Francis COMBES-i lindi në një familje mësuesish, në krahinën e Cévennes-ës ku kaloi edhe fëmijërinë. Më vonë, familja e tij u vendos në Obervilié (Aubervilliers), në rrethinat e Parisit ku jeton edhe sot. Është diplomuar në shkencat politike dhe ka studiuar gjuhët orientale (rusisht, kinezisht, hungarisht). Qysh në moshë të re është angazhuar në jetën politike. Është martuar me gazetaren Patricia Latour.
Nga viti 1981 deri në vitin 1992 ka qenë anëtar i redaksisë së revistës Europe, pastaj drejtor letrar i botimeve “Messidor”. Më 1993, me një grup shkrimtarësh ka themeluar shtëpinë botuese “Le Temps des Cerises”. Ai është një nga themeluesit dhe president i Shoqatës “Libri Tjetër” që bashkon botues të pavarur.
Ka botuar pesëmbëdhjetë përmbledhje poetike, disa antologji dhe vepra në prozë. Poema të tij janë përkthyer në disa gjuhë : arabisht, anglisht, gjermanisht, italisht, çekisht, portugalisht… Për pesëmbëdhjetë vjet, së bashku me poetin Gérard Cartier, ka ndërmarrë nismën për afishimin e poezive në metronë e Parisit. Ka bashkëpunuar me disa muzikantë (sidomos me kompozitorin kilian Sergio Ortega), dhe ka shkruar tekste këngësh e librete për opera, si dhe pjesë muzikore, të cilat janë vënë në skenë.
Combes-i ka përkthyer V. Majakovski-in, H. Heine-n, A. Jozsef-in… Nga poetët amerikanë ka përkthyer Eliot Katz-in e Jack Hirschman-in. Gjithashtu ka përshtatur disa poetë çekë, spanjollë, persianë… Ai merret edhe me gazetari, kritikë, eseistikë. Nga përmbledhjet e tij poetike po veçojmë: Dashuria, margarita dhe ordinatori, 1983 ; Zonjusha e Kullës Eiffel,1989 ; Balada e zemrës së panënshtruar, 1996 ; Fabrika e lumturisë, 2000; Çështje e përbashkët, 2003; Balada e Oberviliesë, 2007 ; Vera e dallëndysheve, 2011…
LUMI I HERAKLITIT
« Ne lahemi
Dhe nuk lahemi dy herë në të njëjtin lumë »
Pohonte Herakliti i Efezit, i quajtur i errëti
Që e kuptoi qartë ligjin e zhvillimit.
« Ajo që është e kundërt është e dobishme
Dhe harmonia lind
Pikërisht nga përplasja e të kundërtave.
Gjithçka bëhet përmes luftës së të kundërtave. »
Po me lumin tonë çfarë ndodhi?
Nganjëherë ai zvarritet i plogët, në pikë të hallit
Dhe ngec në rërë
Nganjëherë rrjedh me rrëmbim e del nga shtrati,
Nganjëherë e ndërron rrjedhën
Dhe ia ndryshon fytyrën rrafshinës.
Nëse e njeh burimin, asnjëherë nuk e di
Cila do të jetë grykaja e tij dhe ku do të derdhet
Dhe duke u përtërirë pareshtur
Gjithmonë mbetet i njëjti.
VDEKJA E SOKRATIT
Një natë para se të vdiste
(Në kohën që tërë Athina
Priste në mol
Kthimin e anijes së shenjtë
Të ngarkuar me dhurata për tempullin e Apolonit)
Sokrati
-I dënuar ngaqë akuzohej se me mësimet e tij
Kishte korruptuar
Rininë e qytetit-
U la e u pastrua
(Për t’i shpëtuar gratë
Nga kjo angari)
Patasj kërkoi një ut që të mësonte t’i binte
Njerëzia u çudit : përse shprehu një dëshirë të tillë
Dhe në një çast të tillë
Një njeri
Që kurrë nuk e kishte prekur me dorë këtë vegël ?
Sokrati u përgjigj :
-Thjesht nga kënaqësia për të mësuar
T’i bie utit.
USHTRIA E XIANIT
Në Xian jetonte një perandor
Që duke ëndërruar një lavdi të përjetshme,
-Për ta bërë të pavdekshme ushtrinë e tij-
Urdhëroi t’i modelonin
Dymbëdhjetë mijë këmbësorë prej argjili.
Por e brishtë është lavdia e armëve
Dhe duke soditur trupat e tij
Sot, ne admirojmë punën e poçarëve.
MARKSI, NJË PORTRET I KARIKATURIZUAR
Meqenëse Historia na ka mësuar
Sesa të rrezikshme janë portretet lirike e lajkatuese
Për Marksin le të rrekemi të bëjmë një portret të karikaturizuar.
(Ndoshta kështu poema jonë do të gjejë blerës).
Për kundërshtarët e tij, madje edhe në gjirin e Internacionales
Marksi ishte një çifut i padurueshëm, një tip arrogant
dhe grindavec,
Një teoricien autoritar dhe i prerë,
Që gjithmonë donte të thoshte fjalën e fundit
(Dhe që -rrethanë rënduese-këtë e kishte bërë shpesh).
Për më tepër
-Dhe a mund t’i falet kjo gjë atij që mëtonte të çlironte Punën ?-
Ai vetë ishte xhelat i punës,
Diçka si babai i totalitarizmit…
Duhet të themi – për ta sharë më shumë-
Që madje as për njerëzit e tij të afërm
Nuk ishte e lehtë të rroje pranë tij përditë.
Si kryefamiljar ai qe mjaft i paaftë
-Për shkak të angazhimeve të tij revolucionare
Dhe të pasionit të tij për shkencën-
T’i siguronte familjes së vet të ardhura të rregullta
Baba hijerëndë, ai donte medoemos
Që vajzat e tij të martoheshin në familje të kamura
(Por ato vendosën ndryshe).
Bashkëshort i zënë prore me punët e veta,
Nganjëherë nuk përtonte t’i hipte shërbëtores së tij, Helenës,
E cila u varros në varrezën e familjes.
Mik besnik, por shumë kërkues dhe ndonjëherë mosmirënjohës,
Ai arriti deri atje sa për disa muaj ta zemëronte
Atë mishërim modern të Poluksit siç qe Engelsi.
Me sa duket Marksi qe të gjitha këto…
Megjithatë misteri mbetet:
Si është e mundur që një njeri i tillë
Në gjallje të tij
(Madje dhe pas vdekjes)
Të ishte i rrethuar me aq admirim, dashuri, miqësi
Dhe besnikëri të patundur?
HOMAZH PËR JEAN JAURES-IN
Në parkun Fusha e Marsit
Në Monpellier
Gugurojnë pëllumbat
Në bar, në hijen e një carace
Janë shtrirë dy të dashur
Dhe flenë në paqe.
*
Pranë pavijonit të Fabrit
Ngrihet monumenti i Jean Jaurès-it.
Në piedestal është gdhendur kjo frazë :
“Pikërisht duke rrjedhur drejt detit
Lumi
I mbetet besnik burimit.”
*
Ky mendim është i bukur
Por shpeshherë
Para se të mbërrijë në breg
Lumi humbet
Në rërën e gjirit të detit…
DHURATA
Meqenëse punëtorët e tekstileve në Klintz
I çuan një top stofi me rastin e ditëlindjes së tij,
Lenini u nisi këtë telegram :
« Shokë të dashur,
Ju falënderoj me gjithë zemër
Për përshëndetjet e për dhuratën tuaj.
Por dua t’ju them një sekret:
Nuk duhet të më bëni dhurata.
Dhe ju lutem që këtë sekret
Ta përhapni te sa më shumë punëtorë
Që të jetë e mundur. »
VARRI PËR NJË MAUZOLÉ
Në gjallje, ai kishte organizuar sulmin kundër pallateve,
Por këtë nuk e bëri për të jetuar vetë në pallat
Pas vdekjes, në kundërshtim me dëshirën e tij të fundit,
(Dhe me mendimin e shprehur nga shoqja e tij e jetës),
Shokët e tij i ndërtuan një Mauzolé
Me qëllim që proletarët e mbarë botës
Si një gjarpër i gjatë besnikësh të rreshtuar vargan
Të mund të vinin në pelegrinazh për ta parë.
Kështu për atë, armikun e betuar të perandorive të reja,
U ringjallën zakonet e kohës së Faraonëve.
Dhe për të mbajtur gjallë simbolin
U balsamos Revolucioni.
Kështu ai që nuk besonte në asnjë zot,
U bë objekt i një kulti të ri,
I shtrirë në kriptën e tij të errët
Me kostum qyteti,
Trupvogël, kuqo, fytyrëhequr,
Çuditërisht i qetë,
Sikur është gati për t’u zgjuar,
Mungestar e megjithatë aq i afërt,
Me një fytyrë dyllë të verdhë që i ka shpëtuar vdekjes,
Duke na nisur me zemër të pikëlluar në udhët e vdekjes sonë,
-Megjithatë mallëngjyes si një dëshmitar,
Një vëlla tashmë i huaj, si Orfeu i kthyer nga Ferri…
Kjo ndodhi sepse komunizmi
I sajuar nga disa dijetarë
(Që mbi gjithçka vinin dyshimin)
Qe edhe besim e fe.
I dalë nga katakombet për të ndryshuar botën,
Feja e komunizmit bëri mrekullira,
Shpartalloi Cezarët dhe ndërtoi mbretëri të reja në Tokë.
Kjo fe pati shenjtët e saj, martirët e saj,
Inkuizitorët e saj, papët e saj të korruptuar,
Xhelatët e saj, viktimat e saj,
Zbulesat dhe misteret e saj
Që do të rrojnë më gjatë sesa lavdia, dekadenca
dhe kokëprerja e saj.
RAPORT PËR VIDHËN E VOGËL
Atësia e kësaj shprehjeje do t’i takonte Stalinit
Që fill pas Luftës, gjatë një pritjeje zyrtare
Mori gotën në dorë dhe ngriti një dolli
“për njerëzit e thjeshtë, të zakonshëm, modestë,
për vidhat e vogla që sigurojnë funksionimin
e makinës sonë të pamasë shtetërore
që janë të panumërt…”
Dhe tërë shtypi e riprodhoi këtë dolli….
Në vitet e ndërtimit të madh,
Nga kantieret e Uralit deri te portete e Jang-cesë,
Nga Stahanovi deri te Lei Feni
Me miliona burra dhe gra patën krenarinë
Dhe madhështinë të ishin veç « vidha të vogla »
Të ndërtimit të socializmit shtetëror.
(Epokë heroike, epokë tragjike, kur për të mbajtur fort,
Njerëz të çeliktë i shtrëngonin bulonat.
-Konceptim mekanik që është i tejkaluar sot,
Në epokën e mikroprocesorëve dhe të biokimisë…
Megjithatë me miliona burra dhe gra…
RAPORT PËR VDEKJEN E LEV DAVIDOVIÇIT
Atij iu desh të bënte pjesë në rrethin e miqve të ngushtë.
Pra, u vendos që të bëhej dashnor i Silvias,
Po të ishte e domosdoshme, i fejuari i saj,
Një mysafir i përhershëm në shtëpinë e të ekziluarit.
Përditë, ky i fundit merrte letra nga mbarë bota,
Mblidhte shkrime të prera nga gazetat, diktonte letrat që niste.
Për Komisionin Dewey, ai përgatiti të gjitha dosjet e tij
Për procesin ndërkombëtar që duhej ta nxirrte të larë
Nga të gjitha akuzat.
Si jurist, mori pjesë me ngulm në luftën politike
Ku nuk i mbetej gjë tjetër, veç të mbronte nderin e tij.
(Shokët e tij ishin shpërndarë kudo nëpër botë,
Dergjeshin në burgje ose e kishin braktisur luftën.)
Ka mundësi që në ndonjë çast Mercader-i
Të ketë pasur nderim-madje diçka më tepër për të dëbuarin.
Në atë vend, qeveria e Cardenas-it u dha tokën fshatarëve
Por me meksikanët nuk pati shumë lidhje-
Interesohej gjithnjë për artin (takime miqësore
me piktorët Diego Rivera e Frida Kalho)-
Në Manifestin “Syrealizmi në shërbim të Revolucionit”
-I hartuar jatë vizitës së Bretonit-
Pikërisht ai imponoi frazën që shpallte lirinë e plotë në art.
Jashtë në kopsht agavet mbuloheshin me pluhur.
Tashmë dy djemtë dhe vajza e tij kishin vdekur ,
Tërë familja do të shfarosej.
Tragjedia e Atridëve…
A bie përherë gjaku mbi kokën e vrasësve?
Në diellin e Meksikës, atë e mbërtheu acari i Siberisë.
Kur M. nxori që poshtë setrës kazmën e tij të vogël
Dhe e nguli në kafkën e T.
Objektivi ishte të goditej në kokë opozita.
Urdhri u zbatua pikë për pikë.
Më vonë, autori i raportit u bë hero i Bashkilmit Sovjetik,
Pastaj u varros në Kremlin.
Ata besuan se do ta shpëtonin revolucionin; por e çuan në disfatë.
Duke shkatërruar trurin e një njeriu,
Ata plagosën rëndë shpirtin e revolucionit
Si dhe zemrën e tij.
SAHATET E PALLATIT PERANDORAK
Perandori i fundit i Perandorisë së Mesit
Në Qytetin e ndaluar ruante me xhelozi
Një koleksion të çmuar sahatesh të skalitura,
Të ardhura nga Cipango-ja, nga Bohemia, nga Venecia.
A mos vallë ëndërronte të bëhej zot i kohës ?
Apo ndoshta e dinte se tashmë ai i kishte ditët të numëruara ?
RROBAT E VJETRA TË MAOS
Kur hyri fitimtar në Pekin,
Mao-ja kishte veç një palë pizhama të vjetra
(Dhe një peshqir).
Thonë se më vonë ai mbajti gjithnjë kostume të arnuara.
Një herë që iu desh të ndahej
Nga një uniformë që e kishte përdorur
derisa ishte bërë copë e çikë,
Ai e vuri mbi gjunjë dhe e përkëdheli
Si të qe një qen besnik që po ngordhte.
Me të kam qenë në Konferencën e Luo Shanit » tha ai
Dhe numëroi shërbimet që i kishte bërë
Qysh nga koha e luftës antijaponeze.
Pastaj ai vendosi:Të mos e hedhim…
Mund të shërbejë ende për të bërë me të arna. »
(Kështu duhet të veprojmë me klasikët.)
LIDHUR ME REALIZMIN
Piktori i ri shkoi te mjeshtri plak
I njohur në mbarë Kinën për artin e tij të madh.
Ai e gjeti në studio
Tek rrinte në gjunjë para një rrotulle me letër orizi
Duke u rrekur t’i jepte jetë me penelin e tij
Një çifti kryeartëzash të kaltra
Të ulur në një bambu…
Prej vitesh, ai ushtrohej kështu
Të vizatonte
Pothuaj pa u menduar fare
Siluetën e zogjve
Dhe atë të bambusë.
-Mjeshtër, e pyeti ai,
Cila gjë në botë
Mund të pikturohet më lehtë?
-Dragonjtë, u përgjigj mjeshtri pa ngurruar.
-Dragonjtë? pyeti piktori i ri që nuk i zuri besë…
-Sigurisht…Askush nuk i ka parë ndonjëherë.
PËR VOLUNTARIZMIN
Kjo është një fabul kineze
Por Kina-siç dihet-
Është një vend shumë i madh…)
Në krahinën e Siçuanit
Rronte një fshatar
Që çdo mëngjes
Ngrihej para të tjerëve
Për të shkuar në arën e tij
Dhe, me qëllim që filizat e orizit
Të rriteshin më shpejt,
Ai i tërhiqte nga maja.
Më kot.
PËR RRËZIMIN E IDHUJVE
Ata që
-Në këtë shekull-
I hodhën poshtë idhujt,
Edhe ata vetë
U shndërruan në idhuj ,
Edhe ata vetë
U hodhën poshtë.
(Këtë e pamë me sytë tanë.)
UVERTURË
Kur dikush i hapi dyert
Dhe dritaret
Shtëpia u shemb.
Kë të akuzosh?
Arkitektin?
Materialet?
Punëtorët që e ndërtuan?
Apo atë që hapi dritaret?
DREJT MAJAVE
Sa më shumë që ngjitesh, aq më shumë shtohet fushëpamja
Pas pak njerëzit atje poshtë janë vetëm pika
*
Ajo që atje poshtë na dukej e lehtë
E parë që këtu, na duket e pakapërcyeshme
*
Me mendje të tendosur drejt qëllimit, vazhdojmë të ngjitemi
(Por fjalët që thonë atje poshtë nuk mbërrijnë më te ne)
*
Në njëfarë lartësie, ajri bëhet i rallë
Atëherë ajo që të kërcënon është dehja nga majat.
Zgjodhi e përktheu: Anton PAPLEKA