Kam vënë re se studiuesit që kanë shkruar për Migjenin dhe e kanë vlerësuar atë si poet modern, nuk e kanë argumentuar sa duhet se për ç’arsye ky autor është i tillë. Në shkrimin tim, do të përpiqem të vë në dukje ato atribute të veçanta të krijimtarisë së Migjenit, të cilat na shtyjnë që ta quajmë atë poet modern. Mirëpo para se t’i qasemi përmbledhjes Vargjet e lira, mendoj se është e domosdoshme të sqarojmë se çfarë është poezia moderne. Për këtë qëllim, do t’i referohemi studiuesit të poezisë moderne franceze Serge Baudiffier, i cili për këtë çështje shkruan: “Të flasësh për poezi moderne nuk do të thotë të nisesh nga një pikëpamje historike, domethënë relative, për të shenjuar në evolucionin e gjinisë veprat dhe autorët që thjesht i përkasin kohës së fundit. Në këtë kuptim, modernia nuk i kundërvihet të moçmes, por klasikes apo tradicionales. Pra, moderniteti përkufizohet si një shkëputje e qartë dhe e vullnetshme nga e kaluara, dhe Baudelaire-i është i pari që e ka kuptuar dhe e ka shprehur kuptimin e kësaj shkëputjeje.” (Les grands fondateurs de la poesie moderne, Paris, 1992, f.9)
Shkëputja e Migjenit nga poezia tradicionale nuk është vetëm e qartë, e dukshme, por ajo është e vullnetshme, domethënë se një gjë e tillë ka qenë synimi i këtij poeti. Përveç vendit relativisht të gjerë që zënë poezitë për rininë, siç është cikli Kangët e rinisë në përmbledhjen Vargjet e lira, synimi i Migjenit për t’u shkëputur nga e kaluara, nga tradita e ngurtësuar shprehet edhe në nivelin referencial, siç ndodh në poemën – manifest Na të birtë e shekullit të ri: “Na të birtë e shekullit të ri, / që plakun e lamë në “shejtnin” e tij…” (Migjeni, Vepra, Tiranë, 1988, f.9). Duke folur për thyerjen që bëri Migjeni në traditën e poezisë shqipe, kritiku Arshi Pipa thotë se “ai braktisi temat dhe motivet e vjetruara, duke i zëvendësuar ato me tema aktuale, të shprehura me një stil të ri…” (Koçi Petriti, Komunikimi sfidues, f. 21)
Megjithëse Migjeni shpall, kërkon dhe vë në jetë shkëputjen nga tradicionalja, kjo nuk do të thotë aspak se ai nuk e njeh dhe nuk e vlerëson traditën, se, në mënyrën e tij, nuk i ka përthithur vlerat e saj më të mira. Gjatë një leximi të vëmendshëm, më se një herë mund të hasësh në Vargjet e lira referenca nga poezia e traditës. Ideja që shprehet në vargjet: “Kanga e tij shpres’e bukur, me flatra të një tjetër jete; në të cilën dielli do të ndrrojë udhën: Ka për t’u lindë nga Perëndimi.” (1988, f.62), nuk është e tepruar të thuash se ka paralelizëm me vargjet e Naim Frashërit: “Jakë, ditë e uruar, që lind nga perëndon; / atë anë e ke ndrituar / e ne pse na harron?” (Naim Frashëri, Vepra, Tiranë, 1977, f.9). Edhe vargu shumë i njohur: “Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla!” (1988, f.87) të sjell ndërmend thirrjen naimiane: “Punë, punë natë e ditë, / që të shohim pakëz dritë.” Nga pikëpamja konceptuale, mendoj se ka ngjashmëri midis Mjedës që e identifikon veten (ose Shqipërinë) me bilbilin e mbyllur në kafaz: “Por ty, n’kafaz t’ shtrëngueshëm,/ Ty t’paska ndrye mizori…” (Mjeda, vepra, Tiranë, 1964, f. 34) dhe Migjenit që e identifikon veten me një luan të mbyllur në kafaz: “… edhe e ndiej veten luan të ndryem në kafaz.” (1988, f.38)
Mbështetja tek ajo pjesë e traditës, të cilën një studiues e ka quajtur risi e traditës, është një dukuri e përbotshme dhe e përhershme, siç thekson një njohës i Baudelaire-it: “Pra, pa e bërë tabula rasa të kaluarën, pa hequr dorë nga vlerat e përhershme të idealit artistik, Baudelaire-i e fton çdo krijues të tregohet i ndjeshëm ndaj kohës së tij, të reflektojë për ato gjëra që ngjallin kureshtje dhe për pasionet e bashkëkohësve të tij, të kuptojë lëvizjen e historisë në epokën që rron dhe i sjell pjesën e tij të imazheve e të ndijimeve origjinale.” (1992, f.11) Dihet se disa nga novatorët më të guximshëm, siç qenë syrealistët, i quanin pararendës të tyre shkrimtarët e mëdhenj të së kaluarës si Dante, Shakespeare, Swift, Sade, Chateaubriand dhe Hugo… (Poesie suréaliste, 1992, f.11)
I konsideruar si një përbërës themelor dhe si kriter i modernitetit, origjinaliteti është një nga atributet kryesore të përmbledhjes Vargjet e lira. Ky origjinalitet lidhet me substancën dhe me formën e poemave, por në radhë të parë me motivet që trajtojnë dhe me mjediset që paraqesin. Në poezinë e Migjenit janë fare të kufizuara tablotë e natyrës, sidomos skenat nga jeta e fshatit. Kështu ndodh edhe në poezinë e Baudelaire-it ku “arave, korijeve, rrëkeve e liqeneve, pyjeve dhe maleve të poezisë tradicionale ua zënë vendin çatitë dhe tymtarët, rrugë dhe oborre, uzina, ura dhe shtëpi të mbledhura grumbull të metropolit industrial, për një mizanskenë të re të fatit të njeriut.” (Les grands fondateurs… f.15)
Në përmbledhjen Vargjet e lira ka 43 poema, nga të cilat vetëm njëra prej tyre, Recital’i malsorit” i referohet drejtpërdrejt fshatit, malësisë. Për tri poema të tjera si Vjeshta në parakalim, Ekstaza pranverore dhe Sonet pranveruer nuk mund të thuhet në mënyrë të prerë se ato lidhen medoemos me fshatin. Statistika e mësipërme tregon sesa e thellë është shkëputja e Migjenit nga tradita poetike e mëparshme, kryeveprat e të cilës lidheshin me fshatin ose në to mbizotëronin mjediset fshatarake. Të tilla janë: Këngët e Milosaos e Jeronim De Radës, Bagëti e Bujqësia e Naim Frashërit, Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, Andrra e jetës e Ndre Mjedës. Madje edhe te Lasgush Poradeci, i quajtur poeti i liqenit, vendin kryesor e zënë tablotë e natyrës, motivet e fshatit.
Migjeni është poet modern sepse është poeti i parë shqiptar që e bëri qytetin dekorin e poezisë së tij. Duke pasur parasysh poezinë e Baudelaire-it, Baudiffier-i shkruan: “Pra, qyteti do të jetë dekori par exellence i modernitetit dhe moda e veshjes do të jetë lëkura e re, me të cilën mbështillet njeriu për të simbolizuar autonominë e tij estetike.” (Les grands fondateurs… f.11). Megjithëse në krijimtarinë poetike të Migjenit, as që mund të pritet të shfaqet ndonjë dandy shqiptar, aty nuk mungojnë të rinj të veshur alla franga, sipas modës së re: “Pranë tryezës mermer-falso, me gotë të plotë a boshe, / me kujdes të madh ndejun / (si e lyp dans – edukata), / të ngrehun, të ngrimë, të stolisun e ftyrash të qindisun / me pudër, karmin… jo? – por me përshtypje të mirë / që na sjell zojusha e bukur dhe me hir…”Migjeni, Vepra… f.79)
Me shndërrimin e qytetit në një dekor të privilegjuar të poezisë moderne ka lidhje edhe një prirje tjetër e saj, siç është estetizimi i të shëmtuarës, i të keqes. Ashtu si te Lulet e së keqes apo te Poema të vogla në prozë të Baudelaire-it, kjo dukuri haset dendur në poemat e Vargjeve të lira ku parakalojnë lypës, pijanecë, prostituta, të sëmurë, të gjymtuar, jetimë, të burgosur prapa hekurave të kryqëzuar, njerëz të mbështjellë nga mashtrimi, njerëz që i bren dyshimi… Për herë të parë, në poezinë shqipe të shkruar paraqiten skena të zvetënimit moral, skena ku harbohet instinkti, ku njeriu është viktimë e epshit: “Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica, / mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta të lagta / lakuriqen mishnat si zhangë, të verdhë e pisa; / kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore, / kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta / edhe shuhet uja, dhe fashitet etja / m’epshin kapërthyes ku mbytet vetvetja.” (Migjeni, Vepra… f.22).
Paraqitja e këtyre tablove nuk bëhet si një qëllim në vetvete, por për të ngritur siparin para dramës së jetës njerëzore që luhet në skenën e kohës moderne, për të ngjallur keqardhje, dhimbje, ndoshta edhe solidaritet për ata që janë “fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes”. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Baudelaire-i me poezinë e tij ku “turpet e mishit aty janë veçse ana e kundërt e një dëshire të dëshpëruar për lumturi” (Les grands fondateurs… f.15-16)
Prirja për të nxjerrë në plan të parë të shëmtuarën, të keqen bëhet shkas për të pasur një prani sa më të madhe të objekteve të zymta, të sëmundjes e të vdekjes në poezinë e Migjenit: “Nëpër hekra të kryqzuem të dritares seme / shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë / dhe zemra eme ndien po aq të breme / në mes të katër mureve si në një gropë.” (1988, f.38). Edhe një poemë si Vjeshta në parakalim më tepër sesa një lirikë peizazhi është një tablo e shoqërisë njerëzore, e qenieve që lëngojnë nga të këqijat e jetës moderne: “Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyrat tona./ Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së varfun; / rënkoni në zije, qani mbi kufoma, / që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.” (1988, f. 46) Moderniteti i veprës së Migjenit duket edhe te përpjekja e tij për të ngjizur në poezi filozofinë moderne. Ashtu si Baudelaire-i që kishte pranuar konceptet e filozofisë së Joseph Maistre-it, Migjeni shpreh simpati për filozofin gjerman Nietzche, siç e dëshmon poema Trajtat e mbinjeriut, e cila mban nëntitullin domethënës dityramb Nietzche-an, (1988, f. 40)
Në homazhin që i bën Baudelaire-it, Paul Vabery-a thotë: “Lulet e së keqes nuk përmbajnë as poema historike, as legjenda, aty nuk ka asgjë që mbështetet një një rrëfenjë.” (Les grands fondateurs… f. 17) E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Vargjet e lira ku nuk ndeshen temat tradicionale të poezisë së deriatëhershme, ku mungojnë motivet e huazuara nga poezia gojore, ku është mënjanuar elementi tregimtar (narrativ).
Moderniteti i poezisë së Migjenit është i dukshëm edhe në rrafshin stilistik. Figura më e privilegjuar e shprehjes poetike te Vargjet e lira është metafora. Dihet se ky trop është i pranishëm në poezinë e mëparshme, prandaj studiuesit e quajnë të udhës të saktësojnë ku qëndron ndryshimi midis përdorimit të metaforës nga poeti modern dhe përdorimit të saj nga poeti tradicional: “Te Baudelaire-i, metafora nuk është më e izoluar as e ngjitur si një zbukurim apo një ilustrim i thjeshtë, ajo përfshihet në një lëvizje ose i heq udhën kësaj lëvizjeje për rikrijimin e realitetit sipas ndjeshmërisë sonë, me një rrëshqitje, me një lidhje zinxhir të imazheve në një fluiditet muzikor, mund të themi në një muzikë imazhesh.”
Studiues të tjerë të poezisë sonë kanë theksuar se origjinaliteti i Vargjeve të lira qëndron sidomos te përdorimi i metaforës. Lidhur me këtë çështje, A. Pipa thotë: “Ajo çka e shquan Migjenin prej çdo shkrimtari tjetër shqiptar është shija e metaforës, e cila në poezinë e tij është hiperbolike dhe ekscentrike.” (Komunikimi sfidues… f.21). Për dendurinë dhe funksionin e metaforës në Poemën e mjerimit ka bërë një analizë të hollësishme poeti Koçi Petriti në studimin e tij Poema e mjerimit – një kuti e Pandorës ( Komunikimi sfidues, f. 14-21).
Shprehje e modernitetit në poezinë e Migjenit është prirja drejt groteskes, me çka ai të kujton Lautréamont-in (1992, f-21). Nuk janë të pakët ata shembuj nga Vargjet e lira ku ballafaqohemi me personazhe dhe me situata groteske: “Na shtypi fati e na bani krymba / na kensit dykambësh që zbuluem hy’n / edhe aq ma tepër e ngatërruem ny’n… / shpirtënt tonë skyfera deshën të bahen pëllumba.” (1988, f. 56). Të përbashkët me poetët modernë, Migjeni ka edhe përdorimin e ironisë, të humorit të zi, të akullt: “Mbi kështjellat mijëvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme, / krahët i kanë varë pa shpresë – simbojt e shpresave të humbura…” ( Migjeni, Vepra… f. 33). Ose: “Aty këtu në hijet / e flamujve / mund të shifet / një mund, një përpjekje / e madhe përmbi vdekje / për të pjellë diçka të madhe, / për të qitë në dritë një xhind! / Por, o ironi / nga kjo përpjekje lind / vetëm një mi.” ( Po aty, f. 96).
Më të shumtat e poemave të Migjenit kanë fakturë klasike, janë shkruar me varg të matur, madje ndonjëherë ai përdor edhe sonetin (Kanga e rinis, f. 16; Sonet pranveruer, f. 74), por nuk mungojnë rastet kur ai e çliron vargun plotësisht nga rregullat e metrikës klasike, siç ndodh te Parathania e parathanieve, f.5; te Vuejtja, f.89 apo Nën flamujt e melankolisë, f. 96. Për këtë çështje, mund të shtojmë se Migjeni jo vetëm është ndër të parët që ka eksperimentuar në poezinë shqipe vargun e lirë, por merita e tij e veçantë është se me këtë varg, ai shkroi poema, të cilat qëndrojnë denjësisht përkrah poemave më të arrira, të shkruara me varg të matur.
Mendoj se autorit të Vargjeve të lira i shkojnë për shtat fjalët që janë thënë për poetin modern francez Tristan Corbière: “Megjithëse nga ana e tij, ai ka qëndruar në kuadër të vjershërimit tradicional, atë e përdor me aq ashpërsi dhe mospërfillje sarkastike, sa stolisja solemne, me të cilën mëtonte të mbështeste poezinë klasike, bëhet copë e çikë. Vargu – madje edhe aleksandrini bombastik – është troshitur, copëzuar, thyer pareshtur nga klithmat dhe lemzat.” (1992, f.22). Jo rrallë, kështu ndodh edhe me vargun e matur të Migjenit: “Shqiponjë me krah të thyer! Vall, shpirt i plagosun!”; “O shpirt! Pëllumb i gjorë! Lajm i idealit të ri…” (f.52) Ose: “Kangë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi.” (Migjeni, Vepra…f.93)
Migjeni është modern edhe për nga strukturimi i librit të tij të parë e të vetëm me poezi Vargjet e lira. Me këtë strukturim, ai të sjell ndër mend autorin e përmbledhjes Lulet e së keqes, i cili pohonte me ngulm se i kishte kushtuar kujdes të madh ndërtimit të librit: “E vetmja lëvdatë që e pres me gjithë shpirt për këtë libër, është që njerëzit ta vënë re se ai nuk është një album i thjeshtë dhe se ai ka një fillim e një fund.” (Les grands fondateurs… f.12-13). Me sa duket, një përkujdesje bodleriane e ka shtyrë edhe Migjenin ta strukturojë përmbledhjen Vargjet e lira në pesë cikle, të cilat hapen me Kanget e Ringjalljes dhe mbyllen me Kangët e fundit.
Meqenëse Migjeni ka jetuar e ka krijuar më shumë se një gjysmë shekulli më vonë sesa poetët që qenë themeluesit e poezisë moderne franceze, është e natyrshme që në krijimtarinë e tij poetike të hasen edhe elemente të poezisë moderniste. Një element i tillë mund të jetë bie fjala procedimi onirist: “… e ndër thrrimet e vogla të lotit ka një njeri lindet.” (1988, f.49)
Në qoftë se elemente të poezisë moderne zënë vend në krijime të veçanta të Asdrenit, të Lasgush Poradecit apo të ndonjë autori tjetër, e para përmbledhje poetike që mund të thuhet se i përket tërësisht poezisë moderne është libri Vargjet e lira. Po të përdor një metaforë të Saint-Beuve-it, Migjeni është “në pikën më të skajshme të Kamçatkës së traditës” dhe bregu ku nis kontinenti i ri i poezisë moderne shqipe.
Jam i mendimit se nuk mund të jetë më shumë sesa një hamendësim pohimi i Arshi Pipës kur e quan Migjenin përfaqësues të “romantizmit socialist epik”. (Komunikimi sfidues, f.21). Së paku, përmbledhja Vargjet e lira nuk të lë aspak këtë përshtypje, sepse në krijimet e saj nuk e shohim të mishëruar asnjë nga parimet e realizmit socialist. Kjo gjë nuk i përjashton gjasat që Migjeni të ketë pasur ndonjë simpati për idetë majtiste…