Dr. Mujë Buçpapaj: Në fushatën kundër poetit Faslli Haliti, u përfshinë shumë njerëz, institucione dhe organizata, si ajo e rinisë, frontit, gruas, biles edhe vetë sigurimit të shtetit

LETRA E DËRGUAR NË GAZETËN “ZËRI I POPULLIT” PËR LIBRIN “SOT” TË FASLLI HALITIT

Në fushatën kundër Faslli Haliti, një poeti me jetë të kontrolluar dhe shumë korrekte më të gjithë në qytetin e tij, u përfshinë shumë njerëz, institucione dhe organizata, si ajo e rinisë, frontit, gruas, biles edhe vetë sigurimit të shtetit. Përveç problemeve të mprehta sociale që trajtonte poezia e tij dhe që e kishte armiqësuar me drejtuesit lokalë në rreth, mundet që shkrimtarët e provincës ta kenë përjetuar si sfidë ndaj tyre edhe suksesin letrar të Faslliut, të konfirmuar edhe nga shkrimtari i famshëm Ismail Kadare, me një shkrim të botuar në gazetën “Drita”,çfarë e bëri edhe më të plotë këtë inat të përzishëm për ta.
Nga ana tjetër ka patur zëra qysh atëherë që mendojnë se gjithë fushata u dirigjua ndaj autorit të librit, por në fakt synonte recenzentin dhe mentorin e tij në shtyp që ishte Ismail Kadare, i cili kishte lejuar të botohej një libër i tillë kundër partisë dhe socializmit.
Një nga këto dokumente që e provon këtë dashakeqësi dhe mundet edhe komplotin ndaj poetit, apo të dyve bashkë (autorit dhe recenzentit) është edhe një letër që shkrimtari Kapllan Resuli, nëpunësi Spiro Dinaku dhe punëtori Hysen Kurti, i nisin gazetës partiake “Zëri i popullit”. Letra me titull “Poezi që s’pasqyron tipiken. Lidhur me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit”, nuk ka një datë fikse.
Sipas studiuesit të arkivave Dashnor Kaloci “Ky shkrim i cili u refuzua të botohej nga gazeta “Zëri i Popullit”, tre vjet më vonë, (në kohën që goditej e kritikohej Faslli Haliti dhe Resuli ndodhej në burg), i është dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së dhe përkatësisht Pirro Kondit, nga ana e Ibrahim Uruçit, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në atë kohë, në kuadrin e grumbullimit “të provave materiale” për fajësimin e goditjen e poetit të ri myzeqar, F.Haliti.
Por nisur nga shënimi i sekretarit të Ramzi Alisë, Ilo Kodra me 27. 10.1973, se letra ka shkuar në adresë të gazetës “ZP” dy-tre vjet më parë i bie që te jetë shkruar gjatë vitit 1970, pak muaj pasi ishte botuar vëllimi “Sot” i Faslliut (Tiranë 1969) dhe disa shkrimeve promovuese për të, përveç shkrimit të Kadaresë, recenca afrimuese ishin botuar edhe nga Myzafer Xhaxhiu, Teodor Laço, Klara Kodra, Adriatik Kallulli etj. Sido që Resulli e ka mohuar ta këtë shkruar letrën dhe t’i këtë njohur dy bashkautorët e tjerë të saj, në disa prononcime të bëra menjëherë pas publikimit të materialit arkivor me 2018, ai ruan akoma frymën jo miqësore me F. Halitin.
Kapllani dhe dy të tjerët shkruajnë në letër se “Çuditemi me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllimi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjershat e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit?.
Shkrimi i tre autorëve kundër librit “Sot” vijon :
“Lidhur me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit:Një numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi, jo vetëm që janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla janë denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe mësimet e partisë.

“Marsi,
Me kokën e kaltër
Me trupin e gjelbër
Kitarë e ujrave vari në qafë
Si tela kitarash rrëkerat i dredh
Luleve, blerimit, iu bën serenadë”.
(Marsi në Sarandë)

“Mbi koka jeshile pemësh
Natyra derdhi bojë të verdhë
Vjeshta krahët e artë
Mbi fusha i hodhi,
Dhe kodrave lart”.
(Ardhja e vjeshtës)

“Nyja nyjën thërret
Me rrezet paralele zgjaten kërcellet
Blerimi kap syrin e gjelbërt gjithë qejf
Ujrat pranverore buzëqeshin të qeta
Pemishteve pjeshka fustanin e purpurt
Nis zbukuron me lulet e veta,
(Unë nuhas pranverën)

Ja disa strofa të këtyre peizazheve ku manija dhe dora e njeriut tonë nuk duket asgjëkundi. Këto peizazhe bien erë kozmopolitizëm, s’e kjo natyrë që na vizaton autori, nuk pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor, apo malor, nuk ka asgjë kombëtare, asgjë shqiptare.
Vargje të tilla për natyrën kanë shkruar dikur romantikët dhe sot shkruajnë poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e realizmit socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e nacionalizmit borgjez, është i huaj.Le të ndalemi tek vjerash “Sot”, “Kuadrove që nuk u iket”, “Në fushë”, “Unë, mësuesi i fshatit”, “Mik në fshat”, “Ike”, “Ajo”, “Kaloj”, “Nata”, etj.

“Njerëz që venë në kamp në Durrës
Që venë të takojnë të fejuarën
Që nisen të shohin një ndeshje futbolli
Që nisen të marrin provimin e parë
Që nisen të marrin provimin e fundit
Që nisen kufirit ushtarë”.

Po të heqi vargun e fundit, autori në vjershën “Sot”, na servir si problemet më shqetësonjëse të kohës sonë, pushimin, dashurinë dhe diplomën për të garantuar qetësinë personale
Ç’vargje të neveritshme?!”
Ndërkohë që Faslli Halit i ishte kundërvënë burokracisë së sistemit dhe egërsisë më të cilën trajtonte njeriun e thjeshtë, mekanizimi politik i pushtetit, shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë, natyrisht të imponuar, i shkruanin në grup letra drejtuar Enver Hoxhës me zotimin se “do të krijojmë vepra të tjera të bukura, të denja për partinë, për popullin, për komunizmin.” Njëra prej këtyre letrave është e prillit të vitit 1973.
Letra në fakt është një dëshmi edhe e presionit të fortë politik ndaj shkrimtarëve dhe artistëve. Në vitet 1967-1970 një numër i lartë i shkrimtarëve dhe artistëve të Tiranës ishin degdisur nëpër kooperativa, ndërmarrje dhe kantiere ndërtimi në zonat më të largëta të vendit, nën pretekstin për të njohur jetën socialiste dhe pulsin e zhvillimit socialist, por në fakt ishte një presion direkt për t’i nënshtruar dhe siguruar një bindje qorre dhe poshtëruese ndaj direktivave partiake që natyrisht shkonin gjithnjë në kundërshtim me natyrën e pavarur të artit dhe letërsisë. Ja teksti i letrës: “Me besim, optimizëm e frymëzim revolucionar ne do të krijojmë vepra të tjera të bukura, të denja për partinë, për popullin, për komunizmin.

Shokut Enver Hoxha
Sekretar i parë i Komiteit Qendror të PPSH
I dashur shoku Enver,
Ne shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë socialiste, jemi të ndërgjegjshëm për detyrën e lartë, që na kanë ngarkuar populli e partia për të milituar në frontin e madh të ideologjisë dhe të kulturës sonë të re. Pikërisht për këtë na kanë rrethuar dashuria dhe respekti i popullit, i partisë dhe juaji i dashur shoku Enver.
Me besim të patundur në mësimet tuaja, duke njohur thellë gëzimet dhe hallet e popullit ne do të vazhdojmë më me ngulm luftën për forcimin e partishmërisë në letërsi dhe arte, për forcimin e tabanit të tyre kombëtar popullor socialist, për ngritjen në një nivel më të lartë teorik marksist-leninist të kritikës letrare e artistike dhe të shtypit tonë.
Me besim e optimizëm të plotë me frymëzim, ne do të krijojmë vepra të tjera të bukura, revolucionare të denja për partinë për popullin, për komunizmin.”

7.6 FRYMA DASHAKEQE NDAJ LIBRIT “SOT”, QYSH NË DISKUTIMET E PARA MË 1970

Është e çuditshme përse gjithë kjo kundërvënie provokuese ndaj një libri të një autori të ri, pikërisht nga mjediset ku ai jetonte dhe ku kishte marrë frymëzimin, në Lushnje. Mundet që edhe letra agresive e treshes së kryesuar nga shkrimtari K. R të jetë shkruar ato ditë kur ishte bërë edhe diskutimi i parë krijues i librit “Sot” po në fillim të vitit 1970. Këtë zhvillim negativ dhe të çuditshëm e konfirmon edhe Ismail Kadare në raportin e mbajtur prej tij në Konferencën Kombëtare të talenteve të reja, në prill 1970.
Ismaili, ndërsa flet për një përkujdesje dhe dashamirësi më të madhe që LSHA duhet të tregojë për promovimin e librave të autorëve të rinj, evidenton edhe raste negative, dashakeqe sidomos ndaj poetit Faslli Haliti.
Ai posaçërisht ndalet tek rasti i F.Halitit ndërsa thotë: “Ka patur raste kur në ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në gazetën “Drita” nga një letrar i ri i Lushnjës, i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që iu bë librit “Sot”, të poetit të ri Faslli Haliti nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mirë poetik, ata jo vetëm që e pritën në këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushatë akuzash spekulative.”
Kadare në këtë raport kryesor të Konferencës përmend me pozitivitet ”Vjershat e Faslli Halitit, Natasha Lakos, Sadik Bejkos, Moikom Zeqos, Ndoc Paplekës, Spiro Dedës, Mehmet Elezit etj.”
Në analizën e Kadaresë më tej thuhet: “Nuk është e vështirë të dallosh vargjet e ngrohta, plot mendime, që kanë gjithmonë një rrjedhë të vetvetishme të Sadik Bejkos nga vjershat e shkurtra disa herë çapkëne, plot të papritura të këndshme të Fasli Halitit…” (Ismail Kadare: Fjala e shkrimtarit mbajtur në Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja, 25 prill 1970.
Kadare shprehet i shqetësuar kundër procedurave paragjykuese të ndjekura nga enti i vetëm botues i vendit ndaj disa autorëve të rinj, talentuar si Sadik Bejko, për vonesat që po haste poeti i ri për botimin e librit të parë. “Fakti që vite me radhë, poeti i ri i talentuar Sadik Bejko, nuk po boton dot një libër vjershash, nuk mund të përligjet…”

Poeti Sadik Bejko e kujton këtë periudhë të vështirë ku siç thotë ai “Për shumë vite mua më ktheheshin librat që çoja për botim. Vjershën e parë e botova në janar 1965, librin e parë e botova në dhjetor 1972.”
Në këtë studim kam botuar edhe informacione që drejtuesit e shtëpinë botuese “Naim Frashëri” i raportonin sekretarit për kulturën në Komitetin Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia për politikën e censurës që ndiqnin ndaj disa autorëve në mesin e të cilëve përmendej edhe libri “Rrënjët” i Sadik Bejkos, të cilën ia kishin kthyer disa herë autorit. Libri kishte figuracion të errët dhe prirje hermetike si tek poezitë:“Lumi” “Meditim”, dhe “Rrënjët”.
Ja poezia “Lumi” , një nga vershat e bukura për të cilat libri ishte rikthyer disa herë për hermetizëm dhe që autori pas ripunimit i ka dhënë këtë trajtë që përsëri ngjan një krijim interesant.

Mbrëmjeve në trurin tim feksin
as vetë s’e di çfarë por ka diçka që feks.

Paralel me rrugën rrjedh një lumë.
Mbi të kërruset e bie qyteti i mahnitshëm nëpër
reflekse.
reflekse, që e joshin
sa nuk e verbojnë nëpër net.

Mbrëmje, gjysmerrësirë, eci unë
dhe lumi me drita mbi shpinë;

Lumi duhet t’i dojë shumë këto drita,
ndërsa rrëshqet vjedhuraz nën to,
si prind që s’do t’i zemërohet fëmija.

Ato e përkëdhelin nëpër trup,
ato ia dinë edhe gurët e ftohtë që ka në fund.

Po ai s’mund të mos ikë
s’mund të ndalet, s’mund të presi;
Në imazhin e tij,
në mishin e tij,
në shqetësimin e tij, është deti.

Dhe kur i dalin përpara fushat,
ai këput e u jep masa ujërash nga trupi i vet
ndërsa mes të dy brigjeve brenda shtartit të tij
rrëshqet,
por mua, kur eci pranë tij mbrëmjeve,
nëpër tru diçka më feks.
Ndoshta brenda meje derdhet ky lumë
me tërë dritat, gjërësinë dhe shqetësimin e vet
Në qetësinë a në gëzimin,
në lodhjen a në mërzinë time
dhe fare padashjen time dritat e tij më feksin,
Më feksin,
ndërsa si lumi shtartin,
hapat e mia rrugën ndjekin.

Sadik Bejko arrin më në fund të botojë librin më 1972, i cili ishte nga librat më të mirë poetik dhe në kohën e mbajtjes së Festivalit të 11-të, të Këngës në RTSH (Dhjetor 1973), ai ishte redaktor i teksteve në këtë institucion.
Festivali u vu në shënjestrën e vetë udhëheqësit komunist qysh në fillim të vitit 1973. Dihen, tashmë pasojat, që pësuan kompozitorët, këngëtarët, prezantuesit dhe autorët e teksteve. Sadik Bejko ishte autor i teksteve të tre prej këngëve të këtij festivali dhe goditjet ndaj tij do të ishin të ashpra.
Bejko dënohet me riedukim si punëtor nëntoke në minierën e qymyrgurit Memaliaj për gjashtë vjet (janar 1974- nëntor 1980), duke iu hequr edhe e drejta e botimit dhe po kështu libri nga qarkullimi.
Një histori persekutimi e vazhdueshme ndaj poetit, të cilit nuk dihet kush ia kishte veshur me dashakeqësi një biografi të keqe, pasojat e së cilës nuk i ishin ndarë asnjëherë.
Poet shumë vite më vonë në një intervistë thotë: “Kam qenë njeri me nder të cënuar, me të drejta të kufizuara, i ndëshkuar që të mos ushtroj profesionin tim si mësues, të mos ushtroj të drejtën e të qenit shkrimtar. Njeri që duhet t’i nënshtrohesha kokëulur padrejtësisë, arbitaritetit shtetëror. Për këto nuk ka asnjë vendim gjykate, asnjë urdhër administativ të shkruar. Me urdhra verbalë që vinin nga lart me telefon ti mund të ndëshkoheshe pa të drejtë që t’i nënshtroheshe një gjykimi. Gruaja ime e pësoi se nuk më ndau (kërkesë që iu bë verbalisht), nga mësuese ajo punoi mbi dhjetë vjet si normiste me turne, me rrogë të përgjysmuar.”

7.7 SHTYPI I EMIGRACIONIT POLITIK MERR NË MBROJTJE FASLLI HALITIN

Kritika letrare në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si edhe vetë letërsia, ishte e kontrolluar dhe e orientuar politikisht, gjithashtu. Në Kosovë tregohej vëmendje për prurjet e reja nga Tirana.“Rilindja” botonte shumë libra të seleksionuar në Prishtinë dhe po ashtu merreshin në shqyrtim librat e autorëve të shquar në poezi dhe në prozë. Kritika atje nuk ndërhynte me komente të natyrës politike apo duke bërë hulumtime për autorë që dënoheshin, hiqeshin nga qarkullli apo gjendeshin në fushata presionesh në Shqipëri siç ishte rasti i Faslli Halitit, sido që veprat e tyre atje qarkullonin, pavarësisht fatit politik të autorëve të tyre në Tiranë.
Shtypi letrar i diasporës ishte i pakët dhe kryesohej nga “Shejzat” e Ernest Koliqit (1903-1975). Shkrimtari dhe albanologu i njohur e drejtoi revistën e tij akademike për 18 vjet më radhë (1957-1975), duke patur bashkëpunëtorë edhe shumë figura të njohura të emigracionit si Martin Camaj, Arshi Pipa etj. Revista tregonte vëmendje edhe ndaj zhvillimeve letrare dhe kulturore në Shqipëri.
Në një koment të tij për tablonë e letërsisë socialiste në Shqipëri, Ernest Koliqi e përmend edhe persekutimin e Faslli Halitit, për shkak të poezive të tij, denoncuese ndaj njerëzve të pushtetit.
“Për të plotësuar portretin e xhelatit humanist e artdashës (Mehmet Shehu), na duket e përshtatshme vjersha “Njeriu me kobure” e poetit Faslli Haliti, zëri i të cilit është mbytur nga Partia.
Një tjetër revistë që u botua për 30 vjet në Itali ishte “Koha e jonë”, njëra nga periodiket e rëndësishme të shtypit shqiptar në emigracion pas Luftës së Dytë Botërore.
“Koha e jonë” , në një nga numrat e saj të (janar-shkurt-mars të vitit 1974), merr në mbrojtje poetin Faslli Haliti. Nuk dihet se si botuesi, Elez Ndreu, kishte marrë informacion rreth dënimit të poetit pas një procesi demaskimi publik për shkak të poemës “armiqësore” “Dielli dhe rrëkerat”, por shkrimi flet me detaje rreth ngjarjes dhe hedhin dyshime për fatin e poetit, pas zhdukjes së emrit të poetit nga faqet e shtypit të Tiranës.
Revista periodike “Koha e jonë”, e përkohshme, politike, kulturore dhe shoqërore, u botua në Firence prej vitit 1962 deri me 1992 dhe në faqet e saj gjatë 30 vjetëve kanë botuar shumica e eksponentëve të shquar të emigracionit politik shqiptar në Europë dhe SHBA.
Në një shkrim të titulluar “Rruga e një poeti dhe rruga e kritikës letrare në Shqipërinë e sotme” dhe të nënshkruar me pseudonimin nga Ujk Mali, vlerësohet kritika nga brenda që i vjen sistemit komunist. Për këtë, pas Shollzhnecinit rus ai merr si shembull kritikën që Faslli Haliti i ka bërë abuzimit të komunistëve me parimet utopike të komunzimit.
“Ky fakt kuptohet nga çdo njeri anti-doktrinar në qoftë se ai merr parasysh komunizmin thjesht si ide. Shqiptarët që jetojnë në një mërgim politik, me vuajtje të shumta dhe me një urrejtje të zjarrtë kundër sunduesëve në Tiranë, me zor mund të përfytyrojnë pozitivisht idenë e komunizmit. Por kush mund të mohonte me argumenta bindëse humanizmin e thellë nga i cili buron kjo ide: lirinë, vllazërinë, barazinë ekonomike, kulturale e shoqërore! Fajin e kanë ata, që këtë ide të bukur e kanë shfrytëzuar edhe abuzuar për qëllimet e veta…”
Sipas shënimit kritik “Mendime të tilla vërtetohen nga gjendja e mjerë në të cilën po shtypet dhe shpërdorohet letërsia në R. P. të Shqipërisë. Si mjet agjitacioni letërsia gjendet në duart e partisë. Çdo hap në drejtim tjetër dënohet me rreptësinë më të madhe. Partia ka nevojë për një farë kritike po gjithnjë në kuadrin e “tendenciozitetit klasor” apo “partishmërisë”; pra, një kritikë objektive, sado modeste që të jetë, s’mund të zhvillohet në kushte të tilla. Lypset të tregojsh përgjysmë dhe jo deri në fund të vargut…”
Më tej shkrimi në mbrojtje të Faslli Halitit thotë se “Do të flasim për poetin e ri Faslli Haliti. Për rrethanat e tij personale nuk dimë gjë. Por fati i tij shqetëson. Gjatë vitit 1973 zëri i tij është mbytur. Ai fliste kundër padrejtësive të shoqërisë shqiptare, ndoshta fliste tepër qartë. Do të botojmë këtu disa nga vjershat e Faslli Haliti për të treguar si u zhvillua ai si poet. Në fund të studimit do të ndjekin rrugën e trishtuar të kritikës letrare, që shkon hap pas hapi sipas porosive të partisë fuqiplotë.
Në revistën “Nëndori” nr.4, 1972, u botuan 9 vjersha të F. Halitit. Një temë kryesore në to është burokratizmi, marrëdhëniet e sëmura që ushqehen nga njerëzit “me autoritet” dhe ambienti i tyre.” Komentuesi jep si shembuj dy nga vjershat në fjalë, “Djali i sekretarit” dhe “Çifliku” të cilat i boton të plota.

DJALI I SEKRETARIT

Ju jeni burra.
Mos e fusni djalin e sekretarit
Klubeve, pastiçerive, kafeneve.
Mos ja hidhëroni buzët me kafe,
Mos i jepni cigare me filtër,
Mos ia zverdhni dhëmbët dhe gishtat,
Mos e mësoni me birrë,
Me verë,
Konjak,
E raki,
Mos i flisni për vajza, për nuse, fejesë
Ai ende është adoleshent, fare i ri,

Pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.
Ju jeni pleq.
Mos dilni me të përkrahu pazarit përnatë,
Djali i sekretarit nuk është vaksinë,
Nuk është tel përçues i tensionit të lartë.

ÇIFLIKU

Reforma agrare i zhduku çifligjet,
I ngushtuam oborret kooperativistët.
Por mbeti në ndërgjegjen individuale, në shpirt,
Çifligu i miqësisë,
Çifligu i shoqërisë.

Kullosin manarët e zinj të përkrahjeve,
Shëndoshen deshët rudak të favoreve,
Kali i zi i hatëreve bredh
Dhe ik e ndale po deshe dot,
Të turfullon në fytyrë,
Të shkel me këmbë,
Të merr përpara me gjoks.

Çifligu miqësi,
Çifligu shoqëri.
I përjetshëm të duket,
I pashpronësueshëm të duket ty?
Por ja ne shpikëm një tjetër reformë,
Reformën e kontrollit punëtor;
Shpronësimi filloi,
Shpronësimi vazhdon.

A don të thotë poeti se “gutta cavat lapiden” apo “me satire” se po shpiken reforma, por “çifliku”, padrejtësi e sistemit, vazhdon? Me paqartësinë në vjershë mund të thuhen shumë gjëra! Të lexohet me shumë kujdes në poemën e fundit të poetit fjalët e vargjeve si edhe fjalët midis vargjeve!
Sipas mendimit tonë ai ka krijuar me mjeshtëri një efekt satirik shumë të rreptë, por sa shtrenjtë e pagoi? Nuk e dimë, siç thamë, pas një botimi të kësaj poeme në gazetën “Zëri i Rinisë” më 16 dhjetor 1972, poeti nuk duket më si autor në shtypin shqiptar. Pas një viti ka shkak për shqetësim.
Çdo vëzhgues me një njohuri sado të pakët në çështjet e brendshme shqiptare mund të kuptojë çfarë shqetësim ka shkaktuar një poemë e tillë. Ajo trajton një problem të pranueshëm (burokratizmin) por me aluzione të palejueshme (rolin e partisë). Do të japim disa pjesë nga kritikat letrare të botuara rreth kësaj poeme, po koment, vetëm me disa nënvizime, sepse gjykimet mund të bëhen me lehtësi nga lexuesit vetë. Grupimi i kritikave është bërë nga ne.” Përfundon komenti.
Komenti i gazetës “Koha e jonë” mbyllet më këtë konkluzuon: “Po, nuk kemi dyshim: Moikom Zeqo e shpëtoi lëkurën. Nga ana tjetër ai e humbi shpirtin. Për Faslli Halitin – vetëm heshtje. Ra martir, apo?
Të kërkojmë përgjigje! Në qoftë se nuk jepet llogari do t’i themi botës:
Për një vepër letrare si kjo dënohet me heshtje apo më keq një autor i talentuar në një vën t’Europës në shekullin XX! Dielli i Partisë ndriçon – dhe rrëkerat e tiranisë vazhdojnë.”