së tij, u zëvendësua nga Cen Bylyku.
DËSHMITË E MËSUESVE – RRËFIME TË GJALLA NGA FRONTI I DIJES
Në kujtimet e tij, mësuesi Ramiz Hatibi shkruan:
“Shëngjergji ka qenë një krahinë e prapambetur ku fanatizmi fetar e shihte shkollën si kërcënim. E nisa mësimin me Kuran, dhe më pas u jepja me pasion abetaren shqipe. Librat na i jepnin patriotët e Tiranës. Nxënësit i mësonin me zjarr dhe dëshirë. Ata donin dijen, sepse në shpirtin e tyre ndizej flaka e atdhedashurisë.”
Cen Bylyku, një tjetër mësues i atyre viteve, dëshmon:
“Në vitin 1912 dhashë mësim në Shëngjergj. Bëja mësim në shtëpinë e Musa Shokut. Kur mbërrita, pashë se nxënësit e kishin mësuar tashmë alfabetin shqip, çka dëshmon për një mësim ilegal që kishte nisur vite më parë. Më pas u arrestova nga forcat e Esat Pashë Toptanit, por më liruan. Mësimi zhvillohej me libra të Naim Frashërit e të botuar në Vjenë nga Simon Shuteriqi. Shkolla ishte frymë e rezistencës kombëtare.”
Xhamia – djep i dijes kombëtare
Për shkak të kushteve të vështira infrastrukturore, shumë herë mësimi është zhvilluar në mjedise të papërshtatshme. Një nga aktet më domethënëse të asaj kohe ishte hapja e dyerve të xhamisë nga imami Alush Duka, i cili lejoi që në këtë vend të shenjtë të vendosej baza materiale e shkollës dhe të zhvilloheshin mësimet në gjuhën shqipe. Ai nuk e pa fotografinë në mure si mëkat, por si zbukurim të xhamisë – një gjest i rrallë ndërthurjeje mes fesë dhe përparimit arsimor.
Breza mësuesish dhe mbështetës të arsimit
Pas mësuesit Ramiz Hatibi, në Shëngjergj dhanë mësim shumë figura të ndritura si:
Hysen Bylyku, Hamdi Kosturi, Mehmet Kuqi, Shefik Kulla, Haxhi Fortuzi, Abdulla Keta (ish-nxënës i shkollës), Hysen Keta (atdhetar dhe babai i Heroit të Popullit Myslym Keta), Gani Keta, Shaqir Keta, Elmaz Shtëpani, Ymer Distafa, Shaqir Trimi, Shaqir Duka e të tjerë.
Ata ishin misionarë të dijes, të cilët, pavarësisht vështirësive, e bënë Shëngjergjin një ndër zonat më arsimdashëse të Tiranës rurale.
Trashëgimia që vijon
Sot, kur shkolla shqipe në Shëngjergj ka hyrë në shekullin e dytë të saj, ajo mbetet jo vetëm simbol i dijes, por edhe një pasuri e kujtesës kolektive kombët
Kërkesa e Banorëve të Shëngjergjit për Hapjen e Konviktit dhe Rruga e Arsimit në Këtë Krahinë
Në një artikull të publikuar më 11 korrik 1928 në gazetën “Telegraf”, raportohej për një kërkesë të rëndësishme që kryepleqësia e Shëngjergjit i kishte drejtuar Ministrisë së Arsimit: hapjen e një konvikti në qendrën e krahinës, për të lehtësuar ndjekjen e arsimit nga nxënësit e zonës dhe fshatrave përreth.
Sipas shkrimit, popullsia e Shëngjergjit po tregonte një interes të jashtëzakonshëm për arsimin, duke dërguar bijtë e tyre në shkollën Normale të Elbasanit dhe në institucione të tjera për arsim të mesëm. Argumenti që shoqëronte kërkesën ishte mjaft i drejtë: Shëngjergji ndodhet ndërmjet dy krahinave të tjera të mëdha – Bastarit dhe Çermenikës – të cilat kishin mbetur pas në aspektin arsimor. Një konvikt në këtë qendër strategjike do të shërbente si urë për përparimin e mëtejshëm të gjithë zonës.
Kërkesa u miratua fillimisht për vitin shkollor 1928–1929, dhe për të strehuar përkohësisht konviktin u propozua ndërtesa e Ali Shtëpanit, ku ishin vendosur komuna dhe postkomanda. Megjithëse vetë Ali Shtëpani dha pëlqimin e tij për përdorimin e godinës, autoritetet lokale refuzuan lirimin e saj, dhe për pasojë, konvikti u transferua në Peshkopi.
Shkolla në Shëngjergj gjatë pushtimit fashist dhe rezistenca arsimore
Periudha e pushtimit fashist solli një realitet të ri në të gjithë vendin. Megjithatë, shkolla e Shëngjergjit nuk pranoi asnjëherë të përkulet para simboleve të pushtuesit. Në ambientet e saj nuk u vendosën portretet e Viktor Emanuelit apo të Benito Musolinit, nxënësit nuk u detyruan të nderonin në stil fashist dhe askush nuk u regjistrua si “balilë”, për t’u dërguar në Itali. Përkundrazi, kjo shkollë u kthye në një vatër të qetë por të qëndrueshme të rezistencës dhe përgatitjes për Luftën Nacionalçlirimtare.
Në vitin 1942, paria e fshatit – një grup prej 20 burrash të urtë dhe të vendosur – vendosi të ndërtonte tre shkolla të reja, me fondet e vetë komunitetit. Për çdo shkollë u dhanë nga 600–700 napolona, një sakrificë e rrallë për një zonë malore, që dëshmon dashurinë e rrënjosur për dijen dhe përparimin.
Pas çlirimit: lufta kundër analfabetizmit dhe zhvillimi i arsimit
Menjëherë pas çlirimit të vendit, Shëngjergji nisi një fushatë të gjerë për zhdukjen e analfabetizmit, duke organizuar kurse masive për të rinj dhe të reja, për burra e gra të çdo moshe. Mësuesit, me përkushtim të pashoq, ecën fshat më fshat, nga një shtëpi në tjetrën, për të përhapur dritën e dijes.
Zhvillimi i arsimit vijoi me hapa të sigurt: në vitin 1975 u hap shkolla e mesme bujqësore me shkëputje nga puna, por edhe shkolla e mbrëmjes. Kulmi i përpjekjeve u arrit me hapjen e shkollës së mesme të përgjithshme, një arritje që e konsolidoi Shëngjergjin si një nga qendrat arsimore më të rëndësishme të Tiranës rurale.
Trashëgimia e Shkollës së Parë Shqipe në Tiranë
Nëntori i vitit 1913 shënon hapjen legale të shkollës së parë shqipe në Qarkun e Tiranës, në Shëngjergj, pas miratimit të qeverisë së Vlorës. Ramiz Hatibi u emërua mësues dhe në vitin e parë shkollën e ndoqën 15 nxënës, mes tyre 5 vajza – një fakt domethënës për kohën.
Për veprimtarinë e tij patriotike, Xhaferr Shtëpani, nismëtar i shkollës, u internua nga Esat Pashë Toptani në Itali, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1917. Në vitin 1963, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, ai u dekorua me “Urdhrin e Punës të Klasit III”.
Kontributi i mësuesve dhe përkushtimi i komunitetit
Gjatë viteve 1913–1972, shkollën e përfunduan 1,162 nxënës. Shumë prej tyre do të shërbenin më vonë në institucione të rëndësishme të vendit. Në periudhën 1947–1952, ish-nxënës të Shëngjergjit drejtonin sektorë me peshë në arsim, drejtësi, shëndetësi.
Deri në vitin 1957, në të gjithë fshatin nuk kishte më asnjë analfabet nën moshën 40 vjeç – një sukses madhor për një zonë që dikur nisej nga zero.
Në universitetet më të rëndësishme të vendit kanë shërbyer shëngjergjas si Liman Varoshi dhe Mit’hat Mema, në pozicionin e rektorit. Kjo është dëshmi se, edhe pa pasur mundësi të mëdha ekonomike, paraardhësit tanë qenë të mençur, të ditur dhe komunikues, tolerantë në zgjidhjen e problemeve dhe të përkushtuar për përparimin e komunitetit.
Nder për Shëngjergjin arsimdashës
Të jesh nga Shëngjergji është një privilegj. Në shumë vende, sapo dëgjojnë se dikush është nga kjo krahinë, e thonë me respekt: “Ju jeni të zgjuar”. Kjo vlerësim nuk është rastësor: ai lidhet drejtpërdrejt me traditën e hershme arsimore, me shkollën e parë shqipe në qarkun e Tiranës, e hapur pikërisht këtu.
Shkolla e Shëngjergjit meriton një vlerësim shtetëror. Po ashtu edhe mësuesit dhe patriotët që sakrifikuan për të mbajtur të gjallë gjuhën shqipe në kohë të vështira, për familjet që hapën dyert për shkollë, dhe për një komunitet që i mbajti gjithmonë shkollat të hapura.
Top of Form


















