Prof. Sazan Guri: GEGËNISHTJA, BËRTHAMA E GJUHËS SË PERËNDI(VE)MIT, STUDIM

Gjuha shqipe bashkon dhe jep bukuri të brendshme deri në vlera shkencore .
nga prof. Sazan Guri, Studiues në fushat albanologjike

Dihet se njerëzimi në lindjen e vet qysh prej një milion vjetësh ka fjalosur, duke komunikuar me gishta, pastaj me belbëzime, (b, m, p,), paskëtaj me tinguj (zanore), por që në dhjetë mijëvjeçarin e fundit, pas shpikjes së rrotës, pas grumbullimit të njerëzimit në një hapësirë pranë ekuatoriale (Indi, Babiloni, Mesdhe), nga nevoja e një komunikimi për një bashkjetesë më të gjerë e më civile, ai arriti të bashkojë tingujt e bashkëtingujt, duke formuar rrokjet e para për pjesëtarët e familjes, (at, am), për sendet shtëpiake, për kafshët e pyllit e të shtëpisë, (uk, qe, bull) për bujqësinë (grun, misër), për sendet (rrot, tav), por njërrokëshe ama. Shikoni me pak vëmendje, se si fëmija, që kur lind e deri në moshën 12 vjeçare përsiat gjenealogjinë e zhvillimit njerëzor, si në kuptim të të menduarit, ashtu edhe në sendërtimin e gjuhës, si në kuptimin anatomik të zhvillimit të organeve, ashtu dhe në atë të funksioneve biologjike të tyre.
Kjo është po aq e vërtetë, sa edhe përsëritja tjetër, që ai i bën gjenealogjisë së jetës së gjallë të natyrës, kur ai është në barkun mëmë nga fara deri tek lindja, ku ai pasqyron tërë historinë e zhvillimit të jetës nga qeniet më të ulëta një apo shumë qelizore deri tek sistemi më i lartë gjitar. E theksuam fort këtë zgjatje, për të treguar, se njeriu, edhe pa matje apo pa gjetje të mirëfillta nëpër guva e gurë të mbishkrimeve të fillimeve të murmuritjeve njerëzore, mund ta interpretosh si fakt, që ai njeriu i dhjetë mijë viteve më parë (Pellazg) ka filluar të formojë tingujt dhe bashkëtingujt në rrokje, sigurisht një rrokëshe, të pa bërë ende dy a më shumë rrokëshe, pa prefikset apo sufikset e gjuhëve të përpunuara e të pasuruara më vonë, si ajo greke e latine. Pra, jemi në kohën kur flitej thjesht, që mjafton të merreshe vesh, kur flitej prerë, për t`i dhënë ton fjalës apo urdhrit deri në shkoqur për të shprehur një dhimbje apo një ndjenjë.
Tipari tjetër i gjuhës në këta mijëvjeçarë ishte se ajo nuk shkruhej, me përjashtim të mbishkrimeve në varret e të parëve të vendit (Fig. – 1), por ruhej në vargje dhe përcillej ose me këngë me anë të veglave shumë të thjeshta, fillimisht si lahuta, fyelli, ose pa këngë, me anë të rapsodive (Fig. – 2), duke i vjershëruar me gojë. Kësisoj, u përcoll Iliada e Odisea dhe në katër shekujt e errët të historisë evropiane dhe/ose pellazge (1190 deri në mbërritjen e grekëve për herë të parë në tokën e epërme kontinentale, ndryshe e quajtur Epir – i epërm, i sipërm, mbi det ose kontinent), deri në daljen në skenë të Homerit, që veçse i grumbulloi këto vjersha popullore nga copëza në të tërë.
Fig. – 1 Një nga pllakat e shumta të varreve, ku të parët tanë, veç atyre në papiruse e lëkurë dhie linin dhimbjet dhe këngët e tyre. Me mençurinë e tyre na lanë të kuptonim, nëse një ditë dinakëria njerëzore do të falsifikonte historinë, duke shkrumbosur e manipuluar, fillimisht, ato më të lehtat, si shkrimet në papiruse e lëkura dhie, pastaj ato nëpër varre me çekiç e acid, se kjo lojë nuk mund të vazhdohej deri në fund, sepse ata lanë stela, shtylla, pllaka varresh, që natyra i ndihu t’i mbulonte në mijëvjeçarë dhe e vërteta do të vononte, por një ditë do të dilte prej këtyre pllakave, dhe jo pak, por 90,000 shumere dhe 12,000 etruske, të cilat lexohen si kjo pllakë e Lemnosit, veçse shqip, madje shqipe e sotme – mirënjohje Muharrem Abazaj .

Madje, tregimi i tyre vazhdoi dhe në kohën e Sokratit të madh, (shekulli i V, IV p.e.s.), i cili jo rrallë këmbëngulte që të mos shkruhej gjuha se do të humbiste bukurinë e zanit . Në shekullin e III p.e.s. e më tej, fjala, në ndryshim nga vendasit që e ruanin si forcë të të parëve të vet, u ngjit mbi lëkura në popujt e formuar rishtas si tek grekët e latinët. Në shekullin e III p.e.s. e më tej, vjersha, në ndryshim nga vendasit që e rapsodonin si kod të stërgjyshërve të vet, u shtyp mbi letër në popujt e dalë tashmë në histori si grekët e latinët. Sakaq, ata (vendasit) ruajtën magjinë e fjalës, edhe si kundërshti të “modernëve të vet”, që pasi iu morën kulturën, doket, zakonet, veshjet, pastaj i quajtën barbarë (të huaj, në kuptimin të egër, të ashpër, malësor, malok, të pagdhendur deri në të paqytetëruar). Ndaj, fjalën e kthyen, ndryshe nga letra e tyre që grisej, vyshkej, keqinterpretohej, keqkopjohej, në institucion besë të shoqëruar me institucionin e ligjit të quajtur Kanun.
Fig. – 2 Instrumenti i parë muzikor i njerëzimit, sikundër njërrokëshi shqip që formoi gjuhën e botës, edhe kjo vegël shërbeu si bazë e transmetimit të këngës, rapsodisë, rrëfenjave, deri në formimin e veglave të tjera muzikore si çiftelinë, apo violinën e pastaj kontrabasin, etj.
Në fakt, barbarë nuk ishin ata të parët që u gjetën dhe që jetonin në trojet e tyre, duke filluar nga kufijtë e Azisë së afërme (sot perëndimi i Turqisë- hititët) deri në brigjet e Danubit në lindje apo zonat veriore të Spanjës (Baskët – grup pellazg i ardhur pranë Pirrenejve – përrenjve, e që qëndronin bashkë), por ata që erdhën prej popujve egjyptinaë-fenikase (grekët apo të larosurit), si dhe italikët e galët, që zbrisnin nga veriu i Evropës, herë pas here, se donin pak behar e yshyre mesdhetare. Vëre re sot me kujdes, lexonjës i dashur! Cilët janë barbarë apo cilët plaçkitin sot? Ata që jetojnë në trojet e veta si levendas (të le në atë vend) apo ata që zbresin dhe iu pushtojnë këtyre tokat. Barbarët e vërtetë të asokohe pasi përdorën hurin, pasi zunë sipërfaqet urbane, pasi uzurpuan edhe tokat e bukës, pasi shkretuan monumentet e tyre gatiten për të përdorur trurin, duke hartuar tashmë filozofinë se “çdo grek i keq është më i mirë se barbari më i mirë”, aq sa Aleksandri i Madh u detyrua nga problemet e kohës së vet që tekstualisht të betohej se:
“Të mos ndajmë njerëzit, siç bëjnë mendje ngushtët tek grekët dhe barbarët. Të mos na interesojë prejardhja e qytetarëve, sesa raca nga të cilët vijnë. T’i vlerësojmë vetëm me një kriter, meritën. Çdo të huaj të mirë duhet ta konsiderojmë grek, dhe çdo grek të keq ta konsiderojmë më të keq nga barbari”.
Por, mbi të gjitha u hartua edhe një filozofi tjetër, se çdo njeri duhej të harronte se nga kishte ardhur, të harronte se kujt populli apo kujt race i përkiste. A nuk ishte Aristoteli, një nga ata që e pësoi dhe e mohoi origjinën e tij, madje vetë ai si viktimë e kësaj filozofie e gjente prehjen, duke mësuar nxënësit e tij si Aleksandrin e Madh të harronte origjinën prej Epirit të madh nga i rridhte e ëma, Olimbia , apo prej Thrakisë – Ilire (Maqedonia e sotme), por në fakt prej Matit prej nga i rridhte i ati (Filipi). A nuk është e njëjta sindromë edhe sot?! Por, Aristoteli, nuk e dinte se e ëma (Olimbia, Fig. – 3) i vinte nën jastëk të Birit të le si në andër (Aleksandër), librat dhe potretet mbi Akilin, Priamin, Hektorin, të cilit i kishte gjak prej nga rridhte, ndaj u rrit me kulturën e filozofit dhe dashurinë për të parët e vet.
Barbarët e vërtetë me hu e me tru bashkë filluan të hartonin ligje si t`i ngarkonin me taksa ata që nuk përqafonin filozofinë e të harruarit të etërve të tyre, duke i detyruar të shpërnguleshin përgjithmonë nga trojet mijëvjeçare të të parëve të tyre (parents, angl.; parenti, ital., – kupto: fjala bazë e tyre është shqip edhe sot – të parët, ndërkohë që nuk ekziston në gjuhët përkatëse fjala një rrokëshe “e, i par”). Në kësi rastesh ka pasur jo pak ballafaqime, jo pak ndeshje, jo pak luftëra, që janë veçse derdhur në etyde e rapsodi trimash (Gjergj Elez Aliaj) deri në poema epos kreshnikësh (Oso Kuka e Homerit të sotëm: të pavdekshmit Fishta) . A nuk është e njëjta sindromë edhe sot, që po ndërrove fenë, emrin, kombin, ti bëhesh po aq qytetar grek apo italian. Rezultati?! Lëshim hapësirash urbane. Lënie sipërfaqe toke fushore. Pasoja?! Rrokje të kodrave e maleve, si në zonat pranë detit dhe në ato sipër, së pari për t`u mbrojtur. Nga kush? Nga barbarët. Nga ata që gjuhën që gjetën e bëlbëzonin “bër-bër” ose “bl-bl”, prej kësaj del edhe “belbëzimi”. Edhe sot, në krahina të caktuara të vendit, ende përdoret për ata që janë injorantë fjala “bl-bl”. Më kujtohet shprehja e nënokes time për një bujk që nuk mësonte dot shkrim e këndim dhe ngelte në klasë vit pas viti, dhe që fshatarët e pyesnin: “Ku je o Beqir?, “Në blë blë blë” ose “bër – bër – bër”. Kësisoj ishin ata që mezi mësonin gjuhën e vendit, apo gjuhën e gjetur që kishin vështirësi në të mësuar dhe nga vendasit (Pellazgët, Ilirët) quheshin “barbarë” .
Gjeografët e historianët e vjetër grekë, duke mos njohur gjuhën e fiseve fqinje që ndryshonte nga gjuha greke, i quajtën banorët “pellazgë” (pelarg – të ardhur prej larg) ose barbarë (që flisnin gjuhë tjetër ose të huaj), në mënyrë që vetë të quheshin vendas. Harruan se termi “levend” (i le apo lindur në atë vend) dhe autokton (a i tokës ton) shpjegohej me anë të gjuhës së atyre që gjetën levend në atë vend ose që ishin nga ajo tokë. Vonë, vonë, pas disa shekuj bashkëjetese ose pas një fuqizimi konkurrues, këta të ardhurit filluan t’i kthenin reston, duke iu gjegjur se bër-bër, apo analfabet apo të huaj për ne, e për këtë shtet apo për këtë vend që ne po ndërtojmë, jeni ju vetë.
Vetë gjuhëtarët grekë, ndonëse me keqardhje janë të detyruar të pranojnë këtë shkëputje prej pellazgëve, prej të cilëve përfituan themelet e atij qytetërimi që më vonë do të shkëlqente në kohën e artë të Greqisë së vjetër, që askush nuk ia mohon këto merita, por jo që këto merita të fshijnë e të errësojnë ekzistencën dhe kontributin e madh të një populli parak. Një studiues i huaj si ai Miklosiç na kujton se:
Në të gjithë Ballkanin janë shqiptarët që i kanë ruajtur elementet glotologjike vendore.
Madje, pas revolucionit grek të 1821, më saktë, ajo ishte një betejë midis të krishterëve shqiptarë dhe atyre myslimanë, duke qenë se ritmi i luftës, gjuha e përdorur në parlament, kodet etike si fustanella , brezi, hapi i komandantëve, etj., ishin në mënyrë tipike shqiptare. Vetë pjesa akademike greke në përpjekje për të ngritur përsëri sedrën e fjetur helene organizonin Konferenca me temë mbi pellazgjinë, me moton që ne kemi një prejardhje me ju shqiptarët, për aq kohë sa ata u mëkëmbën, dhe sot e kësaj dite, historianët e ndershëm të tyre pranojnë se:
neve na u desh të falsifikonim historinë, se ndryshe nuk do të ishim formuar, si në shekullin e VII-VIII para Krishtit, ashtu edhe pas revolucionit të ashtuquajtur grek.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here