Ka dhënë koncerte recitale me piano në Michigan, Hawaii, Alaska, Boston dhe Chicago, por koncerti që dha në Qendrën Kulturore të Kishës Orthodokse në Tiranë, për artistin shqiptaro-amerikan Justin Gjata ka qenë nga më mbresëlënësit. Këtu ai do t’i habiste artdashësit e shumtë, sepse interpretoi me gjuhën e shpirtit pjesë nga të mëdhënjte e muzikës botërore: Bach, Beethoven, Schumann, Chopin dhe Liszt. Kësisoj, 21-vjeçari Justin Gjata, pas shumë çmimeve e koncerteve të performuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe ka lindur, vendos të kthehet në Shqipëri me një koncert recital për t’i përcjellë publikut shqiptar emocione me një repertor të zgjedhur.
Moderatori i mirënjohur Defrim Methasani- Mjeshtër i Madh, i cili ka moderuar mjeshtërisht qindra evente kulturore, festivale, koncerte, promovime e takime të personaliteteve shqiptare, jo vetëm në Tiranë, por kudo në viset shqiptare, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e në diasporë, do ta kalonte me sukses edhe këtë sprovë të moderimit të këtij koncerti të ideuar e programuar krejt ndryshe. Kjo edhe për faktin se do t’i duhej vëmendje maksimale, jo vetëm në prezantimin e repertorit, por edhe të cilësive të talentit të rrallë Justin Gjata. Gjithkush do të mahnitej duke ndjekur interpetimin e tij të gjashtë pjesëve të Bach; tempos sonata nga Beethoven në tre kohë; 12 pjesë të shkurtra nga Robert Schumann, nga Frederic Chopin dhe për ta mbyllur koncertin me pjesë nga Franz Liszt. Në këtë koncert, ndonëse i ri në moshë, ai u prezantua si pianist me një vizion të artë ndaj muzikës të shumë autorëve të huaj të pianos.
Një performancë shumë e veçantë e një artisti me dhunti e talent të rrallë, për një publik po krejt të veçantë, ku nderonin me pjesmarrjen e tyre edhe Prof.Robert Radoja me bashkëshorten, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Paqes Universale, Shqipëri, Z. Gani Rroshi, pinaisti i mirënjohur shqiptar Lamberto Jorganxhi, poetet Barie Çupi e Emrie Krosi, si dhe dhjetra personalitete të artit e kulturës të kryeqytetit shqiptar. Një koncert, ku siç do të shprehej Emi Krosi, poete dhe një ndër kritiket më profesionale të letërsisë dhe artit, u interpretua muzikë që të ngjall emocion, dashuri, shpresë, ngrohtësi…
JUSTIN GJATA, STUDENT NË KONSERVATORIN “ROSEVELT” NË CHICAGO
Ka lindur në 5 Gusht 2002 në Chicago, Illinois, SHBA.
Ai filloi të marrë mësime për piano në moshën 5 vjeç dhe në violinë në moshën 9 vjeç.
Justin Gjata ka marrë pjesë në orkestrat e shkollave, duke luajtur piano dhe violinë.
Mesuesi i tij i pianos është i mirënjohuri Victor Moreno.
Justin mbaroi shkollën e mesme në qershor 2020. Atë vit ai fitoi konkursin e shkollës për piano solo me “Coronation” të Mozart.
Në Qershor të 2022 Justin mbaroi Kolegjin DuPage për degën e pianos nën drejtimim e Dr. Steven L. Havens.
Në Gusht të vitit 2022 Justin filloi studimet në Konservatorin Roosevelt në Chicago për piano performancë nën drejtimin e Dr Winston Choi. Ai do gradohet nga Konservatori në Maj te 2024.
Kështu, Justin Gjata ka nisur të studiojë piano kur ishte 5 vjeç dhe që atëherë nuk u nda më prej saj.
RIPËRTËRITJA E TRADITËS
Janë të njohura tashmë rastet kur fëmijët trashëgojnë një nga talentet e prindërve. E nga ky rast nuk bën përjashtim edhe pianisti i talentuar Justin Gjata. Babai i tij, Sokol Gjata, që në fëmijëri dallohej si fizarmoniçist ndër më të mirët e moshës në koncertet e pionierëve. Dhe krahas studimeve me rezultate të shkëlqyera në të gjitha nivelet e shkollimit, ai nuk do t’i ndahej fizarmonikës. Bashkohësit e mbajnë mend atë për rolin e spikatur në formacionet orkestrale të dekadave të majit e në koncerte e festivale të tjera.
Ndonëse emigroi me bashkshorten e tij shembllore, Merita, për t’u rikthyer në atdhe pas 30 vitesh, ai asnjëherë nuk u nda nga pasioni për muzikën. Dhe këtë pasion ia ushqeu edhe djalit të tij, Justin, tashmë një talent i rrallë në piano.
Ndaj dhe do të mallëngjehej profesor Radoja tek e takonte ish studentin e tij pas tri dekadash, edhe për faktin se ai dhe bashkshortja Merita kanë investuar në talentin e të birit Justin. Ish arkitekti i mirënjohur Sokol Gjata, pjesëmarrës në projektimin dhe zbatimin e punimeve të Pallatit të Kongreseve e të Piramidës (ish muzeu i diktatorit Hoxha) në Tiranë, rikthehet këtë radhë në atdhe i mirëpritur nga dhjetra miq e shokë të tij, por dhe i impresiouar nga ndryshimet epokale të Tiranës, krahasuar me atë të para 30 viteve, kur ai emigoi në SHBA. Inxhinieri i Ndërtimit i diplomuar në Tiranë në vitin 1985, pinjoll i familjes së njohur korçare Gjata, ka gjetur vetveten edhe në SHBA duke ushtruar profesionin e tij. Po kështu edhe bashkshortja Merita, bijë e familjes së njohur Kotemelo, e diplomuar për biznes-ekonomi, që mban suksesshëm kontabilitetin e disa kompanive të njohura amerkane. Ata kanë të drejtë të krenohen me arritjen e dy djemve të tyre: Justin, një pianist ndër më të talentuarit dhe Xhoi, pedagog i gazetarisë në një shkollë të njohur, të cilët ndonëse kanë lindur dhe po shkollohen e diplomohen në SHBA trashëgojnë dhe flasin qartë shqipen e prindërve të tyre.
“PO KU KA SI TI O SHQIPËRIA IME…”
Koncertin recital të pianistit Justin Gjata e bënë më të larmishëm me interpretimet e tyre: Prof. Robert Radoja me një pjesë në violinë, si dhe Gaqo Apostoli me interpretimin e dy këngëve, i shoqëruar në piano nga Lamberto Jorganxhi. Dhe kur Apostoli inperpretoi me ndjenjë e performacë të shkëlqyer këngën e të madhes Vaçe Zela “Rrjedh në këngë e ligjërime”, pjesmarrësit që ndiqnin këtë koncert shpërthyen në duartrokotje të fuqishme. Refreni i saj: “Po ku ka si ti, o Shqipëria ime/O fisnikja përmbi gur/ Rrjedh në këngë e ligjërime/ Ballëlarta me flamur…” në çdo rast ngre peshë zemrat e çdo shqiptari… Dhe kështu ndodh edhe me bashkshortët Merita e Sokol Gjata dhe dy djemtë e tyre Justin e Xhoi. Ata rikthehen në atdhe pas 30 vitesh dhe ndjejnë emocione të fuqishme tek përjetojnë këtë ndryshim epokal të qytetit ku lindën, u shkolluan, u rritën e u diplomuan. Më mirë se kushdo tjetër ata e shprehin sot ndjenjën e atdhedashurisë, dashurinë për atdheun, për vendin e lindjes. “Topi që shemb kështjellat më të fuqishme është atdhedashuria”, ka thënë Sami Frashëri. Dhe pikërisht kjo ndjenjë e zjarrtë për atdheun e tyre ka bashkëjetuar tek bashkshortët Merita e Sokol Gjata gjatë 30 viteve emigrim në SHBA. Dhe jo vetëm tek ata, por edhe tek dy djemtë e tyre, që ndonëse kanë lindur në SHBA e quajnë Shqipërinë atdheun e tyre.
“Unë dhe babai kishim shumë qejf të bënim një koncert. Jam shumë krenar që jam këtu në atdhe. Koncerti është vërtet ëndërr për mua,” thotë pianisti Justin Gjata. Ai rrëfen për mediat shqiptare se punon në piano 4–5 orë në ditë. Por sipas tij, kryesore është të jesh në shpirt muzikant sepse edhe publiku e meriton shprehjen e muzikës nga shpirti. Pas koncertit të parë në Shqipëri, Justin premton se do të rikthehet përsëri në atdhe me një koncert edhe më të madh. Qoftë edhe nga ky premtim i tij dallohen qartë dimensioni dhe përmasat madhore të këngës legjendë: “Po ku ka si ti o Shqipëria ime!.
BABË E BIR “AMBASADORË TË PAQES”
Këto ditë të rikthimit në atdhe pas tri dekadash, Sokol Gjata dhe i biri i tij pianist, Justin përjetuan edhe një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e tyre. Në 18- vjetorin e krijimit të Federatës së Paqes Universale, një ditë historike kjo për mijëra ambasadorët për Paqe anembanë botës, edhe ata morën këtë titull, si edhe 10 personalitete të tjera të shquara shqiptare. Ndërsa Sokoli u nderua me këtë titull në ceremoninë festive të 18 vjetorit të krijimit të kësaj Federate, ndër më të njohurat për promovimin e paqes në botë, i biri Justin u dekorua “Ambasador i paqes” në përfundim të koncertit të tij të parë recital në Shqipëri. E kush më mirë se një arkitekt si Sokoli dhe një muzikant i shumëtalentuar si Justin Gjata, (tashmë anëtar i grupmoshave të rinj të kësaj Federate), mund ta kryejë misionin e ambasadorit të paqes? Ndaj dhe të dy ata shprehën krenari legjitime që iu bashkuan familjes së madhe të ambasadorëve të paqes. Kjo edhe për faktin se përmes mesazheve, dëshmive dhe videove ilustruese, si nga prezantimi në mënyrë perfekte që bëri Z.Gani Rroshi, ata patën mundësinë të njihen me arritjen e Federatës së Paqes Univesrale në këtë rrugëtim 18 vjeçar.