K. Luci, L. Përzhita : Gërmimet arkeologjike në tumën e Llashticës, Gjilan dëshmuan trashëgiminë dardano-iliro shqiptare

K. Luci, L. Përzhita : Gërmimet arkeologjike në tumën e Llashticës, Gjilan dëshmuan trashëgiminë dardano-iliro shqiptare

Kontributi i prof. Selim Islamit në studimin e kulturës ilire në Kosovë- (Tumat e Llashticës – Gjilan)

Profesor Selim Islami i përket grupit të dijetarëve të shquar, përfaqësues i brezit të parë të arkeologëve, bashkëthemelues i arkeologjisë shqiptare dhe studimeve të ilirologjisë moderne. Veprimtaria shkencore e Prof. Islamit ishte dhe mbetet pikë referimi për breza të tërë studiuesish, sot dhe në të ardhmen.
Prof. Islami në bashkëpunim me arkeologët H. Ceka, S. Anamali dhe F. Prendi organizoi dhe drejtoi gërmimin e tumave ilire në luginën e Matit. Ato konstatuan se, kultura e dokumentuar në luginën e Matit ishte e ngjashme me kulturën në rajonin qëndror ilir të Glasinacit në Bosnjën Qëndrore, që më vonë do të njihet në literaturë me emrin “Kultura Mat-Glasinac”.
Interesi e Prof. Islamit rreth tumave ilire shtrihet edhe në Kosovë. Në vitin 1980 në kuadrin e dy universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës u krijua mundësia që të fillonin gërmime të përbashkëta arkeologjike midis Sektorit të Arkeologjisë, Tiranë dhe Muzeut Krahinor të Prishtinës.
Stafi i arkeologëve kosovar ishte i përbërë nga Kemajl Luci, Dedë Palokaj me konsulent shkencor prof. Zef Mirditën, ndërsa stafi shqiptar përbëhej nga prof.Selim Islami, prof. Skënder Anamali dhe prof. Muzafer Korkuti. Në marreveshjen dypalëshe ndonëse stafi i arkeologëve nga Tirana do të merrte pjesë direkte në gërmim, si dhe do të ndihmonte me konsulencë shkencore arkeologët të rinj kosovar, ato nuk kishin të drejtën e botimit të rezultateve të gërmimit.
Pjestarët e të dy stafeve së bashku me drejtorin e muzeut Kosovës-Prishtinës, arkeologun dr.Jovan Glishiq dhe drejtorin e Entit Krahinor të Monumenteve, u mblodhën për të zgjedhur e caktuar qëndra arkeologjike ku do të ndërmerreshin gërmimet. Nisur edhe nga përbërja e ekipeve u ra dakort nga të dyja palët, që gërmimet të bëheshin në një vendbanim apo nekropol të periudhës prehistorike dhe në këtë zgjedhje përparësi kishte, për shumë arësye, gërmimi i një varreze tumulare.
Burimi ishte tek pikëpamja e Jovan Glishiq se territori i Kosovës së sotme i Dardanisë antike, përbëhej nga dy krahina me përbërje të ndryshme etnike. Rrafshi i Dukagjinit, sipas tij, në epokën e hekurit ka qenë banuar nga dardanët ilir, kurse Rrafshi i Kosovës, ka qenë i banuar nga një popullsi tjetër, e cila në pikëpamje etnike nuk ka qenë ilire, shumë më vonë në të u shtrinë ilirët, të cilët të ardhur nga Rrafshi i Dukagjinit kanë dëbuar e asimiluar popullsinë vendase jo ilire.
Synohej që gërmimet e reja të sillnim prova në mbështetje të tezës se edhe Rrafshi i Kosovës në epokën e hekurit nuk kishte ndryshime etnike me Rrafshin e Dukagjinit, pra duhej të gërmonim një varrezë tumulare ilire në Rrafshin e Kosovës. Tuma të ruajtura në këtë zonë ishin të pakta në numër (Llashticë, Gatnjë, Slivovë dhe Komoran) dhe asnjë prej tyre nuk ishte gërmuar. Pas vizites në grupin e tumave të Llashticës, që ndodhen 9 km në juglindje të qytetit të Gjilanit, pikërisht në luginën e Moravës së Binçës, në ekstremin më lindor të Rrafshit të Kosovës, u krijua mendimi se ky ishte nekropoli tumular më i përshtatshëm për gërmim.
Prof. Muzafer Korkuti për ketë ngjarje ka shkruar në hyrjen e Hartës Arkeologjike të Kosovës, vëllimi I, ….Prof. S.Islami ishte i prirur se gërmimi në Llashticë do të na jepte rezultatin e dëshiruar, për t’u siguruar na u drejtua edhe njëherë për të marrë vendim. Unë i thashë se ne duhet të provojmë të gërmojmë këtu në Llashticë në ekstremin lindor të Rrafshit të Kosovës, duke përdorur si “argument” fjalën popullore “nëna e trimit, ja qa ja qesh”.
Në gjysmën e dytë të muajit shtator 1980 ekspedita pasi ishte pajisur me mjetet e nevojshme nga Muzeu i Prishtinës e Enti Krahinor, filloi gërmimin sistematik të tumës Nr. 1 të Llashticës. Kjo shënon dhe ekspeditën e parë arkeologjike që gërmohej së bashku me kolegë kosovarë. Zbulimi i një varri që kishte si inventar një enë dy vegjake e bërë nga qeramikë e zezë, e njëjtë me enët dy vegjake të zbuluara me tumat e Romajës në Rrafshin e Dugagjinit dhe të kulturës së Matit, ishte dëshmia e parë bindëse se tuma e Llashticës i takonte së njëjtës kulture ilire të Dardanisë.
Prof. Korkuti shkruan…nuk mund të lë pa përmendur bisedën që u zhvillua atë paradite midis prof. Z. Mirditës, si konsulent shkencor dhe J. Glishiqit në prani të gjithë stafit:
Z.M.- Ja ena që është zbuluar
J.G. –Eshtë enë tipike e kulturës së Matit
Z.M. –Po kështu e kanë përcaktuar edhe kolegët shqiptar, enë tipike e kulturës ilire të Matit, dhe shtoi, është vërtet e kulturës së Matit, por është edhe “shah-mat”, është një prove e padyshimtë arkeologjike që bie ndesh me pikëpamjen tuaj për përkatësinë etnike të Rrafshit të Kosovës në epokën e hekurit. Kultura e dokumentuar ishte shumë e ngjashme me kulturën e grupit Mat-Glasinac dhe i përkiste fisit ilir të Dardanëve.
Ngjarjet që ndodhën në Kosovë në vitin 1981 e më pas, ndërprenë vazhdimin e gërmimeve në tumat e Llashticës, si edhe bënë të pamundur botimin e rezultateve të tumës nr. 1.
Rezulatet e gërmimeve arkeologjike në tumën e Llashticës u botuan nga K. Luci dhe S. Islami (pas vdekjes) në vitin 2015, në veprën ”Dardania-Kërkime dhe studime arkeologjike” edituar nga Korkuti, Përzhita dhe Luci.

Dy fjalë për tumat e Llashticës

Monumente karakteristike për kulturën dardane janë tumat, të cilat hasen të vetmuara apo në grupe, rit i posaçëm i varrimit në këtë hapësirë etnokulturore dardane. Arkitektura e tumave përbëhet kryesisht prej unazave rrethore të ndërtuara prej gurëve, të cilët e kufizojnë tumën, varrin qendror dhe varret periferike. Tumat janë të ndërtuara me dhé dhe gurë, në formë gjysmësferike, me diametër deri 30 metra dhe lartësi deri 10 metra. Mënyra e varrimit është bërë kryesisht me anë të inhumacionit (vendosje trupi) e më rrallë me incenerim (me djegie), por hasen edhe kenotafe (tuma ose varre pa skelet). Varrezat tumulare të periudhës së hekurit kanë shërbyer edhe për varrime gjatë mesjetës.
Në kuadrin e ekspeditave përnjohëse arkeologjike që organizoi Muzeu i Kosovës në vitin 1979, në fshatin Llashticë të komunës Gjilan, u fiksuan 7 tuma ose ”gumura”, siç i quajnë vendësit, që ruheshin në lartësi nga 0,70 cm deri në 2,20 m, dhe diametër 7 – 28 m. Për ndërtimin e tumës ka shërbyer një muranë qendrore në formën e një kësule, me diametër rreth 9 m dhe lartësi 1.60 m, ndërtuar me gurë të përmasave mesatare (30 x 20 deri 15 x 10 cm), të vendosur njëri mbi tjetrin në trajtë të parregullt. Pjesa lindore e majës së muranës, me një sipërfaqe rreth 4 m2, ishte e dëmtuar nga ndërhyrjet e varreve mesjetare dhe punimet bujqësore. Në muranën qendrore, nuk u zbulua varri qendror dhe as objekte arkeologjike. Ndoshta, kemi të bëjmë me dukurinë e njohur dhe në tuma të tjera të Kosovës, atë të përkushtimit, kenotaf, ndërtuar për nder të një luftëtari apo një grupi luftëtarësh të vrarë diku larg vendbanimit. Tuma eshtë ndërtuar me gurë dhe e mbuluar me dhé. Nga gjetjet jashtë varreve vlen të përmenden disa enë të zbukuruara me motivin e trekëndëshit të vargëzuar, përgatitur me teknikën e incizimit, që janë karakteristike për enët e gjetura në varrezat e Rrafshit të Dukagjinit, Kukësit dhe Matit. Midis stolive, interes të veçantë paraqesin fibulat me kokë në formë mburoje, që përfaqësojnë një variant lokal të këtij tipi fibule, perlat bikonike, si dhe unaza prej bronzi. Këto gjetje janë me vlerë për studimin e kulturës materiale të Dardanisë, gjatë periudhës se hekurit të hershëm.
Tumat e Llashticës kanë mjaft tipare të përbashkëta, me tumat e zbuluara në viset e tjera të Ilirisë; paralelizma të qartë vihen re në arkitekturën e tumave, në ritin e varrimit dhe në tipat e disa objekteve. Kjo dëshmon për një unitet kulturor dhe etnik të kësaj krahine dardane me krahinat e tjera ilire.
Varrezat tumulare të periudhës së hershme të hekurit kanë dhënë materiale të begatshme, që dëshmon për strukturën sociale të bartësve, të të varrosurve. Inventari i gjetur në këto tuma përbëhet nga enë balte, fibula – tipash dhe madhësish të ndryshme, byzylykë, qafore të punuara prej qelibari dhe paste qelqi, gjilpëra, aplika, objekte prej bronzi me forma zoomorfe, unaza etj. Në disa tuma hasen edhe objekte të importuara nga Greqia, gjë që dëshmon për marrëdhëniet tregtare dhe për forcën ekonomike të parisë fisnore të shtetit dardan. Nekropolet tumulare janë dëshmi e gjallë e trashëgimisë etnokulturore të banorëve të kësaj treve gjatë shekujve IX-V p. Kr.