Sinan Kërpaçi: OSMAN TAKA NË PENEL, POEZI

NDRYSHIM I MADH ME MUA MIDIS

Ata vinin me këngë dhe iknin po me këngë,
këta vijnë me pranga dhe lirohen kokëulur.
Ata më thërrisnin “Komandant”
dhe kur martoheshin më ftonin në dasmë.
Këta hanë fjalët nëpër dhëmbë pas hekurave
dhe kanë turp të më shikojnë në sy kur u them:
mos e pafshi më këtë derë në jetë!
Atyre u thërrisja “ushtarët e mi” në diktaturë,
këtyre nuk u them dot “burgaxhinj” në qeli
siç vetquhen te burgu “313” në demokraci.

SHESHI I KUMBULLAVE TË KUQE

Në sheshin e kumbullave të kuqe,
në Sheshin “Shtraus”
ka njerëz më shumë se për një miting.
Ç’u bënë, nga humbën,
a kanë sy e veshë këto partitë?!
Një top nga dorë fëmije prek degët
dhe shkund lule pranverore
që bien mbi dominotë e pensionistëve
dhe kokat e varura të njerëzve
të gjendur te ky shesh përditë.
Ç’u bënë, nga humbën,
a kanë sy e veshë këto partitë?!
Sa bëra në një “katërshe” të lodhur
domino të papritur me dopjogjashtën
dhe qeshën fort
me dy kundërshtarët e mi të mundur
të gjithë.
Ç’u bënë, nga humbën,
a kanë sy e veshë këto partitë?!
Jemi shumë te ky Sheshi “Shtraus”:
pensionistë, gra, fëmijë me shumicë.
Ç’u bënë, nga humbën,
a kanë sy e veshë këto partitë?!
Pse paguajnë para për salla
dhe nuk vijnë te ky shesh
të shfaqen “madhështore” kësaj ane
për fushatën elektorale falas
të radhës
ku bëhet domino me dopjogjashtën?!

Mars 2023

NGA RRUGË E VERBËR

Vlerësimi i bregut për bukurinë – vlerësimi ynë
nuk është më pak se ” E mrekullueshme!”
e thënë njëzëri
për lozonjaren nazemadhe që kërceu
dhe u zhyt në Jon që nga shkëmbi.
Nuk gjej fjalë të them si e çan tani dallgën,
nuk di çfarë vlerësimi t’i jap
për mënyrën si noton,
largohet e largohet nga bregu dhe unë
e pas e fluturuara prej shkëmbit lë vetëm shkumë
dhe njerëz si statuja në breg.
Si t’i dal bukurisë nga një rrugë e verbër
dhe t’i zë udhën në det?!
Kjo nuk është bukuri e shekullit njëzetenjë,
nuk është as e shekullit njëzet,
por jashtë kohe.
Si të shndërrohem nga statujë bregu në njeri
dhe t’i shfaqem bukurisë nga një kalim
që askush s’e di?!

SHIU QË S’MË LAG

Bjer, o shi, bjer në Diell-lindjen time
e jo vetëm kur unë lëviz në “Bardhyl”
dhe qullem poshtë blirëve!
S’e ndiej si më lag
dhe bëj vite pas,
ulem tek ajo bankë,
tek ai shi i ftohtë:
pikë-pikë mbi Abetare.
Ajo pikë lagte, ajo pikë lagte
shkronjat dhe “fatosin” gjashtë vjeç!
Lagte bukurshkrimin tim
pika e ftohtë mbi kokë,
lagte mua në fëmijëri –
lagte një botë:
trupin tim të brishtë
që unë, si nëna, të nesërmen time
mos ta firmosja me gisht.

OSMAN TAKA NË PENEL

Peneli yt e mban Osman Takën në valle,
o Muhamet Kërpaçi,
e shëtit në kontinentet me jetë
e deri te kontinenti i ngrirë.
Osman Taka gjer në Antarktidë.
Dridhe Osman Taka vallen çame,
hape pëllëmbën e djathtë si shami
te një studio buzë Lanës,
merr rrjedhën dhe dil në det
se piktori i gjakut tim
të dha pasaportë ndërkombëtare
për të mbërritur deri në kontinentin e ngrirë
pas gjashtë të tjerëve me jetë.
Osman Taka i penelit të Lanës,
i penelit të gjakut tim,
bjer dhe ngrihu, puthe tokën,
shpalose pëllëmbën e dorës së djathtë,
shpalose sikur shpalos Çamërinë.
Qytetarët e botës shtrijnë krahun buzë Lanës:
“Atë duam, atë me fustanellë,
atë burrin që përkul trupin dhe bëhet urë
të kalojnë të tjerë.”

Gusht 2023

AUTOGRAF PËR BERBERIN TIM

Atij që i kam besuar kokën
i fala librin tim me vjersha
me këtë autograf:
“Ta lexosh njëherë vetë
dhe pastaj ta shtrish me qejf
gjerë e gjatë
mbi tavolinën e berberanës,
t’i bësh te klientët reklamë,
si bëj unë me kokën që ti
me stilin tënd dalë mode e qeth,
kur e shëtis nëpër Tiranë
pa ndërruar berber
këtu e dyzet vjet.”
Berberi i jetës e qeth, e krasit mirë
rrumbullaken që i ra në dorë,
e sjell me gishtërinj majtas e djathtas
ashtu si di e nuk di,
ndërsa unë përpiqem t’i reklamoj
punën poshtë e lart,
jo si kungull, por si shalqi.

DY ÇAJUPËT

Pi ujë dhe ndihem më i etur
në krojet e Çajupit mal
dhe Çajupit poet.
Them:
çfarë i lidh kaq shumë
dy të mëdhenjtë?!
Ndoshta se e mbledhin
ujin e dëborës më në qiell
dhe e rrjedhin krua më krua,
e servirin vetë për mua
ta pi me grushta.
Unë, vetëm unë për ta pirë,
jo pse andej kaloj,
kam shtëpinë
dhe s’jam udhëtar i vonuar,
por ndiej etje të madhe
që dua ta shuaj me pijen e kërkuar.
Mos t’i lë krojet të derdhen në det,
ta deh dashurinë
nëpër Shën Valentinë
dhe në dy Çajupët: Mal dhe Poet.

MË DUHESHIN FJALË

I fola i bindur, por nuk më ndaloi te “prita” ime…
Me mendjen që kam tani them: nuk i fola si poet,
ndaj ma bëri mirë që iku dhe shkoi në punë të vet.
Kjo ndodhi ditën e parë, por nuk ndodhi tek e dyta…
Te “Gjiri i Lalzit” – “Gjiri i Asaj” kujtohem tani, i them:
ika të kërkoja fjalë që më duheshin te “prita”.
Ika, u ngjita në një dardhë: “Dardha e Kërpaçe”,
ika, u vara në ca buza: “Buzat e Kërpaçe”,
ika, piva ujë në një krua: “Kroi i Kërpaçe”,
ika, u laga në një përrua: ” Muguçal”,
ika, më duheshin fjalë.
Ika, të lashë në mendime
dhe për vete humba gjatë në Kuvend
me ca që vijnë nga larg dhe dinë ç’thonë: kanë lajm.

AJO THA SE DO MË PIKTUROJË

Mos më mbaj shumë në penel
kur të më pikturosh
pasi të përziesh bojrat
e të më bësh dhëndër,
ngjyeje në të florinjtën e malit Diell-lindje,
por jo aq kohë sa t’ju bëhem ëndërr.
Pak më mbaj,
bëj si bëj unë me diellin në atë mal
kur e lëshoj të shëtisë i lirë në qiell:
të vihem në ndjekje Ty,
të marr pas me diell.
Më vizato si fillim me laps
për mundësinë të më fshish me gomë
në s’jam “pushtues” dhe nuk të dal
si më ke menduar gjatë
kur ti të jesh ca më e ftohtë
dhe unë pak më larg.

KUSH MË ZHVESH

Mos më mbaj shumë në breg,
o det që nuk je imi
pse s’të këmbeva asnjë çast
me një bujan në Gur të Gjatë.
Ti je gjigant, o det, ti je gjigant
dhe të mëdhenjtë s’mbajnë inat,
por sillen si të bindur
kur kanë përpara një fëmijë
me flokë tani të thinjur.
Ma hiq kapelen, ma hiq këmishën,
m’i hiq këpucët kaq të rënda,
më mbaj të lehtë lart,
më tutje mund të më zhveshë
vetëm ai – Guri i Gjatë
me dy pëllëmbë bujan.
Hidrocentral s’e bëra dot
një pritë kur i ngrita,
por unë atje mësova not
të mund sot ty, o det.
Pa brekë, pa brekë, pa brekë,
me një kostum prej ari
larë, larë në diell,
thurur nga dor’ e nënës
me pesë shtiza që s’ndalojnë
andej nga bot’ e ëndrrës.

“PERIFERIKJA E VERËS”

Nesër
e mbyll rrotullimin e plotë
360 gradë,
kthehet e lodhur
pas një viti kalendarik
“Periferikja e Verës”
në Tiranë,
nesër
ne “periferikët” lajmë këpucët
në Sheshin “Skënderbe”
tek ish shatërvanët,
dhe togje-togje
do sillemi bregut të Lanës
në Ditën e Verës pa verë.
13. 03. 2023

NOSTALGJI

Ca kilometra nga rruga e vjetër
u shmangën në të djathtë…
Dikush përmendi fjalën “asfalt”
dhe tha: e vjetra vetë s’e deshi atë zift,
një tjetër i paduruar pasoi:
jo, andej i binte shumë gjatë,
atë që dilte si bërryl e veçuan,
e lanë mënjanë dhe s’i hodhën asfalt.
Makina ime e moshuar si unë
nuk preu në të majtë,
mori nga e vjetra me të përpjeta
dhe kryeneçe uturiu egër…
Mbase ishte një nostalgji e saj dhe e imja
për atë që na priti dhe përcolli në dekada
sa na bëri “të vjetër”.
Kur u ktheva kalova nga e reja
dhe unë si shumë të tjerë,
te “shmangia” i rashë borisë ca herë,
borisë me një zë si imi: të çjerrë.

Fushëbardhë, 12. 2. 2023

KËMBËXHINDJA 35

Do shkoj te butiku i këmbëxhindes Lishing
të pi një çaj
që do ta bëjë Ajo,
që do ta sjellë Ajo e do e pimë të dy.
Dhe do porosit një kontenier me këpucë
që stok do mbeten
në Shqipëri.
Çajin e këmbëxhindes 35 nuk e lë,
çajin dhe Lishing do t’i pi.
Në katin e shtatë të butikut 203
do t’i lë të gjithë dollarët
që më futi në xhep biznesi për 10 vjet,
te këmbëxhindja 35 Lishing,
te çaji i ngrohtë atje,
ku kyçem unë,
këmbëxhindja 35
dhe bëhemi tre.
Në rafte këpucët janë të gjitha numër 37
dhe unë një që ta shikoj të veshur te këmbëxhindja 35
s’e gjej në vitrinë…
Skuqet Lishing si e zënë në faj,
sikur do të thotë: është rregull në Kinë.
Mallkuar qofshin rregullat
për këmbëxhinden 35 Lishing!
Thotë se ky është rregull i fabrikave,
s’e prish dot as për mua që vij nga Shqipëria.
Është rregull, rregull në Kinë
sikur shprehet këmbëxhindja 35
që s’e gjej në vitrinë.
Në orën 18, sipas rregullit në Kinë,
ne do të ç’kyçemi nga butiku,
do vrapojmë në “Sanli Tuën Çiou Bar”
në tingujt e muzikës kineze deri në agim,
ku unë dhe këmbëxhindja 35 Lishing
do pimë me shishe, jo me gota,
birrë kineze “Jenxhin”.

Nga libri ” O Tomorr në Pekin”, 201

MBIEMRI

Piktorit Muhamet Kërpaçi

Buzë Lanës
rritet mbiemri im
në penelin e Piktorit.
Është Lanë a është Drin
ai që i shkon te këmbët,
mos përzihet në atë valë
dhe përroi Muguçal i rrëkeve?!
Shndrit e shndrit me atë zall,
ha e ha shtëpisë themelet
te një Jug që vetëm zbardh
me një emër.
Erdhi kaq bujar ky prill,
mbuloi me gjelbërim
të dy brigjet tejpërtej,
por Piktori vesh opingat
dhe ngjitet sipër në bjeshkë
derisa të gjejë ngjyrat
për penel.
T’i trazojë, t’i bëjë bashkë
buzë Lanës te një studio
që ngre lart mbiemrin tim.
Është Lanë a është Drin
lumi që i shkon te këmbët?!

Prill 2023