Esklusive: Maria Teresa Liuzzo Kandidate për Çmimin Nobel të Letërsisë. Pregati: Angela Kosta

Pas një sërë publikimesh nëpër mediat në mbarë botën, sikurse e njohur tashmë edhe në Shqipëri, shkrimtarja dhe poetja e shquar italiane Maria Teresa Liuzzo sjell për të gjithë lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë lajmin eskluziv se: është propozuar nga shumë shkrimtarë, poetë, kritikë letrarë, pedagogë universitetesh nga të katër skajet e botës Kandidate për Çmimin Nobel të Letërsisë. Arritje e madhe kjo për Maria Teresa Liuzzo, e cila ka një veprimtari letrare prej mëse 50 vitesh. Librat e saj, të përkthyer në shumë gjuhë të botës, të recensuara nga shkrimtarë e kritikë letrarë mjaft të njohur, kanë bërë që shkrimtarja në fjalë t’ia arrij këtij hapi gjigand.
Maria Teresa Liuzzo është jo vetëm shkrimtare dhe poete por edhe gazetare, kritike letrare, korrespondente në gazeta të ndryshme jashtë kufijve të Italisë, dramaturge, pedagoge si edhe Drejtore e Revistës Ndërkombëtare Të Artit dhe Kulturës “Muzat” e cila shpërndahet në të gjitha shtetet.
Maria Teresa Liuzzo ka lindur në Saline Montebello dhe jeton në Rexho Kalabria të Italisë. Shkrimet e saj të para filluan të botohen në vitin 1970.Lirika e saj e parë është “I dituri.” Që nga viti 1975, tekstet e saj janë shfaqur në antologji të ndryshme si: “Poezi”, “Brishtësia e kohës”, “Shkrimtarët e mesazhit”, “Antologji për Alba Florio”, etj. Prodhimi i saj poetik i madh (me më shumë se 1500 faqe) ka kaluar kufijtë e Italisë dhe disa nga veprat e saj janë përkthyer në: gjermanisht, spanjisht, rumanisht, anglisht dhe së shpejti edhe arabisht. Antologjia e saj “Zanafilla” e vitit 1997, u përkthye dhe u botua në anglisht nga poeti i shquar irlandez Peter Russell. Përmbledhjet e saj poetike janë: “Rrënjët” (1992); “Psyche” (1993) parathënie nga Antonio Piromalli; “Pafundësi” (1995), parathënie nga Romeo Magherescu, “Humaniteti” (1996), parathënie nga Peter Russell; “Eutanazia e Utopisë” (1997), parathënie nga Vincenzo Rossi; “Autopsia e imazhit” (1999), parathënie nga Antonio Crecchia; “Uji me ritëm të ngadaltë” (2001), romane të tjera vijojnë njëra pas tjetrës, me parathëniet nga kritiku letrar Mauro D’ Castelli “Dhe tani unë flas”(2019), “Mos më thuaj që u dashurova me erën” (2021), “Drita e rikthimit” (2022), “Hija e uritur e nënës”, (2022) si “Vallëzon nata në bebëzat e tua” (2022), dhe së fundi sapo botoi librin me poezi: “Në Vigjilje të Armëve dhe Fjalëve – Ëndërroj akoma në ty atë çka nuk vdes”.
Çmimet prestigjoze që MariaTeresa Liuzzo ka marrë gjatë karrjerës së saj letrare janë të shumta. Midis tyre po përmendim “Çmimin e Parë Ndërkombëtar për Poezinë Alba Florio” i vitit 1983, gjithashtu “Çmimi i Kulturës” i dhënë nga Kryesia e Këshillit të Ministrave në vitin 1994 dhe sërish në vitin 1996 edhe “Çmimi i Parë Ndërkombëtar për Poezinë Eugenio Frate” (1997). Jashtë kufijve të Italisë, në vitin 1983, ajo u vlerësua me Çmimin e Shoqatës “Kalabresët nëpër Botë” në Nju Jork. Gjithashtu, ajo është vlerësuar dhe raportuar në veprat e tyre kritike, nga studiues të shquar si: A. Piromalli, V. Rossi, P. Crupi, S. Veltre, P. Borruto dhe S. Demarchi. Për krijimet dhe poezitë e saj janë interesuar edhe shumë shkrimtarë të njohur.
Ja çfarë shkroi Ninnj Di Stefano Busà për përmbledhjen e saj me poezi “Uji me ritëm të ngadaltë”:
“Poetja pasqyron kulmin e ndjenjës së saj në një muzikalitet të brendshëm të vargut, i cili është i mjaft këmbëngulës do të thosha, por edhe frymëzues në tendencën e saj natyrore me shprehjet lirike gjithmonë të rafinuara”.
Ja çfarë thuhet për librin: “Hija e uritur e nënës” (2022) në një nga artikujt e shumtë që shkruajnë për librat e Maria Teresa Liuzzo:
“Kushdo që ka lexuar romanet e mëparshme, ndoshta pret që i treti të ndjekë një linjë vazhdimësie; do të zhgënjehej sepse në këtë libër mbizotëron një “aurë” e re, nga një eksperimentalizëm jokonvencional, që e bën atë unik në krijimtarinë e shkrimtares, qoftë formalisht apo edhe për nga përmbledhja. Nga ana tjetër, as vetë Maria Teresa Liuzzo nuk ripropozon skllavërimin e modeleve të të tjerëve. Shkrimet e saj tashmë janë të konsoliduara, sepse janë të frymëzuara nga monologu i brendshëm dhe rryma e ndërgjegjes”.
I urojmë Maria Teresa Liuzzos t’ia arrijë ta marrë Çmimin Nobel të cilin e meriton me të vërtetë.

Pregati: Angela Kosta
28 korrik 2023

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here