DASHURI ËMBËLAKE
Në një pranverë rrinim ulur nën qershi
shikimi i syve tanë la ndezur çdo yjësi
timonin e drejtonin rrahjet e zemrave tona
mozaik ëndrrash shtriheshin mbrëmjeve të vona
tingujt e nostalgjisë n’a morën me vete
fluturuan kujtimet si mjellmat tek liqeni
si nektar i luleve mbledhur nga mijëra bletë
dashuri ëmbëlake në shpirtin tone fjeti
në çdo pranverë kur çelin qershitë
e petalet lozonjare të joshin me aromën e vet
i komentojmë takimet e dikurshme
pa telefona, pa mesazhe të shkruara në fletë
kur mendoj sa kohë kanë kaluar
takimet sekrete si gravurë në zemrat tona rrojnë
dashuria jonë akoma rrin e ndezur
si rrezet e mëngjesit që s’dinë të perëndojnë!
ËNDËRR
Vrapoja nëpër zjarre
Në kërkim të një politike të gdhendur
Që dashurinë t’ a ketë në zemër
Me merrnin për të marrë dhe të çmendur
Vrapoja nëpër stuhi dhe rrufe
Në kërkim të një njeriu që e mban kokën lartë
Që në zemër e ka dashurinë e paqtë
Më merrnin për budalla dhe të humbur
Notoja thellësive të Titanikut
Këroja perla dashurie
t’ia var solemnisht në qafë Atdheut
Më merrnin për të krisur
Me një frymarrje të lodhur
E qëllova mu në zemër
Një demon me kollare
Me xhepat thes
E punën ters
Më trembi gjumin një këmbanë nate
Qava
E shava
Pse s’ ishte zhgjëndërr
Pastaj qesha si e dehur
Të paktën pakënaqësinë
e qëllova n’ëndërr!
KRYEVEPËR
Prekaz, ece nepër shekuj të tërbuar
Zog i etur, qiellin e hapur për t’a zotëruar
mbretërinë ndërtove me të lashtën dhe të paqtën histori
T’i rrahte brigjet e shpirtit prore dashuria për liri
Në sytë e tu çelej sythi i ëndrrës se moçme
Në shtigjet e ballit të ndrinte dielli i ditëve të sotme
Në Ty ka zënë fill trimëria
Në Ty hapëroj e dha emër historia
Nga emri yt armikun e kapnin ethet
Shpresës nuk ia zbehe buzëqeshjet
edhe pse me plagë në zemër nuk pate ligshtim
vetëm çëndise gjokse me vetbesim
sot mëngjesi yt kudo shkëlqen
e muzën e dashurisë m’ a rrëfen
perëndimi yt i skuqur
mbrëmjen m’a sjell zjarr të prushur
me buzëqeshjën e hënës lozonjare natën m’ a përkëdhel
ylberin e shfaq pas çdo shiu rebel
kur them Prekaz, kuptoj: betim, besë,
fisnikëri, trimëri e burrëri
këngë e lahutes në brezni
tingulli i saj kuq e zi, dashuri për Shqipëri
kur them Prekaz, më kap ngazëllimi dhe krenaria
e stërgjyshit Ahmet Delia
kur them Adem Jashari
kujtoj një zemër luani me mendje vigani
të vdesësh duke kënduar
historikisht është një Kryevepër
legjendat lindin vetëm njëherë
për të jetuar përherë!
LINDE BRIGJEVE TË JONIT
Linde brigjeve të Jonit
me agimet e para të Universit
nga thellësit e tij
linden edhe të tjerë popuj
rrënja ishe Ti!
grabitqarët e mbajtën fshehur
historinë tënde të virgjër
nga çdo kënd
të shikonin vrëngër
por, nuk t’u terratisën sytë as mendja
si një spektër Drite
nepër mileniume
altarin e shpirtit zbrite
godite me bukurinë e hirshme
me rrënjët e lisave shekullor
e dashurinë mijëvjeçare
përcolle nëpër breza ylberor
amanitin e shenjtë
të stërgjyshërve pellazgë
jemi në tokën Amë
përgjatë udhëtimeve të mundimshme
u përplase me dallgë detesh
e me hapësira të errësuara qiejsh
por të mbajti gjallë
fuqia e urtësisë, e dashurisë,
doket dhe arti yt i rrallë
fluturove me krahët e gjerë
mbi Arbëri e Dardani
kudo që frymonte Iliri
ligjerove testamentin e artë
jemi mozaik i një trungu të lashtë
popull Ilir
me besim në Diell
PAGËZIMI I DRITËLINDJES
çaste magjepse
në këtë mëngjes pranvere
ulur në bahçën time
rrethuar me ngjyra petalesh
dhe aromë zymbylash
bilbilat me të gjitha notat
thurin melodi me cicerime
tutje i vështroj disa zogj
si bëjnë koordinime
pa gabime
me rrahje krahësh
e zgjerim puplash
drejt horizonteve të reja
fluturojnë mbi mal e det
besojnë në fuqinë e krahëve të vet
pa viza dhe pa fronte
njëri pas tjetrit, lirshëm
formojnë shkronjën V valvitshëm
pa përplasje dhe pa tundime
e gjithë kjo duket sublime
në vallëzim me erën
duken të lumtur
dhe krenar për privilegjin e zërit
ndihen si zotat e qiellit
që la rtësive nuk ua kanë frikën…
përqafojnë hapësirën qiellore pakufi
të vegjël por kanë shumë dhunti
e ndjejnë
pagëzimin e dritëlindjes
tuj e lënë pas
verbërinë e natës
veç nê miqësinë e hënës…
01.06.2023 Montreal
PSE HESHTË?…
Buzëqeshja buzëve të dridhet
për shëndetin që të rëndohet
yjet në qiell gërhasin
për lirinë që t’a vrasin
mbi durimin tënd bie shi mërzitshëm
si vaj violine tingëllojnë
brigjet e shpresës për të pagjeturit
pas kreshtave të maleve
Nuk shihet perendimi magjik i diellit
hordhive mu në zemër që iu ngrenë tempuj
hëna nuk fle mbi liqenin e qetë
për dhimbjet tua vargu migjenian edhe sot flet!
lulet tua pranverojnë nëpër botë
vetmia muret e shpirtit t’i godet fortë!
Tani në hapësirën e lirë luajnë figura misterioze
T’a shesin shpirtin e dëlirë
e vrasin me politikën qorre
Si bubullimë para shiut
Ngrejnë ura të rreme
Pse heshtë?…
Më thuaj të paktën një fjalë
Cila plagë të dhemb
jepi fjalës fuqi, lartësoje
Brenda saj ke dashurinë
Që të rimëkëmb si një Hyjni
Pse heshtë?…
Unë si shtegtare e fatit
Shëtis botën anë e kënd
ndihem e huaj
Kthehem mbështes kokën
mbi gjoksin tend
nga frymarrja jote e ndjej që më thua
Vetëm dielli im të nxeh
Ti qëndron Kurorë mbi të gjitha Dashurit e mia
Atdheu im!
STINËS MISTERE
Vjeshta kryeneçe e vë në gjumë stinën tjetër
Era i mbledhë dhe i shpërndan retë gri si një tis të vjetër
Gjethet vallëzojnë në horizontin e lirë lazdruar
Si buzëqeshja që shpërthen pas ëndrrës së realizuar
Ngjyrat e ndezura i thanë lamtumirë blerimit
natyra ngjan me skenat e meditimit
Ky fenomen i rrallë frymëzim për poetë e piktorë
Bjeshkë e Saint-Sauverit dehje për çdo vizitorë
Nga kjo stinë duket shirat e kanë fillin dhe nuk e di ku mbarojnë
Si lejlekët e bishtgërshërët që arratisen nuk e di ku shkojnë
Ndjenjat zbehen deri në një melankoli të gjatë
ashtu si dekompozimi i një klorofili të ngratë
pylli fërshëllin me një melodi qortuese
pse nuk e mbajti të blertën vibruese
gjethet e panjës thyhen mbi syprinën e liqenit të qetë
e të lënë pa frymë
stinës mistere poetët i bien në gjurmë!
XIXA DIELLORE
ishte magjiplotë dhe madheshtore
kur Dielli e puthi për herë të parë tokë Arbërore
u hap Drita si petalet e një trëndafili radhë e radhë
Fushë e mal dukej si një fustan i bardhë
i hapa krahët e përqafova
me gjithë fuqinë që pata, e shtrëngova
me penjtë e lotëve gazmorë
m’a qëndisi plagën e moçme në kraharor
xixat diellore
m’a hoqën perden e syve
gjithçka ngjante me bukurinë hënore
asnjë fjalë nuk e thash
e ndjeva në çdo qelizë e deri n’ asht
e putha me afsh
buzët shkrumb
m’ i zbuti kaltërsia
kur e pash
që u ngrit në qiell dhe lundroi si lum!