POEZI NGA WYSTAN HUGH AUDEN. PËRKTHEU: KUJTIM MORINA

Wystan Hugh Auden (1907–1973)

Poet anglez, dramaturg, kritik letrar dhe libretist, Wystan Hugh Auden ka ushtruar një influencë të madhe në poezinë e shekullit të 20-të. Auden u rrit në Birmingam, Angli dhe u njoh që herët për intelektin dhe mendjemprehtësinë e tij të jashtëzakonshme. Libri i tij i parë, “Poems” (Poezi), u botua më 1930 me ndihmën e T.S.Eliot. Pak para se të shpërthente Lufta II Botërore, Auden emigroi në Shtetet e Bashkuara ku u takua me poetin Chester Kallman i cili do të bëhej i dashuri i tij i përjetshëm. Auden fitoi çmimin Pulitzer më 1948 për librin “The Age of Anxiety” (Mosha e Ankthit). Shumë nga poezitë e tij lidhen me çështje morale dhe evidentojnë një kontekst të fortë politik, social dhe psikologjik. Ndërsa mësimet e Marksit dhe Frojdit peshuan rëndë në veprat e tij të hershme, ato më vonë i hapën rrugë influencave religjioze dhe spiritualiste. Disa kritikë e kanë quajtur Auden “antiromantik”, një poet të qartësisë analitike që apelonte për rend dhe modele universale të ekzistencës njerëzore. Poezia e Auden është konsideruar e gjithanshme dhe inovative që nga epigramet e shkurtra deri tek librat voluminozë që përfshijnë një gamë të gjerë të njohurive shkencore. Në të gjithë karrierën e tij, ai bashkëpunoi me Christopher Isherwood dhe Louis MacNeice, dhe shpesh iu bashkua edhe Chester Kallman duke krijuar librete për vepra muzikore nga Benjamin Britten, Igor Stravinsky dhe Wolfgang Amadeus Mozart.

KËNGA E FUNERALIT*

(Varrimi i të Dashurit)

Ndalni të gjitha orët, telefonat preni,
jepni një kockë qenve të mos lehin,
heshtni pianot, mbysni zërin e daulles,
nxirrni jashtë arkivolin, të vijnë përcjellësit.

Lërini avionët të bëjnë një cikël përmbi,
të shkruajnë në qiell, Ai Është i Vdekur tani.
Vini nga një fjongo në qafën e bardhë të pëllumbave,
policët e trafikut të mbajnë doreza të zeza pambuku.

Ai ishte Veriu im, Jugu, Lindja dhe Perëndimi,
java ime e punës dhe i së Dielës pushimi,
mesdita ime, mesnata, biseda, kënga ime,
mendoja dashuria zgjat përjetë, sa mendjelehtë!

Yjet nuk duhen më tani, hiqni të gjithë,
paketoje hënën dhe çmontoje diellin;
derdhe oqeanin dhe rrafshoje krejt pyllin
sepse asgjë tani e mbrapa nuk vjen për mirë.

1938
* Titulli në original “Funeral Blues”, nëntitulli është i përkthyesit.

PËR KËTË KOHË: NJË ORATORIO KRISHTLINDJE*

“Mirë, ja kaq ishte. Tani duhet ta zbërthejmë pemën
duke i vënë dekorimet prapë në kutitë e tyre të kartonit-
Disa janë thyer- t’i mbartim ato prapë në tavan.
Pema dhe vishtullat duhet të çohen poshtë dhe të digjen,
fëmijët të bëhen gati për shkollë. Ka mjaft
gjëra të mbetura për të bërë, nxemje, për këto ditë të javës-
Jo se kemi shumë oreks, kemi pirë aq shumë,
kemi qëndruar aq vonë, duke tentuar – krejt pa sukses
për të dashur të gjithë të afërmit tanë dhe në përgjithësi
duke mbivlerësuar tepër fuqitë tona. Edhe njëherë
si në vitet e kaluara, ne kemi parë Vegimin e kohës dhe dështuam
të bëjmë më tepër sesa të dëfrehemi me të
si një Shans të pranueshëm, edhe njëherë e kemi larguar Atë
duke iu lutur megjithatë për të mbetur shërbyesi i Tij i pabindur,
djali premtues që s’mund ta mbajë gjatë fjalën.
Festa e Krishtlindjeve është tashmë një kujtesë e zbehtë,
tashmë mendja fillon e bëhet paksa e vetëdijshme
për një grahmë të pakëndshme të ankthit duke menduar
për Kreshmët dhe të Premten e Mirë** të cilat nuk munden,
pas të gjithash janë shumë larg. Por në këtë kohë,
ja ku jemi të gjithë, prapë në qytetin e moderuar të Aristotelit
të arrnimit dhe të Tetë-Pesëmbëdhjetës, ku gjeometria e Euklidit
dhe mekanika e Njutonit do të shpjegojnë përvojën tonë.
Tavolina e kuzhinës ekziston sepse unë e kruajta atë,
duket të jetë tkurrur pak gjatë pushimeve. Rrugët
janë shumë më të ngushta sesa i kemi kujtuar, kemi harruar
që zyra është aq depresuese. Për ata që kanë parë
Fëmijën***, edhe pse me pamje të turbullt apo të pabesueshme,
Kjo Kohë është në një kuptim, koha më sprovuese,
për fëmijët e pafajshëm që pëshpërisnin kaq të emocionuar
jashtë derës së kyçur ku e dinin se dhuratat do të shfaqeshin
sapo ajo të hapej. Tani duke sjellë ndërmend atë moment
mund ta përmbajmë gëzimin por fajësia mbetet në ndërgjegje
duke kujtuar ahurin kur njëherë në jetët tona
çdo gjë u bë Ti dhe asgjë nuk ishte Ai.”

* Oratorio- një pjesë e gjatë muzike për këngëtarë dhe orkestër, zakonisht e bazuar në një histori nga Bibla. Kjo është pjesë e një poeme të gjatë të Auden “For the Time Being: a Christmas Oratorio”.
** E Premtja e Mirë- është një festë e krishterë që përkujton kryqëzimin e Jezusit dhe vdekjen e tij në kalvar. Bie të premten e fundit para ditës së Pashkëve.
***Krishti i sapolindur.

MË TË DASHURUARIT

Duke shikuar yjet, jam i ndërgjegjshëm
se për aq sa vlej për to, mund të shkoj në ferr,
por në tokë, indiferenca është më e pakta,
duhet të kemi më shumë frikë nga njeriu apo kafsha.

Si do të donim që yjet të shkëlqejnë
me një pasion që s’mund t’ua kthejmë?
Nëse dashuri të barabartë s’mund të ketë,
atëhere ai që jep më shumë, unë le të jem.

Admirues siç mendoj se jam
i yjeve që kokën s’e çajnë,
Nuk mundem, tani i shoh ato, dhe mendoj,
më ka munguar një tmerrësisht ditën që shkoi.

A zhduken yjet apo vdesin ndonjëherë,
duhet të mësohem ta shoh të zbrazët qiellin,
dhe të ndjej madhështinë e errësirës së plotë
megjithëse do të më duhet ende edhe pak kohë.

NËSE MUND TË TA TREGOJA

Koha nuk thotë asgjë por unë ta thashë këtë.
Koha di vetëm çmimin që duhet të paguajmë;
Nëse mund të ta tregoja, do të jepja një shenjë.

Nëse duhet të qajmë kur kllounët janë në skenë,
nëse duhet të frenohemi, kur muzikantët luajnë,
koha nuk thotë asgjë por unë ta thashë këtë.

Nuk ka fate që tregohen me fall, sidoqoftë,
sepse të dua më shumë sesa mund ta përshkruaj,
nëse mund të ta tregoja, do të jepja një shenjë.

Erërat duhet të vijnë nga diku kur fryjnë,
duhet të ketë një arsye përse gjethet thahen;
koha nuk thotë asgjë por unë ta thashë këtë.

Mbase trëndafilat vërtet duan të rriten,
Vegimi do të qëndrojë ashtu pa ndryshuar;
nëse mund të ta tregoja, do të jepja një shenjë.

Supozo sikur luanët ngrihen dhe ikin të gjithë,
përrenjtë dhe ushtarët ia mbathin pa kujtuar;
A do të thotë gjë Koha por unë ta thashë këtë.
Nëse mund të ta tregoja, do të jepja një shenjë.

POSTA E NATËS

Kjo është posta e natës në kufirin mes shtetesh,
duke sjellë çeqe dhe mandate pagesash.

Letra për të pasurit, letra për të varfërit,
për dyqanin në qoshe, për vajzën në lagje.

Duke tërhequr në Beattock, në një ngjitje shpati.
Maloren e ka kundër por asgjë s’e ndali.

Kalon barin e kënetave dhe shkëmbinjtë në djerrina,
duke nxjerrë avull të bardhë nga goja dhe shpina.

Duke gërhitur me zhurmë kur dëgjohet pas kthesës,
milje të heshtura dhe barëra të përkulura nga era,

Zogjtë kthejnë kokën ndërsa ajo u afrohet,
e soditin nga shkurret karrocën që duket boshe.

Qentë e dhenve s’mund t’ia ndërrojnë rrugën,
ata shafiten përtokë me putrat e kryqëzuara.

Në fermë ajo kalon dhe askush nuk ndjehet
por një brokë në një dhomë gjumi tundet lehtas.

Mëngjesi ngrohet, ngjitja e saj kryhet,
pastaj poshtë drejt Gllasgout ajo përsëri zhytet,
drejt rimorkiove me avull që kuisin në pistën e vinçave,
drejt fushës së zonës industriale, furrnaltave
të vendosura në pllajën e zymtë si shahisti gjigant.
E gjithë Skocia e pret atë
në luginat e thella, bri liqeneve me gjelbërim të zbehtë
Njerëzit kanë mall për lajmet.

Letra falënderimesh, letra nga bankat,
letra gëzimi nga djemtë dhe vajzat,
fatura të parapaguara dhe ftesa,
për të vizituar të afërm apo mallra të reja.
Aplikime në rrethana të ndryshme,
deklarata të druajtura dashurie,
thashetheme, përgojime nga të gjitha kombet,
lajme financiare, lajme rethanore.
Letra për urime që hapen me tinguj,
letra me portrete të skicuara në margjina,
letra nga kushërinjtë, tezet dhe dajat,
letra për Skoci nga Jugu i Francës.
Letra ngushëllimi për malësorët dhe fusharakët
të shkruara në letër të të gjitha ngjyrave,
rozë, manushaqe, e bardhë dhe blu,
llafazane, gërricëse, të mërzitshme dhe adhuruese,
shpërthime të ftohta, zyrtare dhe ngazëlluese,
të zgjuara, budallaqe, të gjata dhe të shkurtra,
të shtypura dhe të shkruara si me këmbë pulash.

Mijëra njerëz janë ende në gjumë
duke ëndërruar për monstra të frikshme
apo në Cranston apo Crawford për çajin mes miqve:

Në gjumë në Gllasgoun e punës apo Edinburgun e mirë-vendosur,
në gjumë në Aberdinin e granitit,
ata vijojnë të shohin ëndrra,
Por do të zgjohen shpejt dhe të shpresojnë për letra
dhe askush s’do ta ndiejë trokitjen e postierit
pa një shpeshtim të rrahjeve të zemrës,
sepse kush mund ta durojë ta ndiejë veten të harruar?

KËNGA E REFUGJATIT

Thuaj ky qytet ka dhjetë milion shpirtra,
disa jetojnë në vila, disa jetojnë në vrima:
megjithatë nuk ka vend për ne, e dashura ime.

Dikur kishim vendin tonë dhe mendonim me drejtësi,
shikoje në atlas dhe do ta gjesh aty:
ne s’mund të shkojmë më atje, e dashur, s’mundemi.

Në varrezën e fshatit rritet një bimë “çifuti endacak”,
çdo pranverë ajo lulëzon prapë e prapë:
pasaportat e vjetra s’mund ta bëjnë këtë, e dashur, aspak.

Konsulli i ra fort tavolinës dhe tha,
“Nëse nuk ke pasportë je zyrtarisht i vdekur”:
por ne jemi ende gjallë, e dashura ime, jemi gjallë.

Shkova në një komitet, më ofruan një karrike,
më kërkuan me mirësjellje të shkoj prapë vitin tjetër:
po ku do të shkojmë sot, e dashura ime, ku do të shkojmë sot?

Shkova në një takim publik, folësi u ngrit dhe përsëriti,
“nëse i lëmë këtu, ata do të na marrin bukën e përditshme”:
ai po fliste për ty dhe për mua, e dashura ime, për ty dhe për mua,

Mendova se dëgjova bubullimën duke gjëmuar në qiell;
Ishte Hitleri nëpër Evropë duke thënë “Ata duhet të vdesin”;
Oh, ne ishim në mendjen e tij, e dashura ime, ne ishim.

Pashë një qenush me xhaketë të mbërthyer me kapëse,
pastaj një derë të hapur dhe një mace që u lejua të hyjë:
por ata nuk ishin hebrenj gjermanë, e dashura ime, nuk ishin.

Shkova poshtë tek porti dhe qëndrova mbi kalatë,
pashë peshq duke notuar si të ishin të lirë:
vetëm dhjetë hapa larg, e dashura ime, vetëm dhjetë hapa.

Po ecja në një pyll, shihja zogjtë në pemë,
ata nuk kishin politikanë, këndonin në qejf të vet:
ata nuk ishin racë njerëzore, e dashura ime, nuk ishin.

Po ëndërroja sikur shikoja një pallat me njëmijë kate,
njëmijë dyer dhe njëmijë dritare:
por asnjë prej tyre nuk ishte jona, e dashura ime, asnjë.

Qëndroja në një pllajë të madhe në borën që binte;
dhjetëmijë ushtarë marshonin, venin e vinin:
ty dhe mua na kërkonin, e dashura ime, ty dhe mua.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here