Pajtim Xhelo : E veja e magjistarit, tregim

Kishin kaluar tashmë pesë vite nga epidemia shfarosëse që fshiu nga registrat dhe hartat e Perandorisë Bizantine qytetin e Sirogozit (Sorogozës), një nga më të pasurit e më të lulëzuarit e krahinës të Amantisë kaone.
Nga tridhjetëmijë banorët që kish qyteti, pesmijë që i shpëtuan vdekjes së tmerrshme të shkaktuar nga një mikrob, emri i të cilit mbeti i panjohur për kohë të tëra, edhe pasi epidemia kish ndalur kosorin që bëri kërdi, u shpërngulën në hapsirat në veri të Aulonës
dhe të Thronit, ku kishin krijuar vendbanime të reja, si Panahija ( Panaja), Oshëtima, Cektovina ( Cerkovina ), Trevëllazëri dhe më në verilindje, buzë lumit Vjosë, Bishisht ( Beshisht ).
Që nga Bishishti , në grykëderdhjen e lumit Susi ( lumi i Vlorës ),në
gjithë gjatësinë e luginës, mbi kodrat e buta ravijëzoheshin shtëpitë
e braktisura me oborre plot pemë që tashmë harliseshin të lira, në
forma nga më të çuditëshmet, që ndonjëherë mbulonin me kurorat e tyre
edhe çatitë e sajuara me mjeshtëri nga ndërtuesit duarartë të Thronit.
Deri te Kodra e Pajameve. Poshtë saj ishte një liqen i vogël, i cili,
si për habi, pas shpopullimit të qytetit, sa vinte po thahej. Nga
pjesa perëndimore zbriste një përrua, të cilit tashmë i kish mbetur
vetëm shtrati me zallishte. Ndonjëherë, shirat e pranverës dhe të
vjeshtës tregoheshin zemërgjerë dhe e mbulonin atë shtrat me rrëke të
vogla, të cilat i jepnin pak gjallëri edhe liqenit.
Aty mbaronte Qyteti i Vdekur.
Në tërë atë heshtje të braktisjes, nja njëqind hapa larg rreshtit të
shtëpive pa jetë, si për të shpërfillur me guxim Gjëmën e Madhe të
pesë viteve më parë, një grua kish ndërtuar një kasolle me baltë dhe
kashtë dhe jetonte aty së bashku me djalin e vetëm gjashtëvjeçar.
Nerena quhje, po të gjithë banorët e vendbanime që përmendëm më sipër
e thërrisnin ” E veja e magjistarit”
I shoqi, një nga të parat jetë që korri epidemia, iku nga kjo botë i
panjohur. Askush nuk e dinte nga kish ardhur edhe i ati i tij. i cili
fillimisht vizitoi disa herë qytetin si tregtar ambulant i ca
përzierjeve çudibërëse të mbyllura në enë balte të punuara me
mjeshtëri, të zbukuruara me ngjyra plot shkëlqim verbues dhe disa
qylymave prej kashte kënete, të punuara mjaft bukur, që tërhoqën
vëmendjen e gjithë atij qyteti zhurmëmadh.
Aq bujshëm u përhap ardhja e këtij tregtari , sa edhe në të gjithë
koinonin e Amantisë për kohë të tëra, në të gjitha shtëpitë flitej
vetëm për të.
Brenda pak ditëve, tregtarit iu desh të vinte disa herë , në fillim
vetëm me një kalë, pastaj me dy, e më në fund me një karvan me pesë
kuaj, për të sjellë ata qylymat e mrekullueshëm prej kashte, mbi të
cilët ishin pikturuar me ngjyra të ndezura lule, pemë dhe pamje nga
natyra, herë një perëndim dielli mbi lumin Aoos ( Vjosë ), apo mbi
detin Adër ( Adrriatik ) dhe Jon, herë një qiell mbrëmësor me yje,
herë Hënën mes dy maja malesh ose fare pranë mbisheshit të detit në
Gjirin e Aulonës ( Vlorës ).
Ndër të parat që bleu një nga këta qylyma ishte një vajzë e re, që qe
shoqëruar me të atin. Ajo e pëlqeu tregtarin dhe më pas u martua me
të.
-Qenkan tamam si rogos – i tha ajo të atit.
Rogos në Amanti i thoshin një pëlhure që përdorej për të shtruar
elbin, që ta thanin e ta zhvishnin nga byku.
Ato fjalë që tha ajo vajzë u përsëritën më vonë edhe nga të tjerë.
Aq shumë i kërkuan ata qylyma, sa tregtarit iu desh të vinte me
karvanin e tij për gati dy muaj të tërë. Pas dy muajsh, kërkoi dorën e
vajzës amante , u martua me të dhe nuk u largua më nga qyteti. U lindi
vetëm një djalë, i cili, kur po bëhej 12 vjeç, nisi të merrej me ato
përzierjet çudibërëse, të cilat shëronin dhëmbjet e kockave, plagët e
ndryshme, ethet, largonin lodhjen, dhëmbjen e barkut, të veshëve, të
syve.
Prindërit plakeshin të qetë, ai rritej nën kujdesin e tyre dhe kur u
bë njëzetenjë vjeç, në të gjithë koinonin e quanin ” Magjistari”
Fitonte shumë, por edhe dinte ta drejtonte mirë jetën. U martua me një
vajzë të thjeshtë, po shumë puntore.
U lindi një djalë, që e quajtën Jetan, i cili mbeti jetim nga i ati
kur ishte vetëm një vjeç.
Ndërsa i ati, ” Magjistari” së bashku me gjyshërit e djalit ishin nga
të parët që rrëmbeu ajo epidemi e jashtëzakonëshme, gruaja së bashku
me djalin kishin qenë me fat, nuk u sëmurën.
Mbase ishin Zotat që i mbrojtën..
Mbase edhe përdorimi i njerës prej përzierjeve çudibërëse, që gruaja
vendosi ta merrte për vete dhe për të birin. I shoqi dhe prindërit e
tij nuk u bindën ta provonin.
Sidoqoftë, gruaja dhe Jetani mbetën banorët e vetëm të asaj
shkretëtire që dikur ishte quajtur me emrin e çuditshëm ” Sirogoz”.
& &
&
Për të venë vitet ishin të vështira. Për Jetanin një lumturi pa fund.
E veja duhet të siguronte ushqimin e përditshëm, të mbillte, të
kortrte, të kujdesej për dhëntë, për një pelë që i pat lënë i
shoqi…Për gjithçka që do të donte edhe një burrë që ta përballonte
me mundim dhe me lodhje. Toka kishte plot, nuk ishin tashmë të askujt,
po e veja nuk i punonte dot dhe mjaftohej me aq sa do t’i duhej për të
prodhuar perimet, grurin, rrushin dhe vajin e ullirit. Ullinjtë dhe
vreshtat që i kish lënë i shoqi tashmë kishin hyrë në prodhim dhe
prisnin duar që t’i vilnin.
E veja e shkretë lodhej e sfilitej, aq sa shpesh e zinte gjumi kur
shkonte të vinte vocërrakun në gjumë.
Sidoqoftë, e përballonte dhe nuk ankohej.
Në fund të fundit kujt t’i ankohej, vetes?
Të birit?
Vetja nuk i jepte anë e udhë, kurse i biri ishte në moshë për të
luajtur me qingjat , bota e të cilëve ishte një parajsë e vërtetë.
Edhe atë mbrëmje shtatori, gruaja erdhi vonë në shtëpi. Darkoi me
Jetanin dhe pastaj u mor pak minuta me të para se ta vinte për të
fjetur.
Edhe i vogli kish nevojë për dashurinë e saj, të cilën Nerina e
shpërfillte, jo me dashje, por ngaqë barra e rëndë që kish ngarkuar
mbi shpatulla, nuk i linte kohë, ndonjëherë i rrëmbente edhe dëshirat,
të cilat i linte në harresë.
-Si e kalove ditën sot, o jeta e nënës? – e pyeti ajo, duke i
përkëdhelur flokët e kadifejta, ngjyrë gështenje, që i binin butë mbi
supet e tij të brishte.
Djali vinte i shëndetshëm dhe i fuqishëm, në tipare i ngjante të ëmës,
por ishte energjik dhe i papërmbajtur si i ati. Që tani i hipte pelës,
e cila i bindej aq mirë dhe nuk ia prishte qejfin për asgjë.
Sytë e Jetanit qeshnin gjithmonë dhe në atë ngjyrën gri të çelët
pasqyrohej një botë e kristaltë, e thjeshtë dhe e çiltër…
Dukej sikur Gjëma e Madhe që pat kaluar fare pranë tij, në shpirtin
dhe jetën e të ëmës, nuk kish lënë asnjë hije gjurme tek ajo pafajësi
ëngjëllore.
Jetani picërroi sytë, që një çast u dukën sikur lëshuan çikëndi
kujtimesh të ëmbla fëmijërore, vuri doçkën e tij të tultë te faqja e
Nerinës dhe ia ktheu :
-Luajta me qingjat, pastaj çova pelën për të kullotur bar të njomë te
arra e madhe. Mblodha ca arra edhe për ty, i ke atje, te pitosi i
vogël i gjyshit.
E ëma qeshi. U duk se lodhjen e rrëmbeu papritur nga e gjithë qenia e
saj një dorë e fshehtë, e padukëshme.
-Ku e di ti që ai është pitosi i gjyshit? – e pyeti pa e patur tamam
vëmendjen tek ajo që tha.
Djali u ngrit ndenjur dhe u përgjigj si ndonjë burrë i madh :
-Po vet ti më ke thënë moj nënë. Pitosi i vogël ka qenë i gjyshit,
kurse ai më i madhi i gjyshes. Enët e tjera prej qeramike të ngjyrosur
i ka lënë babai im. Ato janë të mbushura me shërues çudibërës.
Jetani e preu fjalën një çast. E shikoi të ëmën pak i habitur dhe e pyeti :
-Pse babait tim i flisnin Magjistar? Ai bënte magji?
Nerina shtangu nga habia.
-Nga e di ti këtë?- e pyeti jo pa shqetësim.
-Më fal nënë, harrova të të them. Sot në mëngjes, pas shtëpisë sonë u
ndal një burrë dhe më pyeti në se isha djali i Magjistarit. Unë ngrita
supet dhe ai më tha që babain tim e quanin Magjistar.
Tashmë gruas i doli gjumi. Cili kish qenë ai njeri që kish takuar i biri?
E ndjeu për detyrë ta sqaronte Jetanin për punën që bënte i ati.
-Babai yt nuk ishte magjistar. Ai përgatiste ato ilaçet çudibërëse që
shëronin njerëzit nga sëmundje të ndryshme. Këtë mjeshtëri e mori nga
i ati, gjyshi yt. Në gjithë Kaoninë yt atë ishte i vetmi mjeshtër që
shëronte njerëzit, prandaj e quajtën Magjistar.
Djali u kthye me vrull drejt saj dhe tha me zë të vendosur e të prerë :
-Edhe unë do ta marr atë mjeshtëri nga babai, si e mori ai nga gjysh.
Tha këtë, por pas një çasti u duk i pezmatuar.
-Po kush do ma mësojë këtë mjeshtëri? Unë harrova që im atë nuk është
më këtu me ne.
Nerina u trondit. I biri dukej thellësisht i prekur dhe kjo e merakosi.
-Do ta mësosh nga unë – u përpoq ta qetësonte – Ti do të bëhesh
Magjistar edhe më i dëgjuar se babai dhe se gjyshi yt.
I biri e pa me dyshim.
-Nuk ke besim?- e pyeti ajo dhe e gudulisi në ije, për ta marrë me të mirë.
-Pse, edhe ti nënë je marrë me atë punë?
Sërish në atë shikim lexohej mosbesimi.
-Yt atë nuk donte që unë të merresha, po unë e ndiqja me vëmëndje kur
punonte dhe shpesh, fshehuraz nga ai, përgatisja përzierje dhe i
hidhja në enët bosh, pa e kuptuar ai. Po, mor bir,, di të punoj
njëlloj si i ndjeri babai yt. Të jap fjalën, që do të të bëj Magjistar
me famë.
Fëmija u hodh përpjetë nga kënaqësia. Nerina shtoi :
– Madje do të mësoj të bësh edhe nga ata qylymat prej kashte që bënte
gjyshi yt. qylymat që gjyshja jote e mirë, i quajti ” Si rogoz”
Djali u duk i menduar.
– Qylymat paskan emrin e këtij qyteti që ka mbetur pa njerëz, nënë.
E veja e Magjistarit qeshi.
-Njerëzit e këtij qyteti blenë të gjithë nga këta qylyma. Ua solli
gjyshi yt. Paskëtaj, amantët e tjerë kur vinin në qytet, nisën ta
quanin ” Qyteti i qylymave si rogoz” Më vonë e quajtën qyteti ” Si
rogoz”. Kështu i mbeti ky emër këtij qyteti deri pesë vite më parë,
kur ndodhi ajo që të kam treguar.
Dalngadalë, vocërrakun e rrëmbyen ëndrrat ëngjëllore të moshës.E ëma e
shihte tek qeshte heraherës në gjumë dhe ndjente një kënaqësi dehëse,
një kënaqësi që ndoshta po e provonte për të parën herë në këto pesë
vite të rënda si shkëmb të jetës së saj prej gruaje të ve.
& &
&
Duhet të kish kaluar mesi i natës, kur gruaja ndjeu si nëpër ëndërr të
lëkundje kasollja prej balte.U zgjua dhe e mblodhi veten
menjëherë.Ashtu, këmbadoras u turr te i biri dhe ra mbi të për ta
mgrojtur nga kjo rrapëllimë tronditëse.
Për pak çaste u duk sikur gjithçka u vidhis brenda barkut të hapur të
tokës, e cila u lëkund disa herë vertikalisht, horizontalisht. Pastaj
gjithçka heshti.
Heshti një hop, për të nisur sërish e sërish. Muret dhe çatia e
kasolles u çanë dhe copra të madhësive të ndryshme përplaseshin me
zhurmë nëpër errësirën që përpiqej të rrëmbente e të fshihte gjithçka
të atij tërbimi të natyrës…
Gjithçka të asaj të pakuptueshmes që po ndodhte në atë braktisje pesëvjeçare.
E vetme.
E tmerruar.
Ç’po ndodhte?
Dukej sikur një dorë e padukëshme kishte lidhur gjithë Tokën e atij
qyteti të vdekur prej kohësh dhe po e tërhiqte horizontalisht, pastaj
e ngrinte dhe e ulte vertikalisht në një përplasje pa kufij dhe pa
drejtim.
Ishte një çast kur në qiellin e ndriçuar u duk se po vraponin si të marrë yjet.
Ç’po ndodhte?
Mos hakmarrja e Zotave që flitej prej kohësh në të gjithë krahinën po
mbaronte punë njëheremirë me Qytetin Mëkatar?
Po kundër kujt po hakmerreshin Zotatat?
Në gjithë atë hapsirë vdekja kish patur mëshirë vetëm për dy jetë të
pafajëshme…
Gruan e ve dhe djalin e saj.
Nuk pati kohë as tu lutej Zotave. Një lëkundje e fuqishme e rrëzoi
përtokë, larg, disa hapa larg të birit.
Pasoi një zhurmë shurdhuese. Gruaja mbylli veshët fort dhe përhumbi në
atë përmbysje tërësore, që nuk kurseu asgjë.
Kur u përmend kish rënë mugëtira.
Një heshtje e frikëshme , e shurdhët, kish përpirë botën në të
papriturën, të panjohurën, të pabesueshmen e asaj që kish ndodhur..
Gjithçka rreth e rrotull qe rrafshuar. Asgjë nuk i ngjante më
Sirogozit të mëparshëm.
Në qiellin e paraagimit mugëtira po fshihte yjet.
Ashtu, më nge, njënganjë.
E veja e Magjistarit nisi të kërkonte mes mbeturinave të shpërndara të
kasolles të birin.
E gjeti më në fund nën një trung të madh, të cilin e lëvizi me mundim
të jashtëzakonshëm.
Fuqia e shpirtit të nënës e ndihmoi ta lironte trupin e të birit nga
ai trung i çuditshëm, që kushedi prej nga pat ardhur në atë kijamet të
zi.
Duart e Jetanit ishin akoma të zgjatura.
Mbase nga përpjekjet e vocërrakut për të shpëtuar nga ai trung.
Goja ishte akoma e hapur, mbase kish ngrirë duke bërtitur për ndihmë.
Sigurish, kish thirrur për ndihmë të ëmën, që nuk e pati afër në
çastin kur dha frymën e tij ëngjëllore, jetën e tij të pafaj…
Ëndrrën e tij të virgjër për tu bërë Magjistar.
Ëndërr që mbeti e varrosur në këtë qytet , që tashmë i ngjante një
përbindëshi të vrarë.
Nerina ngriti duart nga qielli, mbylli sytë dhe klithi me gjithë
dhëmbjen e nënës që humbi birin e vetëm…
Të gruas që mbeti si hije e trupëzuar në atë Vdekje përfundimtare, tërësore..
– Kush qe mëkati që bëri im bir? Më mthoni, o Perëndi të Larta të qiellit!
I rrëzoi duart mbi gjoksin e rreshkur dhe tha me zë të ulët :
– Mendova se nuk do më quanin më ” E veja e Magjistarit” Shpresova se
do më thërrisnin ” Nëna e Magjistarit ”
Qeshi hidhur dhe u lëshua mbi trupin e ngrirë të të birit.
-Ti ike pa mëkatuar nga kjo botë Jetan. Mëkatin le ta mbajë kjo tokë e
mallkuar , që do të treti trupin tënd të njomë.
U mendua një hop, tundi kryet dhe shtoi :
-Kjo tokë le të thirret në jetë të jetëve ” Mëkat” !
E mbuloi me të puthura të birin dhe më pas e lau me lotët e nxehtë të
Dhëmbjes së Madhe.
Dikur u ngrit dhe eci duke u lëkundur, jashtë çdo vetkontrolli, ashtu, kuturu.
Hodhi rrotull një sy shpërfillës, thuajse pa asnjë ngjyrim jete.
Në Vdekjen e Madhe po hidhte valle një fllad ledhatonjës, sikur të
donte të mbulonte me një shall Kashmiri Përmbysjen e Madhe.
Po ngrysej..
Dikur Nerina ndjeu freskinë e lagësht të vjeshtës dhe u rrënqeth.
– Duhet të futem në shtëpi – mendoi.
Po në cilën shtëpi?
Kasollja e saj nuk ishte më.
Edhe gjithë Sirogozi qe rrafshuar.
Në tërë atë Humbëtirë të Madhe ishte vetëm djali i saj, që duhet ta
varroste dhe ajo…
E veja e Magjistarit.
Po binte muzgu.
Një muzg i argjendtë.

F U N D
Pajtim Xhelo, 30 korrik 2023




________________________________________

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here