ALISA VELAJ: Libri “Përse mendohet një luledielli” i poeteshës Teuta Dhima

Libri “Përse mendohet një luledielli” i poeteshës Teuta Dhima

DASHURIA, PIQET E LULËZON MË BUKUR BRENDA NJË GRUAJE TË BUKUR

“Përse një lulediell mendohet, asnjëherë nuk do ta kuptojë njeri. Frytet do t’ia pjekë dielli e plotë dhe e begatë do t’i gëzohet atij.” (Përse mendohet një luledielli) Është dashuria që ia pjek femrës frytet e ëndrrave të saj dhe në anë tjetër, ajo dashuria, piqet e lulëzon më bukur brenda një gruaje të bukur. Rrymë gëzimi, rrymë begatie e plotnie, si femra në dritën e dashurisë, si lulja e rrezeve.

Në secilën poezi të një autori e gjen veten në mënyra të ndryshme. Ka poezi ku ndien harrimin, ka të tjera ku ndien dashurinë e pakufi ndaj njerëzores. Ka pastaj poezi, që të shkaktojnë ca rryma të ngrohta mendimi në tru e në zemër. Poezia e Teuta Çikut (Dhimës) më jep këtë të fundit ndjesi, në lidhje me dashurinë, natyrën, të bukurën e gjithçka tjetër njerëzore.
Janë ligjërime të çiltra, plot ndjesi aromash, prej petalesh të hapërdara andej-këtej, nëpër ajrinë mes dy qenieve. Ajrinë mes njeriut dhe një luleje. Ajrinë mes njeriut dhe ujërave. E rëndësishme është se ka ajër dhe dashuri pa kufizim. “Përse mendohet një luledielli” është titulli i këtij vëllimi. Po përse mendohet një lule? Për me tepër një luledielli përse u dashka të mendohet dhe ajo? A nuk i mjafton që është lulja e diellit? Pyetjet nëpër tituj patjetër se janë retorike. E rëndësishme është se pyetja lind pyetjen dhe kështu nuk merr dot fund gjer në fund. Si mendimi, si lulet, si rrymat e ngrohta të mendimit kur sheh një lëndinë të tërë me luledielli. Luledielli është femra me vështrimin e saj nga shpirti, nga dashuria.
“Përse një lulediell mendohet, asnjëherë nuk do ta kuptojë njeri. Frytet do t’ia pjekë dielli e plotë dhe e begatë do t’i gëzohet atij.” (Përse mendohet një luledielli) Është dashuria që ia pjek femrës frytet e ëndrrave të saj dhe në anë tjetër, ajo dashuria, piqet e lulëzon më bukur brenda një gruaje të bukur. Rrymë gëzimi, rrymë begatie e plotnie, si femra në dritën e dashurisë, si lulja e rrezeve.
Në poezinë “Përroi” i këndohet dy të dashuruarve që përkunden në djepin e Erosit. Lexojmë vargjet:
“Shtratin ua ndante një përrua,
trupat nën instikt bashkuar
lagur janë prej stërkalash.
Rrëqethur, bashkuar, ndarë
si dy peshq të mbetur në zall”.

Peshqit e zajeve janë shpesh paksa të zalisur nga ngrohtësia e diellit. Si të dashuruarit që pijnë tërë përrenjtë e harbuar të pasioneve çmendurake. Duke shuar etjen për trupa. Duke shuar etjen për kufirin më të thellë të ujërave të ndezura të dashurisë. Po gruaja mund të përhumbet nëpër vet’harrime dhe kënga e saj të pikëllohet paksa. Nuk duhet. Sepse gruan e këngës dhe këngën e gruas nuk duhet ta braktisin përtëritjet.
“Pa pyete vjeshtën nëse i dhimbsen gjethet e rrëzuara,
pyete dhe ajo do të qeshet me ty.
Rënia e tyre, është egzistenca e saj.
Vjeshta asnjëherë s’e harron veten, si ti.
Grua veteharruar…”
Vjeshta e di pse është vjeshtë. Ashtu gruaja duhet ta di pse është grua. Vjeshta e di se rrethi ciklik i jetës do kryhet dhe se asaj i ka ndodhur të ketë misionin më të vështirë: vyshkjen. Po që natyra të rilindë, duhet të kalojë mes vjeshtës e dimrit më parë. Përtëritjet janë më të bukura pas vet’harrimeve në dy stinë. Mund të vet’harrohet pra vjeshta, por kurrsesi gruaja. Ajo le te ecë me kujtesë të pranvertë edhe kur gjethet rrëzohen e rrëzohen. Sepse ligjërimi i gruas, në jetë dhe në poezi është më i ngrohtë, më i bukur, më i afërt për dashurinë, atëherë kur rrjedh nëpër petale. Qofshin ato luledielli apo të çfarëdo luleje tjetër